Auditimi mjedisor, garancia për një cilësi jetese më të mirë

Nga Artur Hasanbelliu/Alush Zaçe, botuar në Ballkanweb, 30 dhjetor 2014

Mjedisi në Shqipëri vijon të përbëjë një problem shqetësues për të gjithë. Edhe pse kuadri ligjor konsiderohet në pjesën më të madhe të tij i përafruar me vendet e Bashkimit Evropian, edhe pse nga institucionet e BE dhe organizma të tjerë ndërkombëtare nuk janë kursyer fondet në formë huash, grantesh apo kredi të buta, përmirësimi i kësaj situate në Shqipëri lë për të dëshiruar. E thënë ndryshe, legjislacioni ekziston, paratë nuk kanë munguar, por keqadministrimi i tyre ka penguar përfundimin me sukses të projekteve në dobi të qytetarit. Si pasojë e këtij keqadministrimi, ne sot kemi një gjendje problematike me pyjet, erozionin, me shfrytëzimin e lumenjve, ndotjen e ujërave, ajrit dhe tokës, sistemin e përpunimit të ujërave të zeza. E megjithatë, për syrin e qytetarit të thjeshtë asnjëra nga këto nuk është e dukshme. Ai që bie më shumë në sy është një problem me të cilin qytetari përballet sapo del nga banesa e tij, në mëngjes: mbetjet urbane apo siç thuhet ndryshe në zhargonin popullor plehrat. Që plehrat gjenden në çdo cep duke filluar edhe brenda ashensorit të pallatit, kjo lidhet padyshim edhe me mangësitë në kulturën qytetare.
Është bërë e zakonshme tashmë të shohësh në rrugët kryesore të qytetit kazanët e plehrave të stërmbushur, madje mirë është të mos kalosh pranë tyre për shkak të erës aspak të këndshme që lëshojnë. Edhe lagjet e brendshme të qytetit nuk kanë një pamje më të mirë. Madje, ndodh që plehrat rrethojnë kazanët në një rreze të konsiderueshme ndihmuar edhe nga personat që gërmojnë në to për kanaçe dhe mbetje të tjera metalike.
Është një problem i hershëm ky i mbetjeve urbane në qytetet tona. Kryesisht në kryeqytet ku rritja e popullsisë e bën edhe më të mprehtë. Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve urbane kërkon projekte të detajuara dhe të financuara mirë, të cilat deri më tani nuk janë realizuar, duke e bërë edhe më akute situatën në kryeqytet dhe në qytetet kryesore të vendit. Shifrat janë të frikshme për Tiranën, edhe pse kjo situatë është krijuar më shumë nga mosmenaxhimi i mirë i mbetjeve urbane sesa nga sasia e krijuar nga industria, e cila nuk është ende shumë e zhvilluar.
Zyrtarisht qyteti i Tiranës krijon në një vit aktivitet të banorëve të saj rreth 250 mijë tonë mbetje. Këto mbetje grumbullohen në 3000 kontenierë të shpërndarë nëpër rrugët e Tiranës dhe transportohen prej 125 automjete. Në landfillin e Sharrës depozitojnë mbetjet e tyre urbane komunat kryesore Vorë, Paskuqan, Dajt, Farkë, Vaqar dhe Kashar. 800-900 tonë mbeturina, që do të thotë 1000 m3 mbeturina depozitohen çdo ditë në landfillin e Sharrës. Në këtë landfill depozitohen në një muaj, mbi 30 mijë tonë mbetje organike dhe inorganike.
Por landfilli i Sharrës vështirë të quhet më landfill, sepse ajo që të ofron është një impiant që nuk funksionon, traktorë të cilët nuk lëvizin më dhe kanë dalë pothuaj jashtë përdorimit. Sheh vetëm male me mbeturina në të cilat punëtorët e krahut dhe një fadromë jetime përpiqen të bëjnë të pamundurën.
Bashkia e Tiranës ka lançuar projektin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në fakt, duke menduar se çfarë po ndodh në Sharrë, ky investim prej 23.5 milionë eurosh mund të konsiderohet një zgjidhje. Kjo shumë do të shërbejë për ndërtimin e një landfilli të ri, krijimin e një infrastrukture të shëndoshë të mbledhjes dhe transportimit të plehrave nga lagjet tona në pikën e grumbullimit dhe depozitimit të tyre. Sipas projektit, landfilli i ri do të ndërtohet ngjitur me landfillin e Sharrës me përmasa afërsisht sa dyfishi i tij. Por gjendja edhe më e rëndë paraqitet në Elbasan. Në qytetin që nuk vuan vetëm nga ndotja e ajrit për shkak të industrisë, por edhe nga mbetjet urbane, situata është vërtetë e rëndë. Raporti i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbi monitorimin e cilësisë së ajrit vlerëson se Elbasani ka ndotje shumë herë më të lartë se norma e BE-së. Ka disa burime ndotjeje, midis të cilëve tymrat dhe gazrat të cilat prodhohen nga djegia e mbeturinave të ngurta urbane të qytetit, tymrat, pluhurat dhe gazet nga operatorët e industrisë metalurgjike etj., gazet, bloza e trafikut si dhe pluhurat e ndërtimit. Duhet thënë se ndotja nga operatorët industrialë gjatë muajve të fundit ka pasur një ulje në krahasim me të kaluarën, por përsëri ka shumë për të përmirësuar. Ajo që shqetëson prej vitesh banorët e qytetit më shumë është fusha e grumbullimit të mbeturinave urbane, e cila nuk plotëson asnjë kusht teknik, higjienik ose mjedisor. Fusha e grumbullimit kryesisht gjatë muajve të nxehtë të verës dhe shoqëruar me zjarret që ndezin persona të caktuar kthehet në një burim helmues për banorët e këtij qyteti, problematik veç të tjerash edhe për rastet e shumta të sëmundjeve kronike të lidhura drejtpërdrejtë me ndotjen. Ministri i Mjedisit në fillim të dhjetorit deklaroi se çështja e mbetjeve urbane të Elbasanit do të zgjidhet përfundimisht nëpërmjet ndërtimit të djegësit termik, një projekt që kushton sipas tij rreth 20 milionë dollarë.
Pra, investimet nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë e megjithatë qytetarët shqiptarë, referuar edhe fakteve të përmendura më sipër, vazhdojnë të jetojnë në një mjedis të rrezikshëm për shëndetin e tyre. Efektin që kjo situatë sjell në cilësinë tonë të jetës, në shëndetin e gjithsecilit dhe në të ardhmen tonë ne vetëm mund ta perceptojmë, pasi nuk ka ende studime të mirëfillta që analizojnë lidhjen ndërmjet ndotjes dhe rasteve të shpeshta të sëmundjeve kronike.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, ka kryer dhe vazhdon të kryejë, në dy vitet e fundit me intensitet të lartë, auditime të mjedisit. Nuk kanë munguar auditimet në lidhje me menaxhimin e mbetjeve në njësitë e pushtetit vendor, por edhe në institucionet qendrore të administratës publike.
Por çfarë është në thelb një auditim mjedisor?
Auditimi mjedisor ka nisur të aplikohet në fillim të viteve ‘70-të, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore. Pikërisht në këtë periudhë vendet e zhvilluara nisën të adoptonin legjislacionin e duhur për të frenuar, aq sa të ishte e mundur, dëmin mjedisor që shkaktonte veprimtaria e kompanive të mëdha industriale. Në fillimet e tij auditimi mjedisor përfshinte vetëm mendimin e ekspertëve të pavarur, të cilët kontrollonin nëse këto kompani vepronin në përputhje me legjislacionin mjedisor apo jo.
Auditimi mjedisor në përgjithësi kontrollon nëse:
-qeveria i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e mjedisit.
-ekziston një strukturë e përshtatshme institucionale për mbrojtje efektive të mjedisit.
-ka një kontroll eficient mbi implementimin e legjislacionit kombëtar, me qëllim realizimin e objektivave kombëtare për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit.
– ka fonde publike të mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve ambientale.
Disa nga Institucionet e Larta të Kontrollit në botë kanë njohur rëndësinë e auditimit mjedisor dhe kanë nisur ta implementojnë atë si pjesë e punës së tyre të përditshme. Një prej tyre është dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në disa vende zbatimi i rekomandimeve të auditimeve mjedisore janë të detyrueshme dhe të përcaktuara si tilla në legjislacionin e brendshëm të këtyre vendeve.
Me qëllim harmonizimin e metodave të implementimit të auditimeve mjedisore dhe shkëmbimin e eksperiencave rreth auditimeve në këtë fushë është ngritur brenda INTOSAI-t (Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit) Grupi i Punës mbi Auditimet Mjedisore. Ky grup ka zhvilluar një strategji bashkëpunimi me organizatat rajonale dhe institucionet e larta të auditimit. Ky grup bashkëpunon me 6 organizata rajonale dhe me institucionet e larta audituese të shumë shteteve, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Detyra e grupit të punës është zhvillimi i parimeve bazë mbi të cilat duhet të zhvillohet auditimi mjedisor, lançimi i iniciativave që promovojnë auditimin mjedisor dhe asistenca në krijimin e një metodologjie për realizimin me sukses të auditimit mjedisor.
Është shumë e rëndësishme përfshirja e auditimeve mjedisore në programet e punës së Institucioneve të Larta Audituese, përderisa këto auditime me anë të rekomandimeve dhe këshillave që japin kontribuojnë në:
-implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen mjedisore.
-krijimin e një legjislacioni mjedisor të harmonizuar dhe pa boshllëqe.
-krijimin e një mekanizmi kontrolli mbi implementimin e politikave mjedisore eficient dhe efektiv.
-implementimin e programeve kombëtare mbi mjedisin dhe rialokimin e fondeve publike për përballimin e pasojave që lindin nga problemet mjedisore.
Në bazë të marrëveshjes, INTOSAI (Organizata Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit) u arrit që auditimi mjedisor në parim të mos konsiderohet i ndryshëm nga auditimi që bën zakonisht Institucioni Suprem Auditues, por ai mund të përfshijë të gjitha llojet e auditimit: auditimin mbi financat, auditimin mbi ligjshmërinë dhe auditimin e performancës. Në dy vitet e fundit në Kontrollin e Lartë të Shtetit është krijuar dhe funksionon Departamenti i Performancës, i cili ndër të tjera ka kryer disa auditime mjedisore në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Auditimet e performancës konsiderohen më të rëndësishmet, që në momentin që ato përfshijnë në kontroll rrethanat mjedisore, përputhshmërinë me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm, ekonominë, eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve publike në implementimin e politikave mjedisore
Institucioni Suprem Auditues implementon dhe raporton mbi auditimet mjedisore në përputhje me guidën që ofrojnë standardet e auditimit të vendosura nga INTOSAI. Në mënyrë që të përmirësohet eficienca e implementimit të auditit, Grupi i Punës mbi Auditimet Mjedisore i INTOSAI-it adoptoi disa dokumente bazë mbi të cilat duhet të mbështetet një auditim mjedisor të cilat janë:
• Auditi Mjedisor dhe Auditi i Ligjshmërisë (2004).
• Zhvillimi i Qëndrueshëm: roli i Institucioneve të Larta të Auditit (2004).
• Rregullorja në Zhvillimin e Auditit të Aktiviteteve me një Perspektive Mjedisore (2001).
• Auditimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare mbi Mjedisin (2001).
Institucioni Suprem Auditues i implementon auditimet mbi mjedisin në këto fusha kryesore:
• Menaxhim i dobët.
• Mbrojtja e cilësisë së ujit, tokës dhe ajrit dhe ndryshimet klimatike.
• Ruajtja dhe mbrojtja e diversitetit biologjik.
• Menaxhimi i efekteve të dëmshme mbi shëndetin.
• Zhvillimi i qëndrueshëm.
Auditimet mjedisore, të cilat po aplikohen sipas standarteve ndërkombëtare të INTOSAI-it edhe në Shqipëri nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nëpërmjet rekomandimeve të tyre japin kontribut të rëndësishëm në implementimin serioz të politikave mjedisore si dhe në kontrollin e shpenzimit me ekonomicitet, eficiencë dhe efektshmëri të fondeve publike. Siç u shprehëm në fillim të shkrimit, kuadri ligjor mjedisor ekziston dhe është një hap larg BE-së (sipas SELEA), burimet financiare edhe pse me vështirësi mund të gjenden, pika problematike e këtij zinxhiri është keqmenaxhimi i këtyre fondeve. Auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, auditimet e përputhshmërisë, financiare dhe ato të performancës do të plotësojnë hallkën e fundit të zinxhirit. Shpresojmë që në të ardhmen politikat mjedisore të implementohen drejt dhe të përkthehen në kushte dhe cilësi jete më të mira për qytetarët shqiptarë dhe brezat që do të vijnë.
* Kryeauditues në KLSH

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi