A bëhen reformat shëndetësore me mballoma?

Nga Gazmend Koduzi, botuar në Panorama Online, 19 janar 2015

063650fNdërsa dëgjoja reagimin e z.ministër për arsyet e testimit të personelit shëndetësor, duke e krahasuar me eksperiencën amerikane, m’u kujtua kënga e Renato Carosone “Tu vuo fa l’americano”. Kjo këngë e shkruar në vitet ’50 satirizon jetën e një të riu në jugun e Italisë të pasluftës së Dytë Botërore, i cili imitonte stilin e jetës amerikane duke pirë whiskey, soda dhe cigare amerikane, por të gjitha shpenzimet i bënte me lekët e prindërve. E njëjta situatë krijohet po të vendosësh në baraspeshë kushtet e punës së personelit mjekësor në Shqipëri me ato në Amerikë. Amerika është vendi që shpenzoi 80.1 bilionë dollarë gjatë vitit 2014, afërsisht 18% e GDP, ose e thënë ndryshe
mbi 6500 dollarë për frymë në vit, ndërsa Shqipëria shpenzon 2.8% të GDP dhe afërsisht 250 dollarë për frymë. Një pjesë e shpenzimeve të shëndetësisë shkojnë për pagesat e personelit shëndetësor, ku të ardhurat mesatare e një mjeku familjeje (GP) në Amerikë janë 180,000 dollarë në vit, ndërsa në Shqipëri është 7200 dollarë, kurse të ardhurat e një specialisti as nuk mund të krahasohen. E thënë ndryshe, personeli mjekësor shqiptar e praktikon profesionin në një sfond shoqëror, social, ligjor, ekonomik shumë të ndryshëm krahasuar me atë amerikan. Një mjek shqiptar që të përditësojë njohuritë e tij dhe të blejë një libër 200 dollarë, i duhet të shpenzojë 1/3 e rrogës mujore, ndërsa mjeku amerikan harxhon vetëm 1/75 e rrogës mujore. Mjekët amerikanë janë pjesë e programeve të ndryshme të edukimit mjekësor të vazhdueshëm, duke filluar nga trajnimi në punë, sponsorizimi i punëdhënësit për të marrë pjesë në trajnime të ndryshme, deri te mundësia financiare për ta përballuar vetë koston e trajnimeve të ndryshme.
Pra, argumenti se testimi i mjekëve kryhet në Amerikë dhe duhet të bëhet edhe te ne nuk bën sens. Sigurisht që ne nuk duhet të rishpikim rrotën në lidhje me formimin profesional, por më e rëndësishmja është që të veprojmë dhe zbatojmë kuadrin ligjor në fuqi për këtë çështje, që është bashkëkohor dhe i krijuar me mbështetjen e qeverisë zvicerane përmes projektit përkatës.
Profesionet e mjekut, infermierit, farmacistit, stomatologut u bënë profesione të rregulluara me Ligjin 10 171, datë 22.10.2009, i cili përcakton qartë hapat që ndiqen për licencimin: të kryejë praktikën profesionale, provimin e shtetit dhe regjistrohet në urdhrat profesionalë përkatës. Ndërsa për rilicencimin përcaktohet qartë në ligjin e kujdesit shëndetësor nr. 10 107, dt. 30.03.2009, në nenin 33 “Edukimi i vazhdueshëm profesional” përcakton qartë detyrimin për t’iu nënshtruar procesit të edukimit mjekësor të vazhdueshëm dhe se humbet çdo privilegj nëse nuk përmbush detyrimet. Pra, i gjithë procesi i licencimit dhe rilicencimit të profesionistëve mjekësorë është qartësisht i rregulluar, me kërkesa të qarta dhe me rezultate konkrete. Atëherë për çfarë duhet të testohen profesionistët mjekësorë? Për ngritje në detyrë, ngritje rroge, ngritje në kategori apo presion për heqje nga puna? I gjithë ky proces nga momenti që u shpall nga Kryeministri në vigjilje të Vitit të Ri dhe deri në deklaratat e fundit të ministrit të Shëndetësisë, është i veshur me mungesë transparence për arsyen e kryerjes së tij. Nëse nisen nga gjetjet e një vëzhgimi të kryer nga një organizatë ndërkombëtare (deklaratë nga ministri i Shëndetësisë), atëherë nuk është e nevojshme të kryhet testimi, sepse dihet ku janë pikat e dobëta dhe trajnimi ngrihet në bazë të fushave ku ka nevojë personeli shëndetësor. Nëse janë vënë re mungesa në njohuri gjatë trajnimit për check-up, kjo është normale, sepse po trajnohen në tema të reja.
Zakonisht në trajnime pjesëmarrësit kryejnë një pre-test për të parë nivelin e njohurive që kanë për temat e trajnimit. Në fund të trajnimit i nënshtrohen një testi përfundimtar për të parë sa kanë nxënë nga trajnimi, pra kjo është procedura normale. Por, nëse përfundimet e këtyre dy vëzhgimeve janë për mjekët e familjes, përse duhet t’i nënshtrohen testit edhe specialistët? Nëse duan të dinë nivelin e njohurive për profesionistët mjekësorë në lidhje me nozologjitë që ato trajtojnë më shpesh në punën e përditshme, atëherë ka mënyra të tjera, ku kryesorja është anonimiteti i pjesëmarrësit në studim. Kështu, një mënyrë e mirë do të ishte përzgjedhja e një mostre përfaqësuese sipas çdo specialiteti dhe të bëhej një studim anonim për nevojat dhe vështirësitë që ata kanë në punën e tyre të përditshme me qëllim ofrimin e kujdesit shëndetësor sa më cilësor, duke i intervistuar ballë për ballë ose në mënyrë elektronike në sitin SurveyMonkey. Mënyra si u shpall kjo iniciativë dhe mosshpallja e qëllimeve, procedurave të saj, tregon që vetëm profesionale nuk është përqasja për kryerjen e saj, aq më tepër qëllimi. Nga ana tjetër, personeli shëndetësor sot gjendet në një situatë psikologjike dhe sociale të rënduar, ndihen të pasigurt në vendin e punës dhe të kërcënuar për të ardhmen e tyre, të depersonalizuar dhe të fyer, situatë që çon në cenimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor ndaj pacientëve. Prandaj, ajo për të cilën ka më shumë nevojë sot personeli shëndetësor, është përkrahja, ngrohtësia dhe vlerësimi për punën e tyre dhe jo kërcënimi. Si rrjedhim, me qëllim që politikat shëndetësore të kenë sukses dhe të arrijnë qëllimin për të cilin janë formuluar, duhet të diskutohen paraprakisht me aktorët kryesorë dhe të përkrahen nga personeli shëndetësor. Gjithashtu, ka shumë rëndësi që ndërhyrjet të jenë ashtu si thonë amerikanët (meqë i përmendin kaq shpesh në këtë proces) “taylored intervention”(ndërhyrje sipas nevojës dhe ambientit), dhe jo të marrësh copa të sistemeve të ndryshme shëndetësore sipas dëshirës dhe interesave të momentit dhe t’i “qepësh” në “kostumin” e shëndetësisë sonë, që të bëjnë të dukesh akoma më qesharak se djali i Italisë së Jugut në këngën e Carosones.
*Doktor i Shkencave Mjeksore

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi