Mbi çmimin e parasë – ose sjelljen e normës së interesit

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama Online, 12 korrik 2014

selamixhepaDoktorët e Skolastikës dhe pasuesit e tyre protestantë janë tashmë të njohur në historinë e doktrinave të ekonomisë dhe etikës si debatuesit më të zellshëm të tezave mbi moralitetin e vendosjes së interesit (uzurit) mbi paranë. Por, përtej moralitetit (kjo mund të konsiderohet tashmë një tezë e tejkaluar nga koha) çështja e normës së interesit ka një përmbajtje të pastër ekonomike dhe teoria e ekonomisë është marrë gjerësisht me të që prej fillimeve të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Siç shkruan Schumpeter, tregtarët anglezë ankoheshin vazhdimisht për normat e larta të interesave të bankave angleze dhe një pjesë e studiuesve të kohës (Sër Jeremy Child ishte ndër më të spikaturit) kishin konkluduar se normat e interesave shumë të ulëta në Holandë ishin faktori kryesor i përparimit shumë më të madh të atij vendi në raport me Anglinë, prandaj dhe kërkon që normat e interesave të caktoheshin me ligj. Një grup tjetër teoricienësh kishin arritur në përfundimin e kundërt – normat e interesit janë pasoja dhe jo shkaku i përparimit ekonomik. Një tezë kjo që përkrahej nga Lock, Hume, Smith etj. Nuk po zgjatem në hollësitë e debatit të asaj kohe, pasi i njëjti debat dhe të njëjtat argumente vazhdojmë t’i bëjmë edhe sot, pas më shumë se tre shekujsh. Njësoj si në Anglinë e shekullit të shtatëmbëdhjetë, edhe sot, veçanërisht këto kohët e fundit, thirrjet për një ndërhyrje ligjore në vendosjen e normave të ulëta të interesave bankare dominojnë në ambientin mediatik (por fatkeqësisht shumë pak debate të tilla janë prezente në ambientin akademik).
Por, që prej asaj kohe të largët ku paraja shihej thjesht si një “mjet në duart e tregtarëve”, sot ne e studiojmë paranë si një fenomen monetar dhe interesin si çmimin për paranë e dhënë hua. Megjithatë, qoftë në kuptimin monetar ku “oferta” e parasë shihet në raport me situatën e borxheve, qoftë në kuptimin “biznesor”, ku interesi buron nga fitimet e pritshme të biznesit për të cilën paraja huazohet, janë normat e pritshme të fitimit ato që ndikojnë në sjelljen e normës së interesit – rritja/ulja e pritshme e fitimeve është ajo që çon në rritjen/uljen e normës së interesit. (Në teorinë ekonomike kjo njihet si teoria suedeze e fondeve të huadhënies: interesi shpjegohet dhe përcaktohet nga një kërkesë që paraprihet nga fitimet e pritshme dhe që plotësohet nga një ofertë “fondesh huadhënieje”.)
Skema e funksionimit të tregut të huas dhe interesit në epokën tonë është në të vërtetë më komplekse dhe, duke ndërfutur edhe dinamikat kohore të procesit të dhënies dhe kthimit të huas, mundet lehtësisht të shndërrohet sa në një problem teorik po aq edhe menaxherial. Nuk ka dyshim se ndërhyrjet ligjore për të diktuar politikat e normave të interesit do të ishin kundërproduktive, dhe për më tepër të shndërroheshin lehtësisht nga një mjet ndihmues për ekonominë, në një potencial të rrezikshëm për stabilitetin e sistemit financiar. Por kjo nuk nënkupton, nga ana tjetër, se bankat mund të sillen në mënyrë të pavarur dhe të jenë të pandjeshme ndaj sjelljes së ekonomisë reale.
Duke studiuar raportin statistikor të Bankës Qendrore Europiane, gjen këto informacione mbi sjelljen e normave të interesave: interesat për kredinë për sektorin privat luhaten nga 2.47% (për kredinë në shuma të mëdha, mbi 1 milionë euro, dhe me maturim mbi një vit), deri në 4.12%, që është kredia më e shtrenjtë e overdraftit (të dhënat janë për muajin prill 2014). Diferenca e normave të interesave për depozitat dhe kredinë qëndron mesatarisht në 2 pikë për qind. Ndërkohë që në statistikat e sistemit tonë bankar rezulton që diferenca midis normave të interesave për depozitat dhe kredinë (për monedhën euro) është mbi 5 pikë. Pra, bankat i paguajnë një depozituesi (në euro) më pak se 2% interes për një depozitë afatgjatë dhe në shuma të mëdha, ndërkohë që këtë para e japin si kredi me një normë interesi vjetor mbi 7%. I njëjti hendek i normave të interesave ruhet edhe për aktivitetin bankar në monedhën e brendshme lek. Nëse i krahasojmë këto statistika edhe me Maqedoninë, një vend fqinj me ngjashmëri në shumë tregues të strukturës së tregut dhe të riskut, rezulton se diferenca e normave të interesave është dukshëm më i ulët se në rastin e ekonomisë sonë. Interesi kredisë në euro nga sistemi bankar në Maqedoni për biznesin është 6.3%, ndërkohë që norma e interesit për depozitat me afat në euro shkon mesatarisht në 4.6% – pra me një diferencë të interesave të kredisë me atë të depozitës më pak se 3 pikë për qind. Që do të thotë se kushtet e kreditimit (matur me këtë tregues) nga sistemi ynë bankar janë 40% më shtrenjtë se sa në Maqedoni dhe 60% më shtrenjtë se në vendet e BE-së.
Ruajtja e një raporti të tillë të interesave debitore dhe kreditore është pa dyshim mjaft penalizuese për sipërmarrjen dhe ekonominë në tërësi. Për më tepër që në kushtet e rënies së normave të fitimeve në industri, shlyerja e interesave dhe principaleve të kredive të marra për zgjerim aktiviteti apo financim të mjeteve qarkulluese, bëhet një barrë asfiksuese për bizneset. Shumë sipërmarrje serioze janë vënë në vështirësi të likuiditetit pikërisht për shkak se kostot e financimit janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Ndërsa vendosja e një disipline mbi sipërmarrjen për kredinë është e mirëkuptueshme dhe e domosdoshme dhe pikërisht për këtë arsye sektori bankar është mbështetur me legjislacion dhe ndërhyrje ligjore të rëndësishme në çështjet e kolateralit, ndoshta është e nevojshme që këtë herë legjislacioni të shihet në aspektin tjetër – të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve/kredimarrësve nga fuqia asimetrike, disproprocionale e bankave në diktimin e kushteve e të tyre mbi sektorin real. Vendosja e kufizimeve ligjore mbi caktimin e normave të interesave do të ishte ndoshta një teprim i paprecedentë, por banka qendrore mund të përcaktojë rregullime strukturore të cilat kufizojnë diskrecionin dhe autonominë e bankave në një sërë shërbimesh financiare. Po kështu, është e nevojshme që të vendoset një lidhje më e drejtë midis menaxhimit të riskut të kredisë, gjendjes së sektorëve të veçantë të ekonomisë (ciklet e biznesit) dhe vendosjes së çmimit të kredisë. Që do të thotë se normat e interesave duhet të jenë të motivuara nga risqet, të cilat mund të cenojnë sigurinë e sistemit bankar, por njëkohësisht duke balancuar risqet me sipërmarrjen private kur normat e fitimit të industrive ndodhen në një periudhë stresi. Vetëm kështu mundet që situata të bëhet një lojë “win-win” për të dyja palët. Banka e Shqipërisë duhet gjithashtu të rishikojë në një mënyrë më të hollësishme dhe më të balancuar kuadrin rregullator të bankave në këto aspekte, duke u udhëhequr nga parimi se klienti i saj nuk janë vetëm bankat, por e gjithë ekonomia kombëtare. Është më e dukshme se kurrë nevoja e fortë për të rivendosur një klimë mirëbesimi midis bankave dhe biznesit, marrëdhënie që prej kohësh vazhdon të jetë e tendosur.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi