Leksione mbi Shtetin dhe të Drejtën

Demokracia Kushtetuese

Download (PDF, 223KB)

Formimi i shtetit modern

Parime Kushtetuese dhe Të Drejta Themelore

Procesi i rregullt ligjor në praktikën e Gjykatës Kushtetuese

Raporti kushtetues president – parlament

Dr. Arta VORPSI, Botuar ne “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore,” Nr.XXIX, viti 2006 (more…)

Pavarësia e Gjyqësorit – strumbullar i shtetit të së drejtës

Nga Prof. Luan Omari

Ndarja e funksionit gjyqësor nga funksioni legjislativ dhe nga ai ekzekutiv u argumentua fillimisht nga Monteskië, në bazë të teorisë së tij të ndarjes së pushteteve. Parimi i ndarjes së pushteteve dhe, mbi bazën e tij, afirmimi i autonomisë ose i pavarësisë së pushtetit gjyqësor lidheshin ngushtë me konceptin e drejtësisë si fenomen shoqëror. Si pushtet që synon t’i japë drejtësi gjithsecilit, funksioni i drejtësisë është një prerogativë që i përket vetëm shtetit, është një pushtet i shtetit.

Por mjaft autorë argumentojnë se zbatimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe i pavarësisë së gjyqësorit nuk mund të jetë absolut. Ky parim, sipas tyre, ishte më i pakontestueshëm në kohën kur e formuloi Monteskie, sepse atëherë e drejta nuk ishte ende e kodifikuar dhe, si rrjedhojë, u përkiste gjyqtarëve, në një shkallë të madhe, krijimi i së drejtës. Por, sipas tyre, evolucioni i mëtejshëm, pas Revolucionit Francez, bëri që këto pikëpamje të rishikohen. Kodifikimi i së drejtës, që, sipas shembullit të Napoleonit, u shtri edhe në vende të tjera të Evropës, bëri që të mbizotëronte ideja se ligji është burimi normal i së drejtës. Kjo pati si pasojë që gjyqtari të konsiderohej si një organ i zbatimit të ligjeve, i detyruar që t’i interpretojë ato, kur kjo është e nevojshme, por pa krijuar të drejtën.

Pikëpamje të tilla për kufizimin ose mohimin e autonomisë së pushtetit gjyqësor[1] trajtohen edhe nga Fridrih Hajek, i cili citon gjykimin e shprehur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të ShBA, Xhon Marshall (John Marshall) në fillim të shekullit XIX: “Pushteti gjyqësor, si i dalluar nga pushteti i ligjeve, nuk ekziston. Gjyqtarët janë thjesht instrumente të ligjit dhe nuk mund të bëjnë asgjë”. Këtë gjykim Hajeku e konsideron si një pikëpamje klasike për sa i përket raportit ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe atij legjislativ.

 Sot një aksiomë e pranuar nga të gjitha vendet në kontinentin evropian është se pushteti gjyqësor nuk mund të përzihet në punët e legjislativit, sepse gjykatat janë të detyruara të nxjerrin vendime për çështje konkrete dhe jo për probleme të përgjithshme. Kësisoj, si rregull, gjyqtari nuk është i lidhur as nga precedentët gjyqësorë, siç ndodh në Britaninë e Madhe dhe në ShBA.Por edhe pushteti ligjvënës nuk duhet të përzihet në pushtetin gjyqësor, qoftë drejtpërsëdrejti duke gjykuar një proces ose duke paragjykuar një individ, duke shkelur prezumimin e pafajësisë gjatë zhvillimit të një hetimi ndaj tij nga një komision hetimor parlamentar, qoftë tërthorazi, duke ndryshuar një vendim të dhënë më parë. Ky parim tashmë është afirmuar edhe në Shqipëri, por një shkelje flagrante e tij ka qenë Ligji nr. 7514 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish – të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” i miratuar nga Parlamenti më 01.10.1991. Ky ligj, përveç amnistisë, në nenin 15 shpallte të pafajshëm dhe konsideronte të padënuar për efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike, të gjithë personat e dënuar për krime kundër shtetit, në regjimin e mëparshëm. Ndërsa amnistia ishte prerogativë e Parlamentit, shpallja e pafajësisë ishte një përzierje e dukshme dhe e papërligjur në funksionet e gjykatave, të cilat janë të vetmet organe kompetente për të rishikuar në çdo rast konkret dhe në bazë të procedurës së përcaktuar, një vendim dënimi, duke vendosur eventualisht pafajësinë e personit të dënuar padrejtësisht. Lidhur me raportin midis pushtetit ligjvënës dhe atij gjyqësor, juristi i njohur francez Esmen (Esmein) shprehet se “jo vetëm pushteti ligjvënës nuk mund të prishë ose të ndryshojë një vendim gjyqësor, por ai nuk duhet as ta kritikojë ose ta verë në diskutim”[2].

Është vënë në dukje se pavarësia e pushtetit gjyqësor mund të rrezikohet nga ligjet interpretuese, në rastet kur është vetë Parlamenti organi kompetent për të interpretuar ligjet që ai ka miratuar. Dihet se ligji interpretues, meqenëse konsiderohet si pjesë përbërëse e ligjit të interpretuar, zakonisht ka fuqi detyruese që në origjinë (ex tunc), d.m.th., ka fuqi prapavepruese dhe zbatohet edhe për situata që kanë ekzistuar para daljes së tij. Kjo mund të krijojë disa rreziqe. Është plotësisht normale që ligji interpretues të kufizohet në sqarimin e tekstit dhe të bëjë të njohur vullnetin e vërtetë të ligjvënësit, pa shtuar asgjë. Por shpesh, në këtë rrugë, është synuar që të arrihet një ndryshim i vërtetë i ligjit të mëparshëm, madje deklarohet që ligji është interpretues, në mënyrë që ai të ketë fuqi prapavepruese, edhe kur, në të vërtetë, ai përmban ndryshime në përmbajtje, të cilat, normalisht, duhet të kishin efekt ex nunc, d.m.th., për të ardhmen. Ky procedim, nga autorë të ndryshëm, konsiderohet i dënueshëm, aq më tepër në qoftë se ligji interpretues miratohet në rastin e një procesi në vazhdim, për të ndikuar te vendimi i gjykatës. Në këtë mënyrë pushteti legjislativ zëvendëson në fakt atë gjyqësor dhe ky i fundit nuk ka si të mbrohet kundër këtij procedimi.

Duhet thënë se ky rrezik shmanget ose pakësohet shumë nëse interpretimi i një ligji do t’i besohej Gjykatës Kushtetuese. Kjo për arsye se Gjykata Kushtetuese është organ që duhet të qëndrojë jashtë politikës, ndryshe nga Parlamenti që është arenë e luftës politike dhe që mund të ketë prirje, në raste të veçanta, për të ndikuar tërthorazi në ecurinë e proceseve gjyqësore që prekin interesa politike. Duhet të përmendim se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i njeh Gjykatës Kushtetuese vetëm kompetencën e interpretimit përfundimtar të kushtetueses por jo edhe të ligjit. Në Britaninë e Madhe interpretimi i ligjeve është kompetencë ekskluzive e gjykatave. Në qoftë se ky interpretim gjyqësor nuk konsiderohet i kënaqshëm nga Parlamenti, ky mund të miratojë një ligj të ri ose një dispozitë të tij. E njëjta praktikë, që nga viti 1837, ndiqet në Francë pasi Gjykata e Kasacionit u caktua si i vetmi organ kompetent për të bërë interpretimin e ligjit për sa u përket çështjeve që shqyrtohen në gjykata[3].

Por shembullin më të mirë të rëndësisë së pushtetit gjyqësor e jep pozita e privilegjuar që ka Gjykata e Lartë e ShBA në strukturën e shtetit. Nga shumë pikëpamje ajo është bërë një nga komponentët kryesorë të sistemit politik amerikan. Me një seri vendimesh, që janë cilësuar si historike, Gjykata e Lartë ka pasur një peshë të madhe në jetën e vendit. Është përllogaritur se ndër vendimet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, numri më i madh ka dalë nga Gjykata e Lartë dhe jo nga Presidenti i ShBA. Është Gjykata ajo që në vitet 50 të shekullit XX nisi luftën kundër veçimit racial, ajo luajti një rol lëvizës në ndarjen e Kishës nga shteti, në përcaktimin e kufijve të së drejtës ndaj lirisë së shprehjes, në legalizimin e ndërprerjes së shtatzënisë etj.

Por duhet vënë në dukje se në gjysmën e parë të shekullit XX, disa juristë, madje të shquar, kanë vënë në dyshim ekuilibrin midis tri pushteteve, duke kontestuar pozitën e barabartë të pushtetit gjyqësor me legjislativin dhe ekzekutivin. Një konstitucionalist me autoritet, Hanri Bartelemi (Henri Barthelemy) është shprehur se veprimtaria e shtetit përmblidhet në dy funksione: hartimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre, dhe funksioni gjyqësor është vetëm një aspekt i funksionit ekzekutiv[4]. Të tjerë juristë me peshë, si Leon Dygi (Duguit), pa mohuar karakterin specifik të pushtetit gjyqësor dhe pavarësinë e gjykatave, hidhnin poshtë vetë nocionin e pushtetit gjyqësor. Sipas tyre gjyqtarët janë nën kontrollin e qeverisë, e cila, nga ana e saj, është nën kontrollin e Parlamentit. Si rrjedhojë, sipas tyre, ideja e ndarjes së sovranitetit në disa elemente të quajtura “pushtete” është e kotë dhe artificiale[5].

Tradita e së drejtës publike franceze, që nga koha e Revolucionit kur u sanksionua epërsia absolute e Parlamentit, është në përgjithësi kundër ekzistencës së një pushteti të vërtetë gjyqësor. Mjafton të përmendim se Kushtetuta e sotme e Francës flet për “autoritet gjyqësor” dhe jo për “pushtet gjyqësor”. Përkundrazi në Gjermani Kushtetuta e Vajmarit që shënoi lindjen e një demokracie të vërtetë pas Luftës I Botërore dhe Kushtetuta e sotme e Republikës Federale  kanë sanksionuar barazinë e pushtetit gjyqësor me dy pushtetet e tjera. Madje, përveç normave të caktuara shprehimisht në Kushtetutë, ekzigjenca e forcimit të pushtetit gjyqësor e ka shtyrë ligjvënësin që të nxjerrë norma që në fakt e zhvillojnë autoritetin e këtij pushteti ndaj dy pushteteve të tjera, saqë ka autorë që thonë se në Republikën Federale Gjermane shteti i së drejtës është bërë shteti i gjyqtarëve[6].

Edhe në Itali, pas Luftës II Botërore, pushteti gjyqësor, si në bazë të Kushtetutës ashtu edhe në praktikë ka fituar një pavarësi dhe një autoritet të madh, me gjithë sulmet e vazhdueshme të drejtuara kundër tij nga qeveria e djathtë në fuqi. Në shembullin e shteteve demokratike, duke u mbështetur veçanërisht te normat dhe te praktikat kushtetuese të Gjermanisë, Italisë dhe Greqisë, edhe në Shqipëri Kushtetuta e miratuar në nëntor 1998 e ka zgjidhur në mënyrë demokratike çështjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Por, për të ardhur deri në këtë zgjidhje, sistemi gjyqësor në vendin tonë ka përshkuar një rrugë të gjatë e të vështirë.

 Që nga fillimi i viteve 90, në epokën e pluralizmit, çështja e pavarësisë së gjykatave u shtrua në një rrafsh të gjerë dhe mbi baza reale. Vetë pranimi i parimit të ndarjes së pushteteve, si një nga strumbullarët e organizimit të shtetit demokratik, do të thoshte heqje dorë nga pranimi i epërsisë së një pushteti ndaj të tjerëve. Kjo, krahas zhdukjes së monopolit politik të një partie dhe mbikëqyrjes së rreptë të saj edhe mbi gjykata, hapi rrugën për një pavarësi efektive të pushtetit gjyqësor.

 Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, me plotësimet e tij, si dhe legjislacioni i zakonshëm e vunë mbi baza demokratike organizimin gjyqësor. Por në praktikë ka pasur edhe shkelje të normave juridike. Rasti më flagrant ishte shkarkimi arbitrar, nga ana e Kuvendit, e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit në vitin 1995, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në ligjin e lartpërmendur.

Veç kësaj, parimi kushtetues i patundshmërisë së gjyqtarëve nuk u shoqërua me garanci të mëtejshme ligjore për realizimin e tij. Nuk mund të mos përmendet, si një faktor negativ, edhe emërimi si gjyqtarë i personave që, pa pasur një arsim të lartë juridik, kishin përfunduar një kurs gjashtëmujor.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka plotësuar dhe saktësuar dispozitat që përcaktojnë funksionimin e pavarur të gjykatave.

Në vend të Gjykatës së Kasacionit është krijuar Gjykata e Lartë e cila, ndryshe nga e para, ka jo vetëm funksion rishikues por edhe fillestar, kur gjykon akuzat penale kundër funksionarëve më të lartë të shtetit, të përcaktuar në nenin 141/1 të Kushtetutës. Për sa i përket sistemit të emërimit të çdo shkalle, që nga Gjykata e Lartë deri tek ato të rretheve,  Kushtetuta e ka zgjidhur atë me emërimin e tyre nga Presidenti i Republikës, por të kushtëzuar nga pëlqimi, sipas rastit, i dy organeve kolegjiale: Kuvendit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtarët, sipas nenit 136/5 të Kushtetutës mund të jenë vetëm shtetas me arsim të lartë juridik, madje, sipas ligjit, ato duhet të kenë përfunduar edhe Shkollën e Lartë të Magjistraturës. Kushtetuta parashikon një sërë garancish për pavarësinë e gjyqtarëve. “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve” thuhet në nenin 145/1. Kështu është bërë i mundur eliminimi i dallimit hierarkik të gjyqtarëve, pasi ata nuk kanë varësi nga njëri-tjetri dhe dallohen midis tyre vetëm nga ndryshimi i kompetencave. Si rrjedhojë pushteti gjyqësor ndërtohet në mënyrë të decentralizuar[7]. Veç kësaj, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk mund të shkarkohen, përveçse në rrethanat e veçanta të përcaktuara nga neni 140 i Kushtetutës, i cili parashikon edhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të vendimit për shkarkim, i cili merret nga Kuvendi. Gjyqtarët e tjerë mund të shkarkohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në rrethanat e parashikuara nga neni 147/6 i Kushtetutës, por kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Lartë, e cila vendos me kolegje të bashkuara. Në praktikë ka pasur raste kur Gjykata e Lartë i ka shfuqizuar si të padrejta disa vendime të KLD.Pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen. Veç kësaj, gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e propozojnë vetë, sipas ligjit, dhe e administrojnë vetë.

Në shembullin e një vargu kushtetutash të tjera të miratuara pas Luftës II Botërore, edhe në Shqipëri, për të vënë mbi baza më të shëndosha parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, që më 1992, me plotësime në Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, u krijua Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e miratuar në nëntor 1998, ruajti Këshillin e Drejtësisë por vendosi disa kritere të reja në caktimin e përbërjes. Në krahasim me përbërjen e përcaktuar nga Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, mund të konstatohet se përbërja e  KLD është shtuar nga 12 në 15 veta. Gjyqtarët zgjidhen jo më nga mbledhja e përbashkët e Gjykatë Lartë (që ka zëvendësuar atë të Kasacionit) dhe e Prokurorisë së Përgjithshme, por nga një trup zgjedhor shumë më i gjerë, siç është Konferenca Gjyqësore Kombëtare. 3 juristët e zgjedhur nga Kuvendi, që, sipas ndryshimeve të bëra kohët e fundit në ligjin organik për KLD duhet të mos jenë gjyqtarë, në një farë mase e balancojnë përbërjen e këtij organi, duke zbutur rrezikun e shndërrimit të tij në një korporatë të gjyqtarëve.

Kjo përbërje e KLD, në vendin tonë, megjithëse formohet në mënyrë demokratike dhe siguron “vetëqeverisjen” nga ana e gjyqtarëve, që përbëjnë shumicën, nuk ka mundur, në disa raste, të shmangë një farë subjektivizmi dhe një “solidaritet korporativ”, kur ka qenë rasti për të marrë masa të rrepta disiplinore, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë kundrejt disa gjyqtarëve.

Është një fakt i njohur që maxhoranca e sotme parlamentare dhe qeveria e dalë prej saj kanë bërë kritika të rrepta kundër KLD si dhe kryetarit të mëparshëm të saj, ish-Presidentit të Republikës. Janë formuluar edhe akuza të rënda ndaj KLD si mbështetëse e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. Si rrjedhojë, pa filluar ende një reformë tërësore të sistemit të drejtësisë, kohë më parë qeveria aktuale, me përkrahjen e maxhorancës parlamentare, ndërmori nismën për ndryshimin e ligjit organik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë e bëri me ligjin nr. 9448, dt.05.12.2005.

Ky ligj u bë objekt ankimi në Gjykatën Kushtetuese nga ana e një grupi deputetësh të opozitës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të 22 prillit 2006, arriti në përfundimin se shtesat dhe ndryshimet e ligjit jo vetëm dobësonin vetëqeverisjen e gjyqësorit, por vinin në kundërshtim edhe me vetë rregullimin që Kushtetuta u ka bërë përbërjes dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi përmendte edhe disa mangësi dhe inkoherenca flagrante dhe antikushtetuese të ligjit, për të cilat këtu nuk është rasti të zgjatemi, Gjykata vendosi shfuqizimin e të gjitha neneve të ligjit, përveç nenit 1 i cili specifikonte që juristët e zgjedhur nga Kuvendi si anëtarë të KLD duhet të mos ishin gjyqtarë.

Ka pasur dhe ka ende zëra kritikë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese si një pengesë për reformën në drejtësi. Pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe kanë fuqi “erga omnes”, kritika ndaj tyre ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Por në rastin konkret na duket se vendimi në fjalë nuk ka përse të kritikohet. Ligji për KLD i vitit 2005 binte vërtetë ndesh me Kushtetutën në disa nene të tij:

1. Ishte në kundërshtim si me germën ashtu edhe me frymën e nenit 147, par. 1 i Kushtetutës.

Ishte në kundërshtim me germën, sepse në atë paragraf thuhet se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet … nga 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare”. Pra ata zgjidhen si gjyqtarë,me qëllim që të përfaqësojnë Konferencën Gjyqësore Kombëtare dhe nuk do t’i përgjigje këtij qëllimi dhe as shprehjes së qartë të Kushtetutës detyrimi i parashikuar në ligj, që, menjëherë pas zgjedhjes, të heqin dorë nga funksioni i gjyqtarit.

Ishte në kundërshtim edhe me frymën e nenit 147. Kushtetuta e ka konceptuar KLD si një organ të “vetëqeverisjes së gjyqtarëve”. Ko është edhe arsyeja që Kushtetuta parashikon shprehimisht që nga 15 anëtarë të KLD, 9 të jenë gjyqtarë. Këta 9 veta, duke hequr dorë nga funksioni i gjyqtarit, gjatë 5 vjetëve, sikundër parashikohej në ligj, do të humbisnin gjithmonë e më shumë lidhjet me gjyqësorin dhe, jo vetëm formalisht por edhe realisht, nuk do të ishin më përfaqësuesit e tij.

2. Ishte gjithashtu antikushtetuese zgjidhja e imponuar në nenin 6 të ligjit ku thuhej se “brenda 15 ditëve kalendarike që nga data në fuqi e këtij ligji, të gjithë anëtarët e KLD që preken prej tij, duhet të zgjedhin njërën nga detyrat, përndryshe mandati si anëtar i KLD mbaron automatikisht në mëngjesin e ditës së nesërme”.

Kjo zgjidhje vinte ndesh me fjalinë e fundit të paragrafit 1 të nenit 147 të Kushtetutës ku thuhet se “anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë 5 vjet …”.

Ajo vinte ndesh edhe me nenin 138 të Kushtetutës ku përcaktohet se “koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet”.

3. Ligji i 5 dhjetorit 2005, në nenin 6 pika 4 përcaktonte se “anëtarët e KLD, gjatë qëndrimit në detyrë gëzojnë imunitet”. Kuptohet se kjo do të vlente edhe për ish-gjyqtarët që do të vazhdonin të ishin anëtarë të KLD. Por kjo dispozitë ishte gjithashtu antikushtetuese. Imuniteti është një institut juridik që rregullohet vetëm me norma kushtetuese. Kushtetuta nuk parashikon imunitet për anëtarët e KLD (përveç Presidentit, Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ministrit të Drejtësisë si dhe gjyqtarëve të cilët kanë imunitet sipas normave kushtetuese përkatëse dhe konkretisht për gjyqtarët e gjykatave të rretheve dhe të apelit imuniteti parashikohet në nenin 137/2 të Kushtetutës).

Prandaj neni 6 i ligjit të 5 dhjetorit 2005 për KLD, që parashikonte imunitet edhe për ata anëtarë që do të pushonin së qeni gjyqtarë, ishte antikushtetues. Ligji që analizuam shkurtimisht duke u bazuar te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për mendimin tonë qe një shembull negativ, që tregon se si nuk duhet bërë reforma e drejtësisë.

Natyrisht kur flitet për reformë të sistemit gjyqësor, nuk mund të përjashtohet reforma e vetë KLD. Kjo reformë, si të gjitha reformat e rëndësishme, nuk mund të bëhet “me goditje të përqendruar”. Asaj duhet t’i paraprijë një diskutim me gjyqtarë dhe juristë të tjerë të kualifikuar. Nuk mund të mënjanohet kurrsesi marrja e mendimit të vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aq më tepër që në krye të tij është Presidenti i Republikës. Nuk kanë ndonjë bazë ligjore e kushtetuese kërkesat e parashtruara nga disa politikanë që Presidenti duhet të drejtojë reformën në drejtësi. Presidenti nuk mund të drejtojë kurrfarë reforme: ai nuk ka të drejtën e nismës ligjvënëse dhe, veç kësaj, sipas nenit 84 të Kushtetutës, ai: “Nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera veç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”. Por Presidenti, në mesazhet që mund t’i drejtojë Kuvendit, sigurisht ka të drejtë të sensibilizojë organin legjislativ për nevojat e reformës dhe të shprehë edhe mendime të përgjithshme për drejtimet e saj. Ai gjithashtu, në forma të ndryshme, mund të nxitë dhe të promovojë kryerjen e çdo reforme. Reforma e KLD, si dhe e gjithë sistemit të drejtësisë, nuk mund edhe nuk duhet të bëhet pa bashkëpunim me opozitën, sepse,  edhe po të mos vijë puna deri te ndryshimi i Kushtetutës, do të kërkohet së paku ndryshimi i ligjeve përkatëse organike, çka kërkon si minimum votat e tri të pestave të gjithë deputetëve.

Kuptohet se një reformë më radikale mund të bëhet edhe duke ndryshuar Kushtetutën, por edhe në këtë rast nuk mund të preken disa parime që, mund të themi, e tejkalojnë edhe Kushtetutën tonë, sepse janë parime të sanksionuara si në doktrinën kushtetuese ashtu edhe në akte ndërkombëtare. Një parim i tillë është edhe ai i “vetëqeverisjes” së pushtetit gjyqësor.

Vumë në dukje më lart rrezikun që mbizotërimi i gjyqtarëve mund ta shndërrojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë në një farë korporate të tyre. Prania e anëtarëve të tjerë, që nuk janë gjyqtarë, e pakëson këtë rrezik. Mund edhe të shtohej numri i këtyre anëtarëve, por sidoqoftë mendojmë se shumica duhet të jenë gjyqtarë, ndryshe do të cenohej parimi i vetëqeverisjes së pushtetit gjyqësor. Nuk mund të përjashtohet, madje duhet të forcohet kontrolli i shoqërisë civile mbi gjyqësorin dhe ndikimi i saj pozitiv, por në radhë të parë ka rëndësi ruajtja e pavarësisë reale e gjyqësorit, jo vetëm nga legjislativi dhe ekzekutivi, por edhe nga faktorë të tjerë shoqërorë, siç mund të jenë grupet e interesit, të cilët, edhe nëpërmjet ndonjë organizate jo fitimprurëse, mund të përpiqeshin të ndikonin në punën e gjyqtarëve. Shembulli francez, sipas të cilit anëtarët e KLD mund të mos jenë juristë (kjo cilësi profesionale nuk kërkohet shprehimisht në Kushtetutën Franceze) është një shembull i izoluar. Në përgjithësi, përveç gjyqtarëve, në Këshillat e Lartë të Drejtësisë të vendeve të ndryshme, ka profesorë të së drejtës dhe avokatë. Te ne është shprehur mendimi që veprimtaria e KLD të përfshijë edhe Prokurorinë, siç ndodhte kur ishte në fuqi Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese. Një zgjidhje e tillë nuk mund të përjashtohet “a priori”, pra vlen të diskutohet. Por duhet pasur parasysh se përfshirja e Prokurorisë do ta zgjeronte shumë konceptin e “vetëqeverisjes” së gjyqësorit.

Pavarësisht nga rëndësia e madhe që ka Prokuroria, duhet pasur parasysh që prokurori sot, në bazë të Kushtetutës,me të drejtë nuk gëzon më atë imunitet dhe nuk ka garancitë e veçanta që i njihen gjyqtarit. Nga kjo pikëpamje, megjithëse prokurorët, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në ushtrimin e kompetencave të tyre, kanë pavarësi nga organet e tjera, pozita e tyre mund të barazohet me atë të punonjësve të administratës shtetërore, që gëzojnë garancitë e parashikuara nga legjislacioni i zakonshëm.

Një problem tjetër i diskutueshëm është e drejta e votës që ka Presidenti i Republikës në rast kur KLD vendos për emërimin e gjyqtarëve. Është i diskutueshëm, sepse, sipas Kushtetutës, Presidenti emëron gjyqtarët sipas propozimit të KLD. Është shtruar pyetja: A duhet të votojë Presidenti në KLD përderisa ai vendos përfundimisht? Na duket më e drejtë zgjidhja, e parashikuar në disa vende të tjera, që Presidenti në këto raste të mos ketë të drejtën e votës në KLD, por të kufizohet me drejtimin e mbledhjes.

Cilado qoftë reforma e ardhshme e pushtetit gjyqësor dhe në veçanti e KLD, ajo nuk duhet kurrsesi të cenojë ose të pakësojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Prandaj mendojmë se është rasti të rishikohen kompetencat që ligji i njeh Ministrisë së Drejtësisë për të kontrolluar, nëpërmjet inspektorëve të vet, punën e gjykatave. Edhe Komisioni i Venecies ka shprehur opinionin që kontrolli i veprimtarisë së gjyqtarëve është prerogativë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa kontrolli i Ministrisë mund të përqendrohej në veprimtarinë administrative të gjykatave. Veç kësaj, nuk duhet harruar se kontrolli i vazhdueshëm dhe më kompetent është ai që ushtrojnë gjykatat më të larta mbi vendimet e apeluara të gjykatave më të ulëta.

Shteti

Pavarësia e institucioneve kushtetuese (Kap.IV)

Pavarësia e institucioneve kushtetuese (Kap. III)

Sfidat e Gjykatës Kushtetuese përballë legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan