PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Prof. Dr. Adrian Civici » e Diel Shtator 01, 2013 10:40 am

RRUGËT DREJT NJË HAPËSIRE EKONOMIKE TË PËRBASHKËT SHQIPËRI – KOSOVË:
Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorë: Prof. Dr. Adrian Civici, Rektor – Universiteti Europian i Tiranës
Ibrahim Rexhepi, Kryeredaktor i Revistës “Ekonomia”


Në këtë Forum të CuriaWeb synohet që nëpërmjet një diskutimi publik dhe profesional të identifikohen avantazhet që rrjedhin nga intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, format optimale të këtij bashkëpunimi dhe skenarët apo rrugët që duhen ndjekur për këtë qëllim.
Hapësira e këtij diskutimi është mjaft e gjërë: ajo fillon nga nevoja e zbatimit të marrveshjeve të nënshkruara deri tani nga dy vendet; vazhdon me programimin e avancimit drejt një Tregu të Përbashkët që do të garantonte lëvizjen e lirë të mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitaleve, të karakterizuar nga një tarifë doganore unike kundrejt të tretëve; si dhe përfshin diskutimin e alternativave të intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit drejt një Tregu Unik, ku politikat ekonomike të dy vendeve do të konvergjonin.
Kuadri i këtij diskutimi mbështetet në kontekstin institucional egzistues të inisiativave bilaterale, atyre rajonale, të OBT, dhe mbi të gjitha në kuadrin e procesit të anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri – Kosovë në shifra
Gjatë dhjetë viteve të fundit Shqipëria dhe Kosova karakterizohen nga një rritje ekonomike relativisht e lartë, e shoqëruar me një inflacion të mbajtur nën kontroll. Në 2012, Shqipëria raporton 13.6% të papunë, ndërsa Kosova 44.8%. Shkëmbimet tregtare vuajnë nga një deficit tregtar strukturor shumë i lartë, me eksporte anemike kryesisht në lëndë të para me vlerë të shtuar të ulët, dhe importe që mbulojnë deri dhe produktet bazë. Bilanci i pagesave ekuilibrohet nga remitencat dhe kohët e fundit në Shqipëri, nga borxhmarrja. Investimet e huaja janë në rënie, si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Në Kosovë operojnë 502 biznese shqiptare, kryesisht në ndërtim dhe financë, ndërsa në Shqipëri 386 biznese kosovare, kryesisht mikro dhe të vogla. Në shkëmbimet tregtare, dominojnë metalet ku Kosova eksporton hekur mbeturinë (skrap), si edhe një sasi të vogël të gypave të çeliktë, ndërsa importon hekur për ndërtim. Importi i Shqipërisë nga Kosova zë afërsisht 0,97 % të importit total, ndërsa eksporti zë afërsisht 8,15 % të totalit. Kurse për Kosovën importi nga Shqipëria zë afërsisht 3,9 % të totalit të saj të importit, ndërsa eksporti zë afërsisht 10,8 % të totalit të saj të eksportuar.
Në kontekstin fiskal diferencat midis vendeve fillojne nga dallimi i shkallës së TVSH së aplikuar (në Shqipëri është 20% dhe në Kosovë 16%), përfshijnë bazën e taksueshme, dhe vazhdojnë me Tatimin mbi Fitimin dhe mbi të Ardhurat, ku dallimi kryesor është mes formulës unike 10% në Shqipëri, dhe asaj gjysëm-progresive në funksion të tavanit, që aplikohet në Kosovë.
Nga viti 2000, marrëdhëniet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm si në volumin e shkëmbimeve tregtare, ashtu dhe në kontekstin rregullator. Megjithatë interpenetrimi ekonomik mbetet relativisht i ulët në krahasim me mundësitë dhe nevojat e ekonomive respektive. Kohët e fundit nuk kanë munguar edhe konfliktet tregetare mes dy vendeve, të cilat e kanë burimin në aplikimin e pengesave teknike jo-tarifore (ose barrierave të fshehta), si psh, rastet e patates, të çimentos, të qumështit, të mishit, etj. Po ashtu në disa sektorë të ekonomisë mungesat në informim ose në koordinim mes autoriteteve kanë pasur pasoja jo gjithmonë në favor të qytetarëve, si psh, kaskada e hidrocentraleve në lumin Shalë, linja e interkoneksionit, etj.

Rrugët për ngritjen e Hapësirës Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë
Idetë dhe hapat e hedhura për ngritjen e Hapësirës Ekonomike të Përbashkët Shqipëri – Kosovë janë të shumta. Diskutimi rreth tyre po bëhet gjithmonë e më i pranishëm në qarqet akademike dhe në politikë-bërjen e të dy vendeve. Në këtë Forum ne synojmë të identifikojmë tre skenarë që kontribuojnë në arritjen e këtij synimi, si më poshtë:
1. Zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara deri tani midis dy vendeve (ku më i rëndësishmi është CEFTA dhe Protokolli i Komisionit të Përbashkët NdërQeveritar për Bashkëpunimin Shqipëri - Kosovë);
2. Krijimi i një Tregu të Përbashkët që do të garantonte lëvizjen e lirë të mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitaleve, i karakterizuar nga një tarifë doganore unike kundrejt të treteve;
3. Intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit bilateral drejt një Tregu Unik, ku politikat ekonomike të dy vendeve do të konvergjonin.
Këto synime nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Ato mund të egzistojnë të ndërthurura në shkallë të ndryshme, brënda Hapësirës Ekonomike të Përbashkët.

Rruga e parë: Zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese – Zona e Tregtisë së Lirë
Aktualisht dy janë marrëveshjet më të rëndësishme: CEFTA, përsa i përket tregtisë së lirë, (ku Kosova është bërë antare në 2007) dhe Protokolli i Komisionit të Përbashkët NdërQeveritar për Bashkëpunimin Shqipëri - Kosovë për bashkërendim politikash i firmosur ne 2012. Eventualisht edhe Marrëveshje të tjera janë paraparë për tu nënshkruar mes dy vendeve.
Aktualisht nuk ka tarifa doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Fërkimet mes dy vendeve janë zhvendosur në lëmin rregullator dhe në pengesat e fshehura. Ankesat e eksportuesve nga të dy vendet kanë të bëjnë me rregulla të ndryshme fitosanitare, me rregullore administrative të zhdoganimit, me ndryshime frekuente dhe norma penalizuese të çmimeve të referencës, etj.
Pengesat jo-tarifore të identifikuara që duhet të eliminohen, janë si më poshtë:
1. teknike – kryesisht të karakterit të pa-harmonizuar të: a) kuadrit ligjor dhe rregullator. Këtu mund të përmendim shëmbullin e përdorimit të kritereve US dhe EU për sasinë e lejuar të aflatoksinës në qumesht; dhe: b) teknologjisë: psh përdorimi i instrumentave matës të ndryshëm si termometrat mekanik dhe ato dixhitale, në rastin e problemit të mishit;
2. administrative: ku mund të përmendim detyrimin e eksportuesve shqiptarë për të dërguar automjetet me mallrat e tyre fillimisht në terminalin doganor të Prizrenit, Ferizajt apo Prishtinës, qe shkakton humbje kohe dhe kosto direkte të transportit; mungesën e kushteve optimale për kryerjen e veprimeve doganore në disa terminale; vendosjen e çmimeve të larta të referencës, si në rastin e patates kosovare, etj
3. masat unilaterale sanitare dhe fitosanitare: niveli i bashkëpunimit mes dy agjencive është i ulët, si dhe harmonizimi i rregullave dhe praktikave. Mungojnë mekanizmat e informimit dhe lajmërimit reciprok, siç u pa në politikat e komunikimit me publikun në rastin e qumështit me aflatoksinë.
Protokolli i Komisionit të Përbashkët NdërQeveritar për Bashkëpunimin Shqipëri - Kosovë për bashkërendim politikash mbetet më tepër një deklaratë e dëshirës së mirë se sa një dokument programor. Dokumenti ndërqeveritar i nënshkruar në 2012 ravijëzon objektivat e një bashkëpunimi të intensifikuar plurivalent, por nuk mbulon dispozitat ligjore përkatëse, burimet financiare, dhe mbështetjen administrative dhe njerëzore. Bashkëpunimi me Kosovën vetëm sa citohet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014 -2020, kryesisht në pjesën e politikës së jashtëme.

Disa çështje për diskutim:
1) Cilat janë avantazhet e pashfrytëzuara nga mos-eliminimi i pengesave jo-tarifore në kuadrin e CEFTA ?
2) Cilat janë pengesat teknike, administrative dhe fitosanitare të ndeshura në shkembimet Shqipëri – Kosovë ?
3) Cilat janë monopolet vendore që rezistojnë aplikimin e dispozitave të Zonës së Tregtisë së Lirë ?
4) Ç’masa duhet të merren për të eliminuar këto pengesa ?
5) Cilat janë disa nga dispozitat ligjore të reja ose të përmirësuara, burimet financiare dhe mbështetjet administrative dhe njerëzore të nevojshme për të jetësuar Protokollin e Komisionit të Përbashkët?

Rruga e dytë: Krijimi i një Bashkimi Doganor Shqipëri - Kosovë
Një bashkëpunim ekonomik intensiv në kuadrin e marrëveshjeve ekzistuese mund të çojë drejt krijimit të një Tregu të Përbashkët, nëpërmjet Marrëveshjeve të reja bilaterale që do të siguronin, mes te tjerash:
• vendosjen e një sistemi tarifash doganore të përbashkët me vendet e treta pavaresisht rregullit te origjines (që mund të paguhen në pikat hyrëse të hapësirës ekonomike të përbashkët);
• eliminimin e pengesave teknike nëpërmjet harmonizimit dhe unifikimit të normave teknike në të dy vendet;
• negocim i perbashket per aspektet e tregtise me vendet e treta apo institucionet nderkombetare;
• qarkullimin e lirë të faktorëve të prodhimit mes dy vendeve (që nënkupton kryesisht vendosjen e lirë dhe funksionimin pa telashe të qytetarëve dhe bizneseve reciproke në vendin tjetër, si dhe lëvizjen e lirë të kapitaleve dhe shërbimeve),
• rritjen e bashkëpunimit ndër-kufitar në sektorë të ndjeshëm si lufta kundër krimit financiar, infrastruktura lokale, etj.

Disa çështje për diskutim
6) Cilat janë avantazhet e Bashkimit Doganor ndaj Zonës së Tregtisë së Lirë në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, nëse ka ?
7) Cilat janë avantazhet/kostot/sinergjite e Bashkimit Doganor krahasuar me skenarin e rrugëtimit individual të çdo vendi drejt BE ?
8) A është i pajtueshëm krijimi i Bashkimit Doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës me procesin e Stabilizim Asociimit / Integrimit Evropin të të dy vendeve ? Nëse “jo”, si mund të kapercehen këto pengesa ?
9) Cilët janë sektorët e ekonomisë të çdo vendi që pritet të fitojnë/humbin më tepër nga Bashkimit Doganor ?
10) Cilët janë aktorët e interesuar/jo të interesuar për ndërtimin e Bashkimit Doganor ?
11) Cilat janë disa nga dispozitat ligjore të reja ose të përmirësuara, burimet financiare dhe mbështetjet administrative dhe njerëzore të nevojshme për të jetësuar Bashkimit Doganor ?

Rruga e tretë: Intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit bilateral drejt krijimit të një Tregu Unik me politika ekonomike të përbashkëta
Tregu Unik mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të shtynte më tej bashkëpunimin ekonomik të arritur në një Bashkim Doganor, duke vazhduar me konvergjencën e disa politikave ekonomike kryesore mes dy vendeve. Disa nga politikat sektoriale strategjike ku bashkërendimi dhe konvergjenca do të përktheheshin në një proces vendim-marrje unik, do të ishin:
1. Vlerësimi i mundësive prodhuese dhe i kërkesës, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, me qëllim që importet nga vendet e treta të zëvendësohen me ato nga Kosova, ose nga Shqipëria,
2. Politika e transportit (detar / rrugor / hekurudhor), ku mund të përmendim hartimin dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta, si psh krijimin e korridoreve shtesë Shqipëri – Kosovë (veç Rrugës së Kombit) dhe të pikave hyrëse dhe dalëse në Shëngjin, Durrës, Merdare ose Leposaviq;
3. Politika energjitike, e fokusuar në investime të përbashkëta, prodhimin, transmetimin, depozitimin, prokurimin dhe shkëmbimin e energjisë (elektrike / hidrokarbure);
4. Politikat e mbrojtjes së konsumatorit, nëpërmjet harmonizimit, unifikimit dhe njohjes reciproke të kompetencave të organeve nacionale, procedurave, rregulloreve dhe teknologjive të përdorura në secilin vend;
5. Politika e turizmit përmes harmonizimit të ofertës dhe produkteve turistike cilësore për t’u bërë një pol i rëndësishëm turistik rajonal;
6. Sektori i bankës, financës dhe ndërmjetësimit financiar (përfshirë dhe sigurimet) ku një rol të rëndësishëm do të luanin dhe autoritetet rregullatore nacionale dhe Bankat Qëndrore respektive;
7. Koordinimi ligjor e institucional për luftimin e krimit financiar e ekonomik, pastrimin e parave, eliminimin apo zbulimin e transaksioneve apo pagesave jolegale;
8. Unifikimi i rregullave të prokurimit publik, i legjislacioni mbi bizneset; luftimi i monopoleve dhe inkurajimi i Ndermarrjeve të Mesme dhe të Vogla, etj.
9. Koordinimi i politikave makroekonomike, fiskale e buxhetore për të krijuar një zonë ekonomiko-financiare të përbashkët të stabilizuar e larg krizave, ku më e rëndësishmja do të ishte politika fiskale me qëllim eliminimin gradual të diferencave tatimore dhe të taksave dhe asieteve të tyre;
10. Hartimi dhe implementimi i politikave të përbashkëta për përmirësimin e klimës së biznesit dhe stimulimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme duke theksuar nxitjen e bashkëpunimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë për koordinimin e biznesit privat.

Disa çështje për diskutim
12) Cilat jane avantazhet e Tregut Unik ndaj Bashkimit Doganor në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, nëse ka ?
13) Cilat janë avantazhet / kostot / sinergjitë e Tregut Unik krahasuar me skenarin e rrugëtimit individual të çdo vendi drejt BE ?
14) A është i pajtueshëm krijimi i TU mes Shqipërisë dhe Kosoves me procesin e Stabilizim Asociimit / Integrimit Evropina te te dy vendeve ? Nëse “jo”, si mund të kapërcehen këto pengesa ?
15) Cilët janë sektorët e ekonomisë të çdo vendi që pritet të fitojnë / humbin më tepër nga Tregu Unik ?
16) Cilët janë aktorët e interesuar / jo të interesuar për ndërtimin e Tregut Unik mes dy vendeve ?
17) Cilat janë disa nga dispozitat ligjore të reja ose të përmirësuara, burimet financiare dhe mbështetjet administrative dhe njerëzore të nevojshme për të jetësuar TU ?
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Adrian Civici
 
Postime: 2
U regjistruat në këtë grup: e Premte Gusht 02, 2013 1:29 pm
Emri Mbiemri: Adrian Civici
Titulli: Profesor Doktor

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli » e Mërkurë Shtator 04, 2013 3:40 pm

Diskutimi në këtë forum mbështetet në kontekstin institucional të inisiativave bilaterale, atyre rajonale dhe në kuadrin e procesit të anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Idetë dhe hapat e hedhura për ndërtimin e Hapësirës Ekonomike të Përbashkët Shqipëri – Kosovë janë të shumta. Diskutimi rreth tyre po bëhet gjithmonë e më i pranishëm në qarqet akademike dhe në politikë-bërjen e të dy vendeve. Gjithsesi, ka shumë nevojë për të dhënë një kontribut konkret në këtë drejtim.
Unë uroj që ky forum të krijojë hapsirën për të kontribuar dhe debatuar rreth hapave dhe mundësive të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Prof. Asoc.Dr. Nevila Xhindi (PhD)
Jean Monnet Professor

European University of Tirana
Deputy Rector
Partnership and Business Development
_______________________

E-mail: nevila.xhindi@uet.edu.al
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Martë Shtator 03, 2013 5:10 pm
Emri Mbiemri: Nevila Sokoli
Titulli: Prof.Asoc.Dr

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Lidion » e Mërkurë Shtator 04, 2013 4:45 pm

Së pari ju përgëzoj për këtë iniciativë, për bashkimin ekonomik të popullit Shqiptar që fatkeqësisht është i ndarë në dy shtete. Rrugët për bashkëpunim janë të shumta, por siç kemi qënë të gjithë dëshmitarë, ekzistojë shumë barriera burokratike, që askush nuk i dëshiron, por janë prezente për arsye që nuk dihen! Më poshtë po sjell disa sektorë ose sfida që mendoj se të dyja qeveritë duhet ti kushtojnë një vëmendje të veçantë për zhvillim të anasjelltë.

1. Energjia mbetet një ndër sfidat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe Shqipëria e Kosova kanë fatin e prodhimit të saj nga burime të ndryshme. Një ndërthurje mes tyre do të ulte varësinë hidrike të Shqipërisë dhe do të ndihmonte Kosovën të plotësonte nevojat e saj në periudha të ndryshme të vitit. Megjithatë ndërtimi i një linje lidhëse për shkëmbimin e energjisë elektrike po shtyhet prej vitesh, ndonëse e financuar nga qeveria gjermane (nërpërmjet KfW).

2. Përgatitja e një oferte të përbashkët turistike është një mundësi zhvillimi. Shfrytëzimi i bregdetit të Adriatikut dhe Jonit gjatë verës dhe maleve të Kosovës gjatë dimrit apo prezantimi te turistët e huaj me paketa të ndërthurura.

3. Paraqitja te investitorët e huaj si një treg i përbashkët shqiptar është një mundësi tjetër për të bërë biznes të suksesshëm midis dy vendeve. Sidoqoftë, shqetësimet e sipërmarrjes së huaj për marrëdhëniet me organet tatimore apo pengesat burokratike mbeten ende të pazgjidhura.

4. Ankesat e biznesit për fushata represive nga agjencia e mbledhjes së taksave janë një refren i përsëritur. Infrastruktura ekziston, “Rruga e Kombit” është vlerësuar me një ndikim pozitiv për të shkëmbyer më tepër mallra dhe për të përmirësuar bilancet tregtarë të dy vendeve. Megjithatë betejat tregtare Tiranë-Prishtinë në rastet e çimentos apo patates janë ndoshta dëshmi e një mungese komunikimi dhe koordinimi mes dy qeverive.
Lidion
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Shtator 04, 2013 4:21 pm
Emri Mbiemri: Lidion Kulla

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli » e Mërkurë Shtator 04, 2013 5:20 pm

Përveç sfidave të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Shqipëri-Kosovë, ka edhe sfidë të kosovës me gjithë kuadrin e bashkëpunimin rajonal, dhe sidomos çështja ndërlikohet kur në rajon ka 5 shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur (Serbia, BeH, Rumania, Greqia, dhe Moldavia). Rezultati I kësaj situate është ashpërsimi I marrëdhënieve ekonomike të Kosovës në tregjet e këtyre vendeve të cilat përbëjnë (rreth 32% të popullsisë së rajonit dhe 33.44% të ekonomisë së saj, apo thënë ndryshe këto vende së bashku përbëjnë një ekonomi rreth 3 herë më të madhe se asaj të CEFTA-së në përgjithësi). Kështu që, në këtë forum duhet të marrim parasysh edhe marrëdhëniet e cunguara politike të këtyre shteteve të rajonit që nuk e kanë njohur Kosovën dhe marrëdhëniet pothuajse bllokuese ndaj Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik e tregtar, gjë që avantazhon bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë. Shtetet jonjohëse kryesisht kanë pasur qasje blookuese ndaj kosovës, Kosova përkundrazi nuk ka aplikuar ndonjë masë mbrojtëse apo edhe ndonjë pengesë në qasjen e këtyre %shteteve në tregun e Kosovës.
Prof. Asoc.Dr. Nevila Xhindi (PhD)
Jean Monnet Professor

European University of Tirana
Deputy Rector
Partnership and Business Development
_______________________

E-mail: nevila.xhindi@uet.edu.al
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Martë Shtator 03, 2013 5:10 pm
Emri Mbiemri: Nevila Sokoli
Titulli: Prof.Asoc.Dr

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Enio Civici » e Mërkurë Shtator 04, 2013 5:23 pm

Në bazë të fushave të diskutimit sipas tre fazave të zhvillimit të bashkëpunimit (Zonë e Tregtisë së Lirë, Treg i përbashkët dhe Treg unik) më poshtë është tentuar të vlerësohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe të ofrohen disa drejtime ku mund të përqëndrohet forumi :


5) Cilat janë disa nga dispozitat ligjore të reja ose të përmirësuara, burimet financiare dhe mbështetjet administrative dhe njerëzore të nevojshme për të jetësuar Protokollin e Komisionit të Përbashkët?
Protokolli i Bashkëpunimit Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë si dokument i rëndësishëm por gjithsesi komplementar me nisma ligjore dhe administrative të shtuara, duhet të konsiderohet si pikënisja e disa ndryshimeve financiare, ligjore dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.

Me qëllim jetësimin dhe eficencën e kushteve të Protokollit, do të ishte e domosdoshme të investohej kohë, kapital dhe burime njerëzore në këtë drejtim :
• Aksesi dypalësh në fondet respektive për zhvillimin e teknologjisë dhe proceseve novatore të zhvillimit. Këtu mund të përmendet fondi prej 10 milionë euro i çelur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nëpërmjet “Credins Bank“ për investimet në teknologjitë e reja të prodhimit për Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
• Gjithashtu rreth 35% e fondeve të programit paraaderimit IPA (totali 98.1 milionë euro për Shqipërinë në vitin 2013) janë të programuaradrejt sipërmarrjeve me tendencë inovacionin e prodhimit dhe të shërbimeve.
• Më pas duhet nënvijëzuar dhe fondi i BERZH prej 98.5 milionë euro i akorduar për Ballkanin (ku përvec Shqipërisë pjesë e destinacionit të fondit është dhe Kosova).
Shtrirja e projekteve dypalëshe Shqipëri-Kosove në këto fonde konsiderohet si vlerë e shtuar për termat e referencës (ToRs) për sa i përket madhësisë së tregut aktiv si dhe institucioneve të përfshira.
Protokolli është jetësore të përshpejtojë nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët, në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, teknologjisë, industrisë minerare, pyjeve, ujërave, sigurimeve shoqërore, arsimit, bashkëpunimit në nivel lokal, shkencës, kulturës e deri tek debatet dhe forumet si ky në të cilin po diskutojmë.
(Për më tepër mbi aderimin në fonde dhe grante mund të merret një informacion i thjeshtë por i dobishëm këtu : http://www.monitor.al/si-tu-qasemi-fond ... iperine-2/


8) A është i pajtueshëm krijimi i Tregut të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës me procesin e Stabilizim Asociimit / Integrimit Evropian të të dy vendeve ? Nëse “jo”, si mund të kapercehen këto pengesa ?
Partneriteti ndërmjet BE-së dhe Ballkanit perëndimor është në interes për të gjithë parnerët: paqes, stabilitetit, lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, mirëqënies , cilësisë së jetesës, për BE dhe vendet e Ballkanit perëndimor.

Procesi i Stabilizim-Asociimit përmban tre objektiva kryesorë :
• Stabilizimin dhe tranzicionin e shpejtë në ekonominë e tregut
• Promovimin e bashkëpunimit rajonal
• Perspektivën për anëtarësimin në BE.

Ky proces ndihmon vendet e rajonit të ndërtojnë kapacitete për përshtatjen dhe implementimin e standardeve Europiane, përfshirë këtu legjislacionin Europian (acquis) si dhe standardet ndërkombëtare.

Përpos disa dispozitave ligjore si dhe kërkesave administrative të Komisionit Europian, si dhe me perspektivën e bashkimit nën një treg unik me integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në familjen europiane, procesi i Stabilizim Asociimit nuk duhet të konsiderohet pengesë për krijimin dhe operimin e Tregut të Përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Sfida e vetme mbetet zhvillimi i kuadrit institucional dhe ekonomik të dy vendeve për tu përshtatur me standartet europiane dhe MSA përfaqësojnë rrugën e duhur për tu ndjekur.
Nëpërmjet përmirësimit të pocedurave doganore, administrative, jo-tarifore si dhe ligjore në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, dy vendet e ballkanit perëndimor afrohen dhe perfeksionohen përherë e më shumë për të ngjasuar me standartet e BE.
Në drejtim të funksionimit në tregun unik europian, si dhe operimit sipas kritereve rajonale të marrëveshjes CEFTA, tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë nuk duhet të konsiderohet si pengues i integrimit ekonomik të ballkanit me Europën, por si proces i sukessshëm në përvetësimin e vlerave tregtare perëndimore.


13) Cilat janë avantazhet / Kostot / Sinergjitë e Tregut Unik krahasuar me skenarin e rrugëtimit individual të çdo vendi drejt BE ?

Objektivi kryesor i integrimit në tregun dhe politikat europiane të dy vendeve si Shqipëria dhe Kosova, do të ketë vetëm përfitim, nga integrimi i kapaciteteve dhe eksperiencave të dy shteteve dhe strukturave ekonomike apo sociale. Ndër sfidat dhe vlerat institucionale apo administrative që duhet të asistojnë dhe mbështesin rrugëtimin e dy vendeve drejt BE mund të përmendim :
• Bashkëpunim në sektorin e energjisë dhe bujqësisë - “Duhet të shkojmë përpara duke integruar ekonomitë e rajonit, duke hequr pengesat në shkëmbimet tregtare e duke shfrytëzuar potencialet ekonomike si në sektorin energjetik, minerar, turizëm, agrobiznes.
• Koordnim i Dhomave të Tregtisë të rajonit - Duhen identifikuar burimet potenciale, me qëllim ndërtimin e një strukture idesh të një ekonomie komplementare që përfshin vende të tilla si, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal i Zi.
• Treg i përbashkët i punës – Me qëllim promovimin dhe lehtësimin e mobilitetit të forcës punëtore, krijimi i tregut të përbashkët të punës do të sjellë në një fazë të re bashkëpunimin dhe do të krijojë mundësi reale për qytetarët e të dy vendeve për të patur informacion në kohë reale rreth tregut punës, por dhe për të përfituar nga kërkesë-oferta në secilin prej vendeve.
• Integrimi i tregut të pronave të paluajtshme – Një shembull në këtë drejtim është marrëveshja e realizuar për aksesin e noterëve nga Kosova për të marrë të drejtën e aksesit në sistemin elektronik shqiptar të regjistrit të pasurive të paluajtshme, me qëllim lehtësimin e transaksioneve të shtetasve kosovarë mbi pasuritë e paluajtshme që ndodhen në territorin e Shqipërisë.
Imazhi i Përdoruesit
Enio Civici
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Martë Shtator 03, 2013 11:39 am
Emri Mbiemri: Enio Civici

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Ardian Hackaj » e Enjte Shtator 05, 2013 4:02 pm

RISI ! Ne korrik 2013, Shqiperia eshte destinacioni i dyte me i rendesishem per eksportet kosovare me 15% te tregut, ndersa rradhitet e nenta per importet, me vetem 5.3% (Burimi: Agjencia Kosovare e Statistikave)
Bashkelidhur
Lib - Statistikat e Tregtise se Jashtme Korrik 2013 - Kosove.pdf
Shkembinet TRegetare Kosove - Shqiperi - Korrik 2013
(1.41 MiB) Herët e shkarkimeve 928
Imazhi i Përdoruesit
Ardian Hackaj
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Martë Qershor 18, 2013 5:41 pm
Emri Mbiemri: Ardian Hackaj
Titulli: MA

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Besart Kadia » e Enjte Shtator 05, 2013 5:47 pm

Debati I ngritur ne kete forum duhet pergezuar dhe duhet te shtyhet akoma me tej. Te dhenat e paraqitura tregojne pwr nivele akoma te ulta te shkembimit tregtat mes dy shteteve. Por ajo qe mbetet shqetesuese eshte dhe lloji I produkteve te ngjashme qe keto dy hapsira ekonomike shkembejne me njera tjetren. Ne fakt teksa flitet per haprise te perbashket Kosove Shqiperi dhe per nevojen e harmonizimit, ose me sakte, njesimit te shume prej pengesave teknike apo administrative, nuk duhet te harrojme qe Shqiperia dhe Kosova sebashku me dy shtetet e tjera fqinje si Mali I Zi dhe Maqedonia bejne ne total afersisht 8 milion banor. Ne kete kendveshtrim potenciali real per ekonominte e shkalles dhe per te perthithur investime te huaja me projekte me vlere te larte eshte e nevojshme te krijohet nje Benelux i Ballkanit, ku patjeter qe Kosova dhe Shqiperia do te ishin perfituesit kryesor.
Se dyti me njesimin e shume prej institucioneve mbikqyrese te tregut si ne Kosove dhe ne Shqiperi une bie dakort me Enion se prioritet duhet te jete Tregu i përbashkët i punës duke ofruar mundesi reale per qytetarët e të dy vendeve. Ndryshe nga Europa qe ofron mobilitet te qytetareve, pork a pengesa te tjera kultuore dhe gjuhe, Shqiperia dhe Kosova nuk shfaqin asnje pengese te tille duke lejuar qe kjo mase te jete lehtesisht e implementueshme dhe me perfitim te larte per te dy shtetet.
Imazhi i Përdoruesit
Besart Kadia
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Enjte Shtator 05, 2013 5:46 pm
Emri Mbiemri: Besart Kadia

Re: PARASHTRESA për Hapësirën Ekonomike Shqipëri - Kosovë

PostimNga Ardian Hackaj » e Martë Dhjetor 24, 2013 1:33 pm

Forumi per Hapesiren Ekonomike Shqiperi - Kosove eshte mbyllur.
Imazhi i Përdoruesit
Ardian Hackaj
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Martë Qershor 18, 2013 5:41 pm
Emri Mbiemri: Ardian Hackaj
Titulli: MA


Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron