Kushtet gjermane dhe integrimi shqiptar

Nga Fatos Çoçoli, botuar Gazeta Shqiptare, 20 shtator 2019

Gjermania deri tani ka qenë kampionia jonë e integrimit. Shteti më i fuqishëm i Evropës dhe i treti më i fuqishëm në botë na ka mbështetur pa kushte në rrugën tonë plot zigzage për në familjen e madhe evropiane. E theksoj, pa kushte. Sepse nga dita e djeshme, 18 shtator, sipas radio-televizionit publik gjerman për transmetimet me jashtë “Deutsche Welle” (në shqip, “Sinjali Gjerman”), grupimi i partive CDU-CSU në pushtet në Gjermani do t’i kërkojë Parlamentit gjerman t’i thotë “Po” më 27 shtator hapjes së bisedimeve me Shqipërinë, por pasi të jenë plotësuar nëntë kushte. Këto kushte lidhen me reformën në drejtësi dhe ndërtimin tek ne të institucioneve që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Të lind natyrshëm pyetja: kur gjermanët, përkrahësit më besnikë të integrimit tonë në BE na vënë kushte, ç’do të ndodhë me parlamentet e 27 shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian? Si do të jenë vendimet e tyre, kur për të na u hapur këto të bekuara bisedime anëtarësimi, është e domosdoshme një “Po” unanime e të 28 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë arsyet e “Po”-së gjermane me kushte. Arsyet e kësaj sjelljeje të aleatit tonë më besnik për integrimin, për të kuptuar sjelljet e 27 të tjerëve.

Në Gjermani u zhvilluan në maj të këtij viti zgjedhjet për në Parlamentin Evropian, si në të 27 vendet e tjera anëtare të BE-së. Për eurodeputetët gjermanë votuan 52 milionë gjermanë dhe partitë kryesore në qeverisje (Bashkimi Kristiandemokrat CDU dhe Bashkimi Kristiansocial CSU) pësuan humbje të ndjeshme votash, ndërkohë që ekstremi i djathtë populist me partinë Alternativa për Gjermaninë konfirmoi avancimin e ndjeshëm në dy vitet e fundit me 10.5 për qind të votave, por pa korrur triumfin e pretenduar. Sërish ky ekstrem i djathtë u rrit shumë me zgjedhjet vendore në landet e Saksonisë dhe Brandenburgut në fund të gushtit 2019. Me kushtet e vëna, qeveria gjermane kërkon të thotë politikisht se “…ne punojmë për zgjerimin e Evropës së Bashkuar, por me kushte të rrepta ndaj atyre që duam të pranojmë në rreth”. E ka të domosdoshme ta bëjë këtë, në kushtet politike të krijuara dhe ne si qytetarë shqiptarë duhet ta mirëkuptojmë në pozicionin e saj. Por lind natyrshëm pyetja e dytë: kur gjermanët na vënë 9 kushte, sa do të na vënë vendet e tjera anëtare të BE-së? A do të ketë në mes tyre qeveri, të cilat do të dërgojnë në parlamentet përkatëse një “Jo për momentin” për hapjen e negociatave për Shqipërinë? Ne dimë se më 28 qershor të këtij viti, qeveritë më mosbesuese ndaj nesh, ato që realisht sollën shtyrjen e vendimit të Këshillit të Evropës për në 18 tetor ishin qeveritë e Holandës, Francës dhe Danimarkës.

Çfarë mund t’i ketë bindur për të kundërtën këto qeveri në këto tre muaj? Vallë koha për shqyrtuar të plotë raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (i dalë në maj 2019). Shqyrtimi i këtij raporti ishte dhe preteksti për të shtyrë vendimin e Këshillit Evropian, që të 28-ta parlamentet të kishin informacionin e fundit më të plotë për të gjykuar për përparimin e dy vendeve në provim të Ballkanit Perëndimor. Rezultati i këtij provimi tani duket më qartë se kurrë, se është në funksion jo të përparimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pse raportet teknike (raportet vjetore) të Komisionit Evropian e vërtetojnë progresin e bërë. Ky rezultat provimi varet kryekëput nga vullneti i të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë përsipër përgjegjësitë dhe kostot politike të një vendimi për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për këto dy vende. Sa janë gati ato të pranojnë këto përgjegjësi dhe kosto. Realisht vendimi i 18 tetorit është një provim i gatishmërisë së forcave politike të qeverive të 28-shes për të sakrifikuar vota për integrimin e mëtejshëm të BE-së, pasi detyrat e shtëpisë, Komisioni Evropian po e thotë qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar.

Fatos Çoçoli

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi