Një premtim radhe apo një parapritje “mbrojtëse”?!

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 26 korrik 2015

Rexhep_Meidani-150x150A ka kuptim një premtim i tillë?
Sipas komenteve në media, ditët e fundit, në komunikimet publike, përfshi dhe atë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryetari i saj Rama ka deklaruar si objektiv politik zgjerimin e radhëve të anëtarësisë së partisë deri në 150 mijë anëtarë realë, që në përqindje të popullsisë aktuale në Shqipëri është afro 5%. Pra, ashtu si në fillim të karrierës së vet partiake, për një rritje të anëtarësisë së PS-së deri në 120 mijë anëtarë (objektiv që, praktikisht, u harrua!), ai përsëri premton një objektiv të ri: atë të arritjes së një numri prej 150 mijë anëtarësh realë të partisë. Siç duket, me një aritmetikë të thjeshtuar të tipit “Rama” (si në rastin e punësimit!), për një mesatare votash afro 600 mijë, ky objektiv nënkupton anëtarësimin e një pjesëtari në çdo familje votuesish të rregullt të PS-së (të përbërë mesatarisht me katër anëtarë).

U çudita kur lexova këto deklarata, por aq më shumë mbështetjen dhe interpretimin “ideologjik” të tyre. Mbi të gjitha, ato nuk duken që pasqyrojnë as minimumin e konceptimeve moderne dhe shifrave bashkëkohore në partitë politike të demokracive perëndimore. Sidoqoftë, i ndodhur në Paris, duke bashkëbiseduar me një mikun tim francez, një nga figurat me tepër ndikim dhe peshë në historinë e PS-së franceze, i diskutova këto lloj deklaratash edhe me të. Përveç shifrës, që, në pikëpamje krahasimi, ishte tepër evidente, ai analizoi me seriozitet e pasion evolucionin e konceptit partiak perëndimor në dekadat e fundit (sidomos pas rënies së Murit të Berlinit) dhe, mbi të gjitha, ndryshimin e madh të rolit të një partie politike drejt një strukture të qartë elektorale, në kundërvënie të qartë ndaj konceptit leninist të shtetit-parti apo partisë-shtet… Por, pa e vazhduar më tej këtë lloj diskutimi, le të konsiderojmë disa raste konkrete, duke filluar nga ai francez.

Rasti francez
Sipas statistikave të vitit 2013, popullsia e Francës llogaritet afro 66.03 milionë. Kurse anëtarësia në Partinë Socialiste Franceze, sipas të dhënave të vitit 2014, llogaritet 60.000 anëtarë, pra afro 0.091% e popullsisë. Si ideologji e saj është demokracia sociale dhe socializmi demokratik. Kurse, pozicioni politik i saj është ai i qendrës së majtë. Si përkatësi politike ndërkombëtare ka atë të Internacionales Socialiste dhe të Aleancës Progresive, kurse si përkatësi europiane ka atë të Partisë së Socialistëve Europianë dhe në Grupin Parlamentar të Parlamentit Europian përfshihet në Aleancën Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Rasti britanik
Sipas statistikave të vitit 2013, popullsia e Mbretërisë së Bashkuar rezulton 64.1 milionë banorë. Vetë anëtarësia e Partisë Laburiste, sipas regjistrimit partiak të vitit 2015, vlerësohet 246,469, pra afro sa 0.385 % e popullsisë së vendit. Njëlloj, si ideologji e saj konsiderohet demokracia sociale dhe socializmi demokratik; ndërsa pozicioni politik i saj është ai i qendrës së majtë. Si përkatësi politike ndërkombëtare ka atë të Aleancës Progresive, kurse në Internacionalen Socialiste ka status vëzhguesi. Si përkatësi europiane ka atë të Partisë së Socialistëve Europianë, kurse në Parlamentin Europian i takon Grupit Parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Rasti gjerman
Popullsia e Gjermanisë, në vitin 2013, është vlerësuar 80.62 milionë banorë. Vetë anëtarësia e Partisë Social-Demokrate Gjermane, sipas të dhënave të vitit 2013, vlerësohet 473,662, pra afro 0.587 % e popullsisë së vendit. Pak më specifike në krahasim me të dy rastet e mësipërme, si ideologji e saj konsiderohet thjesht demokracia sociale; ndërsa pozicioni politik konsiderohet po ai i qendrës së majtë. Si përkatësi politike ndërkombëtare ka atë të Aleancës Progresive dhe të Internacionales Socialiste. Njëlloj me dy rastet e mësipërme, si përkatësi europiane ka atë të Partisë së Socialistëve Europianë, kurse në Parlamentin Europian i takon Grupit Parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Rasti italian
Sipas statistikave të vitit 2013, popullsia e Italisë llogaritet afro 59.83 milionë. Kurse anëtarësia në Partinë Demokratike Italiane, sipas të dhënave të vitit 2014, llogaritet 366,641 anëtarë, pra sa afro 0.613% të popullsisë totale. Si ideologji e saj konsiderohet demokracia sociale dhe ajo e së majtës kristiane. Si dhe në rastet e tjera, të analizuara më sipër, pozicioni politik i saj është ai i qendrës së majtë. Si përkatësi politike ndërkombëtare ka vetëm atë të Aleancës Progresive, kurse si përkatësi europiane ka po atë të Partisë së Socialistëve Europianë. Në Parlamentin Europian përfshihet në Grupin Parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Rasti spanjoll
Popullsia e Spanjës, në vitin 2014, është vlerësuar 46.77 milionë. Vetë anëtarësia e Partisë Socialiste të Spanjës (Partido Socialista Obrero Español), sipas të dhënave të vitit 2014, vlerësohet 198,123, pra afro 0.424 % e popullsisë së vendit. Në krahasim me rastet e mësipërme, si ideologji e saj konsiderohet demokracia sociale, federalizmi dhe pro-europianizmi; ndërsa pozicioni politik konsiderohet po ai i qendrës së majtë. Si përkatësi politike ndërkombëtare është ajo e Aleancës Progresive dhe e Internacionales Socialiste. Njëlloj me rastet e tjera, të përmendura më sipër, si përkatësi europiane ka atë të Partisë së Socialistëve Europianë, kurse në Parlamentin Europian i takon Grupit Parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Rasti rus
Popullsia e Rusisë, në vitin 2013, është vlerësuar 143.5 milionë. Ndërsa anëtarësia e Partisë Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin, sipas të dhënave të vitit 2013, vlerësohet me 2,073,772 anëtarë, pra sa afro 1.445 % e popullsisë së vendit (Rusisë). Ajo është partia politike udhëheqëse në Rusi (me afro 52.9% të vendeve në Duma), por edhe më e madhja në Federatën Ruse. Në fakt, brenda saj nuk ka qenë përkufizuar ndonjë ideologji koherente, veç faktit që ajo shfaqet si “parti e fuqisë apo e shtetit”, dhe gjithnjë e më qartë si përfaqësuese e oligarkisë ruse. Ndërsa, në vitin 2009, partia Rusia e Bashkuar shpalli konservatorizmin rus si ideologji zyrtare; duke përzier me të elementë të konservatorizmit nacionalist, populizmit, etatizmit dhe centrizmit.
* * *
A nuk mjaftojnë këta shembuj si argumente (kundër-argumente)?! A nuk janë përqindjet perëndimore të anëtarësisë partiake nga afro 0.1% deri në 0.6% të popullsisë totale të vendit përkatës shumë më të ndryshme nga 5% i projektuar shqiptar? Aq më tepër, që edhe kështu sa jemi, ne i afrohemi më shumë rastit rus me afro 1.5%, se rasteve perëndimore të partive tipike elektorale. Sepse për çështje të tjera, si ajo e ideologjisë, pozicionit politik etj., as nuk mund të flitet me qartësi e konsekuencë në “anarkizmin socialist” shqiptar! Për më tepër, pozicioni i PS-së i ngjason më shumë atij të “partisë së fuqisë”, ku pikërisht pushteti politik e ekonomik dhe zgjerimi i tij i gjithanshëm konceptohet dhe mishërohet si “ideologji” koherente!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi