Mesazhi i munguar

Editorial i Monitor, 28 shtator 2015
hqdefaultKëto kohë ka shumë përbaltje dhe armiqësi ndaj biznesit në Shqipëri. Në fakt, jo vetëm ndaj biznesit, por e gjithë atmosfera është e tillë. Qeveria mund ta quajë një proces pastrimi, është afërmendsh që për të bërë atë do të duhet në fillim të nxjerrë në dritë se sa pis është. Por ai nuk mund të jetë i njëanshëm. Nëse jeton në llum nuk mund të pretendosh se vetëm ti je i pastër. Ne nuk mendojmë se jetojmë në llum, por qeveria mendon se ajo është e bardha e çdo gjëje, duke e ngjyrosur me të zezë këtë vend.

Aksioni kundër informalitetit për nga përmasat, rezultatet, herë-herë qesharake, penalitetet e forta, ngutjen e qeverisë për të hartuar ligje e rregulla që dënojnë ashpër, i shoqëruar me shfaqje publike të kabinetit qeveritar me kërcënime, po e shndërrojnë këtë proces drejt një gjuetie shtrigash që ndot e përbalt këdo, në vend të një procesi që do të vendosë barazinë e shëndoshë ekonomike. Nuk ka shpjegim tjetër përndryshe se pse qeveria:

-nxiton të nxjerrë ligje e rregulla që penalizojnë bizneset në gabim por kurrë, të paktën këto kohët e fundit, nuk u ul me biznesin për të gjetur rrugët më të mira. Tryezat e përbashkëta prej kohësh nuk funksionojnë, edhe pse janë krijuar shumë institucione të tilla dialogu. Edhe aty ku ndodh flet vetëm qeveria?

-pse nuk nisi më parë reforma në administratën tatimore dhe ndëshkimet për shkelësit e ligjit nga kjo anë, por e keqja shikohet në anën tjetër?! Studimet kanë treguar se biznesi ka shpenzime ekstra për të pasur siguri, për të lehtësuar barrierat burokratike, për t’u ankimuar në gjykatë etj. Paçka se përpiluesit e bilanceve të tyre kanë shumë tatimorë të dypunësuar, nëse realiteti do të ishte pa këto barriera biznesi do të preferonte të paguante taksat, sesa këto shpenzime ekstra që i kalojnë me herë detyrimet fiskale?.

-pse nuk ka një strategji afatgjatë, por vetëm veprime afatshkurtra që sjellin çoroditje.

-pse nuk korrigjohen taksat dhe procedurat tatimore, por enkas biznesi lihet të gabojë, sepse prej tyre mund të vilen më shumë para?

-në fund të fundit, pse publiku nuk është njohur ende me një strategji të plotë dhe objektiva të qartë që të tregojnë se ku do të arrijmë, por vetëm ecejake që shpesh janë të diktuara nga humori i ditës?

Por, mesa duket, problemi fle diku tjetër, qeveria nuk ka mundur as me planin e shkurtuar të shpenzimeve të arrijë objektivat. Mosrealizimi i investimeve edhe këtë pjesë të vitit mbetet i lartë. Pra s’qenka problem vetëm të ardhurash, por se kjo administratë nuk di t’i përdorë. Në kushtet kur qeveria ka ngritur gjithë këtë shtrëngatë antievazion tenton ta bëjë biznesin jo vetëm pis, por edhe ta turpërojë. Por sipërmarrja shqiptare nuk duhet të ketë turp, sepse është ajo që punëson më së shumti shqiptarët dhe jo qeveria, është ajo që ndërton më shumë se qeveria dhe çdo para e hedhur për biznesin është edhe pasuri kombëtare, është sipërmarrja që shpesh mbulon edhe gabimet e qeverisjeve, paçka se kostot i paguajnë vetëm ata dhe jo qeverisjet.

Turp të kenë qeveritë, duhet të jemi krenarë për biznesin!

Ky është mesazhi i munguar, që duhet të pastronte dhe t’i jepte fund përbaltjes, të shkarkonte tensionin dhe shtronte rrugën e një marrëdhënieje të re, pa gjobëvënie.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi