A të “çmend” pushteti?

Nga Peter T. Coleman*, botuar ne Mapo, 11 qershor 2018

Ne e quajmë psikoza e pushtetit, sepse në fakt ajo sjell humbjen e kontaktit me realitetin. Shumë prej despotëve të botës sonë, që janë në krye të shteteve të ligj, bizneseve, kulteve, sekteve fetarë, celulave terroriste dhe organizatave kriminale, ndajnë këtë lloj vetëmashtrimi tipik. Në fakt, dekada të tëra studimesh kanë treguar se shumë prej nesh me pushtet – të pasurit, të famshmit, të fuqishmit, të avantazhuarit politikisht, dhe ata në pozicione me autoritet të lartë – kanë prirjen të bëhen gjithnjë e më të prekshëm, nga forma të ndryshme të psikozës së pushtetit. Ja se si funksionon: Sa më gjatë që njerëzit qëndrojnë në pushtet, aq më shumë ata e përpunojnë informacionin në mënyrë abstrakte, i perceptojnë njerëzit e tjerë në terma instrumentalë dhe stereotipë, fitojnë gjithnjë e më shumë vetëbesim dhe vetëfrenohen gjithmonë e më pak, bëjnë zgjedhje me më shumë risk, dhe kapaciteti i tyre për arsyetimin kompleks social dhe gjykimin moral reduktohet gjithnjë e më shumë. Ata bëhen gjithashtu më pak të prirur që të adaptojnë këndvështrimin e dikujt tjetër, janë gjykatës më pak të saktë të emocioneve të të tjerëve, dhe informacioni që kanë për vartësit është gjithnjë e më i pasaktë. Ata fillojnë t’i shohin të tjerët si më të vegjël, edhe fizikisht. Me kalimin e kohës, të pushtetshmit zhvillojnë një ndjesi superoptimizmi, një formë krenarie vetjake ku ndihen se mund të bëjnë apo thonë çfarëdo që ata duan, shpesh herë bëjnë shkelje skandaloze, pasi besojnë se nuk mund të kapen apo ndëshkohen. Sigurisht, kjo ndodh brenda kulturave, institucioneve dhe normave që i lejojnë të bëjnë të gjitha këto, të pakontrolluar. Kur të pushtetshmit e gjejnë veten në mosmarrëveshje me të tjerët, pikërisht aty marrin më shumë jetë iluzionet e tyre. Njerëzit që kanë shumë pushtet ndihen shumë rehat, kur përshtatin një stil dominues në një konflikt, dhe shpesh herë e humbasin aftësinë për të reaguar në mënyra të tjera. Ata monopolizojnë kohën e të folurit dhe flasin pa radhë, janë shumë më të prirur që të shprehin mendimet e tyre private dhe sjelljet e tyre të vërteta, dhe janë shumë më pak të ndikueshëm nga sjelljet e shprehura, apo nga përpjekjet e të tjerëve për t’i bindur. Ata gjithashtu kushtojnë më pak vëmendje atyre që kanë më pak pushtet, mbivlerësojnë pushtetin e tyre dhe nënvlerësojnë pushtetin e të tjerëve, nuk arrijnë të kuptojnë mjaftueshëm mosmarrëveshjet në të cilat ndodhen, dhe janë më të prirur drejt shkeljes së rregullave dhe ligjeve.

Në një studim të kryer në negociata ndërkombëtare të nivelit të lartë, studiuesit arritën në konkluzionin se negociatorët e vendeve më të fuqishme, zakonisht neglizhonin të mendonin për dallimet e pushtetit. Nëse e bënin, ata zakonisht vepronin nën supozimin që fuqia e tyre superiore ishte e mjaftueshme, për t’i lejuar që të mbizotëronin në negociata, dhe si pasojë, ata iu kushtonin shumë pak vëmendje llojeve të veçanta të hapësirave të manovrimit, që mund të vinin në veprim kundërshtarët e tyre me më pak pushtet. Si rezultat, ata që kanë më shumë pushtet shpeshherë humbasin në negociata dhe konflikt – ata nuk marrin atë që duan, harxhojnë kohë, dhe dështojnë në krijimin e vlerave. Ata ngecin në negociata të tipit “merre ose lëre”, apo “merre ose vuaj”. Ndryshe nga këta, shumë prej udhëheqësve më të njohur të botës kanë mësuar të notojnë kundër kësaj rryme. Nelson Mandela, Vaslav Haveli, Angela Merkeli, Meri Robinsoni dhe fltuesit e Nobelit, Leimah Gbovee dhe Aung San Kyi, për shembull, kanë shfaqur përshtatshmëri më të lartë ndaj konfliktit. Në vend që të kapen fort pas metodës “merre ose vuaj”, ata reaguan ndaj mosmarrëveshjeve të ndryshme, me strategji të ndryshme, në mënyra që i shkonin për shtat situatës, dhe dinin që të vetëpërmbaheshin dhe të mos konfrontoheshin apo dominonin, atëherë kur ishte vërtetë e nevojshme. Me fjalë të tjera, kishin atë që ne e quajmë IQ e lartë në konflikt. Ata i lexojnë situatat me më shumë kujdes, konsiderojnë objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë, dhe më pas vënë në zbatim një shumëllojshmëri strategjish të ndryshme, me qëllim që të rrisin shanset e suksesit për agjendën e tyre. Ata e dinin dallimin mes një mosmarrëveshje të përkohshme dhe një lufte kohëgjatë. Ata e dinin se kur duhej të qëndronin në rrugën e nisur dhe kur duhej të ndryshonin strategjitë.

Në një seri studimesh të publikuar në Revistën e Sjelljes Organizative, ne zbuluam se udhëheqësit dhe menaxherët me aftësi të mëdha përshtatëse kanë nivele më të lartë vetefikasiteti dhe mirëqenieje në punë, të matura këto përmes treguesve të kënaqësisë: me punën në përgjithësi, me bashkëpunëtorët, mirëqenien e lidhur me punën, si dhe qëllimet më të ulëta për të lënë punën. Është konkluduar se problemet më të mëdhenjtë shfaqen kur udhëheqësit fiksohen pas një qasjeje të vetme ndaj konfliktit (si për shembull dominimi), ose kur strategjia e tyre kronike bie ndesh me kërkesat apo situatat që ndryshojnë. Edhe të qenurit dashamirës me tepri gjatë konfliktit kundrejt vartësve mund të dëmtojë autoritetin, shkaktojë rënie të moralit, dhe lërë stafin konfuz dhe të pamotivuar. Sot, popujt e Koresë së Veriut, Zimbabvesë dhe Ukrainës, për të përmendur disa, vazhdojnë të vuajnë prej sundimit të despotëve të kapur prej psikozës së pushtetit. Forbes shkruante kohët e fundit se “Planeti mbetet i mbushur me diktatorë, që janë në gjendje të errësojnë ditët e milionave, me një të ngritur të gishtit”. Tani bota ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish të përshtatshëm, të rritur me një dietë të qëndrueshme integriteti, aftësish dhe dhembshurie për nevojat dhe interesat e të tjerëve. Kur kjo bashkohet me qeverisje shtetërore dhe një komunitet ndërkombëtar në gjendje të ofrojnë kontrollet dhe ekuilibrat e nevojshëm për të frenuar çmendurinë e pushtetit, me siguri që bota do të bëhet një vend më i mirë.

*PhD, Profesor i Psikologjisë dhe Arsimit në Universitetin e Kolumbias

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi