Shërbimet Inteligjente sakrifikohen për interesat e politikës

Intervistë me Arjan Dyrmishi, botuar në Java, 9 maj 2014

Për studiuesin e njohur të shërbimeve informative, i cili referon një sërë problemash në lidhje me institucionet e Sigurisë Kombëtare, duket se mungon krejtësisht drita në tunel. Ai paraqet një sërë problematikash për shërbimet inteligjente, që në mungesën e bashkëveprimit me policinë, cenimin e vazhdueshëm të Sigurisë Kombëtare prej funksionit të dobët të tyre dhe mbi të gjitha trajtimin e politikës gati në nivel personal të institucioneve…

Ditët e fundit kanë dalë në sipërfaqe shumë probleme lidhur me Shërbimin Inteligjent shqiptar. A mendoni se ligji lidhur me të duhet riparë në mënyrë esenciale?

“Mendoj se rishikimi i ligjit për SHISH duhet parë nën perspektivën e tërë problematikës që është vënë re gjatë dekadës së fundit, e cila përfshin tre aspekte: 1-Rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shërbimeve informative dhe shërbimeve informative dha atyre ligjzbatuese, 2-marrëdhëniet e ekzekutivit me shërbimet informative, dhe 3-marrëdhëniet e parlamentit me shërbimet informative dhe ekzekutivin. Çdo rishikim i ligjit për SHISH nuk do të prodhonte ndonjë ndryshim thelbësor nëse nuk do të adresonte tërë këtë problematikë, e cila nuk buron vetëm nga ligji për SHISH-in, por nga tërë paketa ligjore që rregullon aktivitetin e grumbullimit, të informacionit sekret në Shqipëri, përdorimit dhe shfrytëzimit të tij dhe garantimit të llogaridhënies së shërbimeve informative.

Aktualisht, sistemi i shërbimeve informative dhe policore është i tillë që prodhon konkurrencë dhe mosmarrëveshje për shkak se kompetencat dhe fushat e veprimtarisë së tyre mbivendosen. Nga ana tjetër mungojnë si strukturat ashtu edhe eksperienca praktike për koordinimin e shërbimeve informative dhe agjencive ligjzbatuese dhe aktorëve të tjerë të sigurisë në vend”

Rasti i fundit i narkotrafikut ka treguar se SHISH-i as nuk është marrë seriozisht por edhe njoftimet e Sigurisë Kombëtare rrjedhin lehtë dhe janë të pavërejtura nga dikasteret shqiptare. Pse ndodh kështu, sipas jush?

“Mendoj se nga ky rast mund të nxirren të paktën katër përfundime, për të cilat dhe duhet reflektuar. Së pari, ky rast vërteton sa ka një keqmenaxhim ta kapaciteteve informative që buron nga tërësia e problematikës që sektori i inteligjencës në Shqipëri ballafaqohet.

Së dyti ky rast tregon dështimin e politikave të modernizimit të forcave të armatosura dhe më konkretisht të modernizimit të sistemit për kontrollin e hapësirës ajrore – pasi nëse do të kishte një sistem të tillë shumë nga spekulimet e ngritura mbi këtë çështje nuk do të mund të bëheshin.

Së treti, por jo nga rëndësia ky rast tregon konfuzionin në përcaktimin prioriteteve të SHISH-it dhe kapaciteteve të këtij shërbimi. Bazuar mbi informacionin e përcjellë nga SHISH, së pari ky institucion duhej të ngrinte preokupimin se si është e mundur që avionë të paindetifikuar janë në gjendje të ulen dhe ngrihen në territorin shqiptar pa dijeninë dhe kontrollin e autoriteteve të vendit, dhe më pas të arsyetonte apo spekulonte për qëllimet e mundshme të këtyre fluturimeve. Shkelja e sovranitetit territorial të vendit është shumë herë më e rëndë për sigurinë kombëtare se sa trafiku eventual i narkotikëve.

Së katërti, meqenëse dokumenti i SHISH-it nuk ka rënë në dorë të medias si rezultat i gazetarisë investigative – për vetë faktin se koha nga formulimi i dokumentit dhe bërja publike e tij  është mjaft e shkurtër – mund të konkludohet lehtë që ky dokument është rrjedhur qëllimisht në media.

Pavarësisht vlerës së atij dokumenti apo spekulimeve për qëllimet e tij, rrjedhja e qëllimtë në media e dokumenteve të klasifikuar përbën një problem dhe lidhet me sa përmenda më sipër – që partitë politike në Shqipëri nuk hezitojnë të sakrifikojnë interesa të tjera qoftë edhe madhore nëse kjo bie ndesh me interesat partiak”.

Të gjithë krerët më të njohur të Ekzekutivit shqiptar, Nano, Meta, Berisha, Rama kanë folur dhe flasin për reformim të SHISH. Pse Ekzekutivi merret më shumë me anën organizative të këtij institucionin sesa me efiçencën e produktit që përpunon ky dikaster?

“Marrëdhëniet ndërmjet shërbimeve inteligjente dhe Ekzekutivit kanë qenë vazhdimisht problematike në Shqipëri.

Së pari kjo lidhet me paaftësinë gjatë dy dekadave të fundit për të krijuar një praktikë të mirëfilltë në menaxhimin e informacionit sekret brenda një sistemi shumëpartiak ku partitë politike pranojnë parimin e vetëpërmbajtjes për të mos përdorur kompetenca dhe informacione sekrete për përfitime politike.

Për pasojë partitë politike i kanë parë dhe i shohin shërbimet sekrete si instrumente për të arritur objektiva partiake, shpesh afatshkutëra, dhe në shumë raste ja kanë arritur qëllimit ndërsa kur nuk e arrijnë këtë atëherë kërkojnë ndryshime të drejtuesve apo edhe legjislacionit.

Problemi i dytë, që në fakt mund të shihet edhe si pasojë e sa më sipër, lidhet me mungesën e kapaciteteve në qendër të ekzekutivit (Kryeministri dhe/ose Presidencë) për të ndërtuar dhe zhvilluar marrëdhënie institucionale me shërbimet informative dhe me institucionet e sigurisë në tërësi. Kështu, Kryeministri dhe Presidenti, por edhe ministrat në ato ministri që kanë shërbime informative në vartësi, i kanë ndërtuar marrëdhëniet me shërbimet mbi baza të personale. Dhe praktikisht çdo gjë pothuaj fillon nga e para sa herë që ka ndryshime të personave që mbajnë këto poste”.

Cili model shërbimi inteligjence, sipas jush, mund të ishte më i pranueshëm për Shqipërinë?

“Për një vend të vogël si Shqipëria, me burime të kufizuara dhe me problemet që përballet, ndërtimi i shërbimeve informative efikase është një detyrë e vështirë në vetvete. Megjithatë alternativat janë ose përqendrimi i aktivitetit informativ të vendit në një shërbim të vetëm ose krijimi i disa agjencive me objektiva dhe misione me specifikë. Në rastin e parë koordinimi dhe kontrolli janë më të thjeshta për tu realizuar, në rastin e dytë informacioni është më afër nevojave institucionale por rrezikon konkurrencën ndërinstitucionale, dhe mbikëqyrjen pasi kërkohen me shume burime dhe kohë.

Por eksperienca edhe në vende të tjera ka treguar se vendime të tilla, me shumë se sa rezultat i arsyetimit teknik kryesisht janë produkt i rrethanave të caktuara dhe vendimeve politike që burojnë nga interesat e aktorëve të përfshirë në momentin që reforma të tilla ndërmerren. Aktualisht është duke u rishikuar strategjia e sigurisë kombëtare dhe ndoshta në funksion të kërcënimeve dhe rreziqeve që ky dokument do të përcaktojë dhe të interesave strategjikë dhe mënyrës se si dokumenti do të përcaktojë se si Shqipëria do t’i ndjekë ato- mundet që të kihet parasysh më mirë edhe se çfarë vendi dhe roli do të kenë shërbimet inteligjente në tërësinë e sistemit të sigurisë së vendit”.

Në zhvillimet e reja, ku ka valë shpërthimesh tritoli, të duket sikur SHISH-i është në konflikt me Ministrinë e Brendshme dhe policinë, sa i përket informacionit. Cilat mund të ishin kanalet e një lloj arbitrazhi që mund të aplikoheshin që ky shërbim të mos merrej kaq shumë nëpër gojë, siç edhe po ndodh në ditët tona?

“Konflikti i SHISH-it me Ministrinë e Brendshme apo edhe me Ministrinë e Mbrojtjes është tërësisht i pajustifikueshëm. Praktikisht, edhe me këtë kuadër institucional të mangët ekzistojnë kanalet e komunikimit dhe normat institucionale dhe njerëzore për të zhvilluar marrëdhënie të paktën më normale, edhe pse ndoshta jo rezultative. Cilidoqoftë rezultati i ndërveprimit institucionet e përfshira mundet të paktën të synojnë që të mos cënojnë imazhin institucional dhe legjitimitetin e tyre publik”.

Buxhetet e vogla për institucionet shqiptare të Sigurisë duhet të ndikojnë dhe në punën e saj, tashmë që terrorizmi ka kapur nivele shumë të larta sofistikimi. Si mund të kalohej ky gap financimi por edhe përmirësimi për këtë shërbim?

“Dihet se Shqipëria është një vend me burime të pakta por institucionet e sigurisë nuk është se kanë qenë të nën-buxheturara, po të kemi parasysh përqindjen sipas produktit të përgjithshëm bruto. Problemi kryesor me institucionet e sigurisë qëndron në modernizimin e programeve të shpenzimeve dhe korrupsionin e lartë në menaxhimin e fondeve, çka i bën buxhetet e dhëna inefektive”.

Cila do të ishte rruga që ky shërbim t’i shpëtonte përfundimisht politikës?

“Për aq kohë sa shërbimet janë institucione që varen nga zyrtarë, të cilët kanë arritur në ato poste si rezultat i konkurrencës së partive politike  nuk mund të imagjinohet një realitet tërësisht i zhveshur nga influenca politike.

Rasti i dështimit të shërbimeve informative amerikane dhe britanike për të mos u influencuar nga konsideratat politike të qeverive të tyre na prag të luftës në Irak, pak më shumë se një dekadë më parë, tregon se kjo gjë mund të ndodhë edhe në vende, që janë model i demokracisë. Çështja qëndron se sa institucionet dhe opinioni publik reagon dhe vepron edhe kur kjo gjë ndodh duke adresuar shkaqet dhe synuar që të shmanget ripërsëritja e ngjarjeve të tilla. Për këtë arsye, siç e përmenda edhe më sipër, ndryshimi vetëm i ligjit të SHISH – qoftë edhe sikur ky ndryshim të sjellë përmirësim, pasi ndryshimet e ligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes pak më shume së një vit më parë sollën ndonjë përmirësim dhe ligji po rishikohet sërish –  nuk mund të zgjidhë tërësinë e problematikës që preokupon sot komunitetin e shërbimeve të inteligjencë dhe pasojat që burojnë prej saj”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi