[phpBB Debug] PHP Warning: in file [ROOT]/includes/functions_content.php on line 688: preg_replace(): The /e modifier is no longer supported, use preg_replace_callback instead
[phpBB Debug] PHP Warning: in file [ROOT]/includes/functions_content.php on line 688: preg_replace(): The /e modifier is no longer supported, use preg_replace_callback instead
CuriaWeb • Shfaq kontributin - PARASHTRESA për Rishikimin e Kushtetutës

PARASHTRESA për Rishikimin e Kushtetutës

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

PARASHTRESA për Rishikimin e Kushtetutës

PostimNga Dr. Arta Vorpsi » e Diel Shtator 01, 2013 8:55 am

Reforma kushtetuese – një domosdoshmëri e kohës?

Moderatorë: Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi, Rektor i Universitetit “Luarasi”
Dr. Arta Vorpsi, Këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese


Në këtë Parashtresë, që do të shërbejë si pikënisje për debatin: “Reforma kushtetuese – një domosdoshmëri e kohës?”, synojmë t’i përgjigjemi tre pyetjeve:
1. A është momenti për të rishikuar Kushtetutën?
2. Përse duhet rishikuar Kushtetuta?
3. Si duhet rishikuar Kushtetuta?

1. Në nëntor të këtij viti bëhen 15 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës shqiptare. Nuk janë shumë po të mendosh që Kushtetuta si dokument themelor i një shteti miratohet për të qenë thuajse e përjetshme. Megjithatë nëse këto vite i shohim nga këndvështrimi i dinamikës së zhvillimeve të shoqërisë dhe shtetit shqiptar, atëherë 15 vite nuk janë pak. Gjatë kësaj kohe ka patur mjaft zhvillime politike, ekonomike, sociale, të cilat natyrshëm shoqërohen edhe me zhvillime të caktuara në planin legjislativ. Këtu fjala është jo vetëm për iniciativat për miratimin e akteve të ndryshme ligjore, por edhe për praktikën e funksionimit të institucioneve shtetërore kryesisht kushtetuese - ku mund të përmendim Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Presidentin e Republikës, partitë politike të përfaqësuara ose jo në parlament -dhe në materializimin e së drejtës në përgjithësi dhe të së drejtës kushtetuese në veçanti. Dinamika e praktikës së organeve kushtetuese dhe e marrëdhënive mes tyre ka sjellë në disa raste një diferencë midis kuadrit kushtetues dhe realitetit kushtetues. Veprimtaria e këtyre organeve kushtetuese herë pas here është shoqëruar me interpretime të ndryshme (të gjera ose të ngushta) të dispozitave kushtetuese duke nxjerrë në pah nevojën e përshtatjes së tyre sipas rrethanave të paraqitura. Kur është kërkuar prej tyre, në sqarimin e këtyre situatave është përfshirë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila, sipas rastit, i ka dhënë kuptimin e saj normës kushtetuese. Pavarësisht interpretimit përfundimtar të saj, i cili nuk lë më vend për diskutim nga palët, praktika ka treguar se norma ka nevojë për diçka më tepër se interpretim. Ajo duhet të përshtatet me realitetin shoqëror dhe politik të vendit. Në këtë kuptim, mund të thuhet se veprimtaria e institucioneve kushtetuese, sidomos kontrolli kushtetues i ushtruar nga Gjykata Kushtetuese, ka evidentuar pak a shumë disa nga çështjet që mund të kenë nevojë të rishikohen nga ligjvënësi kushtetues në një të ardhme të afërt.
Po ashtu, në kuadrin e analizës së funksionimit të sistemit politik në vend, lidershipet e forcave kryesore politike po ngrenë gjithnjë e më shpesh nevojën e rishikimit të kushtetutës, megjithëse asnjëra prej tyre nuk ka paraqitur një platformë, qoftë edhe të përgjithshme. Argumentet e tyre përqëndrohen më shumë në raste të veçanta, si ato të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, të mocionit ndaj Kryeministrit.
Çdo rishikim apo amendim që mund t’i bëhet një kushtetute duhet vlerësuar pikësëpari në raport me pushtetin që populli u ka dhënë rishikuesve të saj. Pikërisht, është populli që nëpërmjet vendimmarrjes i jep politikës atë pushtet që i nevojitet për ta rishikuar kushtetutën. Dhe që politika të ushtrojë të drejtën e saj për rishikimin e kushtetutës, duhet në radhë të parë ta zotërojë këtë të drejtë, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë politik. Arritja e një shumice të cilësuar për rishikimin kushtetues përbën aspektin procedural të çështjes, ndërsa pasja edhe e mandatit politik, që fitohet nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare, përbën aspektin tjetër po aq të rëndësishëm të këtij procesi.
Në kryerjen me sukses të reformës kushtetuese, Kuvendi ka një rol vendimtar. Ai i jep jetë reformës kushtetuese. Në një parlament ku mungon dialogu dhe vullneti për të gjetur konsensus është e vështirë të realizosh një reformë kushtetuese. Po ashtu, forcat politike nuk duhet të mendojnë vetëm situatën e momentit, por dhe atë të rotacionit të mundshëm politik. Vendi dhe shoqëria mund të futen në rrugën e zhvillimit dhe të progresit demokratik vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit do të mendojnë se si përballohet e ardhmja dhe jo të nisen nga interesa të ngushta të momentit dhe të forcave të tyre politike.
2. Pyetja që shtrohet përpara politikës në çdo rast që paraqitet nevoja për rishikimin e ligjit themeltar të shtetit është : Përse duhet rishikuar Kushtetuta?
Qysh në momentin që hartohet një kushtetutë, shtrohet domosdoshmëria e pasjes së një kushtetute funksionale dhe ideale, e një kushtetute që konsiderohet një kontratë mes qytetarëve dhe shtetit, e një kushtetute që nuk duhet të jetë deklaratë dëshirash, por objektiv real i vendit, si dhe e një kushtetute të qëndrueshme, që t’i mbijetojë çdo rrotacioni politik.
Natyrisht që rrethana të ndryshme të karakterit politik, ekonomik a social, mund të sjellin si një domosdoshmëri ndryshimet kushtetuese për të siguruar përshtatjen dhe harmonizimin e kushtetutës me rrethanat e reja juridike dhe politike të vendit. Ndër faktorët që ndikojnë në realizimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, pikësëpari mund të jetë mungesa e stabilitetit të jetës parlamentare dhe funksionimi i deformuar i institucioneve kushtetuese, të cilat çojnë në kriza të karakterit kushtetues apo në kufizime të proceseve demokratike, që mund të shkojnë deri në humbjen e legjitimitetit të pushtetit të dhënë. Kemi parë vitet e fundit iniciativa të qeverisë ose opozitës që janë miratuar vetëm me votat e të parës ose kanë dështuar sepse opozita nuk ka gjetur mbështetjen e pozitës. Ligjet e ashtuquajtuar “të integrimit” u miratuan pasi ishte mbyllur legjislatura e fundit, në një mbledhje të jashtëzakonshme (a ishte vërtetë e nevojshme?) për shkak se gjatë 4 viteve nuk u gjet gjuha e përbashkët për një objektiv të rëndësishëm siç është integrimi në BE. Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pavarësisht se arriti të gjente numrin e domosdoshëm të votave që kërkonte Kushtetuta, nuk arriti të ishte një zgjedhje konsensuale siç e kërkon fryma kushtetuese dhe realiteti kushtetues. Anëtarët e institucioneve kushtetuese (përjashto Avokatin e Popullit) u zgjodhën pas debateve të ashpra mes forcave politike e bllokime dekretesh, zgjatje mandatesh tej afateve kushtetuese (3 anëtarët e GJK) etj.
Ndoshta pyetja që duhet bërë është se çfarë kërkohet të rishikohet? A përputhet gjithmonë ajo që kërkohet me atë që rezulton nga procesi i rishikimit? Ka mjaft debate. Nëse kërkohet të ndryshohet p.sh mënyra se si zgjidhet Presidenti i Republikës, pra nga zgjedhja nga parlamenti të kalohet në zgjedhjen nga populli, pyetja është: A duam vërtetë një republikë presidenciale ose gjysëmpresidenciale? Logjikisht, një president të zgjedhur nga populli do ta duhet të veshim me kompetenca thelbësore të qeverisjes, përndryshe nuk justifikohet legjitimiteti popullor i drejtpërdrejt.
Nëse duam të krijojmë sistemin dy dhomësh pyetja shtrohet se çfarë ndikimi do të ketë ky sistem në strukturën e organizimit shtetëror?
Nëse duam të ndryshojmë mënyrën e kontrollit të gjyqësorit (pra nga kontrolli prej vetë gjyqësorit në kontrollin nga jashtë tij) për të patur mundësi ndëshkimi të gjyqtarëve të korruptuar dhe të paaftë, a duam që të kemi një gjyqësor të kontrolluar ose të varur nga ekzekutivi ose legjislativi?
Nëse kërkohet më tepër përgjegjshmëri dhe cilësi vendimmarrje nga organet kushtetuese të pavarura dhe për këtë shihet e nevojshme përcaktimi i saktë dhe shterrues i kritereve të përzgjedhjes së tyre, a është e mundur të plotësohen këto kritere dhe njëkohësisht të ruhet edhe diskrecioni i organeve kushtetuese kompetente për t’i përzgjedhur ato?
Të tilla pyetje duhen bërë që në fillim të procesit dhe jo pasi ai të ketë përfunduar për të nisur më pas një proces tjetër rishikimi që do të na çonte më së paku atje ku ishim para fillimit të tij. Investimi politik, juridik, social dhe ekonomik i panevojshëm ose i pajustitikuar në një proces të gjatë dhe të vështirë pa patur realisht nevojë për të, çon në humbjen e besimit tek zgjedhësit gjë që pasqyrohet më pas në rezultatin e votimit.
Nga pikëpamja e konstitucionalizmit, kushtetutat janë për të përcaktuar rregullat e lojës në një demokraci, të cilat për sa kohë janë vendosur me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, duhen respektuar. Nevoja për rishikimin e dokumentit themeltar nuk duhet parë thjesht si mënyrë për t’iu shmangur rregullave, ajo kërkon shumë më tepër se kaq: për të ndryshuar kushtetutën duhet të ketë argumenta të mjaftueshme për të bindur veten dhe të tjerët se dokumenti themeltar ka humbur vitalitetin e tij dhe nuk i shërben më stabilitetit qeverisës. Çdo prekje e panevojshme e dispozitave të saj e bën atë të humbasë nga pozita e saj e privilegjuar.
Pas parashtrimit të konsideratave të mësipërme me karakter parimor, ja disa drejtime të përgjithshme, që mund të shërbenin për të konkretizuar debatin për rishikimin e kushtetutës:
Së pari: Përmirësimin e funksionimit të Kuvendit për të mundësuar ushtrimin e atributeteve të tij kushtetuese nëpërmjet vendosjes së një dialogu midis forcave politike, midis shumicës që mbështet qeverinë dhe opozitës që e kritikon atë dhe paraqet alternativën e saj. Në një sistem demokratik, Kuvendi mund të jetë funksional vetëm nëpërmjet dialogut reciprok midis të gjithë aktorëve të përfaqësuar në të. Në këtë kuadër mund të shihet edhe opsioni i bikameralizimit dhe çështjet që lidhen me reformën zgjedhore. Pjesa e Kushtetutës për Kuvendin mund të plotësohet për të forcuar bazën kushtetuese të ushtrimit të funksioneve prej tij.
Së dyti: Vendosjen e një baraspeshë relative të pushteteve në marrëdhëniet Kuvend - Qeveri, në mënyrë që funksionimi i mekanizmit demokratik të jetë i plotë. Legjitimiteti dhe stabiliteti i sistemit politik i vendit të shihet i lidhur me efikasitetin e funksionimit të Kuvendit, si institucion përfaqësues dhe kontrollues në një republikë parlamentare, si dhe në funksion të nevojës së një qeverisje të mirë dhe të fortë prej Ekzekutivit. Në këtë kontekst mund të rishihen edhe procedurat e mocionit të besimit/mosbesimit ndaj kryeministrit.
Së treti: hapjen e debatit mbi institucionin e Presidentit të Republikës, në mënyrë të vecantë, i mënyrës së zgjedhjes, të kompetencave të tij në një republikë parlamentare dhe raportet me Kuvendin e Kryeministrin.
Së katërti: Përmirësimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, rolin e prokurorisë, mënyrën e zgjedhjes së organeve kushtetuese (GJK, GJL, PP etj);
Së pesti: Rishikimin e struktures dhe funksionimin e sistemit të pushtetit vendor dhe reformën e administrimit të territorit
Së gjashti: Administratën publike, institucionet e pavarura, financat publike.

3. Pasi politika e jep përgjigjen, nëpërmjet të cilës përligj arsyen e kryerjes së rishikimit kushtetues, atëherë pyetja tjetër që shtrohet dhe që kërkon një përgjigje serioze dhe po aq të përligjur sa e para është: Si duhet rishikuar Kushtetuta?
Në parim, rishikimi i kushtetutës bëhet në procedurë të njëllojtë me procesin kushtetutdhënës. Ajo duhet të sigurojë gjithëpërfshirjen, duke filluar nga forcat politike parlamentare dhe jo parlamentare, e deri atë të shoqërisë civile, informimin publik dhe transparencën ndaj medias dhe publikut si dhe kohën e nevojshme për të gjitha fazat e procesit, që fillojnë nga hartimi i një platforme të reformës, diskutimin e të gjitha çështjeve të përfshira në të, formulimin e amendamenteve dhe deri në vendimarrjen përfundimtare. Përfshirja aktive e opozitës në këtë proces është shumë e rëndësishme. Këtu nuk duhet të harrojmë faktin që kushtetuta aktuale është hartuar në kushtet e mospjesmarrjes të opozitës së vitit 1998.
Dinamika e ndryshimeve kushtetuese varet nga numri i amendamenteve, por edhe nga karakteri dhe pasojat që ato kanë. Rishikimi i një ose më shumë dispozitave kushtetuese që kanë dhe përmasa jo pak të rëndësishme nga ana substanciale, sigurisht që kërkojnë një procedurë shumë më të kujdesshme dhe të hollësishme, se një rishikim i aspektit teknik.
Shpresojmë që gjithçka parashtruam më sipër do të shërbejë për nisjen e një debati të frutshëm dhe të dobishëm për një problem kaq të rëndësishëm të lidhur me stabilitetin politik dhe zhvillimin demokratik të vendit.
Imazhi i Përdoruesit
Dr. Arta Vorpsi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 4:44 pm
Emri Mbiemri:
Titulli:

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 2