[phpBB Debug] PHP Warning: in file [ROOT]/includes/functions_content.php on line 688: preg_replace(): The /e modifier is no longer supported, use preg_replace_callback instead
CuriaWeb • Shfaq kontributin - Nga Intervista e Kristaq Trajës në revistën Java

Nga Intervista e Kristaq Trajës në revistën Java

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Nga Intervista e Kristaq Trajës në revistën Java

PostimNga Admin » e Hënë Shtator 23, 2013 6:48 pm

Në një intervistë në revistën Java, juristi i njohur Kristaq Traja paraqet konturet e një pakete ndryshimesh në ligjin themelor të shtetit, të cilat prekin zgjedhjen e presidentit, organizimin e parlamentit, kompetencat e kryeministrit dhe organet e drejtësisë. Traja deklaron se duhet të ketë një reflektim të shpejtë për nevojën e këtyre ndryshimeve.

Ja disa nga problemet që shqetësojnë zotin Traja, rreth të cilave mund të shfaqni mendimet tuaja
:

“…….Më pyetët nëse duhen bërë ndryshime në Kushtetutën tonë. Po, duhen bërë dhe urgjentisht. Arsyet janë, së paku tri: koha ecën dhe rregullat përkatësisht duhet të ndryshojnë sipas mendësisë e kërkesave të saj. Ne jemi një vend, që ndjek sistemin normativ ligjor, pra, një format të tillë juridik të cilin formalisht e vendos dhe e ndryshon Parlamenti. Zhvillimi, pra bëhet në mënyrë diskrete, hap pas hapi, me faza të shkëputura dhe me ndërprerje. Sistemi anglo-sakson e bën ndryshe: gjykatat e larta vigjilojnë procesin social dhe bëjnë rregullimet graduale, pa tronditje të mëdha. Por duhet të kemi gjykata të tilla. Ne s’i kemi e as kemi ndërmend t’i kemi ato.

Arsyeja e dytë është deformimi i sistemit kushtetues nga vullneti (duhet thënë nga mizerabiliteti + budallallëku) i politikës, që tek ne është mesjetare. Shembulli më flagrant i kësaj janë amendimet e bëra më 21 Prill 2008. Në këtë fazë “demokratike” shqiptarët dhe sidomos politika shtetërore, duhet të futen në skema, të cilat të mos varen prej tyre. Ka ca rregulla që janë vendosur si vlera qytetërimi dhe të cilat nuk mund të preken, nëse duam të rrojmë si njerëz të këtij shekulli.

Arsyeja e tretë është nevoja për t’u integruar në sistemin e institucioneve europiane. Këtu ka retorikë marramendëse, por procesi politik shkon gjithnjë e më larg qëllimit. Gjithçka thuhet se bëhet në emër të së mirës, progresit, të ardhmes së lumtur e ku e di unë ç’profka të tjera. Është harruar një gjë fare e vogël: njeriu i sotëm, qoftë politikan, shtetar apo qytetar i thjeshtë. Çfarë janë këta? Një nga një nuk kanë të sharë; shohin ëndrra europiane por, kur zgjohen, kanë dhimbje koke. Vetëm disave nuk u dhemb koka. Mbase ngaqë nuk kanë një të tillë. Por kur këta njerëz bëhen bashkë (dhe bashkë bëhen kur janë në partira), nuk i njeh më. Tek ne shikon jo thjesht një servilizëm, por diçka që shkon tepër thellë në subkoshiencën njerëzore: individët përdoren, deri në tjetërsim……”

“…….Gjithashtu, vetë Kuvendi duhet të përfaqësojë më mirë ngjyrat politike reale. Siç është sot, shumica jo vetëm është e tillë, por është absolute nga pikëpamja e pushtetit, e jo vetëm e numrit. Realiteti elektoral në Shqipëri karakterizohet nga dominimi i dy partive të mëdha me një diferencë minimale. Mbi 60 deputetë të pakicës nuk kanë as edhe një grimcë në pjesëmarrjen në pushtet. Formula është absurde: ose gjithçka ose asgjë. A thua ky popull ka probleme partiake, kur në varfërinë tij, çdo çështje, sido që të shihet, është vetëm e vetën gjithëpopullore e kombëtare. Si mund të zbutet situata? Një Senat, ja çfarë na duhet. Dhoma e dytë, për shkak të formulës së saj rotative (1/3 përtërihet çdo dy vjet), balancon tundimet partiake. Në këtë rast, dy partitë e mëdha e gjejnë veten në pushtet, në pjesët që përcaktojnë zgjedhjet. Mllefi, përplasja e thatë dhe lufta absurde zbuten, sepse secili ka një porcion të asaj që kërkon.

Pastaj gjyqtarët e lartë e kushtetues mund të gjejnë qetësi (aq sa mund të gjehet) dhe pas tyre të gjithë ne, nëse vendosen nga Senati. Përjashtimi partiak i kandidaturave ose sugjerimeve të opozitës evitohet vetvetiu, për shkak të përbërjes së Senatit. Kjo strukturë parlamentare, nëse ndërtohet jo vetëm sipas parimit territorial, por edhe të atij profesional (grupet e interesit), do të ishte kura e vërtetë për shumë sëmundje që karakterizojnë legjislacionin e sotëm…..”

“…..Shteti duhet thjeshtuar. Ka shumë organizma e mikroorganizma të krijuara për ushtrimin e funksioneve, të cilat mund të ushtroheshin nga strukturat natyrore të shtetit. Ka avokatura të shumta, ente etj. Prokuroria mund të ishte fare mirë institucioni që do të përfaqësonte shtetit në marrëdhëniet e tij të shumanshme legale. Kjo do të kërkojë një rikonceptim të prokurorisë, organ, statusi kushtetues i të cilit nuk ka gjetur vendin e duhur prej kohësh, e që në vetvete është delikat. Kam qenë i mendimit se ndjekja penale (jo prokuroria si organ, në tërësinë e funksioneve të saj) duhet të ishte ekzekutive. Mua më duket shumë e çuditshme që ai, i cili bën një akuzë, duhet ta vërtetojë, ta provojë atë. Hem akuzoj, hem të provoj të vërtetën! Them se është koha e ndryshimit të sistemit procedural penal. Hetimi, pra, vërtetimi i ngjarjes, duhet t’i lihet gjyqtarit hetues, të pavarur nga prokuroria dhe kjo e fundit të ketë si ndjekjen penale ashtu dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq….”

“….Nuk duhet harruar se drejtësia në vetvete rregullohet sipas parimit të ndarjes së funksioneve dhe organeve (një miniaturë e ndarjes së madhe të pushteteve). Ndjekja penale është a priori funksion ekzekutiv dhe qeveria ka interesin më të madh në këtë fushë. Ajo nuk mund të lihet pa mjetet efektive të shtypjes së krimit, ndryshe ndodh si sot, që përgjigjet para votës popullore për diçka që nuk e ka në dorë. Drejtësia dhe ndjekja penale nuk janë e njëjta gjë. Nëse funksioni i ndjekjes dhe i hetimit ndahen, atëherë bie edhe frika se mos ekzekutivi shpërdoron fuqinë e tij, por, nga ana tjetër, ai edhe legjitimohet në luftën kundër krimit….”

Teksti i plotë i intervistës e gjeni duke klikuar këtu: http://www.shtetiweb.org/2013/05/13/kri ... sdoshmeri/
Imazhi i Përdoruesit
Admin
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Prill 03, 2013 6:17 pm
Emri Mbiemri:

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 4