3 muaj për të transferuar pushtetin politik

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

3 muaj për të transferuar pushtetin politik

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi » e Diel Shtator 08, 2013 4:52 pm

Prof Rexhep Meidani në gazetën Panorama të dates 7 gusht 2013 ka botuar shkrimin me titull “Dy amendamente që vonuan thirrjen e Kuvendit”.
Prof Meidani ngre një problem tepër delikat dhe me implikime jo të vogla të standardit bashkëkohorë të mirëqeverisjes, që lidhet me tejzgjatjen e paarsyeshme të mënyrës së transferimit të pushtetit, pas zgjedhjeve parlamentare.
Shqetësimin kryesor ai e fokuson te vonesa që krijohet, për shkak të normës kushtetuese, e cila parashikon mënyrën dhe kohën e mbledhjes së Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare.
Ndryshimin e formulimit të mëparshëm kushtetues të nenit 67, sipas të cilit “Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve”, me normën aktuale se “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandate”, Prof Meidani e konsideron rrjedhojë e një mungese tjetër të pjekurisë së demokracisë shqiptare, përderisa nuk është shoqëruar edhe me “disa kufizime ligjore-kushtetuese të vendimmarrjes ekzekutive në periudhën e pritjes për kryerjen e rotacionit politik.
Për shkak të implikimeve jo pa pasoja për mbarëvajtjen e veprimtarisë publike, e shoqëruar, ndërmjet të tjerash, me abuzime jo të pakta, me paradokse e gjenerime të pakuptimta politike, në kushtet e një ekonomie që ka shfaqur simptoma të brendshme shqetësuese, Prof Meidani, duke e gjetur shkakun e këtij fenomeni tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, sheh si zgjidhje imediate domosdoshmërinë e rishikimit dhe të korrigjimit të ndryshimeve të vitit 2008, pse jo dhe rikthimin e Kushtetutës në tekstin e origjinës. Nga ana tjetër, ai është i mendimit se, nëse vendoset që të ruhen këto amendamente për më tej, një kufizimi i kuadrit qeverisës në periudhën paszgjedhore bëhet më se i domosdoshëm.
Këto teza të hedhura nga Prof Meidani janë tepër të rëndësishme për të konkluduar nëse nevojitet një reformë kushtetuese, edhe në këtë drejtim.
Le t’i bëjmë këto teza, si pjesë të debatit në CURIAWEB, të Forumit “Reforma kushtetuese – një domosdoshmëri e kohës ?”


Në vijim është shkrimi i Prof Rexhep Meidanit. Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu: http://shtetiweb.org/?p=9938

Dy amendamente që vonuan thirrjen e Kuvendit
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 7 gusht 2013

Një proces pa vonesa të tjera!

Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, vetë procesi kohor i transferimit të pushtetit politik shpalosi një ngërç tepër serioz. Aq më tepër, në kushtet shqiptare dhe për një ekonomi që ka shfaqur simptoma të brendshme shqetësuese! Po ashtu, kjo periudhë pritjeje u shoqërua, ndërmjet të tjerash, me abuzime jo të pakta, me paradokse e gjenerime të pakuptimta politike, në koncept dhe praktikë, me pasoja në procesin qeverisës. Dhe kjo vlen të korrigjohet sa më shpejt! Nga ana tjetër, pas gati 3 muajsh shpalosje fitoreje, duhet të përshpejtohet procedura kushtetuese e miratimit dhe funksionimit të qeverisë së re (miratimi në mënyrë “honorifike” i Kryeministrit, dekretimi i qeverisë, debati në Kuvend i programit qeverisës, votimi dhe miratimi i kabinetit qeveritar, betimi i anëtarëve të qeverisë para Presidentit, fillimi i detyrës në të gjitha dikasteret).

Korrigjimi është i domosdoshëm.

Transferimi politik i pushtetit pas zgjedhjeve rezultoi jo vetëm i stërzgjatur, por edhe me rënie serioze të veprimtarisë administrative, me zvarritje e braktisje të ritmit të punës, të angazhimit publik etj. Po ashtu, janë konstatuar, gjatë kësaj kohe, vendimmarrje arrogante e shqetësuese në nivelin ekzekutiv, në disa raste me shkelje ligjore, me veprime të pamenduara e arbitrare, me elemente të dukshme favorizimi, deri korrupsioni. Dhe, e gjithë kjo, po të analizohet me kujdes, jo vetëm e ka rritur pakënaqësinë dhe perceptimin negativ qytetar të abuzimit qeveritar, por ka lënë dhe do të lërë gjurmët e veta në mbarëvajtjen e veprimtarisë së mëtejshme publike, të vetë procesit qeverisës, të besimit ndaj tij. Aq më keq, që kjo periudhë “lajthitjeje” nuk ka rezultuar dhe aq kohëshkurtër! Prandaj, diçka e tillë duhet eliminuar patjetër në kuadrin tonë kushtetues-ligjor! Në fakt, në këtë stërzgjatje të tepruar kohore shërbyen pikërisht ndryshimet kushtetuese të vitit 2008…

Një krahasim i drejtpërdrejtë.

Në variantin fillestar të Kushtetutës, neni 65 dhe 67 formuloheshin si më poshtë: Neni 65: 1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet. 2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. 3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme. Neni 67: 1. Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve. 2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet vetë brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
Siç shihet, këto formulime janë shumë më të studiuara, pa ngërçe të panevojshme, me dallime të qarta në planin kohor. Konkretisht, aty, periudha 4-vjeçare e Kuvendit është “numerikisht” e përafërt, e përafruar apo e rrumbullakosur (pra, relative, jo absolute), ndërkohë që afatet e tjera janë tërësisht numerike (absolute). Në atë variant kushtetues, miratimi i qeverisë së re do të ishte realizuar kohë më parë, me thirrjen e Parlamentit të ri menjëherë pas zgjedhjeve, duke shmangur situatën e pakuptimtë verore me “kapardisjen” e një qeverie që i kishte humbur zgjedhjet. Në fakt, pas amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, nenet e cituara më sipër kanë këtë pamje: Neni 65 (ndryshuar me ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008): 1. Kuvendi zgjidhet çdo katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur. 2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. 3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. 4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme. Neni 67 (ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008): 1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. 2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.Janë pikërisht paragrafi 1 i nenit 65 dhe paragrafi 1 i nenit 67, me formulimet përkatëse: “Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”, dhe “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës…”, që kanë mundësuar dhe ligjëruar këtë lloj vonese të pakuptimtë të rotacionit politik, vonesë kjo që, siç shihet nga krahasimi i mësipërm, në formulimet fillestare kushtetuese ishte tërësisht e mënjanuar. Madje, brenda një ngjeshmërie logjike kushtetuese, me një rendiment të dukshëm në paragrafë, në fjalë e germa!…
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 2:02 pm
Emri Mbiemri: Sokol Sadushi
Titulli: Prof.Asoc.Dr

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron