Për librin e Prof. Luan Omarit, Çështja e pakicave kombëtare dhe Shqipëria

Nga Ksenofon Krisafi, botuar në Mapo Online, 21 mars 2015

ksenofonkrisafiKohët e fundit doli në qarkullim libri i Prof. Luan Omarit, Çështja e pakicave kombëtare dhe Shqipëria. Nga përmasat, problematika e përgjithshme që ngërthen si dhe nga këndvështrimi juridik, ai përfaqëson një ndër studimet më të plota dhe më kompetente për këtë temë në literaturën juridike shqiptare. Nis me një parashtrim sintetik të termit të pakicave ose minoriteteve, si dhe me sqarimin e konceptit juridik të grupeve minoritare, për t’u fokusuar në pakicat kombëtare ose etnike, brenda të cilave në raste të caktuara mund të përfshihen edhe pakica të tjera. Pikërisht këtyre iu kushtohet punimi, sepse, sikurse e thotë me të drejtë autori, ato kanë të bëjnë me probleme të mprehta që hera-herës kanë çuar në konflikte ndërshtetërore.

Autori e ka vendosur shtjellimin e çështjes në një sfond interesant historik, i cili shërben për ta pozuar atë me mprehtësinë e vet aktuale, për të theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e trajtimit të saj me vëmendjen e duhur. Pas një retrospektive të shpejtë historike, duke u ndalur në disa prej episodeve më të bujshme që kanë përshkuar shekujt dhe rruzullin, që nga Kina e lashtë, te kolonitë greke jashtë botës helene, si Dyrrahiumi (Epidamnumi) në Iliri, Magna Graecia në Sicili dhe Kalabri etj, te “nata e Shën Bartolemeut”, parashtrohen qëndrimet që janë mbajtur ndaj kësaj çështjeje delikate si nga doktrina juridike, ashtu edhe nga forumet kryesore ndërkombëtare. Autori është ndalur në disa prej tyre, në ato, që sipas mendimit të tij, përfaqësojnë arritje me vlerë juridiko-ndërkombëtare, siç janë Traktati i Vestfalisë (1648), ku u fiksuan dispozitat e para juridike me të cilat do të inauguroheshin fillesat e institutit të mbrojtjes së pakicave kombëtare. Zhvillime të mëtejshme konsiderohen vendimet dhe qëndrimet e adoptuara nga Revolucioni Francez, si pasojë e të cilit shteti nisi të shihej si shprehje e kombit, e një bashkësie etnike, gjuhësore dhe kulturore pak a shumë homogjene dhe ku konsolidohet ideja e mbrojtjes juridike të pozitës dhe trajtimit të pakicave. Në shekullin XIX, në një varg traktatesh që u nënshkruan nën ndikimin e Koncertit Europian të Fuqive të Mëdha, siç ishin Traktati i Londrës i vitit 1830, për njohjen e shtetit të pavarur grek, Traktati i Parisit, i vitit 1856, Traktati i Berlinit, i vitit 1878 etj, u përpunuan dispozita të plota, nëpërmjet të cilave shtetit grek, Perandorisë Osmane etj, iu ndalohej diskriminimi i grupeve me karakter etnik, racor ose fetar dhe iu kërkohej që të garantonin lirinë fetare dhe barazinë e pjesëtarëve të pakicave kombëtare me gjithë shtetasit e tjerë. Pas përpjekjeve që u ndërmorën në përfundimin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, bashkësia ndërkombëtare ka vazhduar të identifikojë dhe të imponojë zgjidhje më të përshtatshme dhe më moderne, më racionale dhe më demokratike, por duke kaluar përmes pengesash dhe vështirësish të shumta. Ishte Lidhja e Kombeve ajo që për herë të parë u përpoq t’u sigurojë minoriteteve një status të vërtetë, të njohur ndërkombëtarisht. Synimi ishte që t’iu garantoheshin pakicave të drejta të caktuara që të ruanin personalitetin pa iu kundërvënë shtetit ku bënin pjesë. Lidhja e Kombeve krijoi edhe një sistem relativ garancish, i cili, i vënë në provën e historisë, u tregua i brishtë dhe jo gjithmonë efikas. Aktet e miratuara nga OKB, pas Luftës së Dytë Botërore, në ndryshim nga sistemi i krijuar prej Lidhjes së Kombeve, që u referohej pakicave, e vunë theksin te mbrojtja e statusit të tyre në kuadrin e mbrojtjes individuale të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, madje pa iu referuar atyre konkretisht. Karta e OKB dhe Deklarata Universale për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, e 10 dhjetorit 1948 e vinin theksin te të drejtat individuale, pa dallim race, seksi, gjuhe ose feje, te gëzimi i të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përfshirë të drejtën e shprehjes së mendimit, lirinë e shtypit dhe të botimit, lirinë e kulturës, të opinionit, të tubimit etj.

Një varg zhvillimesh dramatike në rajone të ndryshme të rruzullit ndikuan që OKB t’i rikthehej idesë së marrjes në mbrojtje të të drejtave të pjesëtarëve që iu përkisnin pakicave kombëtare jo thjesht dhe vetëm si individë por, në një farë mënyrë edhe si anëtarë bashkësish të grupeve minoritare. Si konkretizim i kësaj ideje krijohet në vitin 1947, nënkomisioni për luftën kundër masave diskriminuese dhe për mbrojtjen e minoriteteve, në përbërje të Komisionit për të drejtat e njeriut të OKB, si një organizëm institucional. “U rishfaq” termi minoritet, i cili do të hynte në përmbajtjen e disa marrëveshjeve dy e shumëpalëshe, që njihnin pakicat si entitete kolektive, që u siguronin të drejtat “kulturore”, duke filluar nga e drejta e përdorimit të gjuhës minoritare etj.

Duke analizuar ngjarje dhe zhvillime problematike që përshkuan kontinentin evropian dhe rajone të tjera të botës, që rrezikuan jo vetëm të ardhmen e pakicave, por edhe paqen dhe sigurinë në rajone të caktuara, autori tregon se organe të OKB filluan të shihnin me interes alternativën e krijimit të strukturave të posaçme që të merreshin me mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në vitin 1992, u krijua një grup pune i përhershëm për pakicat në kuadrin e nënkomisionit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Po atë vit Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën për të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore. Një vit më vonë shfaqet posti i Komisionerit të Lartë për të drejtat e njeriut. Në kuadrin rajonal, Bashkimi Europian miratoi në vitin 2000 Kartën e të drejtave themelore të BE, që, si pjesë përbërëse e Ligjit parësor të BE, hyri në fuqi me Traktatin e Lisbonës në vitin 2009.

Autori tregon se nëpërmjet një numri marrëveshjesh dy e shumëpalëshe si dhe nëpërmjet dispozitave të përfshira në kushtetutat dhe aktet e legjislacionit të brendshëm të shteteve të ndryshëm, u arrit të përcaktohet një regjim juridiko-ndërkombëtar i pakicave kombëtare. Interesant është analiza e përpjekjeve të shumta që janë bërë nga doktrina juridike dhe nga forumet ndërkombëtare për të gjetur dhe pranuar një përkufizim të pakicave, duke mbajtur parasysh specifikat e secilit grupim. Ai ka sjellë përcaktimet dhe statusin e minoriteteve që figurojnë në aktet kushtetuese dhe legjislacionin e mjaft shteteve. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë përdoret termi “pakica kombëtare” (neni 20, & 1), por flitet gjithashtu edhe për përkatësi “etnike, kulturore, fetare e gjuhësore” (neni 20, & 2), terma dhe koncepte këto që rimerren edhe në nene të tjera. Punimi vazhdon me një analizë të argumentuar të një procesi të gjatë evolutiv në konceptet dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe organeve të saj kompetente ndaj çështjes së mbrojtjes së pakicave kombëtare, veçanërisht pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur “ra Muri i Berlinit”. Ai shpjegon se megjithatë të drejtat që u referohen pakicave konkretisht u njihen pjesëtarëve të tyre. Kështu ndodh edhe në Konventën kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve, raporti shpjegues i së cilës shprehet se Konventa “nuk nënkupton njohjen e të drejtave kolektive”. Ai thotë gjithashtu se Konventa “synon të sigurojë mbrojtjen e personave që u përkasin minoriteteve kombëtare, që mund të ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë individuale dhe në bashkësi me të tjerë” dhe që e bën atë instrumentin e parë të së drejtës ndërkombëtare që siguron në një rrafsh të gjerë një mbrojtje të përgjithshme të pakicave në Europë. Konventa ia beson përcaktimin e konceptit të pakicave kombëtare secilit shtet, çka autori e trajton edhe sipas përvojave kushtetuese të trajtimit të çështjes së pakicave kombëtare nga një numër i madh vendesh. Në kuadrin e angazhimeve të tyre në zbatim të dispozitave të Konventës kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, shtetet anëtarë duhet të krijojnë dhe të promovojnë kushtet e nevojshme që personat që u përkasin pakicave kombëtare të ruajnë e të zhvillojnë elementet e qenësishme të identitetit të tyre. Me interes të veçantë është trajtimi që i bën autori rolit të shtetit amë ndaj pakicave në territore të huaja. Ai nënvizon se “nocioni shtet-amë (në anglisht “Kin-State” dhe në frëngjisht “Etat-parent”) është përdorur prej kohe në të drejtën ndërkombëtare, por në mënyrë të veçantë kohët e fundit, për të përcaktuar marrëdhëniet e një shteti me shtetasit e një shteti tjetër (si rregull shtet fqinj), që i përkasin të njëjtës etni që është shumicë në shtetin e parë, dhe që jetojnë në mënyrë të qëndrueshme në shtetin e dytë prej një kohe relativisht të gjatë.”

Një kontribut i rëndësishëm që vjen përmes këtij libri është trajtimi që i bëhet çështjes së pakicave të huaja, sidomos asaj greke në Shqipëri dhe i pakicave ose popullsive shqiptare në shtetet fqinje, ku bëhet fjalë me hollësi për vendosjen dhe numrin e tyre, për gjendjen dhe mbrojtjen juridiko-kushtetuese, për arritjet dhe problemet e legjislacionit dhe të politikës shqiptare të kohëve të shkuara dhe të ditëve tona etj. Autori ka sjellë të dhëna dhe konkluzione që shërbejnë jo vetëm në kuadrin e trajtimeve teorike, por edhe si udhërrëfyes për politikën shqiptare, për t’i patur parasysh dhe për t’u orientuar në përcaktimin e qëndrimeve strategjike dhe taktike në marrëdhëniet e ardhshme me fqinjët.

Libri i prof. Luan Omarit sjell për herë të parë në literaturën juridike shqiptare në trajtën e një studimi të mirëfilltë shkencor risi të shumta, të shtjelluara me kompetencë të admirueshme profesionale, sipas një këndvështrimi shumëplanësh, mbi bazën e përcaktimeve të legjislacioneve kombëtare dhe akteve juridiko-ndërkombëtare, duke u mbështetur në dokumente dhe në një literaturë voluminoze profesionale, juridike.

Duke u njohur me këtë vepër ndjehesh mirë për shkallën e lartë të qytetërimit të popullit shqiptar, dëshmuar ndër të tjera edhe në qëndrimet e vazhdueshme ndaj pakicave kombëtare të ndodhura në Shqipëri, por edhe për kujdesin e treguar ndaj fatit tragjik të shqiptarëve, që rrjedhat e historisë i lanë jashtë kufijve shtetërorë, në trojet që iu kaluan shteteve të tjerë.

Përmbajtja e thellë, e pasur me ide e probleme madhore, e analizuar dhe gjykuar me rigorozitet shkencor, sikurse edhe forma e paraqitjes, me mënyrën e qartë të përshkrimit, me stilin e zhdërvjellët dhe tërheqës, e bën librin shumë të vlefshëm dhe të dobishëm. Me publikimin e tij bibliotekës juridike shqiptare i shtohet një vepër me vlera të padiskutueshme, për çka nuk mund të mos i shprehen falenderime dhe përgëzime të shumta autorit, Prof. Luan Omarit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi