Roli i Romës dhe Londrës në krijimin e monarkisë shqiptare

Nga Arben Cici, 26 shkurt 2019

Teksti i mëposhtëm është shkëputur nga libri “Marrëdhëniet italo-shqiptare në vitet 1920-1934” me autor Arben Cicin. 

…Në fakt, Londra ishte skeptike ndaj argumenteve të Zogut për domosdoshmërinë e krijimit të monarkisë shqiptare, për më tepër që e kishte kuptuar se mbrapa saj fshihej Roma. Ajo tregohej shumë e kujdesshme për të dhënë opinione apo për të reaguar në favor ose jo të krijimit të monarkisë shqiptare. Një fakt tjetër që shtonte skepticizmin e saj ishte se Zogu ishte akoma i pamartuar. Kjo lloj monarkie, që nuk mbartte në vetvete vazhdimësi, nuk mund të zgjidhte problemet e stabilitetit të brendshëm të Shqipërisë. Londra shprehte shqetësim dhe për faktin se si shpallja e monarkisë ashtu edhe mungesa e sigurisë në trashëgiminë e saj, do të rrisnin pakënaqësitë jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos të fqinjëve. Shumë kuptimplotë është thënia e Gjeneralit Percy gjatë një takimi me Zogun në gusht të vitit 1928: “Zogu ishte i rrethuar nga tri zonjusha, Miss Jugosllavia, Miss Greqia dhe Miss Italia, ndaj dhe një martesë e konceptuar keq mund të çonte vetëm në probleme serioze. Nëpërmjet një alegorie Zogu iu përgjigj Persy-it se “marrja në krahë e një miku, kur miku bëhet i ngushtë ka tendenca të kthehet në përqafim dhe përqafimi mund të çojë në thyerje kockash dhe se nuk kishte ndërmend t’i shihte të thyera brinjët e Shqipërisë. Ky pohim i Zogut vërtetohet nga disa fakte. Ai refuzon propozimin italian për fejesë me princeshë italiane dhe organizon atentat kundër italofilit Vërlaci.

Zogu kërkonte mbështetje nga Roma për ndryshimin e brendshëm kushtetues, por nuk dëshironte të lidhte po me Italinë trashëgimin e fronit të vet. Italia, mund të pranonte qetësisht refuzimin e Zogut për t’u martuar me një princeshë italiane por do t’i refuzonte kategorikisht çdo tentativë të tijën për të gjetur lidhje martesore me vendet fqinjë të Shqipërisë. Zogu vazhdonte të ishte i shqetësuar për të mësuar qëndrimin anglez ndaj krijimit të monarkisë duke pohuar ndërkohë se italianët e mirëprisnin këtë ndryshim, po ashtu edhe grekët. I ngarkuari me punë i Greqisë në Tiranë e kishte siguruar Zogun për njohjen e shpejtë që Greqia do t’i bënte regjimit të ri. Ndoshta për të testuar reagimin e jashtëm, Zogu pohon, se në vitin 1924, gjatë kohës që ai ishte në mërgim në Beograd, të këtë pyetur mbretin Aleksandër rreth mundësisë së ndryshimit të regjimit kushtetues në Shqipëri dhe ky i fundit i kishte dhënë përgjigje të favorshme. Ndërsa prej pjesës tjetër të Europës, Zogu kishte marrë përgjigje me një “indiferentizëm dashamirës”.

Objektivi i Pallatit Chigi, dhe në veçanti i Lojaconas, autor i udhëzimeve të hollësishme të cilat, me firmën e Musolinit, iu dërguan Solas gjatë bisedimeve, ishte që, për ndihmën që do t’i jepte Zogut për manipulimin e ndryshimeve kushtetuese, të merrej nga Zogu një deklaratë përfundimtare garantuese mbi lidhjet e kontraktuara deri tani midis dy vendeve. Roma, pasi bëri bilancin e marrëdhënieve me Tiranën deri në këtë kohë, ngarkoi Solan me detyrën për të ndjekur nga ana ligjore ecurinë e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Shqipërinë.

Ministri fuqiplotë italian në Tiranë do t’i kërkonte Zogut dy garanci: hyrja në fuqi e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve dhe e dyta, (e cila duhet të mbetej e fshehtë), Zogu duhej të jepte garanci se Shqipëria nuk do të vepronte kurrë kundër interesave italiane, madje të pranonte që të vihej nën mbrojtjen e Italisë dhe të Duçes. Në shkëmbim, Italia do t’i jepte garanci Zogut, që në rast se shteti jugosllav do të shpërbëhej, Shqipërisë do t’i kthehej Kosova. Kjo e fundit përputhej me objektivin e Zogut për rikthimin Shqipërisë të territoreve të saj në rastin e një konflikti ballkanik. Sola ishte i mendimit t’i zgjidhte këto dy probleme me anë të një projekt-letre të cilën Zogu, menjëherë pas shpalljes së mbretërisë, do t’ia dërgonte Musolinit ndërsa ky do t’i përgjigjej me konfirmimin e marrëveshjes. Marrëveshja e fshehtë e propozuar nga italianët përmbante si detyrime ashtu edhe favore të Shqipërisë dhe se botimi i saj mund të bëhej vetëm në rastin e një lufte me Jugosllavinë. Zogu i pranoi menjëherë kushtet italiane sepse nuk konstatoi elemente të rrezikshme brenda marrëveshjes. Më i vonuar do të ishte Musolini. Ai vuri re këtë mangësi që, sipas tij, tërësia e marrëveshjes i krijonte Zogut liri dhe jo detyrime shtrënguese ose vasalitet ndaj Romës.

Prandaj Musolini sugjeroi që marrëveshja e fshehtë të ndahej në dy pjesë. Pjesa që përmbante angazhimet e Zogut do të botohej ndërsa pjesa tjetër ku figuronin rivendikimet territoriale të Shqipërisë të mbështetura nga Italia do të mbetej e fshehtë. Ishte vendosur që paralelisht me këtë shkëmbim letrash sekrete, midis dy qeverive duhet të bëhej edhe një shkëmbim notash publike i cili do të konfirmonte nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të Zogut me Italinë. Në pallatin Chigi u aprovua përmbajtja e projektit, por u nënvizua në mënyrë të veçantë që garancitë e ofruara nga Zogu të bëheshin publike ose të paktën të publikueshme sepse vlera e tyre, varej vetëm nga afirmimi i qëndrimit kundrejt të tretëve.

Për t’i hequr letrës së përgatitur nga Sola karakterin e sekretit absolut, që ndoshta kishte të bënte me një dinakëri të hollë të Zogut, ishte menduar që të fshihej pjesa që komprometonte Italinë, d.m.th. premtimi për të mbrojtur aspiratat territoriale të Shqipërisë. Kjo pjesë, në qoftë se nuk do të fshihej (e anulohej) pastër dhe thjesht, ndërkohë që ishte e mbuluar nga traktati sekret i 1925-s, do të bëhej objekt i një letre të dytë që do të mbahej shumë sekret. Sola ishte dakord me projektin e të dyja letrave. Por, ngaqë parashikonte se Zogu nuk do të pranonte kurrë të bënte publike letrën e parë, (ajo që përmbante garancitë ndaj Italisë), sugjeroi që ajo të konsiderohej si një farë deklarate e rezervuar vasaliteti, e bërë nga ana e sovranit të ri për kreun e Qeverisë italiane, dhe notën verbale që Qeveria e Tiranës i dërgonte Qeverisë së Romës, në të mirë të interesit ndërkombëtar, ta konsideronte si mjetin kryesor të konfirmimit të marrëdhënieve italo-shqiptare. Ky sugjerim nuk shkoi asnjëherë deri në tavolinën e Zogut sepse Sola e dinte se ai, edhe pse ishte tepër i etur për fronin, nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje të tillë. Kjo situatë do të bënte që bisedimet të ndërlikoheshin, të vështirësoheshin dhe të tejzgjateshin, prandaj Sola u përpoq dhe arriti të bindte Duçen duke propozuar një kompromis të ri. Pjesa e parë e marrëveshjes do të ruhej e fshehtë të paktën përkohësisht, ndërsa pjesa e dytë do të mbetej e fshehtë për një afat të pacaktuar.

Më 9 gusht, Musolini i pohoi Solas se marrëveshjen e konsideronte si një pranim formal të ngritjes së fronit të ri të Shqipërisë nën hijen e flamurit italian. Mbi këtë bazë dhe në këtë frymë u zhvilluan dhe u përfunduan bisedimet në Tiranë. Zogu u përpoq t’i jepte një karakter zbutës deklaratës së tij “mbi vasalitetin” që përfshihej në letrën e parë. Pallati Chigi, u përpoq “ të ngrinte” sa më shumë tonet në përgjigje të një note, të projektuar nga qeveria shqiptare, ku vihej theksi kryesisht në formën dhe mënyrën insistuese dhe bindëse mbi opozitën ndërkombëtare që ishte kundër njohjes së mbretit Zog. Në fakt, nota kishte përmbajtjen e letrës sekrete që Zogu i drejtonte Musolinit.

Roma, duke e konsideruar këtë notë si pjesë të lojës së Zogut, e publikon menjëherë atë, me një shpejtësi të tillë që as Zogu nuk e kishte dëshiruar. Të ndodhur në pozita të favorshme, italianët vendosën të ecnin më tej edhe në fushën ushtarake. Roma, nëpërmjet Paktit të dytë të Tiranës dhe marrëveshjeve të tjera anekse kishin arritur një kontroll të ndjeshëm mbi ushtrinë shqiptare, por Musolini dhe Sola nuk kishin mbërritur në fund të qëllimeve të tyre. I ngarkuar edhe me detyrën e rivlerësimit të marrëdhënieve në fushën ushtarake, Sola përpunoi disa detyrime reciproke për të dyja vendet si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqeje. Midis detyrimeve, rikonfirmohej se, në rast lufte, njësitë ushtarake shqiptare dhe italiane do të bashkoheshin nën komandën italiane…

Kërkesa që i bëhej Tiranës për të përjashtuar të gjitha fuqitë e tjera të huaja si dhe ndihmën apo kontributin e tyre, të çfarëdo forme qofshin ato, për organizimin e ushtrisë shqiptare, ishte pjesë e operacionit depërtues ushtarak të Italisë. Italianët ranë dakord të financonin vetëm një pjesë të programit të organizimit të ushtrisë shqiptare e cila, sipas palës shqiptare, brenda pesë vjetësh duhet të arrinte efektivin e 60.000 vetëve. Duke mos marrë përsipër menjëherë koston e plotë të programit, italianët lanë një terren të hapur për marrëveshje të tjera italo-shqiptare. Me vendosmëri, Roma arriti të sigurojë numrin përherë në rritje të oficerëve italianë në Shqipëri dhe të krijojë paralelisht një Shtab të Përgjithshëm të veçantë, të përbërë vetëm nga oficerë italianë me statusin e këshilltarit të Zogut për problemet ushtarake.

Kjo strukturë nuk do të kishte asnjë lidhje me Komandën e Lartë ushtarake shqiptare. Për më tepër, ndryshe prej gjithë oficerëve të tjerë të huaj që shërbenin në Shqipëri nën njërin apo tjetrin emërtim, italianëve nuk do t’u kërkohej të bëheshin shtetas shqiptarë, të vishnin uniformën shqiptare e madje as t’i përmbaheshin ligjit shqiptar. Zogu nuk dukej i kënaqur nga ky kompromis, porse nuk donte të rrezikonte humbjen e kurorës në çastet e fundit. Ai ishte plotësisht i vendosur dhe i ndërgjegjshëm në atë që kërkonte dhe përpiqej ta realizonte me çdo mjet. Kështu, Zogu pranoi të gjitha kushtet e marrëveshjes ushtarake si dhe dy pjesët e tjera të marrëveshjes sekrete, botimi i të cilave nuk u bë edhe mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Për nënshkrimin e marrëveshjes, Zogu ngarkoi ministrin e Jashtëm, Iljaz bej Vrioni dhe zëvendësuesin e gjeneral Miroshit, gjeneral Aranitasin, ndërsa për palën italiane, atë e nënshkruan Sola dhe gjeneral Pariani.

Diplomacia mes dy luftërave, pse Zogu zgjodhi ‘strehën’ italiane ?!

Është folur shumë për marrëdhëniet shqiptaro-italiane gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, kur shtetformimi shqiptar ishte në hapat e parë dhe me probleme të shumta, ndërsa tentativat e vendeve fqinje për ta “sunduar” politikisht dhe ekonomikisht ishin të forta. Por shumë pyetje akoma mbeten të pasqaruara për situatën politike që ndodhej vendi ynë në raport me fqinjët në atë kohë, kryesisht me Jugosllavinë e Italinë e Musolinit dhe arsyet apo interesat që e shtynë Zogun të afrohej me Italinë. Historia flet me gjuhën e dokumenteve dhe dëshmive për t’i lënë lexuesit të vlerësojë në bazë të tyre. Këtë tenton të bëjë dhe studiuesi dhe diplomati Arben Cici, i cili sjell një analizë të hollësishme të këtyre e marrëdhënieve italo-shqiptare në periudhën mes dy luftërave botërore. Në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, botim i UET-Press, lexuesit mësojnë nga dokumente dhe dëshmi të kohës se si Italia arriti të fuste nën “strehën” e saj ekonomike e politike vendin e vogël të Ballkanit dhe pse Presidenti i atëhershëm, më pas Mbreti Ahmet Zog pranoi këtë marrëdhënie.

A ishte Zogu i interesuar për të qenë i varur nga Italia gjatë qëndrimit të tij në pushtet? Për përgjigjen e kësaj pyetjeje, Cici na sjell dëshmitë mbi dyzimin e Zogut, në mosngurrimin e tij të fortë për vendosjen e këtyre marrëdhënieve.  Po citojmë nga libri shënime që vijnë nga ditari i ministrit fuqiplotë të Italisë, që udhëhoqi negociatat dhe marrëveshjet e Zogut me Musolinin, Pompeo Aloisi.

Ahmed Zogu dëshironte të forconte lidhjet me Italinë, por nuk dëshironte të asfiksohej prej tyre…, por mbi të gjitha pavarësia është themeli mbi të cilën ai ka vendosur aspiratat e tij të ardhshme, të Senjorit të vetëm të padiskutueshëm të një Shqipërie, ndoshta të dobët, të varfër, të rrethuar nga armiq kërcënues, por formalisht e barabartë me të gjitha shtetet në sovranitetin e saj të plotë. Udhëzimi i Romës për përfaqësuesin italian ishte i prerë:  “Nëse Presidenti shqiptar s’do të pranojë as variantin A dhe as variantin B, atëherë duhet të deklarohet hapur se tratativat do të ndërpriten.

Shënimet e Aloisit përbëjnë disa nga të dhënat më të forta edhe për paktin e fshehtë mes Zogut dhe Musolinit, i cili vjen i zbardhur në librin e Cicit.

Në këtë libër lexuesi gjen të dhëna të dokumentuara për luftën politike të viteve 1921-1924 dhe përplasjet diplomatike të shtetit shqiptar, sidomos në marrëdhëniet e nxehta dhe aspak komode me Italinë. Autori sjell me detaje çështje të tilla si, traktati italo-jugosllav (1925-1926), Pakti i Tiranës, lufta politike për aleancën mbrojtëse, roli dhe pozita e Italisë në krijimin e monarkisë shqiptare, kontradiktat dhe kriza në marrëdhëniet italo-shqiptare në fillim të viteve ‘30 etj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi