Të gjallërohet mendimi juridik

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Të gjallërohet mendimi juridik

PostimNga Njazi Jaho » e Martë Shtator 24, 2013 2:33 pm

Thuajse të gjithë janë dakord se në sektorin e drejtësisë ka çështje të rëndësishme që duhen rishikuar. Flitet për reformë në drejtësi, por ndonjë debat i mirëfilltë nuk ka filluar.

Dhe natyrisht që kjo është e kuptueshme: që të debatosh kërkohet përgatitje paraprake, studim, përgjithësime të praktikës sonë dhe të përvojës së vendeve të tjera.

Kohët e fundit janë shprehur mendime për nevojën e shkrirjes të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë në një gjykatë supreme. I vetmi “argument” që kam lexuar në median e shkruar është ai se, Gjykata Kushtetuese është kthyer në një instancë të shkallës së katërt, se duhen reduktuar çështjet që duhet të shqyrtojë Gjykata e Lartë. Nuk di të jetë trajtuar çështja se si duhet konceptuar kjo Gjykatë Supreme, etj.

Ndoshta këto mendime do të shpalosen dhe konkretizohen më vonë. Në këtë fazë, vështirë të debatohet mbi një çështje të tillë, por as që duhet që ajo të paragjykohet. Gjykata Kushtetuese është krjuar në vitin 1992. Ka afro 21 vjet që funksionon. Po kaq vjet ka edhe Gjykata e Kasacionit (Gjykata e Lartë). Ato janë parashikuar në Kushtetutën e vitit 1998 dhe veprojnë në bazë të ligjeve të tyre organike. Nëse do t’i referoheshim Kushtetutës dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk rezulton që ajo të kryejë funksione të një instance të sistemit gjyqësor të shkallës së katërt. Kam përshtypjen se me pluset dhe minuset e saj, ajo ka justifikuar në vazhdimësi krijimin dhe funksionimin si në aspektin praktik dhe në atë doktrinar. Kjo nuk do të thotë se nuk ka çështje për të diskutuar edhe për këtë gjykatë. Si të tilla mund të jenë, psh problemet që kanë të bëjnë me ligjin organik të kësaj gjykate, me kriteret dhe zgjedhjen e anëtarëve të saj, etj, gjë që do të kërkonte ndërhyrje në Kushtetutë. Si mund të pranohet që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet me votat pro të 36 deputetëve?! Në Mars – Shtatorin e vitit 1998, në Komisionin Parlamentar për hartimin e Projekt-Kushtetutës është diskutuar edhe variant që anëtarët e kësaj gjykate të mos emëroheshin vetëm nga një institucion (Presidenti). Për këtë shih vëllimin e II-të të diskutimeve në Komision të mbledhjes së 30 Qershorit 1998, faqe 1-100. Pavarësisht se ky variant nuk u pranua, mund të përbënte një temë diskutimi edhe sot, aq më tepër se nga ajo kohë kanë kaluar 21 vjet. Si rjedhim, edhe vlerësimet do të jenë më objektive, përgjithësuese dhe të bazuara.

Nëse do t’i hidhnim një sy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (është botuar edhe vëllimi i vitit 2012) do të bindeshim se shumica dërmuese e tyre janë çështje me objekt “Për një proces të rregullt ligjor” (Neni 131, shkronja “f” e Kushtetutës) dhe fill pas tyre pajtueshmëria e ligjit dhe akteve normative me Kushtetutën (shih nenin 131, shkronjat “a” dhe “c” të Kushtetutës). Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar gjithashtu çështje me objekt: mosmarrëveshke kompetencash, interpretim përfundimtar të Kushtetutës dhe çështje me nismën e gjyqtarëve (Neni 145, pika 2 të Kushtetutës), etj. Një numër jo i vogël i ligjeve (dispozitave të veçanta) dhe i akteve normative janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese si të papajtueshme me Kushtetutën.

Për të patur një ide se në ç’raport janë vendimet me objekt “Për një proces të rregullt ligjor”, le t’i referohemi vëllimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2012. Gjatë këtij viti, rezulton që Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë 59 vendime (50 për një proces të rregullt ligjor, 3 për mosmarrëveshje kompetencash, 3 të vëna në lëvizje nga gjyqtarët dhe 3 për shfuqizim si të papajtueshëm me Kushtetutën të dispozitave ligjore dhe normative). Nga 50 çështjet me objekt “Për një proces të rregullt ligjor” (këtu përfshihen edhe 4 çështje për ekzekutim vendimesh) në 18 raste ose në 36% të tyre kërkesat janë pranuar. Në këto vendime janë shfuqizuar vendime gjyqësore të të tre shkallëve për mospajtim me Kushtetutën.

Gjykimi përfundimtar i ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese, siç dihet, është i një rëndësie të veçantë. Kushtetuta jonë e ka kufizuar këtë vetëm për sa i përket procesit të rregullt ligjor (shkronja “f” e nenit 131). Herë pas here janë shprehur mendime se ky kufizim nuk është i justifikueshëm. Ja pra edhe një çështje që mund të ishte objekt diskutimi dhe debati duke patur parasysh edhe përvojën e vendeve të tjera. Vlen të përmendet se në shumicën e vendeve Evropiane funksionojnë Gjykatat Kushtetuese.
Imazhi i Përdoruesit
Njazi Jaho
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Martë Shtator 24, 2013 2:26 pm
Emri Mbiemri: Niazi Jaho

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron