BERZH kritikon ashpër PPP

Sipas mediave, 20 nëndor 2019

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020 është treguar e ashpër ndaj projekteve me partneritet publik privat (PPP), që ka ndërmarrë gjerësisht qeveria shqiptare.

“PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara), pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha BERZH.

Edhe pak ditë më parë, në një tjetër raport, BERZH, rendiste si një prej arsyeve të rishikimit në ulje të performancës ekonomike edhe “risqet e brendshme të lidhura me detyrimet e mundshme që rrjedhin nga programet e Partneriteteve Publike-Private, që u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria”.

Banka tha se Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të trajtuar informalitetin si një nga pengesat më të rëndësishme për të bërë biznes.

“Masat përfshijnë një sistem dhe procedura të thjeshtuara tatimore, forcimin e kapaciteteve për inspektime dhe luftën kundër korrupsionit dhe ryshfetit në administratën publike”, thuhet në raport.

Sipas Bankës, qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e standardeve të qeverisjes fiskale dhe publike dhe forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit.

BERZH thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua në 2.4% nga viti në vit në gjysmën e parë të 2019, nga 4.1% në 2018.

Banka thotë se mjedisi i biznesit mbetet i vështirë, me Shqipërinë që u rendit në vendin e 82-të nga 190 vende në raportin e Bankës Botërore Doing Business 2020, duke rënë 19 vende nga një vit më parë.

Raporti gjeti se firmat shqiptare kanë pagesat më të mëdha informale në rajonin e Europës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi