A ndryshon “bailout” prej borxhit për “ulje borxhi”?

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 12 mars 2014

Në terminologjinë ekonomike, “bailout”-i nën-kupton një borxh që i jepet një kompanie apo vendi, kur ato përballen me vështirësi serioze financiare.  Ai shihet, kështu, si një rrugë minimizimi, si shmangie e dështimit socio-ekonomik. Por, bailout-i shfrytëzohet edhe për një entitet në prag dështimi në mënyrë që ai të falimentojë pa shpërhapje infeksioni ose virusi. Pra, ai është një akt mbulese, asistence e mbështetje financiare për ekonominë e një biznesi apo vendi për ta shpëtuar atë apo shmangur kolapsin e saj. I tillë ishte, p.sh., rasti i ekonomisë greke.

Rasti grek

Procesit të bailout-it iu nënshtrua ekonomia greke që prej disa vitesh. Ndër problemet e saj ka qenë paaftësia për të garuar, për të qenë konkurruese në tregun botëror, sidomos kur si monedhë e saj u bë euroja. Edhe shkalla e korrupsionit dhe e evazionit fiskal ishte tepër e lartë. Në këto kushte, edhe FMN-ja i mbështeti masat e ashpra gjermane për politikën qeverisëse në Greqi, edhe pse këto masa e rritën si shkallën e pakënaqësisë popullore ndaj politikës, ashtu dhe nivelin e papunësisë. Ajo, bile, u kërkoi vendeve të eurozonës faljen e borxheve greke. Në fakt, edhe pas mbështetjes financiare, Greqia pati rënie ekonomike nga viti në vit (- 0.2% të PBB-së, 2008; -3.1%, 2009; -4.9%, 2010; -7.1%, 2011 dhe -6.4%, 2012), kurse në vitin 2011, borxhi publik i Greqisë kapi vlerën prej 355.141 miliardë eurosh (170.3% të PBB-së). Në tremujorin e parë 2012, pas negociatave me sektorin privat për ristrukturimin e borxhit, borxhi sovran u reduktua në 280.4 miliardë euro (136.5% të PBB-së). Por, tashmë duket se depresionit gati 6-vjeçar po i  vjen fundi, edhe pse ekonomia greke pati një tkurrje afro 4% në vitin 2013. Shpresat sot janë të mëdha për rimëkëmbje ose rritje modeste në 2014-n. Po aq i rëndësishëm është dhe stabiliteti qeverisës pas zgjedhjeve të fundit, aq sa trysnia e dikurshme për daljen e Greqisë nga zona euro duket krejt e harruar. Veçse kostoja sociale e kërkesave të egra të kreditorëve ka qenë shumë e lartë. Mbi të gjitha, ajo që vuajti ka qenë shtresa e varfër, jo pasanikët, që u janë shmangur taksave. Për më tepër, ka rënë shumë standardi i jetës, papunësia ka kapërcyer nivelin e 25% (ajo e rinisë mbi 55%) dhe vetë ekonomia greke është tkurrur me 25% në krahasim me atë të para krizës. Tashmë, një shtrëngim tjetër financiar duket i vështirë, aq sa Kryeministri Samaras u detyrua të pohojë se: “Në majë të një mali nuk mund të ngjitesh në mënyrë vertikale”.

Por, ai ishte i vlefshëm ky axhustim? Në shumë drejtime, po. Por, ama, duhet akoma punë për të rindërtuar konkurrencën, për të zbatuar legjislacionin e ri të sapomiratuar, apo për të ecur më shpejt në privatizimin e aseteve shtetërore (sidomos, duke hequr dorë nga patronazhi i skajshëm i punësimit në sektorin publik), për të rritur investimet e huaja dhe nxitur investimet private, përfshirë dhe bankat e rikapitalizuara në sajë të mbështetjes prej 50 miliardë dollarësh të trojkës së kreditorëve (FMN, BE e Banka Qendrore Europiane, BQE). Edhe opinioni publik, sot, është bërë më i ndërgjegjshëm për efektivitetin e reformave dhe luftën kundër korrupsionin, madje duket se shumica e qytetarëve tani e mbështet ndryshimin, edhe pse të ardhurat personale të tyre kanë rënë në mesatare me afro 30%.

Nevoja për mbështetje financiare të Ukrainës sipas bailout-it grek.

      Ukraina, sot, krahas situatës së vështirë politike e sigurisë, ndodhet në prag të kolapsit ekonomik. Pra, nevojitet aty një bailout financiar, që, nisur dhe nga përvoja greke, është mjaft urgjent. D.m.th., në ditët që vijnë, pas zgjidhjes për krizën politike, kërkohet një ndërhyrje urgjente për kontrollin e krizës financiare në Ukrainë. Në fakt, për të dytën herë brenda një dekade, ky vend i pushtuar frikshëm nga korrupsioni është para një kolapsi të plotë. Kjo, edhe pse vitet e fundit Ukraina e rriti varësinë nga Rusia për furnizimin me energji apo për financime të tjera. Në këtë vend, sot, PBB është në rënie, deficiti buxhetor është futur në një spirale të rrezikshme, përballimi i importit të energjisë dhe prodhimeve të tjera është i pamundur; investitorët kanë humbur besimin etj. Në kushte të tilla, sekretari i Shtetit, Kerri, premtoi një mbështetje financiare prej një miliard dollarësh për qeverinë e re, gjë që në të vërtetë është fare e pamjaftueshme. Edhe FMN-ja ka shprehur gatishmërinë për mbështetje e kreditim, por kërkon për këtë një partner të besueshëm. (Në sajë të vështirësive ekonomike, që prej shpalljes së pavarësisë, më 1991-shin, FMN-ja i ka dhënë këtij vendi një seri kredish në vite, përfshirë dhe atë të vitit 2010.) Por, Ukraina kërkon urgjentisht një bailout ndërkombëtar në shkallë të madhe, një mbështetje prej 30-40 miliardë dollarësh, ndoshta vetëm për të garantuar rinisjen e punës atje, por për këtë kërkohet një partner legal. Këtu është dhe problemi. Nga një anë kërkohet një paketë e shpejtë ndihme nga BE-ja dhe FMN-ja dhe, nga ana tjetër, kërkohet një partner i besueshëm për të garantuar reforma serioze dhe jo dështime radhe, sidomos kundër sistemit ekonomik oligarkik. Në Ukrainë, në një mënyrë apo tjetrën, lulëzoi kultura e korrupsionit dhe sot, pas dy dekadash korrupsioni, keqadministrimi e konfliktesh, financat e saj janë në një situatë kritike e recesioni. Prodhimi industrial ka një rënie vjetore prej 5%; deficiti buxhetor ka arritur 9% e PBB-së, po aq është dhe deficiti tregtar. Në kushte të tilla, në përpjekje për të mbrojtur paranë kombëtare, Banka Qendrore po harxhon me shpejtësi rezervat valutore dhe nëse nuk bëhet diçka shpejt, monedha ukrainase do të pësojë një kolaps të pariparueshëm. Edhe bailout-i nuk do t’i zgjidhë dot të gjitha problemet aktuale në këtë vend, madje në një afat të shkurtër mund dhe t’i intensifikojë ato. Nga njëra anë, qeveria ukrainase duhet të marrë masa të ashpra e antipopullore për të balancuar buxhetin dhe, nga ana tjetër, politikat shtrënguese mund t’i përkeqësojnë gjërat në rrafshin social-politik, të paktën për një farë kohe. Dhe, nuk duhet të harrojmë se, edhe në rastin kur bailout-i ka funksionuar mirë si në rastin e Irlandës, masa kalimtare kanë rezultuar tepër të dhimbshme. Në fakt, për të shmangur kolapsin kërkohet konsensus i gjithanshëm, qeveri përfshirëse dhe e besueshme, mbështetje popullore për të përballuar reformat drastike. Me sa duket është e pashmangshme një periudhë vuajtjeje sociale e ekonomike. Pa to, reformat dhe bailout-i për daljen nga kriza mund të dështojnë. Këtu qëndron dhe dilema ukrainase, në kushtet e një pasigurie politike me pasoja shkatërrimtare për stabilitetin financiar e rritjen ekonomike. Një shembull suksesi është ai i Letonisë, që vuajti një rënie të madhe ekonomike prej 24% të PBB-së në periudhën 2007-2009, me një papunësi gati të katërfishuar; megjithatë, si anëtare e BE-së, ajo e rimori veten pas një bailout-i prej 7.5 miliardë eurosh nga FMN-ja e BE-ja dhe reformave tipike (si ulja e shpenzimeve dhe rritja e taksave). Ndoshta edhe për Ukrainën një premtim-karotë për integrimin në BE mund të shërbejë si katalizator për reforma serioze politike, institucionale e ekonomike. Le të shpresojmë!…

Portugalia e mbylli vlerësimin e 11-të në mënyrë pozitive

Para pak kohësh, sipas mbikëqyrjes së fundit, rezultatet fiskale e ekonomike të Portugalisë, në kuadër të bailout-it, u konsideruan pozitive. Ky ishte vlerësimi i kreditorëve ndërkombëtarë, i trojkës BE, FMN dhe BQE. Është arritur, kështu, një rritje ekonomike prej 1.2% (mbi atë të parashikuar 0.8%), ndërkohë që dhe situata ekonomike është përmirësuar goxha: niveli i papunësisë ka rënë nga 16.8% në 15.7%, janë rritur eksportet, janë zvogëluar kontraktimet e investimeve me afro 3%. Megjithatë, duhet vazhduar me masat e nisura, me thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore, sidomos në tregun e punës. Për këtë, do të ketë dhe një vlerësim tjetër për marrjen e paketës së financimit prej 2.5 miliardë eurosh nga treshja e mësipërme e kreditorëve. Në fakt, në kuadër të një bailout-i prej 78 miliardë eurosh, në maj 2011, Portugalia u detyrua të zbatojë një politikë tepër të ashpër, që krijoi dhe pakënaqësi të mëdha në popull. Por, sipas qeverisë portugeze, ia vlenin këto sakrifica. Së shpejti ekonomia do të dalë nga ky program bailout-i, pas arritjes së objektivit mbi deficitin buxhetor (nga 5.5% të PBB-së në vitin 2013, në afro 4% në vitin 2014 dhe 2.5% në vitin 2015). Sidoqoftë, ekonomistët mendojnë se ende janë të pranishme rreziqet për ekonominë portugeze, madje kërkohen përpjekje të mëtejshme për stabilizimin e financave dhe stimulimin e rritjes ekonomike. Për këtë shërben dhe kredia e fundit për të bërë një dalje të kujdesshme nga bailout-i, të ngjashme me “daljen e pastër” të Irlandës, në dhjetor. Për këtë dalje, Portugalia ka riblerë 1.23 miliardë euro të bondeve të veta për të reduktuar ripagesat e borxhit me mbylljen e programit të bailout-it ndërkombëtar, mbi të gjitha, për të rritur besueshmërinë e vendit në vetëfinancimin në tregun e bondeve.

Një reagim i rrezikshëm për stabilitetin ekonomik në Qipro

Në Qipro, ndërveprimi i detyruar i qeverisë me BE-në e FMN-në ka provokuar një zemërim të madh në popull. Aty përpjekjet ndërkombëtare për bailout-in e ekonomisë, veçanërisht për shmangien e kolapsit të sektorit bankar, janë vënë në dyshim pas hedhjes poshtë prej Parlamentit të legjislacionit përkatës. Në fakt, më 25 mars 2013 u shpall një bailout prej 10 miliardë eurosh prej trojkës FMN, BE e BQE, me detyrimin e Qipros për mbylljen e bankës së dytë më të madhe – Bankës Popullore. Ndërkohë, edhe depozituesit qipriotë duhej të binin dakord me pjesën e mbulimit të dispozitave, madje depozitat mbi 100 000 euro u pagëzuan “bail”-in, për ta dalluar këtë veprim nga vetë bailout-i. Krahas mbylljes së kësaj banke, ristrukturimit të bankave të tjera, duhet të merreshin masa të tjera shtrënguese si rritja e taksave dhe përshpejtimi i privatizimit në sektorin publik. Në kuadër të këtij bailout-i, ligjvënësit kishin si detyrë që të miratonin një ligj për privatizimin e firmave shtetërore, por ky proces u bllokua nga vota në Parlament (me 25 vota pro, 25 kundër e 5 abstenime). Kjo edhe pse sistemi politik në Qipro është presidencial. Sidoqoftë, roli i Parlamenti bëhet i rëndësishëm kur flitet për çështje problematike e kontradiktore, aq më tepër që ky votim u zhvillua në kohën kur një turmë e madhe njerëzish po protestonin jashtë godinës së Parlamentit. Për ta kapërcyer këtë situatë kërkohet një amendament për projektligjin e mësipërm në pasqyrim të kërkesave të të punësuarve pas privatizimit. Në këtë proces Qiproja duhet të privatizojë portet, kompanitë e telefonisë dhe energjisë etj., për të bërë të mundur pagimin e borxhit në vitin 2018. Prandaj, një votë “jo” e shton rrezikun e futjes së ishullit në një turbullirë fiskale. Ndërsa miratimi i ligjit e bën të mundur marrjen e ndihmës prej 236 milionë eurosh, vetë pompimin ekonomik tamam në kohën kur duket se gjërat po stabilizohen dhe ekonomia po e rimerr veten.

A ka tipare bailout-i kredia për Shqipërinë?

Deri diku. Qeveria shqiptare, që me nisjen e veprimtarisë në shtator 2013, nisi negociatat me FMN-në, BB-në dhe BE-në për gjetjen e një kreditimi prej afro një miliard dollarësh (mbi 700 milionë euro) për të mbuluar deficitin buxhetor dhe, mbi të gjitha, për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj biznesit. Pas këtyre përpjekjeve, e para ka qenë FMN-ja për t’i dhënë Shqipërisë një borxh prej afro 331 milionë eurosh për rimëkëmbjen ekonomike dhe përballjen e borxhit publik (që mund të arrijë në vlerën 74.8% e PBB-së). E gjitha kjo, e kushtëzuar dhe nga një seri rregullimesh strukturore e reformash fiskale, ndër të cilat tipike janë dhe rritja e taksave e ulja e shpenzimeve. Por nuk është e qartë nëse këto masa do të bëhen po aq të egra si në rastin e “bailout”-it grek, sepse sipas ministrit shqiptar të Financave, “ato nuk do të prekin pagat në sektorin publik, madje duke rritur pak pensionet”. Kështu, më 28 shkurt 2014, FMN-ja e miratoi të premten huan për Shqipërinë. Një shumë prej afro 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë.

Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare, për vitin 2014 pritet të ketë disa përmirësime si rezultat i pakësimit të planifikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit dhe vazhdimit të reformave strukturore. Në këtë kuadër, kredia e saj do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë nevojat e veta për financim të jashtëm dhe paralelisht do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të forcuar qëndrueshmërinë e borxhit publik, duke e futur ekonominë në një trajektore të qëndrueshme rritjeje. Një çështje më vete mbetet dhe ajo e euro-bondeve të saj! Parë në total, rreziqet akoma mbeten të larta dhe nevojat për financimin e borxhit të mëdha. Megjithatë, kjo marrëveshje do ta ndihmojë Shqipërinë që të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar, nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Në mënyrë të veçantë, ristrukturimi financiar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën vlerën 60% të PPB-së, madje arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve.

Disa mësime

Në vitin 2000, BB-ja ka deklaruar se kostoja mesatare e bailout-it bankar ka qenë e lartë. Sipas saj, qeveritë, pra dhe taksapaguesit, kanë mbajtur mbi supe peshën e drejtpërdrejtë të kostos në kolapsin e sistemit bankar. Madje, këto kosto kanë qenë të larta; p.sh., në 40 vende qeveritë kanë harxhuar në mesatare afro 12.8% të PBB-së kombëtare për të pastruar sistemet e veta financiare. Po ashtu, sipas bailout-eve të fundit, ka rezultuar se bankat qendrore kanë ndërhyrë për të ndihmuar kërkesën për likuiditet kur bankat e nivelit të dytë ose nuk e kanë pasur të mundur, ose nuk kanë dashur t’u japin kredi bizneseve e individëve. Ndërkohë, institucionet me fonde të pamjaftueshme për të paguar detyrimet kohëshkurtra, por dhe ato me borxhe më të mëdha se asetet e tyre, duhet të shpallin falimentimin. Për këtë, sidomos për institucionet financiare kryesore, duhen zhvilluar mbikëqyrje të rregullta e serioze. Kështu, bankat, që vlerësohen relativisht të shëndetshme ose relativisht të rëndësishme për të mbijetuar, i nënshtrohen rikapitalizimit, gjë që imponon kalime fondesh nga qeveria te to në shkëmbim të stokut të tyre. Madje, në situata kritike merret kontrolli efektiv mbi to me anë të një bordi e menaxhimi të ri, anulohet ekiteti i stokut të përbashkët (aksionerët humbasin investimet e tyre), por mbrohen bartësit e borxhit e furnizuesit e tij. Qeveria merr në pronësi stokun apo epitetin e tyre. E thënë ndryshe, qeveria bëhet pronare dhe mund të marrë më tej fonde duke i lëshuar publikut asete të stokut të përbashkët, kur më vonë riprivatizohet institucioni i nacionalizuar. Një njësi e veçantë qeveritare krijohet për të administruar programin përkatës. Ndalohen pagesat e dividendit për të garantuar që paratë e taksapaguesve janë shfrytëzuar për dhënie kredie e fuqizuar bankën, por jo për të paguar investitorët. Përqindja e interesit zbret në raporte të ulëta dhe kështu stimulohet ekonomia. Por, edhe pse bailout-tet në situata të caktuara janë të domosdoshme, ato krijojnë jo pak shqetësime. Në radhë të parë ato japin sinjale të gabuara duke pranuar standarde të ulëta menaxhimi për kompanitë e mëdha duke ofruar incentiva kundër rrezikut; ushqejnë “moralin” e mbulimit të gabimeve, promovojnë burokracinë, duke ia lejuar ose dhënë qeverisë fuqinë për të zgjedhur termat konkretë të bailout-it; i jep asaj të drejtën që të harxhojë paratë e taksapaguesve, pavarësisht se këta të fundit paguajnë humbjet e krijuara. Bile, sipas republikanit Ron Paul: “Duke realizuar bailout-in e kompanive në proces falimenti, konfiskohen para nga anëtarë produktivë të ekonomisë dhe u jepen ato kompanive në faliment”, duke përmbysur apo prekur kështu parimet bazë të tregut të lirë të shëndetshëm të lidhur me suksesin dhe falimentimin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi