Rreziqet reale përballë krizës greke

Nga Ardian Civici, botuar në Panorama Online, 30 qershor 2015

adrian-civici-300x248“Kriza greke” është sot kryefjala e shqetësimeve me përmasa botërore. Rreth saj janë mbledhur lëmsh një sërë çështjesh, sa shqetësuese, aq edhe të panjohura të niveleve të ndryshme: monetare, financiare, ekonomike, politike, rajonale, europiane, strategjike, gjeopolitike etj. Dhe më shumë se kaq, sikur të mos mjaftonte fakti se kemi të bëjmë me një vend periferik të BE-së me vetëm 10 milionë banorë dhe me një PBB më pak se 2% në raport me PBB europiane, pikëpyetjet e kësaj krize shkojnë deri te projektet fondamentale të BE-së: A cenohet euro dhe eurozona nga një Grexit, tashmë më i mundshëm se kurrë më parë? A po dëshmon “rasti grek” dobësitë e vetë projektit europian dhe çmontimin e tij hipotetik? A duhet parë kriza greke si humbje e shpresës së vendeve të Ballkanit për t’u integruar shpejt në Europë? A po vjen influenca ruse dhe problematika e saj më afër kufijve të BE-së? Dhe së fundi, ajo që na intereson më direkt: Deri ku mund të shkojnë efektet negative të kësaj situate homerike greke në raport me Shqipërinë?
Mbas vetë grekëve, europianëve dhe institucioneve politike e financiare të BE, FMN dhe BQE, Shqipëria dhe shqiptarët duket se janë më të shqetësuarit në këtë drejtim. Shumë pyetje direkte kërkojnë tashmë përgjigje po kaq direkte. Le të analizojmë me radhë disa prej tyre për të tentuar një përgjigje sa më reale e direkte, megjithëse kemi të bëjmë me një situatë që precipiton apo ndryshon me shpejtësi nga një ditë në tjetrën.

Gjendja e bankave dhe rreziku i falimentimit të sistemit bankar grek dhe efektet domino të tij në bankat e rajonit, ato europiane dhe tregjet financiare e monetare në tërësi? Megjithëse tashmë qarkullon gjerësisht shprehja “Lehman Brothers grek”, që nënkupton sinjalin e parë të shpërthimit të një krize shumë të gjerë me Greqinë në qendër, ekspertët financiarë dhe institucionet e specializuara garantojnë se “objektivisht ka shumë pak mundësi që të ndodhë krizë bankare europiane apo rajonale”. Kjo për faktin se bankat europiane janë “çliruar” nga bondet e thesarit të borxhit sovran grek që në vitin 2012, mbas ristrukturimit të këtij borxhi. Edhe në ato raste kur bankat zotërojnë bonde thesari të qeverisë greke, në përputhje me direktivat e reja bankare europiane për administrimin e riskut të borxheve sovrane, sasia e tyre e shprehur në përqindje në raport me kapitalin dhe likuiditetin e tyre është e papërfillshme. Falimentimi i mundshëm i Greqisë, domethënë i shtetit dhe qeverisë greke dhe jo detyrimisht i sistemit bankar grek, borxhi i së cilës i ka kaluar tashmë shifrat e 320 miliardë eurove (260 miliardë euro janë borxh vetëm i pesë viteve të fundit), do të prekte direkt shtete europiane dhe buxhetet e tyre, FMN dhe BQE.

Nga ky këndvështrim, Shqipëria duket më e mbrojtur. Qeveria apo shteti shqiptar nuk i kanë dhënë borxh apo të kenë blerë bonde thesari të qeverisë greke, duke mos qenë të ekspozuar ndaj riskut të bllokimit të pagesave. As Banka e Shqipërisë në menaxhimin e rezervës valutore dhe as bankat e tjera që operojnë në Shqipëri nuk rezultojnë të kenë ekspozime të kësaj natyre, çka dëshmon për ekzistencën e një muri mbrojtës me natyrë monetare e makroprudenciale për sistemin bankar dhe stabilitetin financiar në Shqipëri. Elementi më i rëndësishëm në këto momente është fakti se që nga viti 2012, me anën e një rregulloreje të veçantë të Bankës së Shqipërisë, degët apo filialet e bankave greke në Shqipëri janë organizuar e trajtuar si banka lokale shqiptare, të shkëputura nga ndërvarësia me bankat mëmë në Athinë.
Për ata që janë pak të stërvitur me këtë terminologji, mund të shpjegohet se këto filiale, aktiviteti i të cilave është tashmë më pak se 15% e aktivitetit bankar në tërësi në Shqipëri, veprojnë me cikël të mbyllur brenda tyre, pra, as nuk varen nga eurot dhe kapitalet e bankave mëmë, dhe as kanë detyrimin të furnizojnë me euro apo financime të tjera bankat mëmë. Ato mbikëqyren nga BSH me të gjitha standardet dhe kriteret specifike në këtë fushë. Shëndeti i tyre financiar konsiderohet normal, ndërkohë që BSH garanton se 1.2 miliardë euro depozita që ndodhen në këto banka janë të sigurta dhe mbikëqyrja e tyre bëhet në mënyrë shumë të kujdesshme.

Bankat me kapital grek në Shqipëri, sipas Guvernatorit Sejko, janë të mirëkapitalizuara, që do të thotë se kanë gjendje të kënaqshme likuiditeti dhe kapitali, janë në nivelin 17% kundrejt nivelit 12%, që është kërkesa rregullatore në Shqipëri. Ndërkohë që ato operojnë pothuajse tërësisht me depozita të shqiptarëve. Rreziku më i madh në këtë rast e në këtë situatë është keqinterpretimi i gjendjes dhe perspektivës së tyre i shoqëruar me tërheqje depozitash nga këto banka dhe transferimi i tyre në banka të tjera.
Si duhet lexuar paralajmërimi i Standard&Poor’s “kujdes nga Greqia” për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Rumaninë dhe Serbinë, nëse situata negative greke do të prekte sistemet e tyre bankare? Në këtë rast, Shqipëria ka një situatë më të veçantë në raport me këto vende, pikërisht për shkak të “statusit shqiptar” që kanë degët e bankave greke në Shqipëri, i cili nuk është në këto përmasa dhe në këtë frymë në vendet e tjera të Ballkanit të përmendura më lart.

Duhet kuptuar gjithashtu, se S&P nuk flet për efekte direkte domino në sistemin bankar të këtyre vendeve dhe aq më pak në Shqipëri, por flet për rastin e mundshëm apo hipotetik, kur si pasojë e problemeve që mund të kenë filialet e bankave greke në këto vende, qeveritë duhet të ndërhyjnë për t’i mbështetur dhe kontrolluar ato, gjë që mund të dëmtojë stabilitetin financiar, financat shtetërore, domethënë parametrat fiskalë dhe borxhin e qeverisë dhe perspektivën afatgjatë të rritjes ekonomike. Edhe në këtë rast, kujdesi maksimal duhet treguar në qëndrueshmërinë e depozitave në këto banka dhe shmangien e situatave artificiale e subjektive të panikut.
Por, në këto momente kur është e qartë se “kriza greke” nuk ka një skenar të qartë, madje dhe të mundshëm daljeje, efekte e saj në Shqipëri duhen parë e analizuar me kujdes çdo ditë e më tepër në aspektet e tyre ekonomike, financiare e sociale. Tashmë është e qartë se, sido që të jetë përgjigjja e qytetarëve grekë në referendumin e 5 korrikut, “Po”–dëshirojmë të rrimë në zonën euro dhe BE dhe pranojmë kushtet e kreditorëve, apo “Jo”– nuk i pranojmë kushtet e reja të kreditorëve dhe duam të largohemi nga zona euro dhe BE, një gjë është e qartë: Greqia ka hyrë në një zonë dhe në një kohë të vështirë e të rrezikshme politike, ekonomike e sociale.

Pranimi i kushteve të reja të kreditorëve nënkupton shtrëngime të reja buxhetore në Greqi, kufizime të pagave, pensioneve e politikave sociale, reduktim të shtetit dhe administratës publike, ulje e mëtejshme e nivelit të jetesës. E gjithë kjo mund të përkthehet me një rritje ekonomike akoma më të dobët e negative, me acarim të luftës politike deri në zgjedhje të reja për ndryshimin e qeverisë dhe kahun e qeverisjes, por dhe me “kënaqësinë” e kreditorëve dhe Eurogrupit që nuk mund të pranojë që një vend i eurozonës “mos t’i dalë zot borxheve të tij” dhe të kërkojë shmangien nga detyrimet. Aq më tepër që “shembulli grek” mund të bëhet joshës për vende të tjera në vështirësi, si Portugalia, Spanja, madje edhe Italia, borxhi i së cilës i kalon përmasat e 2000 miliardë eurove.
Ndërkohë, mospranimi nga Greqia do të thotë dalje nga zona euro dhe BE, etiketimin e Greqisë si një vend problematik për partnerët europianë dhe ndërkombëtarë, çka e bën më të largët një riintegrim të Greqisë në BE dhe eurozonë. Gjithashtu, zëvendësimi i euros me dhraminë, megjithëse do krijonte një lehtësim financiar të momentit, do të çonte detyrimisht në zhvleftësime të njëpasnjëshme të kësaj monedhe, duke ulur fuqinë blerëse, reduktuar vlerën e pagave dhe pensioneve, zhvleftësuar vlerën e depozitave, largimin e eurove nga Greqia, të paktën për një periudhë afatshkurtër e ndoshta afatmesme etj.

Një Greqi e larguar apo përzënë nga BE dhe eurozona nuk do të ishte një vend dhe një ekonomi atraktive për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik. Europianët po e humbin durimin me Greqinë. Natyrisht nuk duan të përballen me një skenar në sens të kundërt, pra braktisje të zonës euro apo vetë BE-së, por nga ana tjetër kanë filluar ta mendojnë seriozisht skenarin B, që mund të kthehet shpejt në skenar A, atë të përzënies së Greqisë, aq më tepër që nga pikëpamja financiare, ekonomike e monetare, ky largim nuk është shqetësues për BE-në dhe eurozonën. Europianët po e përmendin gjithnjë e më shpesh që “Greqia nuk duhej të kishte hyrë në eurozonë”, kështu që dalja prej saj nuk duhet parë si diçka katastrofike.

Cilido nga skenarët të ndodhë, Shqipëria duhet të marrë masa energjike e të kujdesshme për të përballuar efektet e skenarëve të mundshëm. Rikthimi i një mase të madhe familjesh shqiptare nga Greqia mund të na përballë me domosdoshmërinë e politikave aktive riintegruese e sociale të këtyre njerëzve. Tregtia me Greqinë rrezikon të bëhet në dhrami, në një monedhë që do dojë kohë të stabilizohet, duke na shkaktuar probleme në bilancin tonë tregtar. Ka mundësi që një pjesë e emigrantëve t’i transferojnë në Shqipëri kursimet e tyre në euro, çka nënkupton kujdesin e sistemit bankar për t’i përdorur në mënyrë sa më eficiente ato. Është e sigurt se remitancat me origjinë nga Greqia do të vazhdojnë të zvogëlohen me shpejtësi duke na shkaktuar probleme në nivelin e jetesës dhe konsumit të mjaft familjeve shqiptare që bazohen në këto remitanca. 100 apo 200 milionë euro remitanca më pak janë shumë të ndjeshme për ekonominë dhe konsumin shqiptar, duke shtruar nevojën urgjente të zëvendësimit të tyre nga aktivitete të tjera ekonomike e tregtare në vend.

Një pjesë e bizneseve greke, që kanë qenë deri në këto momente partnerë të rëndësishëm ekonomikë e tregtarë në Shqipëri, po ndeshen me vështirësi të mëdha, gjë që nuk përjashton reduktim të aktivitetit të tyre e deri në falimentim. Mjaft e prekshme mund të jetë kjo në sektorin fason ku janë të pranishme shumë kompani e investitorë grekë. Duhet të fillojmë të mësohemi me faktin se investimet greke në Shqipëri, që në disa periudha të këtyre viteve të tranzicionit kanë qenë të rëndësishme për ekonominë tonë, do vijnë duke u zvogëluar ndjeshëm, të paktën për disa vite, aq sa do të zgjasë kriza greke. Ky boshllëk duhet evidentuar dhe kompletuar me politika ekonomike e financiare alternative zëvendësuese me investime të tjera të huaja.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi