ON-OFF

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

ON-OFF

PostimNga Viktor Gumi » e Martë Shtator 24, 2013 4:03 pm

ON-OFF

Hyrje e shkurtër
Sipas nje anekdote një abonent shkon në bibloteke dhe kërkon një kopje të Kushtetuetës së Francës – punonjësi i biblotekës i përgjigjet se “Bibloteka jonë nuk mban periodikë”.
Batuta ngërthen një këndvështrim satirik anglo-amerikan që sheh Francën në kredencialet e saj demokratike të përqëndruara më shumë në modë dhe formë, sesa në substancë.

Disa statistika in extremis
Për shkak të neneve proceduriale dhe thelbësore, Kushtetuta Gjermane mund të quhet si kushtetute e rreptë (rigid), ndonëse deri më sot ajo është ndryshuar 52 here. Përafërsisht Kushtetuta Gjermane ka ndryshuar cdo katër vjet të ekzistencës së saj, ndërsa Kushtetuta e SHBA-ve ka pësuar vetëm 27 amendamente në dy shekuj jetë dhe vetëm 6 amendamente në kohën që përkon me jetëgjatësinë e Kushtetutës aktuale Gjermane. Në të vërtetë, refoma kushtetuese gjermane alternohet në vite të aktivizimit të plotë dhe vite të pozicionit qetësues. Kështu asnjë amendament nuk u miratua nga 1976 deri në 1983 dhe nga 1984 deri në 2000. Vetëm në vitet 1968-1972 u miratuan 16 amendamente. Shqyrtimi i këtyre numrave të con në një konkluzion interesant: amendamentet kushtetuese arritën pikun e tyre kur aktiviteti legjislativ gjithashtu ishte shumë intensiv.
Nga 1990 përafërsisht është miratuar një amendament kushtetues për vit.


Ndryshimi formal dhe informal
Kushtetutat janë tekste, por njëkohësisht dhe pashmangshërisht më shumë se tekste. Ashtu sikundër Kushtetuta në tekstin e saj përpunon varietete të praktikave politike, organeve shtetërore dhe procedurave, ligje organike dhe kufizime praktike, ashtu edhe kuptimi ynë për to - kuptimi ynë për konstitucionalizmin si ide teorike dhe praktike – është kushtëzues për interpretimin e saj.

Në të drejtën kushtetuese mënyra e interpretimit është gjithcka. Ky duhet të përbëjë një fakt që duhet ta mbajmë mirë parasysh kur shpesh i adresohemi atyre që i quajmë si “defekte të hartimit” ose “anomali”. Është e lehtë për studiuesit e shkencave politike dhe të tjerë jojuristë që të mënjanohen nga teksti dhe të humbasin fokusin në kontestin e gjerë që përmenda.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një nga traditat kushtetuese më të konsoliduara në glob që daton të paktën nga Magna Carta në 1215, e vetmja përpjekje për të hartuar një kushtetutë ishte dështim, dhe rruga e ngadashme e zhvillimit të zakoneve, praktikës, common law dhe ligjeve organike në mënyrë shumë adekuate mbushi hapësirën që normalisht do të duhej të mbulohej nga një kushtetutë e shkruar. Tani, megjithëse shumë prej ligjeve kushtetuese janë të shkruar dhe në këto dhjetë vjet reforma të medha janë ndërmarrë në UK, është ende e fortë ekzistenca e konstitucionalizmit si një aspekt permanent i mjedisit politik dhe ligjor.

Sot në botë amendmenti formal i kushtetutës nuk është e vetmja formë e ndryshimit të saj. Mjetet alternative dhe po aq legjitime të ndryshimit të Kushtetutes jane: i) nepermjet interpretimit gjyqësor dhe ii) evoluimi i traditave/zakoneve të pashkruara politike (+ kultura kushtetuese). Sesi këto dy instrumenta influencojnë në një sistem të caktuar kushtetues diktojnë edhe nevojën e amendamenteve formale.

Interpetimi gjyqësor lidhet shumë interpretimin dinamik dhe krijues nga ana e gjykatave kushtetuese për kushtetutën.
Traditat dhe zakonet kushtetuese. Kjo metode eshte po aq legjitime dhe e e përdorur dhe konsiston në evoluimin e traditave/zakoneve politike në organet legjislative dhe ekzekutive. Në shume vende statusi i këtyre traditave është njohur dhe reflektuar në konceptin e një “zakoni“ ose “zakoni kushtetues”. Ato nuk krijohen nga gjykata, ato nuk miratohen apo vendosen, por evolojnë me kohën duke reflektuar veprimet dhe percepsionet normative të aktorëve politikë.
Kultura kushtetuese me të cilën kuptohen se bashku norma kombëtare në interpretimin kushtetues (strikt ose fleksibël), metanormat e pashkruara që rregullojnë se në cfarë mase ndryshimi është konsideruar legjitim, vlera simbolike e tekstit kushtetues dhe dinamizmi ose konservatorizmi i aktorëve kushtetues (politikanë, gjykatës, profesorë, studentë, nëpunës civil etj) dhe faktorë të tjerë.


dhe NE ??!!

Ndryshimi formal i kushtetutës është absolutisht një e drejtë legjitime dhe e realizueshme. Por në këndvështrimin tim ndërhyrja formale kërkon edhe kontekstin e duhur. Kusht sine qua non në këtë ndërmarrje madhore është “mirëbësimi”, në rast se ai ekziston amendameti kushtetues ka sukses, në rast se ai nuk ekziston amendamenti kushtues nuk e ka jetën e gjatë.

Mbase një drejtim tjetër ku duhet të fokusojmë analizëm dhe përpjekjet reformatore është “habitati ku jeton Kushtetuta”. Ndaj edhe analiza e ndërhyrjes kushtetuese duhet të ngërthejë edhe një sërë faktorësh të tjerë, vecanërisht të zhvilluar në shoqëritë perëndimore. Përpos rolit të gjykatës kushtetuese në interpretimin e norms së shkruar, cilësisë së drejtësisë kushtetuese të dhënë prej saj (që ka qënë dhe mbetet debat i madh) mbase është me vend të shohim pak rolin e partive politike dhe të përfaqësimit të tyre në organet kushtetuese, aty ku kushtetuta e kërkon këtë gjë. Në fund të fundit vullneti politik është primar.(“political instructions” do të kërkonte një nëpunës civil në UK). Ekspertiza teknike në këtë rast është po ashtu e vlefshmë, por secila në vendin e saj.

Kushtetuta e Shqipërisë i ka dedikuar partive politike një rol kyc, ato nuk përmenden aty si organizime OJF-sh, por kanë karakterin e nje organi kushtetues dhe si të tilla kanë të drejta dhe detyrime kushtetuese. Statutet dhe aktiviteti i partive politike është pashmangshërisht subjekt i së drejtës publike dhe për pasojë edhe publiku ka interes legjitim për cilësinë e ofertës së partisë politike që kërkon përfaqësim në parlament.

Shqipëria është një vend ku lista e deputeteve ligjvënës, për pasojë edhe deputetëve kushtetutëbërës, miratohet dhe bëhet e njohur vetëm 5 minuta para mbarimit të afatit zyrtar për rregjistrim (unikale si praktikë). Shqipëria është vend ku ende nuk dihet si përzgjedhen kushtetutëbërësit/kushtetutëamenduesit? Cilat janë kritere që aplikohen në zgjedhjen e tyre? Sa respektohet në këtë përfaqësim statuti i partive politike në këtë aspekt të rëndësishëm dhe vendimtar të aktivitetit politik? Po transparenca ku është? Si është situata e financimit të partive politike? Cila është pjesa e dukshme dhe e padukshme dhe roli i instrumentave shtetërore, me interes publik për mbikëqyrjen e tyre - efektiv dhe jo iluziv? etj. etj

dhe pastaj të vijmë tek “ kultura kushtetuese”..........
Imazhi i Përdoruesit
Viktor Gumi
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Diel Shtator 22, 2013 10:46 am
Vendodhja: Tiranë
Emri Mbiemri: VIKTOR GUMI

Kushtetutshmëri - Politikë

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi » e Martë Shtator 24, 2013 5:04 pm

Kur hartohet një kushtetutë, një filozofi politike e caktuar mishërohet në dispozitat e saj. Megjithatë, janë partitë politike, si bartëse e flamurtare të kësaj filozofie, të cilat kuptojnë shumë shpejt se sa shumë e kanë kufizuar vetveten, nëpërmjet ngritjes së barrierës të kushtetutshmërisë. Kjo lloj autonomie e kushtetutshmërisë përballë interesave momentale të politikës, krijon një konflikt ndërmjet tyre. Përvoja e konstitucionalizmit dëshmon për ekzistencën edhe të disa zgjidhjeve, që në të vërtetë realizojnë një pajtueshmëri midis kushtetutshmërisë dhe politikës.

Nënshtrimi i politikës së momentit ndaj rregullave afatgjatë të kushtetutës është aspekti i parë i kësaj pajtueshmërie, zgjidhje, që është karakteristike e vendeve me demokraci të zhvilluar e të konsoliduar dhe që imponon një kushtetutshmëri të stabilizuar dhe autoritare. Zgjidhja e dytë, që shmang konfliktin dhe që është e përhapur kryesisht në vendet në tranzicion, është nënshtrimi i kushtetutshmërisë ndaj politikës, çka sjell njëkohësisht dhe ndërhyrjet me ndryshime të shpeshta, të pastudiuara e të panevojshme të ligjit themelor të shtetit. Mënyra e interpretimit të normës kushtetuese dhe përpunimi i mëtejshëm juridik i saj kanë qenë dhe mbeten një tjetër zgjidhje e rëndësishme për harmonizimin e raporteve ndërmjet kushtetutshmërisë dhe politikës.

Studiuesit ndahen në grupe sipas pikëpamjes që ata mbështesin për zgjidhjen e marrëdhënies konfliktuale që krijohet ndërmjet kushtetutshmërisë dhe politikës. Pikëpamjet dhe qëndrimet për stabilitetin e kushtetutës nuk mund të shërbejnë për t’u bërë pengesë rrethanave që e imponojnë domosdoshmërish rishikimin e saj. Nuk mund të trumbetohet pandryshueshmëria e Kushtetutës, ndërkohë që, në varësi të rrethanave të reja dhe evoluimit shoqëror brenda vendit dhe në planin ndërkombëtar, mund të paraqitet si një domosdoshmëri rishikimi i saj. Por edhe një kushtetutë e brishtë që jep mundësi dhe krijon hapësira për ndërhyrje në tekstin e saj, do të krijonte premisa për t’i hequr përmbajtjen nocionit për kushtetutën.

Nëse kuptohet qartësisht se ndryshimet në kushtetutë kryhen me hapa të matur, të kujdesshëm dhe thellësisht të motivuar, për rrjedhojë, shumë më të vështirë se ndryshimet në legjislacionin e zakonshëm, një ngurtësi e këtillë nuk duhet të shkojë deri atje sa të krijojë një bllokim të panevojshëm e të rrezikshëm të institucioneve. E rëndësishme për një kushtetutë moderne është që rruga për rishikimin e saj të mbetet e hapur në mënyrë të arsyeshme.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 2:02 pm
Emri Mbiemri: Sokol Sadushi
Titulli: Prof.Asoc.Dr


Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Bing [Bot] dhe 1 vizitorë

cron