Partitokracia

Partitokracia është një rregjim politik në të cilin pushteti efektiv i ka qëndrat e tij në udhëheqjet e partive politike dhe jo në organet e parashikuara nga kushtetuta e vendit. Edhe pse partitë, nëpërmjet grupeve të tyre parlamentare,janë organizma kushtetuese që kanë rolin e tyre të rëndësishëm në përcaktimin e politikave të një vendi, rregjimi i partitokracisë përbën një degjenerim serioz të sistemit demokratik. Në këto kushte partitokracia përbën shkakun kryesor të mosfunksionimit të sistemit demokratik. Ajo është një sëmundje që në rradhë të parë prek sistemin e partive dhe pastaj nëpërmjet partive, kjo sëmundje i shtrin metastazat e saj në strukturat e shtetit dhe të gjithë shoqërisë. Partitokracia shfaqet sidomos në vendet me mungesa apo vonesa në krijimin e institucioneve të shtetit së të drejtës, sidomos në ato që kanë dalë nga sistemet totalitare komuniste. Në rastin tonë rrënjët e këtij zhvillimi duhen kërkuar në historinë e partive politike shqiptare. Të krijuara më 1921 ato vepruan në një mjedis të ashpër politik, të shoqëruar me kriza parlamentare e ndërrime të shpeshta të qeverisë dhe formës së regjimit. Përvoja simbolike pozitive e viteve 1921-23 mori fund më 1924, kur vendi kaloi në një sistem njëpartiak, fillimisht presidencial dhe më pas monarkist. Pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos sistemi njëpartiak (1944-1990), nga i cili trashëguam modelin më të keq të sundimit të një partie politike. Në kushtet e tranzicionit të tejzgjatur, hijet e shtetit partiak duket të marrin formën e siptomave partitokratike.

Tiparet kryesore të një rregjimi të tillë janë:

– Në partitokraci pushteti real përqëndrohet në duar të udhëheqjes së partive politike. Janë udhëheqjet partiake ato që përcaktojnë orientimin politik dhe kanë monopolin e marrjes së vendimeve të rëndësishme të një vendi.

– Partitokracia imponon një politikë shterpë, pa ide. Mbartësit e një politike të tillë mund të jenë vetëm politikanët më aftësi të kufizuar dhe me shterpësi idesh, thjesht besnik të udhëheqjes së partisë. Një politikë e tillë pa ide sjell një qeverisje intuitive dhe kaotike, të çorientuar dhe pa impakt social

– Funksionimi i parlamentit është i atrofizuar. Në të vërtetë parlamenti në vazhdimësi ndodhet para aktit të kryer dhe nuk mund të luajë me efikasitet rolin e tij kushtetues, si qëndër e debatit dhe e vendimmarrjes.

– Qeveria ushtron pushtetin e vet jo sipas një programi qeverisës, por në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në mes partive politike. Partitë politike përcaktojnë, ndër të tjera, opsionet e politikës qeveritare sipas ndarjes së “fushave të tyre të influencës”.

Kabineti partitokratik nuk mund të sigurojë stabilitetin e nevojshëm politik, megjithatë ai nuk mund të bjerë për shkak të votës së mosbesimit të parlamentit. Në partitokraci qeveritë shpartallohen nga brenda, si pasojë e divergjencave të partive në koalicion ose, në rastet specifike, nga konfliktet e brendshme të vetëm një partie.

Shfaqjen e saj më të dukshme partitokracia e ka në kontrollin e sektorëve të ndryshëm të administratës publike, të drejtësisë, të shëndetësisë, të arësimit dhe më gjërë të shoqërisë. Shërbimet publike bëhen preh e presioneve partiake. Në vend të profesionalizmit kriteret e përkatësisë partiake bëhen kritere të vetme të ngjitjes në funksione të larta. Duart e partive nuk ndalen vetëm në administratë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i kontrollimit të administratës ato shtrihen, në sektorët e ekonomisë, favorizojnë korrupsionin, favorizojnë lidhjet me grupet e implikuar në krimin e organizuar.

Një tjetër karakteristikë e partitokracisë është fakti se elektorati nuk ndjehet i përfaqësuar në qeverisjen e vendit. Ai nuk mund të influencojë as në orientimin politik dhe as në natyrën e koalicioneve të mundshme. I vetmi atribut i tij është të shpërndajë votat ndërmjet partive politike pa pasur mundësi të influencojë në qeverisjen e tij. Përkundrejt një elektorati të pa shpresë, janë militantët partiak ata që përpiqen të vjelin frutet e partitokracisë

Marrë nga libri “Tempulli i Demokracisë”

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi