Faqja 1 e 1

Rishikimi i nenit 70, pika 2 e Kushtetutës

PostimI Postuar: e Hënë Shtator 23, 2013 3:19 pm
Nga Kristofor Peci
Përgjigja për pyetjen ne se duhet rishikuar Kushtetuta, sigurisht që është po, sepse vetë Kushtetuta në nenin 177 të saj parashikon rastet dhe kushtet kur mund te bëhet ky rishikim, i cili konsiderohet i domosdoshëm për rrethanat e krijuara.

Rishikimi i Kushtetutës, amendimet që mund t’i bëhen, si shtesa , ndryshime, shfuqizime etj., janë jo vetëm për shkak të përshtatjes me realitetet e reja dhe që nuk mund të parashikoheshin në momentin e miratimit të saj, por edhe për arsye të formulimeve të papërshtatshme, të paqarta, ekuivoke ose të gabuara, që mund të jenë lejuar dhe që koha, përvoja dhe veprimtaria e gjerë dhe shumëplanëshe në një shtet demokratik, i nxjerr në pah dhe bën të domosdoshme përsosjen e tyre.

Kam mendimin se e tillë është edhe një pjesë e dispozitës së nenit 70 të Kushtetutës dhe pikërisht në pikën 2 të tij shprehja “përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave.” Ndonëse në pjesën e parë të kësaj pike, përcaktohet ndalimi që deputetët të ushtrojnë njëkohësisht një detyrë tjetër shtetërore, përjashtimi i sanksionuar më pas është i gabuar. Zbatimi në praktikë i këtij përjashtimi, ka bërë të mundur që anëtarë të Këshillit të Ministrave të jenë njekojësisht edhe me detyrën e deputetit. Ky parashikim ka cenuar ne themel vetë nenin 7 të Kushtetutës, që parashikon ndarjen dhe balancimin e pushteteve sipas parimit “checks and balances “. Kjo për faktin se ministrat, të cilët janë një numër i konsiderueshëm dhe që përbëjnë Qeverinë, nuk mund të japin dhe të kërkojnë llogari ndaj vetes së tyre, gjë që përben një paradoks. Nga ana tjetër, forcimi në këtë mënyrë i pushtetit ekzekutiv ndaj atij legjislativ, cenon demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e qytetarëve., sepse siç ka thenë Willson : “Historia e lirisë është historia e kufinjve të pushtetit të shtetit.”

Në veprën e tij “Liberty under Law, The Suprime Court in American Life”, autori William M.Wiecek, shprehet se “në rast se pushteti zgjerohet, ai hyn në hapësirën e lirisë. Pushteti ka një tendencë konstante për zgjerim dhe zgjerimi i tij zvogëlon lirinë e popullit “. Ai e krahason pushtetin me nje bishë të egër por të domosdoshme, që , e mbyllur rreptësisht ne kafaz,, nuk ia arrin plotësisht qëllimit,por po e le të bredhë lirisht,mund të përlajë edhe të zotin.(vepër e cituar, botim anglisht, viti 1990, f.17.) Ndarja dhe balancimi i pushteteve në kuptim të nenit 7 të Kushtetutës, nuk do të thotë që pjestarë (anëtarë ) të një organi shtetëror, të jenë njëkohësisht edhe pjestarë të një organi tjetër. Kjo gjë nuk ka të bëjë me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, se sa me ndërhyrjen e njerit pushtet në tjetrin. Kuptimi i balancimit sipas parimit “checks and balances “, do të thotë krijimi i kushteve dhe mjeteve për të balancuar veprimet e një pushteti dhe jo pjesmarrja efektive në të duke qenë pjesë e një pushteti tjetër.

Po ta marrim këtë në aspektin praktik, ndodh që një projekt ligj i paraqitur nga Qeveria dhe i mbrojtur prej saj ne Kuvend, të sigurojë shumicën e të miratohet falë votës së ministrave deputetë dhe pse, në kushte të tjera ( të mos qenit të ministrave deputetë ), ligji nuk do të miratohej.Përsëritja e rasteve të tilla por edhe të tjera të ngjashme, bën që të prishet balancimi mes pushteteve në favor të ekzekutivit, gjë që parimisht është e gabuar, sepse në një republikë parlamentare, si kjo e jona, Qeveria duhet të japë llogari para Kuvendit për punën e saj dhe jo e kundërta.

Shtimi i praktikave të tilla dhe thellimi i disbalancimit, do të bënte që “bisha të dilte nga kafazi” dhe atëherë “do ta merrte lumi” demokracinë dhe shtetin ligjor. Pengesë për këtë dhe zgjidja e drejtë do të ishte saktësimi i prerë në në nenin 70 të Kushtetutës se deputeti nuk mund të ushtrojë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore.