Faqja 1 e 1

Çështje që vlen të debatohet

PostimI Postuar: e Hënë Shtator 23, 2013 5:09 pm
Nga Prof. Dr. Rexhep Meidani
Në kushtetutë tonë (ashtu si dhe në kushtetuta të tjera) përcaktohen procedurat e emërimit dhe mandatet përkatëse të drejtuesve për institucione kryesore dhe të pavarura. Madje, kriteret e detyrat, afatet e kompetencat për këto mandate e përfaqësime të tjera në institucione të pavarura, shprehen në nene të kushtetutës apo në dekrete e ligje të veçanta. Nëpërmjet tyre përcaktohen: kriteret që duhet të plotësohen; procesi i përzgjedhjes, emërimit e zgjedhjes; afati i mandatit (koha e qëndrimit në detyrë); zëvendësimi ligjor, lirimi nga detyra apo shkarkimi (baza ligjore për shkarkim, si kryhet ai), kompetencat e përgjegjësitë, privilegjet, etj. Kështu, në disa raste kemi afate kohore emërimi e zëvendësimi mandati, në raste të tjera jo. Sidoqoftë, kryesore është që, në demokraci të dobëta (apo hibride si kjo e jona), të mos cenohen dy parimet themelore kushtetuese: ndarja e pushteteve dhe kontroll-balancimi, për të mos lejuar akumulimin autokratik të pushtetit. Po ashtu, kufizimi i mandatit në disa pozicione është i domosdoshëm; kurse, për detyra të tjera (më teknike), mandati e kohëzgjatja rezultojnë të panevojshme, pavarësisht futjes së këtyre afateve me “logjikën” e masave “mbrojtëse” si në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm (gjë që ka dobësuar jo pak autoritetin e këtij institucioni në zbatimin e ligjit).
Nën këtë optikë, pas një përvoje mbi 15 vjeçare kushtetuese, për fuqizimin e institucioneve të pavarura, por dhe pakësimit të ndikimit partizan në gjenerimin e tyre, është bërë tepër jetik përmirësimi i procedurave të emërimit për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, apo Prokurorit të Përgjithshëm. P.sh, dhënia e pëlqimit në Kuvend me një shumicë parlamentare mbi 60%, ndryshe nga praktika aktuale e një votimi të thjeshtë (neni 136,1, për anëtarin e Gjykatës së Lartë, apo neni 125,1 për anëtarin e Gjykatës Kushtetues). Një gjë e tillë, praktikisht e bazuar në konsensus politik, veçse e fuqizon pavarësinë dhe cilësinë e përzgjedhjes. Ndërkohë, që duhet të ruhet më tej po ai “refleks mbrojtjeje” për shkarkimin e këtyre gjyqtarëve nga Kuvendi, (për të cilin kërkohen 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij - neni 128 dhe 140). Po ashtu, përveç zëvendësimit të nenit të pëlqimit të thjeshtë (neni 149,1) me atë të një pëlqimi me mbi 60% të votave të deputetëve, duhet të ndryshohet edhe neni 149,2 i votimit të thjeshtë në Kuvend për propozim-shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm duke e zëvendësuar atë me një mbrojtje “numerike” si për gjyqtarët e mësipërm (pa prekur nenin 149, 2 të lidhur me mbrojtjen përfundimtare nga institucioni i Presidentit). Kjo është, pra, ajo që po kërkohet në paketën e dorëzuar në kuvend. Është kjo diktaturë pakice?! Përkundrazi! Të shmanget e keqja tjetër- diktatura e shumicës! Dhe, mbi të gjitha, konsensus për pavarësi gjyqësore, në emër të “diktaturës” së ligjit dhe kushtetutës, në funksion e meritë të profesionalizmit e etikës, në shërbim të qytetarëve larg oreksit të skajshëm të lojtarëve kryesorë politikë...