Imuniteti parlamentar dhe sfidat e tij në kuadrin e masave antikorrupsion

Nag Prof. Dr. Aurela Anastasi, Fakulteti i Drejtësisë UT

Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore “Developments and new approaches in Public Law

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Imuniteti Parlamentar i sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ndodhet sërish “i rrethuar”. Për herë të parë ndodhi në vitin 2005, kur u kërkua lënia e tij në rastin e akuzave për veprat penale që lidhen me korrupsionin. E gjithë lëvizja që filloi nga ky vit, u shoqërua me debate politike dhe një klimë mosbesimi midis forcave politike, që sidoqoftë, përfundoi me kufizimin e imunitetit në vitin 2012. Aktualisht, kanë ndodhur ndryshime të reja. Heqja e imunitetit nga procesi penal për gjyqtarët, zbatimi i dispozitave të reja të Kodit të Procedurës Penale, si dhe debatet e zhvilluara kohët e fundit përpara Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetëve, e kanë vënë imunitetin përsëri në krizë. Ato tregojnë se procedura për heqjen e imunitetit nga Kuvendi, edhe pse kemi një imunitet të kufizuar, kërkon rregullime të tjera ligjore veçanërisht, në Rregulloren e Kuvendit. Do të pushonim së rregulluari këtë fushë, vetëm nëse imuniteti nga procesi penal do të shfuqizohej. Realisht, përvoja e këtyre viteve ka treguar se koha që kërkon procedura për heqjen e imunitetit nga Kuvendi e bën jo efektiv procesin e kontrollit të personit ose të banesës së tij. Nuk është e qartë se deri në çfarë mase Kuvendi mund të shqyrtojë provat e paraqitura nga Prokuroria me kërkesën për heqjen e imunitetit. Cila është perspektiva e imunitetit parlamentar në kuadrin e masave kundër korrupsionit? Si duhet të përgjigjet Rregullorja e Kuvendit në kuadrin e këtyre ndryshimeve? Këto dhe të tjera çështje do të trajtohen në kumtesën me titull: “Imuniteti Parlamentar dhe sfidat e tij në kuadrin e masave kundër korrupsionit”.

1. Zhvillimi i legjislacionit kushtetues për imunitetin parlamentar.
Në një vështrim të përgjithshëm mbi legjislacionin kushtetues për imunitetin parlamentar në Shqipëri, konstatojmë se ka një histori të re të zhvillimit të këtij legjislacioni. Lëvizja e ndërmarrë nga viti 2005 u kurorëzua përmes një amendamenti kushtetues që kufizoi imunitetin e deputetit nga procesi penal, në vitin 2012. Aktualisht, dispozita për imunitetin përmban të dyja aspektet klasike të tij: mospërgjegjësinë për mendimet e shprehura dhe votat e dhëna në Kuvend, si dhe paprekshmërinë e deputetit në rastet e arrestit dhe formave të tjera të kufizimit të lirisë. Por, përsëri kjo çështje ka mbetur në qendër të debatit politik.

I gjithë zhvillimi kushtetues për kufizimin e imunitetit është karakterizuar nga diskutime e debate aktive politike, por edhe nga një ngadalësi në ndryshimet legjislative. Situata e mosbesimit midis forcave politike, polarizimi politik, si dhe arsye të tjera e stepën procesin e kufizimit të imunitetit parlamentar. Kjo tendencë u shfaq edhe kur u miratua Kushtetuta e sotme e RSh në vitin 1998, e cila në dallim nga mjaft Kushtetuta të vendeve të tjera që po shkonin drejt kufizimit të imunitetit, përforcoi paprekshmërinë e deputetit. Nga pikëpamja materiale, dispozita kërkoi autorizimin e Kuvendit për ndjekjen penale të Deputetit në çdo rast, pa e kufizuar autorizimin vetëm për rastet e ndalimit dhe të arrestimit të tij (neni 73,$ 2 i Kushtetutës); kurse nga pikëpamja procedurale, dispozita vendosi shprehimisht votimin e fshehtë si detyrim procedural të Kuvendit për të dhënë autorizimin për ndjekjen penale. Ndërkohë, Franca në vitin 1995 dhe Italia në vitin 1993 e kishin tejkaluar këtë debat, duke ndryshuar kushtetutat. Ato kishin vendosur heqjen e mbrojtjes së deputetit nga ndjekja penale në rastet e akuzave dhe nuk kërkonin një autorizim nga parlamenti për këtë. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar imuniteti parlamentar kishte humbur shumë nga rëndësia e tij e mëparshme. Kjo është arsyeja që na shtyn të kërkojmë një përgjigje se përse Kushtetuta jonë nuk u ndikua nga kjo përvojë, ndërkohë që kur u hartua, ajo receptoi mjaft institute të reja kushtetuese, por jo për imunitetin. Duke lexuar bisedimet e Komisionit për hartimin e Kushtetutës, duket qartë tendenca për të mos lejuar përsëritjen e rasteve për heqjen e imunitetit të disa deputetëve, përpara hyrjes në fuqi të Kushtetutës, të cilat ishin kundërshtuar në Parlament si masa me karakter politik.

Ideja për të kufizuar imunitetin, përmes një vendimi konsensual të Kuvendit filloi të diskutohej në vitin 2005, por nuk u pranua nga opozita e kohës, e cila e konsideroi atë një vendim antikushtetues. Një përpjekje e dytë u bë në vitin 2007. Një grup deputetësh nga i gjithë spektri politik, paraqitën në Kuvend projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale”, i cili do të miratohej si një ligj organik i Kuvendit, që kërkonte një shumicë të cilësuar (3/5). Kjo nismë ishte bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2006, në të cilin, midis të tjerave, theksohej se, “Në çdo rast, kur janë në rrezik parimet bazë të sistemit parlamentar dispozitat e Kushtetutës duhet të interpretohen në një mënyrë që të mbrojë qëllimin e tyre. Prandaj, nëse Kuvendi do të miratonte dispozita të përgjithshme mbi kufizimin e imunitetit parlamentar, me shumë gjasa, ato duhet të merrnin shumicën e cilësuar të parashikuar në Nenin 81, pika 2, të Kushtetutës,….”. Gjithashtu, ky projekt ishte mbështetur edhe në Rezolutën (97)24, “Për njëzet parimet udhëheqëse të luftës kundër korrupsionit” e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Megjithatë, edhe kjo nismë mbeti e pazbatuar.
Në vitin 2011, Kuvendi, me shumicën e votave, miratoi vendimin për një shtojcë në Rregulloren e Kuvendit, e cila vendoste kufizimin e imunitetit të deputetëve për fillimin e ndjekjes penale për veprat penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv, sipas dispozitave të Kodit Penal. Ky vendim nuk u zbatua asnjëherë dhe ngjalli debat për faktin se ai bazohej në deklarimin me shkrim të pëlqimit të vetë deputetit për kufizimin e imunitetit të tij, sipas një përvoje të mëparshme të Bundestagut Gjerman. Natyrisht, një deklarim i tillë nuk pengohej nga Kushtetuta, por ai varej nga vullneti i deputetit. Kështu, u bë e qartë se ndryshimi i Kushtetutës për të kufizuar imunitetin, ishte i domosdoshëm. Kjo u realizua me amendamentin Kushtetues në vitin 2012, i cili është në fuqi me një ndryshim të lehtë në vitin 2016. Ai lejon ndjekjen penale të një deputeti pa pasur nevojë për autorizimin e Kuvendit. Por, autorizimi i Kuvendit kërkohet në rastet e arrestimit ose formave të tjera të heqjes së lirisë, si dhe në rastet kur ushtrohet kontroll personal ose i banesës. Edhe nga pikëpamja procedurale ky amendament parashikon një procedurë më të lehtësuar, pasi votimi për dhënien e autorizimit bëhet me votim të hapur. Megjithatë, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave.
Një tjetër amendament Kushtetues është ai i vitit 2016, që erdhi si rezultat i reformës parlamentare në sistemin e drejtësisë. Ky amendament i lejon jo vetëm Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit, të kërkojë autorizim për të marrë masën e arrestit sipas rastit. Ky amendament solli një shpërpjesëtim tek zyrtarët që gëzonin imunitet të barabartë me atë parlamentar. Kështu, gjyqtarët nuk kanë më imunitet nga ndjekja penale, me përjashtim të imunitetit që lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit të tyre. Madje, edhe imuniteti funksional i gjyqtarëve është i kufizuar nga Kushtetuta, që thekson se: Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi (neni 137). Ky amendament duket se përmbush më mirë edhe qëndrimin që ka mbajtur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në lidhje me imunitetin e anëtarëve të Parlamentit. Në jurisprudencën e saj ajo ka zbatuar kriterin funksional të imunitetit, sipas të cilit instituti ligjor i imunitetit, në përgjithësi, i shërben një qëllimi të ligjshëm dhe zbatimi i tij është proporcional vetëm me këtë qëllim, që ka të bëjë me ushtrimin e funksioneve të Parlamentit. Këtij kriteri i nënshtrohet edhe përfituesi i drejtpërdrejtë i tij, deputeti si anëtar i Parlamentit.

2. Jurisprudenca gjyqësore.
Sikur të mos mjaftonte ngadalësia politike, edhe gjykatat shqiptare e kanë përforcuar imunitetin parlamentar në vend që të ndihmonin për ta kufizuar atë. Kështu p.sh., Gjykata Kushtetuese shqiptare, një vit pasi konsideroi dispozitat e Statutit të Romës për imunitetin në përputhje me Kushtetutën, në vitin 2000 bëri hapa mbrapa kur e shtriu imunitetin mbi çdo vepër penale, edhe në ato që ndiqen me ankim të drejtpërdrejtë në gjykatë. Në këtë mënyrë ajo krijoi vetë Kushtetutë, pa ndërmarrë një analizë të thelluar të çështjes. Kështu, Gjykata nuk e shtroi fare pyetjen: a ka dashur apo jo kushtetuvënësi që të shtrijë mbrojtjen parlamentare edhe në këtë kategori veprash penale, të cilat ndiqen me ankim të drejtpërdrejtë në Gjykatë? Nëse do të ishte kështu, do ta kishte shprehur gjatë arsyetimit të vendimit. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese nënvizoi se heqja e imunitetit për këtë kategori veprash penale mund të kërkohet nga vetë gjyqtari, duke e zgjeruar imunitetin parlamentar.

Edhe Gjykata e Lartë e ka forcuar paprekshmërinë e deputetit. Kështu p.sh., për një rast kur deputeti që po gjykohej nga organet e drejtësisë mbi bazën e autorizimit të Kuvendit rifitoi një mandat të ri parlamentar, Kolegji penal i kësaj gjykate vendosi pushimin e gjykimit të çështjes duke arsyetuar se, “I pandehuri ka marrë një mandat politik, i cili i ka dhënë një status të caktuar. Element i rëndësishëm i këtij Statusi është imuniteti, i cili nuk mund të jepet i kufizuar”.

Por edhe në një vendim të vitit 2015, kjo gjykatë arsyeton në të njëjtat hulli për imunitetin parlamentar. Në këtë vendim ka arsyetuar “juridiksionin ekskluziv të Kuvendit”, në lidhje me shqyrtimin e çështjeve në bazë të paragrafit të parë të nenit 73 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit” (shih paragrafi 30 i vendimit). Por, nga ana tjetër, ky vendim nuk arrin të na japë koncepte të qarta mbi kufijtë që e dallojnë paragrafin e parë të nenit 73 nga paragrafi i dytë i tij mbi paprekshmërinë e deputetit. Çështja që gjykohej në këtë rast ishte cilësuar si vepër penale e goditjes për shkak të detyrës, e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, pra në lidhje me paragrafin e dytë të nenit 73 të Kushtetutës, ndërkohë që në arsyetimin e shumicës vëmendja më e madhe i është kushtuar paragrafit të parë të nenit 73 të Kushtetutës.

Sa më sipër tregon qartë se sa e vështirë është të heqësh imunitetin parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është demonstruar në mjaft debate si dhe në disa raste të shqyrtuara nga Kuvendi. Kështu p.sh., kërkoi mjaft kohë debati mbi zbatimin e amendamentit kushtetues të vitit 2012, nëse duhet që ai të zbatohej drejtpërdrejt, apo përmes dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Pati mendime të ndryshme për këtë çështje. Disa mendonin se dispozitat e Kushtetutës duhet të zbatoheshin drejtpërdrejt, ndërkohë që sipas mendimeve kundër duhet të kishte parashikime të plota në Kodin e Procedurës Penale. Por, edhe pse Kodi i Procedurës Penale ka pësuar dy herë ndryshime në lidhje me këtë çështje, debati nuk ka përfunduar, madje, është bërë më këmbëngulës. Kështu psh., kohët e fundit po humbasim kohë me diskutimin mbi kufijtë e parashtrimit të provave nga organi i akuzës dhe shkalla e shqyrtimit të tyre nga ana e Kuvendit. Edhe parashikimet e reja ligjore në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2017, nuk e zgjidhën këtë problem. Ai sanksionon se, “Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod…. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij” (neni 288/2 i KPrP). Marrja në shqyrtim e kërkesës, relacionit të arsyetuar dhe e provave të paraqitura prej organit të akuzës, kryhet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili është organi i brendshëm i Kuvendit, i ngarkuar nga rregullorja e tij për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e immunitetit. Aktualisht, gjithë debati është përqendruar në kompetencat e këtij të fundit për të shqyrtuar dokumentet e paraqitura nga Prokurori, si dhe mbi veprimet e vetë Prokurorit.

3. Kriteret dhe procedurat për heqjen e imunitetit parlamentar. Vështrim i Krahasuar.
Në këtë pjesë dëshirojmë të vijmë në ndihmë duke renditur dhe testuar nevojat për rregullimin e kritereve edhe të procedurave për heqjen e imunitetit parlamentar, mbi bazën e standardeve të vendosura nga legjislacionet e shteteve të ndryshme në Evropë.
• Çështja e procedurave të përgjithshme që do të ndjekë Kuvendi.
Shqipëria ka disa parashikime të dobishme, veçanërisht për kompetencën e shqyrtimit të kërkesës për autorizimin e Kuvendit nga një komision i specializuar parlamentar (Këshilli për mandatet, rregulloren dhe imunitetin), si dhe procedurat e votimit në Seancën Plenare. Pra, nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit duket qartë se cili organ bën shqyrtimin dhe cili prej tyre merr vendimin. Arrijmë të dallojmë në këto procedura një fazë paraprake (pre-trial phase) dhe një fazë për marrjen e vendimit për heqjen ose jo të imunitetit (decision phase).
• Procedurat për marrjen e vendimit.
Këto procedura janë të parashikuara drejtpërdrejt në Kushtetutë. Diskutohet në seanca të hapura, por Kuvendi mund të vendosë të diskutojë edhe në seanca të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Në çdo rast, votimi është i hapur.
Ajo që konstatojmë në nenin 119/4 të Rregullores së Kuvendit, është se ka një mospërputhje midis Kushtetutës dhe kësaj Rregulloreje. Kjo e fundit parashikon që vendimi i Kuvendit të merret me votim të fshehtë. Ka nevojë për ndryshimin në Rregulloren e Kuvendit konkretisht, në nenin 119, pragrafi i katërt, me qëllim që ky i fundit të përputhet me ndryshimin e Kushtetutës së vitit 2012, e cila ka sanksionuar që votimi të kryhet i hapur. Natyrisht, koha që ka kaluar nga dita e hyrjes në fuqi të amendamentit Kushtetues të vitit 2012, nuk e justifikon këtë vonesë në ndryshimin e rregullores. Sidoqoftë, e rëndësishme është që në çdo rast, të zbatohet Kushtetuta, si ligji suprem.
Problemet e shtruara nga rastet e kërkesave të fundit për heqjen e imunitetit të deputetit, lidhen veçanërisht me ruajtjen e sekretit të provave dhe të fakteve, si dhe të të dhënave personale të personave. Por, nuk ka parashikime të Rregullores për mënyrën se si do të diskutojë dhe vendosë Këshilli përkatës i Kuvendit. Ne mendojmë se duhet të ketë parashikime të posaçme për këtë çështje. Madje, shqyrtimi që zhvillohet në Këshill, është më i gjerë dhe më i thelluar, se sa diskutimi që do të zhvillohet në seancën Plenare, e cila zhvillon diskutimin mbi bazën e Raportit të paraqitur nga ky Këshill. Për më tepër, Këshilli shkon deri në shqyrtimin provave. Prandaj është e nevojshme të ketë parashikime ligjore të posaçme në Rregulloren e Kuvendit për të rregulluar procedurat e Këshillit për mandatet, rregulloren dhe imunitetin, në përshtatje edhe me sa është sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale të ndryshuar më 2017.
• Çështja e procedurave që do të ndjekin Prokuroritë.
Në këtë rast zbatohet Kodi i Procedurës Penale që ka paraparë dispozita më të detajuara me ndryshimet e vitit 2017. Problemi që shtrohet këtu është ai i raportit që krijohet midis Prokurorisë dhe Këshillit parlamentar kompetent për shqyrtimin e kërkesave për heqjen e imunitetit. Në çfarë shkalle Prokuroria do të paraqesë provat dhe faktet që shoqërojnë kërkesën? Nga ana tjetër është e paqartë se deri në çfarë shkalle do të shtrihet shqyrtimi mbi provat dhe faktet, nga ky Këshill. Kjo mbetet për t’u rregulluar më mirë nga legjislacioni përkatës, sa kohë që rastet e shqyrtuara deri tani janë paraqitur të ndryshme dhe kanë ngjallur debate të shumta. Mbetet e paqartë se si duhet të ndërtohet ky raport, po të mbajmë parasysh edhe faktin se deri tani, së bashku me shqyrtimin e provave është zhvilluar edhe debat politik, gjë që e vështirëson më tej punën e prokurorisë, e cila ka detyrë të ruajë sekretin hetimor.
Çështja e afatit apo periudhës gjatë të cilës vazhdon mbrojtja me imunitet/statusi i deputetit pa imunitet.
Mendojmë se kjo çështje kërkon një rregullim ligjor. Po të mbajmë parasysh edhe vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 2009, i cili pushoi gjykimin me argumentin se deputeti kishte fituar një “imunitet të ri”, nxjerrim mësime se ligji duhet të rregullojë periudhën gjatë të cilës vazhdon mbrojtja me imunitet. Ndoshta, Rregullorja e Kuvendit mund të vendosë një afat për vlefshmërinë e vendimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit. Ky afat duhet të mbajë parasysh periudhën e hetimit dhe të gjykimit, me qëllim që të mos ketë nevojë për një rinovim të afatit.
Shkalla e kufizimeve që kërkojnë heqjen e imunitetit.
Kushtetuta ka vendosur se, arresti, heqja e lirisë në forma të tjera, kontrolli personal, kontrolli i banesës, kërkojnë ndërmarrjen e procedurave të nevojshme për heqjen e imunitetit (neni 73, pika 2). Edhe në Evropë vende të ndryshme kanë përvoja të ndryshme sa i përket shkallës së kufizimeve që kërkojnë heqjen e imunitetit. Por, nga përvoja shqiptare, nënvizojmë se kërkimi i autorizimit nga Kuvendi për kontrollin e banesës dhe atij personal nuk ka asnjë efekt dhe i ka lënë këto mjete pa asnjë efektivitet, për shkak se procesi i heqjes së imunitet zgjat mjaftueshëm. Në këtë rast, duket qartë se për të ndryshuar këtë dispozitë të Kushtetutës, nevojitet amendament Kushtetues.
Konkluzion: Ndryshimi i Kushtetutës me qëllim kufizimin e imunitetit parlamentar ka qenë i domosdoshëm. Ai kurorëzoi një përpjekje të tejzgjatur për të arritur kufizimin e imunitetit të deputetit nga procesi penal. Por, meqënëse kjo formë e imunitetit u ruajt, qoftë edhe e kufizuar, ka nevojë për një zbatim korrekt në përputhje me frymën bashkëkohore kushtetuese për këtë çështje. Zbatimi i kësaj dispozite mbetet një sfidë, veçanërisht në kushtet kur gjyqtarët nuk gëzojnë më imunitet. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve e ka vënë përsëri në krizë imunitetin parlamentar. Ndoshta duhet që ai në të ardhmen të hiqet. Sidoqoftë, unë mendoj se paraprakisht, duhet të shohim rezultatet e punës së strukturës antikorrupsion e të prokurorisë së posaçme, e cila do të vërë në provë qëndrimin e Parlamentit në lidhje me imunitetin. Jo pa qëllim Komiteti i Këshillit të Europës për Luftën kundër Korrupsionit, GRECO, ka theksuar se “Autoritetet inkurajohen të heqin çdo pengesë në zbatimin e nenit të rishikuar 73 të Kushtetutës për të shmangur keqinterpretimin e tij”.

Bibliografia
1. Studime
• “Debati Kushtetues”, Vëllimi i parë, Tiranë, 2006.
• Luan Omari & Aurela Anastasi, E drejta Kushtetuese, ribotim, Tiranë, 2017

2. Legjislacion

• Ligji nr. 88/2012, “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 1
• Ligj nr.76/2016, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
• Rregullore e Kuvendit të Shqipërisë, miratuar me vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, I ndryshuar
• Kodi i Procedurës Penale i RSH, Tiranë, 2017

3. Akte Ndërkombëtare

• Rezoluta (97)24, “Për njëzet parimet udhëheqëse të luftës kundër korrupsionit” e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

4. Vendim i Kuvendit:

• Vendim i Kuvendit nr. 89, datë 24.2.2011, “Për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale”.

5. Vendime të Gjykatës Kushtetuese

• Vendim i Gjykatës Kushtetuese, nr. 31, viti 2000.

6. Vendime të Gjykatës së Lartë
• Vendim nr.6, dt 14.09.2009, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
• Vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Nr.3/4, datë 10.06.2015.

7. Raporte dhe Website

• CDL-AD(2006)005 Opinion on the Draft Decision on the limitation of parliamentary immunity and the conditions for the autorisation to initiate investigation in relation ëith corruption offences and abuse of duty of Albania adopted by the Venice Commission at its 66th Plenary Session (Venice, 17-18 March 2006), http://www.venice.coe.int/docs/2006/CDL-AD(2006)005-e.asp
• Parliamentary seminar on Parliamentary integrity: promoting transparency and accountability measures for members of parliament, Hosted by the Italian Parliament and jointly organized with the Parliamentary Assembly of the Council of Europe for the Parliament of Albania and, the Parliament of Bosnia and Herzegovina; Rome, 26-27 October 2017 http://website-pace.net/documents/10643/3183395/PACEROME-Oct2017-REPORT-EN+.pdf/f7734dcf-29f0-4d61-9512-cb4f3b19bc1a
• GRECO Evaluation Report Albania, published in 27 June 2014, https://rm.coe.int/16806c1be1;
• “Parlamentary imunity in a European Context”, European Parliament, 2015, http://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/IDAN/2015/536461/IPOL_IDA(2015)536461_EN.pdf;

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi