Shumë debat për taksat, aspak për shërbimet

Botuar në Dita, 5 janar 2014

Papjekuria jonë në të konceptuarit drejtë të shtetit, po shihet dhe në mënyrën e të qasurit ndaj paketës së re fiskale. Dhe si gjithnjë ngre krye një antinomi mes shtetit dhe publikut; ajo që në thelb është një krizë besimi, që daton ç`prej kur nisëm të bëhemi shtet, pa mundur të krijojmë pajtimin, aleancën e nevojshme mes dy domeneve, që në fakt është një i vetëm në dy role të ndryshme. Sepse në instancë të fundit, shteti jemi ne. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur ende në shoqërinë shqiptare. Më troç, tek ne, së jashtmi shteti njihet vetëm si pronë e një grushti njerëzish që jetojnë me komoditetin e të pasurit të parasë në dorë, e që bëjnë më të ç`të duan, e sigurisht pasurohen me to si t`jua ketë ënda. Për publikun, njerëzit e thjeshtë, nuk ka shtet, por ka vetëm ca njerëz me pushtet, që vetëm të zhvasin e që nuk duan t`ja dijnë për milet. Dhe në fakt, jo se janë gabim në këtë lloj (para)gjykimi.

“Shteti shqiptar është armik i popullit shqiptar”, është konkluduar para ca vitesh nga ca emra të njohur të mendimit publik shqiptar, kur i bënin oponencë mënyrës se si po qeveriste Berisha në mandatin e parë. Sepse dhe i ashtëquajturi shtet i yni, sa është ekzistent, nuk ka arritur ende atë lloj pjekjeje, morali e moderniteti, për ta merituar respektin  dhe “nënshtrimin” e shtetasve të vet. Jemi në këtë nivel foshnjërie shoqërore, që na çon të mendojmë se taksat që kërkon të na marrë shteti, janë një proçes rrjepjeje për së gjalli. Dhe vëreni: nuk ka asnjë debat mbi shërbimet që do ofrojë ky shtet. Më konkretisht: bëhemi keq për rritjen e çmimit të naftës, por nuk merremi fare me kualitetin e saj apo të pyesim për cilësinë e rrugëve. Siç ngjashëm, nuk na intereson shërbimi i një kompanie sigurimesh, por vetëm çmim i siguracionit. Ndodh kjo sepse ne nuk besojmë se kompanitë “na dalin për zot” siç duhet nëse na ndodh ndonjë aksident.

Po të qe ndryshe, pra që kompanitë ofrojnë shërbime korrekte, pa qenë nevoja për ndonjë “mik” dhe brenda tyre, atëherë nuk do pyesnim më shumë për çmimin sesa për cilësinë e shërbimit. Problemi i takaspaguesit shqiptar, është se ai nuk e ndjen, nuk e dallon e nuk e sheh qartë kontributin e tij, të kthyer në formën e “dorës së shtetit” në shërbime. Ai, fjala vjen, e sheh qe jeton në një ambjent të qelbur, edhe pse ka paguar taksë pastrimi; ai e sheh se cilësia e rrugëve është katastrofike ndërkohë që pagon taksë rruge; ai e sheh se nga policia që mbahet me taksat e tij, nuk gjen atë shërbim të pretenduar në funksion të sigurisë së jetës dhe pronës; ai e sheh që TVSH-ja, është një paçavure, ndërkohë që paguan për mbajtjen e gjigandit publik të transmetimeve, e kështu me rradhë. Kështu që, debati për  taksat, do ishte mirë që zhvendosej tek debati mbi shërbimet, që në instancë të fundit, është debati mbi vetë kuptimin e drejtë të shtetit, që tek ne,  nuk e ka përftuar akoma vetë shteti, e jo më shtetasit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi