Opinion mbi ndryshimet kushtetuese - Dr. Afrim Krasniqi

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Opinion mbi ndryshimet kushtetuese - Dr. Afrim Krasniqi

PostimNga Dr. Afrim Krasniqi » e Diel Shtator 08, 2013 11:30 pm

Personalisht mendoj se Kushtetuta e Shqipërisë (1998), me gjithë problematikat e saj, ka krijuar një bazë të fortë referimi në aktivitetin e institucioneve, sjelljen institucionale dhe kulturën politike në vend. Për mua nuk ka rëndësi nëse duhej pritur një apo dy dekada për të bërë ndryshime, por rëndësi ka që kushtetuta të marrë vlerat e dokumentit themelor të shtetit, garantit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Kushtetuta aktuale u hartua në një kohë të shpejtë, u miratua nga një palë dhe nuk kaloi asnjëherë në votim popullor. Ndaj, qoftë edhe ky fakt paralajmëronte se ajo nuk mund të ishte e përsosur. Ndryshimet 2007 dhe 2008 vetëm sa dëshmuan defektin më të madh të sistemit kushtetues: kontrata midis qytetarëve dhe vendimmarrësve politikë mund të ndryshohet nga këta të fundit, pavarësisht pasojave dhe pa marrë parasysh interesat dhe mendimet qytetare.

15 vjet pas miratimit të Kushtetutës, kalimi në një fazë të re të demokracisë, anëtarësimi në NATO, synimi për anëtarësim në BE, praktika e deritanishme e zbatimit, debatet publike dhe vetë aktiviteti sqarues i Gjykatës Kushtetuese, etj, nxjerrin në pah nevojën për ndërhyrje, ndryshime dhe përmirësime, pa cenuar thelbin e sistemit qeverisës në vend. Duke respektuar debatin dhe evituar detajet e një studimi mbi gjithë problematikën kushtetuese, po paraqes disa teza dhe sugjerime lidhur me ndërhyrjet e mundshme dhe ndofta më emergjente në të:

• Ndryshimet kushtetuese: unë mbështes tezën se qytetarët do të duhet të pyetën për çdo ndryshim kushtetues. Kushtetuta aktuale e ndalon votimin direkt nëse dy partitë kryesore bien dakord. Ajo gjithashtu e pamundëson nismën qytetare përmes 50 mijë nënshkrimesh për amendim kushtetues. Nëse do ishte ndryshe, nëse qytetarët do të kishin të drejtë ndërhyrje me 50 mijë nënshkrime apo nëse ndryshimet kushtetuese do të ishin detyrimisht të votuesve në më shumë se një variant, atëherë palët politike do të dëshmonin sjellje më të përgjegjshme në propozimet e amendimeve dhe qytetarët do të jepnin kontribut direkt në dokumentin themelor të shtetit. Kjo do ta bënte kushtetutën më të fortë, më të referueshme, më funksionale, më me mbështetje dhe më jetëgjatë.

• Zgjedhja e Presidentit: nevoja për ndryshim kushtetues për kalim në zgjedhje direkte të Presidentit. Zgjedhja direkte nuk ka lidhje me debatin sistem parlamentar-sistem gjysme-presidencial. Praktika e disa vendeve, përfshirë vendet e rajonit si Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Turqia, etj, dëshmon se zgjedhja direkt e kreut të shtetit nuk kërkon domosdoshmërish fuqi të reja kushtetuese. Madje në rrafsh krahasimor, Presidenti në Shqipëri, zgjedhur nga parlamenti, ka më shumë kompetenca se Presidenti në Maqedoni, zgjedhur direkt nga qytetarët. Zgjedhja direkte e forcon institucionin e Presidentit, sovranitetin qytetar, besimin tek institucionet dhe zgjeron demokracinë përfaqësuese.

• Ndryshimet kushtetuese 2008 theksuan dominimin e institucionit të kryeministrit ndaj institucioneve të tjera, dhe paralelisht, dominimin e ekzekutivit mbi institucionet e tjera, përfshirë pushtetin legjislativ. PS që sot është në pushtet ka shprehur publikisht ndjesën për këto ndryshime. LSI që është partnere e saj ka qenë kundër ndryshimeve. Tani mbetet të shihet vullneti praktik për rishikimin e tyre dhe rikthimin e normalitetit demokratik në hierarkinë dhe marrëdhëniet kushtetuese. Nuk bëhet fjalë për anulim në bllok dhe as për akte politike pendese, por për akte kushtetuese që rregullojnë përfundimisht këto marrëdhënieve dhe I japin çdo pushteti kompetencat dhe hapësirën që ato meritojnë në aplikimin e parimit të balancës dhe ndarjes së pushteteve.

• Marrëdhëniet midis institucioneve. Në mënyrë specifike gjithnjë kemi pasur problem në marrëdhëniet President-parlament dhe qeveri. Natyrisht që asnjë kushtetutë nuk sqaron gjithçka në detaje, por janë palët dhe vullnetet politike e institucionale që bëjnë interpretimin, përpara se kjo çështje të marrë formë kushtetuese në rastet e ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese. Kompetencat e Presidentit kanë nevojë për rishikim, jo për reduktim. P.sh, Këshilli i Sigurimit Kombëtar duhet të jetë organ strukturor, jo këshillimor; procedura e emërimit/shkarkimit/dekreteve/votimit/betimit, etj të ministrave meriton specifikim; e drejta e Presidentit për të refuzuar ndonjë ministër me kredenciale kritike meriton më shumë hapësirë/e drejta e buxhetit të pavarur për Presidentin, etj, meriton më shumë liri sesa imponimi shpesh politik nga mazhorancat politike/e drejta e dekretimit të hierarkisë ushtarake, të rektorëve, të kreut të SHISH, të Prokurorit të Përgjithshëm, të Guvernatorit të Bankës (një nga anëtarët e Bordit apo një anëtar jashtë tij!), meritojnë specifikime në favor të forcimit të rolit kushtetues të Presidentit, jo vetos absolute të tij. Gjithashtu ka nevojë për të bërë përcaktime midis termave “vendim”, “miratim”, “jep pëlqimin”, “votim” etj që parlamenti përdor për dekretet nominale të Presidentit, siç ka nevojë të ndiqet i njëjti kriter në kandidimet nominale (vetëm për kryeinspektorin e KLDP kërkohen dy kandidatë, për postet e tjera kërkohet vetëm një emër!!). Ka nevojë të përcaktohet votimi i fshehtë për çdo kandidat nominal të dekretuar, për përcaktimin e periudhës kur një ministër apo zyrtar i lartë merr detyrën ose largohet nga detyra (psh, klauzola se zyrtari qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e tij nuk vlen për të gjitha emërtesat, sic ishte rasti i KLSH apo gjykatësve të lartë e kushtetues), specifikime në rotacionet në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, etj.

• Institucionet kushtetuese: Kushtetuta shqiptare vepron në një terren ku institucionet e partive politike vijojnë të jenë më të forta sesa pasha që u njeh kushtetuta dhe ligji. Ndaj përgjigjia më e mirë është forcimi I institucioneve kushtetuese, si garanci për demokracinë dhe parandalim ndaj çdo revanshi të mundshëm nga parti ose koalicione politike. Kushtetuta aktuale nuk e ofron këtë mundësi. Zgjedhja e Presidentit, e Prokurorit, e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, etj, me votë të thjeshtë të një mazhorance, lë hapësirë pafund për abuzim me hapësirën ligjore dhe kalimin e këtyre institucioneve nën kontrollin politik, siç edhe ka ndodhur me çdo mazhorancë politike. Edhe koncepti antikushtetues i balancimit politik (p.sh, zgjedhja e Avokatit të Popullit nga opozita, balancimi në Bordin e BSH, etj) rezulton i gabuar. P.sh, AP i zgjedhur nga opozita e djeshme që sot është në pushtet ka mandate kushtetues, megjithëse palët patën rëndë dakord se ai do ishte kandidat i opozitës). Parandalimi i këtij fenomeni me pasojë në cilësinë e shtetit dhe demokracisë kërkon mbi të gjitha garanci kushtetuese. Kjo bëhet duke vendosur u dhënë të gjitha këtyre institucioneve peshën specifike të zgjedhjes jashtë vullnetit arbitrar të një mazhorance të thjeshtë: zgjedhje me 84 ose 92 vota, sipas hierarkisë dhe rëndësisë së institucioneve.

• Institucioni i parlamentit: Shqipëria është vend i vogël, me popullsi të kufizuar, nuk është shtet federativ dhe nuk ka zona autonome dhe as problematika etnike e të ndarjes fetare. Në dukje, këto elementë e përjashtojnë ekzistencën e një senati kombëtar si dhomë e dytë e parlamentit. Unë jam mbështetës i senatit për disa arsye. Sepse sistemi me dy dhoma e bën jetën parlamentare më cilësore, më të përgjegjshme, më transparente. Sepse asnjë mazhorancë nuk mund të vendosë apriori për aktet me rëndësi afatgjatë politike. Sepse sistemi aktual ka një parlament të emëruar nga partitë, 95% e deputetëve banojnë në Tiranë, pra është një parlament edhe thellësisht lokal. Së fundi, sepse përmes senatit krijojmë një konkurrencë politike më aktive. Vendimi për sistemin me dy dhoma lidhet me nevojën për kufizimin e numrit të deputetëve aktualë. Në raport me mesataren e popullsisë Shqipëria do të duhej të kishte 90-100 deputetë, kurrsesi 140, 155 apo 250 sa ka pasur gjatë tranzicionit. Për më tepër, me ndarjen e fundit midis postit deputet-ministër, numri 140 është tej mase i madh, me kosto dhe i panevojshëm.

• Sistemi zgjedhor: në vendet evropiane gjenden praktika të ndryshme të raporteve kushtetutë – sistem zgjedhor. Disa vende e kanë përfshirë sistemin në kushtetutë, disa jo. Shqipëria e përfshiu atë me kushtetutën e vitit 1998 dhe ndryshimet e vitit 2008. Unë mendoj se ishte vendim joefektiv. Sistemi mund të diskutohet, mund të ndryshohet, mund të kërkojë vota të cilësuara, pra konsensus politik, por nuk ka arsye të jetë nen specifik në kushtetutë. Aktualisht çdo parti politike ka kritikuar aspekte të sistemit zgjedhor dhe ka propozuar ndryshime të pjesshme ose të plota. Çdo akt i tillë është teorik përderisa sistemi është në kushtetutë. Nëse nuk do ishte, aktorët politikë do ishin më të interesuar për korrektimet e nevojshme. P.sh, edhe nocioni i korrektimit kombëtar proporcional, I cili ka mbështetje të gjerë dhe këshillohet edhe nga ekspertët e huaj, bie ndesh me kushtetutën aktuale. E njëjta gjë vlen edhe për nevojën e pjesëmarrjes në votime aty ku jetojnë të emigrantëve në botë, nevojën e përfaqësimit politik të emigracionit ndofta edhe me vende të rezervuara konkurruese (si Kroacia, Maqedonia, Italia, etj), nevojën e konkurrimit të barabartë në zona elektorale dhe lista të hapura apo nevojën e përshtatjes së sistemit zgjedhor me sistemin e ri të organizimit territorial, që do duhet të bëhet së shpejti.

• Mund të ketë çështje të tjera, si p.sh, qartësimi i kompetencave të një qeverie/presidenti/parlamenti/zyrtarëve të tjerë të lartë në periudhën transitore të pushtetit respektiv, specifikimi i çështjes së dyshtetësisë për zyrtarët e lartë, nenet deklarative dhe të pazbatueshme që lidhen me partitë politike, redaktimi tërësor i tekstit gati folklorik të preambulës kushtetuese, përcaktimi më i mirë i konceptit të shtetasve shqiptarë kudo në botë, ekzistenca e pajustifikueshme ende e institucionit të Qarkut/Këshillit të Qarkut, diferenca e madhe në status midis Avokatit të Shtetit – Avokatit të Popullit, etj, që meritojnë debat në çdo rast të një hapësire debati për ndryshime kushtetuese.
Imazhi i Përdoruesit
Dr. Afrim Krasniqi
 
Postime: 2
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Shtator 02, 2013 1:26 am
Emri Mbiemri: Afrim Krasniqi
Titulli: Dr Histori (MN)

Nje rishikim teresor i Kushtetutes

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi » e Hënë Shtator 09, 2013 1:06 am

Zoti Krasniqi, në opinionin e tij, për një rishikim tërësor të kapitujve kryesor të Kushtetutës, përjashtimisht kapitullit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, opinion i cili fokusohet në parashikimin e një tjetër mënyre për zgjedhjen e Presidentit të Republikës; të një ndryshimi që duhet të marrë pozicioni i kryeministri në një republikë parlamentare; rregullimi që i duhet bërë raportit të marrëdhënieve President-parlament dhe qeveri; riformatimi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar nga një organ këshillimor në një organ strukturor; specifikimi i procedurës së emërimit dhe të shkarkimit të ministrave; dhënia e të drejtës së Presidentit për të refuzuar ndonjë ministër me kredenciale kritike; forcimi i rolit kushtetues të Presidentit në dekretimin e hierarkisë ushtarake, të rektorëve, të kreut të SHISH, të Prokurorit të Përgjithshëm, të Guvernatorit të Bankës; saktësimi i terminologjisë juridike “vendim”, “miratim”, “pëlqim”, “votim”; ndryshimi i mënyrës së votimit të funksionarëve të lartë të shtetit dhe të drejtësisë; çështja e bikameralizmit, e sistemit zgjedhor apo e qeverisjes vendore, si dhe shumë çështje të tjera, duket se përfundimisht ai konkludon në nevojën për hartimin e një Kushtetute të re.
Le ta vijojmë debatin edhe mbi këtë këndvështrim, që zoti Krasniqi e sheh nevojën për rishikimin e Kushtetutës.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 2:02 pm
Emri Mbiemri: Sokol Sadushi
Titulli: Prof.Asoc.Dr


Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron