Spitalet publike dhe partneriteti publik-privat

Nga Shefqet Deliallisi, botuar në Mapo Online, 23 janar 2014

Vetëm dëshira e mirë për të përmirësuar gjendjen e spitaleve publike s’mjafton. Sipas një studimi të publikuar së fundi, realizuar  Shefqet Deliallisinga USAID në muajin mars 2013, në spitalet publike Tiranë, Korçë, Lezhë, evidentohen mungesa në standardet e shërbimit, higjienës, infrastrukturës, medikamenteve, pagesa informale… Anketimet: mungesë besimi tek spitalet publike. E kundërta për spitalet private.

Spitalet publike s’po funksionojnë si duhet. Spitalet private janë të paarritshme për shumicën.

Pse jo një kombinim, një partneritet publik privat?

 Me këmbë në tokë

E vërteta është se pavarësisht cilësisë, në një mënyrë apo një tjetër, të gjithë marrin kujdes mjekësor. Mund të mos marrin të njëjtin kujdes, mund të mos e marrin në të njëjtat kushte, por gjithsesi pa të nuk mbeten.

Financimi i sistemit shëndetësor kudo në botë është problematik. Askujt s’i mjafton. Edhe atyre që për shëndetësinë kanë në dispozicion 4000 $ për frymë, edhe atyre që kanë 400$, e më pak. Të gjithë kërkojnë më shumë.

Ndonëse buxheti ynë për shëndetësinë ka qenë në rritje, ai vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në Europë. Shifra prej 2.5% e GDP për shëndetësinë s’mjafton. Sigurisht që kjo duhet të na bëjë të qëndrojmë me këmbë në tokë. Politikanët duhet t’i shmangin barrierat ideologjike që vetë i ngrenë. Përvojat botërore tregojnë se kudo në botën e zhvilluar, sistemet shëndetësore s’janë as të “majta” e as të “djathta”, më saktë, dhe të “majta” edhe të “djathta” njëkohësisht. Nga ana tjetër, premtime pa logjikë ekonomike mbesin në letër, mbasi kërkojnë më shumë para, që do të thotë taksa më të larta. Dhe politikanët e kanë të pamundur që t’i rrisin taksat aq lart sa duhet, nga frika e humbjes së elektoratit. Por çfarë mund të bëjnë atëherë?

Partneriteti Publik-Privat

Në kushtet ekonomike që jemi, një mundësi, në mos e vetmja, për përmirësimin e gjendjes në spitalet publike është Partneriteti Publik-Privat.

Ky partneritet nuk është i ri. Në vendet e zhvilluara, dekadat e fundit aplikohet me sukses edhe në sistemin shëndetësor. Është një mënyrë për rritjen e ndikimit të mekanizmave të tregut, duke ruajtur kontrollin publik. Nëpërmjet tij sigurohet si roli rregullues i shtetit (solidariteti social) ashtu edhe përfitimet e mekanizmave të tregut, hapja e sistemit shëndetësor publik ndaj konkurrencës, etj.

Të dy partnerët (publik dhe privat) zhvillojnë produktet dhe ndajnë riskun, koston dhe të ardhurat.

Në spitale publike, partneriteti publik-privat mund të aplikohet pak a shumë, në të gjitha shërbimet që më parë i ofronte shteti, i cili mund të kontraktojë sektorin privat për të siguruar shërbime: pastrim, hoteleri, kuzhinë; mallra: medikamente, reagentë kimikë, ushqime, etj; menaxhim: të spitalit apo të faciliteteve…

Le të kthehemi në “shtëpinë” tonë

Ku mund dhe duhet të aplikohet ky partnership në kushtet tona? Ndryshe nga reformat e kryera në sektorin farmaceutik, apo stomatologjik, që iu lanë për zgjidhje tregut, dhe ai i zgjidhi, reformimi i spitaleve është shumë më i ndërlikuar. Problematika në spitalet publike nuk vjen nga pronësia shtetërore, por nga administrimi shtetëror i tyre.

Në kushtet në të cilat spitalet publike janë, dhe kushtet ekonomike të vendit, zgjidhja nuk mund të vijë as vetëm nga shteti, por as vetëm nga mekanizmat e tregutPartneriteti Publik-Privat  mund të jetë një zgjidhje kompromisi.

Dihet që administrimi i spitaleve është tejet specifik dhe tejet i vështirë. Parimi që vazhdon ende të zbatohet sipas të cilit “çdokush mund të bëjë çdo gjë”, e ka dëmtuar seriozisht administrimin e këtij shërbim jetik dhe të kushtueshëm. Është e pamundur që njerëz të patrajnuar të marrin përgjegjësi për shpenzimin e kapitaleve kaq të konsiderueshme. Është e pamundur që njerëz të patrajnuar të bëjë biznes me planifikues, rregullues, dhe rimbursues specifikë. Është e pamundur që njerëz të patrajnuar të koordinojnë gjithë interesat e mjekëve, infermiereve, laborantëve dhe specialistëve të tjerë që punojnë nëpër spitale.

Një mundësi e aplikimit me sukses të partneritetit publik-privat mund të jetë pikërisht administrimi i spitaleve. Këtë e bën Spanja në 70% të spitaleve publike, të cilat menaxhohen nga privatë të kontraktuar nga autoritete shëndetësore shtetërore. Kjo përvojë vlen të konsiderohet, vlen të provohet qoftë dhe në një spital të vetëm, sipas mendimit tim, në radhë të parë në Qendrën Spitalore Universitare, e cila shpenzon pjesën e “luanit” të buxhetit të shëndetësisë.

Një problem që s’po gjen zgjidhje është furnizimi dhe administrimi i medikamenteve në spitalet publike. Është fakt i pamohueshëm që këto spitale shpenzojnë shuma të konsiderueshme për medikamente, por është gjithashtu fakt i pamohueshëm që shpesh medikamentet në to mungojnë dhe njerëzit iu drejtohen farmacive private, ku s’mungon asgjë. Pra për të siguruar medikamentet paguajnë edhe spitalet, edhe pacientët. Është fakt se në farmacitë e spitaleve publike skadojnë medikamente duke shkaktuar dëme ekonomike të konsiderueshme, është fakt se spitalet janë të “mbytura” në borxhe për shkak të medikamenteve. Për më tepër në farmacitë e këtyre spitaleve mungojnë farmacistët cilësorë, madje diku mungojnë dhe fare, mbasi preferenca e tyre është sektori privat. Për të gjitha këto probleme, një zgjidhje mund të jetë administrimi i farmacive e spitaleve publike nëpërmjet një partneriteti publik-privat.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për laboratorët e spitaleve. Është fakt që spitalet shpenzojnë shuma të konsiderueshme për laboratorët dhe ekzaminimet e ndryshme. Është fakt që në spitale nuk kryhet e gjithë gama e analizave. Është fakt gjithashtu që pacientët shpesh iu drejtohen laboratorëve privatë, ku në fakt punojnë po ata njerëz që punojnë dhe në laboratorët publikë, por ku kryhen edhe ato ekzaminime që nuk kryhen në spitalet publike. Pra për të marrë shërbimin e laboratorëve paguajnë edhe spitalet, por në jo pak raste edhe vete pacientët, shpenzimet bëhen nga të dyja palët. Pse atëherë të mos përdoret partneriteti publik-privat edhe për këtë shërbim ?

Partneriteti publik – privat  duhet me shpejtësi të vazhdojë të aplikohet në hotelerinë e gjithë spitaleve publike, mbasi atje ku funksionon e ka përmirësuar dukshëm cilësinë e këtij shërbimi.

Si përfundim

Të gjitha vendet moderne përdorin kombinimin e mekanizmave rregullues të shtetit me mekanizmat rregullues të tregut. Proporcioni ndryshon së tepërmi nga një vend në tjetrin, madje dhe nga një kohë në tjetrën, në të njëjtin vend. Ruajtja e një ekuilibri të domosdoshëm ndërmjet rolit të shtetit (politikës) dhe rolit të tregut (ekonomisë) është e domosdoshme. Në stadin që ne jemi, partneriteti publik-privat mendoj se e realizon mirë këtë ekuilibër, duke përmirësuar administrimin dhe cilësinë, si dhe duke rritur besimin e publikut ndaj spitaleve publike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi