Impakti i reformave, ta themi apo të mos e themi

Nga Leonidha Mertiri, botuar në Panorama Online, 22 dhjetor 2015

leonidha-mertiri-150x150Një zyrtar i lartë qeveritar, disa javë më parë, konkludonte përmes Facebook-ut se, edhe reformat e forta e të guximshme që po ndërmerr qeveria patjetër prodhojnë kosto. Se, kush mendon që ato nuk prodhojnë kosto afatshkurtra, vështirë se i afrohet së vërtetës.

Madje, zyrtari shkonte dhe më tej, duke e motivuar këtë me fakte nga realiteti, pa i dhënë lustër atij në favor të qeverisë. Ajo që tërheq vëmendjen nga sa më sipër është fakti që, pavarësisht nga posti që mban, të guxosh të flasësh hapur për çka mendon, qofsh Kryeministër apo ministër, sidomos kur është fjala për impaktin që kanë reformat që ndërmerr qeveria. Dyzimi para këtij impakti, pra, t’ua thuash njerëzve apo të mos ua thuash atë, vetëm bën të humbasësh te këta të fundit. Përse kjo frikë? Përse t’i shmangesh, në rastin konkret, së vërtetës, për t’i thënë, siç thotë populli, katër të vërtetat në sy?

Kostot e reformave të ndërmarra nga qeveria mund të kenë dhe përkohshmërinë e tyre, por ato duhen thënë, pa drojë, në radhë të parë nga kryesuesi i qeverisë e me radhë, së bashku me progresin e nesërm në formalizimin e ekonomisë. Kjo kosto normalisht bën njerëz të pakënaqur, por kur më vonë, pavar- ësisht nga padurimi apo durimi i zgjatur, shikon arritjet, doemos, edhe mendime të tilla fillojnë dhe evoluojnë.

Ana tjetër: Mungesa e kurajës për t’u ballafaquar me të metat, dashur pa dashur u kontribuon vetvetiu, gjatë rrugëtimit, shkeljeve të rregullave etj., sikurse dhe më tej, mosmbajtjes së premtimeve më të hershme që lidhen, fjala vjen, me ato të fushatës së zgjedhjeve e më pas, si krijimi i një numri të madh të vendeve të punës, pranimi në punë nëpërmjet konkurseve… dhe probleme të tjera të njohura, mosrealizimi a zvarritja e të cilave bën që dhe këto të mos jenë pa kosto.

Kjo mungesë kuraje, me sa duket, jetëgjatësinë e vet ua dedikon dhe interesave vetjake të të babëziturve e ku për pasojë- kurajën e merr krimi. Pra, e kundër ta e shembullit me të cilin filluam shkrimin, ku një zyrtar e analist i admirueshëm kurajën e njohur të tij e ka ushqyer vazhdimisht jo vetëm profesionalizmi, thjeshtësia, por dhe një jetë e tërë e ndershme. Por, pa u shpërndarë, le ta vazhdojmë më tej mendimin nga mori shkas dhe ky shkrim.

Muaj më parë qeveria u angazhua në reforma të ndryshme në fushën e energjisë, të rendit publik, rregullimit të territorit. Ligjet janë ligje, të cilat duhen zbatuar dhe se pa reforma të thella nuk mund të bëhet shteti. Ti flet me të drejtë për pozitivitetin e këtyre reformave, sikurse ke bërë, por fare tangent u ke kaluar pasojave të tyre, zgjedhjes së vështirë të vetë reformave, me një peshë tepër të rëndë, që diku do të shkaktonin humbje të vendeve të punës apo të pagesave një për një të faturave të prapambetura të energjisë, të rritjes së gjobave për kundërvajtësit e kështu me radhë.

Të gjitha këto, kuptohet, sikurse edhe u pa, do të kishin për emërues pakënaqësinë e njerëzve, e cila, në raste të ndryshme është fryrë kundër reformave, kryesisht nga të lodhurit a nga ata të mësuar me shkeljen e ligjeve, por edhe nga ata politikanë që bëjnë ç’është e mundur për t’iu servirë njerëzve si më të dhembshurit dhe besnikët, që sakrifikojnë për ta. Ose le të ndalemi në reformën e rëndë- sishme në sistemin e drejtësisë, si një reformë e domosdoshme për progresin e Shqipërisë dhe prioritet kyç për të ardhmen e sigurt të saj në Bashkimin Europian, reformë që i pret frymëmarrjen sistemit klientelist, të cilin e ushqen korrupsioni etj.

Njerëzit kanë nevojë të dinë më shumë në disa aspekte të tjera të rëndësishme: Edhe pas kësaj reforme, a do të kenë ata një drejtë- si të vërtetë, apo ajo do të llastohet në duart e pushtetit? Më tutje. Si do të evidentohen të korruptuarit në këtë sistem dhe do të priten zgjatimet e llagëmeve të “krushqive” të tyre me politikanët, në përpjekjet për t’u bërë barrierë për të mos provuar nesër qelitë? Apo gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, një mëngjes do të gdhihen të ndershëm?

Njerëzit kanë nevojë të ndriçohen jo vetëm nga Donald Lu, Romana Vlahutin, Florian Raunig, Hellmut Hoffmann, por dhe nga pushtetarë të ndershëm, pa maska, që autoriteti i pakompromis i ligjit, i së drejtës të mos shihet si marionetë e pushtetit aktual apo e atij që do të vijë nesër. Ndryshe, besimi i njerëzve do të mbetet i largët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi