Suedi, Marrëveshje politike që shkëput qeverisjen nga votat

Pregatitur nga Shtetiweb sipas artikullit të Pascal Titeux, botuar në Contrepoints, 27 janar 2015

Riksdagen_best-mmer_spelreglernaEdhe pse jo “kryelajm”, është një prej ngjarjeve më shqetësuese të këtij fillim shekulli. Maska e fundit e demokracisë përfaqësuese, në versionin e saj postmodern dhe të korruptuar, sapo është grisur.

Kjo nuk i habit liberalët, që e dinë se në çfarë pike etatizmi zgjedhor mund të krahasohet tinëzisht me diktaturat “e vërteta”, dhe se çfarë është i aftë të bëje kur ndihet i kërcënuar prej humbjes së përfitimeve që vijnë nga pushteti. Por në Suedi është fjala për një goditje të rëndë që i ka dhënë ndoshta dermën një demokracie të dëmtuar tashmë nga”modeli suedez” politikisht shumë korrekt.

Faktet janë të thjeshta edhe pse të vrazhda dhe cinike. Zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një parti, të themi atipike, sepse fjala “populiste” në Suedi si gjetiu, është një fjalë pa kuptim (të gjitha partitë “i bëjnë fresk” popullit). Me 12% të votave, Sveringedemokraterna* (SD) mund të jetë një parti e zakonshme opozitare, por kur një tjetër parti opozitare u bashkua me të për të refuzuar buxhetin për 2015, qeveria e majtë e kryeministrit Lofven u vu në pakicë. Projekt-ligji i buxhetit nuk kaloi në parlament – situatë kjo klasike e “krizës qeveritare”. Në çdo demokraci, kjo do të çonte në dorëheqjen e qeverisë. Në këtë logjikë, kreu i qeverisë suedeze, Stefan Löfven, vendosi dhe njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja për 22 mars 2015.

Deri këtu gjithçka shkon mirë, thoni ju, sovrani do të vendosë.

Por situata ndërkohë komplikohet ! Sondazhet e njëpasnjëshme tregonin një rritje të madhe të votave të SD*, e cila arrin në nivele të tilla që as të majtët e Aleancës Socialiste & Të Gjelbërit (qeveria aktuale), dhe as Qendra e Djathtë (partitë kryesore opozitare), nuk mund të shpresojnë për të qeverisur. Duke ju frikësuar humbjes së pushtetit – privilegj që ata gëzonin rregullisht edhe pse në alternancë – këto parti vendosën që të ndajnë privilegjet e qeverisjes jo më në mënyrë alternative në funksion të zgjedhjeve, por njëherë e përgjithmonë. Të paktën deri në 2022, kur do të jetë data e parë e rishikimit të marrëveshjes së tyre.


Marrëveshja e Dhjetorit

Marrëveshja e Dhjetorit (sic njihet tani në Suedi) mes qeverisë së tanishme të Social Demokratëve & Të Gjelbërve me opozitarët e Bllokut të Aleancës së Qendrës ss Djathtë zgjat deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2018 – 22, duke lënë mënjanë diferencat mes tyre me qëllim që partitë e qëndrës të mbajnë qeverisjen dhe të bëjnë të pamundur ardhjen e ekstremit të djathtë në pushtet.

Kjo marrëveshje  e ndalon Kryeminstrin Lofven të rrisë taksat mbi të ardhurat personale deri në buxhetin e 2016, por i jep mundësi që në Maj 2015 të bëjë disa ndryshime në ligjin e buxhetit të aprovuar së bashku me opozitën në Dhjetor të 2014. Aleanca e Partive të Djathta (opozita e tanishme) është angazhuar për të mos votuar kundër ligjeve të buxhetit duke filluar nga pranvera e 2015.

Po ashtu, Marrëveshja e Dhjetorit garanton që edhe nqs asnjë nga palët nuk fiton shumicën në zgjedhjet e rradhës në 2018, të Djathtet do të udhëheqin Qeverinë e re, bile dhe nqs marrin më pak vota nga Social Demokratët. Këta të fundit zotohen se nuk do të votojne kundër buxheteve të kundërshtarëve të tyre të djathtë.


Ç’farë ndodhi? Duke parë rezultatet e sondazheve, Stefan Löfven rishikon vendimin e tij: zgjedhjet e lajmëruara për mars 2015 nuk do të zhvillohen! Të dy blloqet kryesore në qeveri dhe në opozitë merren vesh të mbështesin njëra tjetrën!! Rezultati i zgjedhjeve të 2019 nuk do te ketë asnjë rëndësi, meqënëse marrëveshja për mbajtjen e pushtetit mes elitave që do të largoheshin, ose më saktë e atyre që nuk duan të largohen, funksionon deri në vitin 2022. Suedia do të ketë “fatin” të jete demokracia e parë në botë që di përbërjen e qeverisë së saj përpara se të mbajë zgjedhjet, dhe që do të mbajë po këtë qeveri pavarësisht votës së sovranit. Një “risi” e tillë bën të nevojshme një ri-freskim të konceptit të demokracisë, ndoshta dhe gjetjen e një emri të ri.

Por ky emër tashmë ekziston. Si quhet një situatë ku zgjedhjet e paralajmëruara befas shtyhen dhe kur pushtetarët njoftojnë se sido që të dalin rezultatet ata do të mbeten në pushtet? Sigurisht, nuk e shpallën nën sfondin e himnit kombëtar nga një kolonel që me gardën pretoriane sapo pushtoi ndërtesën e televizionit publik: Suedia nuk është një republikë bananiere. Kjo është të paktën ajo që të paditurit besonin deri tani. Por edhe pse junta është e veshur në rroba civile (e jo ushtarake), dhe parlamenti është pjesë e lojës, kjo është fiks ajo që quhet një grusht shteti. Ja çfarë shkruajnë studiuesit suedezë I. Carlqvist dhe L. Hedegaard**:

 “Marrëveshja e Dhjetorit mund të përshkruhet në mënyrë të pranueshme si një grusht Shteti i butë, që e fut Suedinë në rrugën e vetë-shkatërrimit.

Në dukje, institucionet demokratike të Suedisë duken të paprekura, por që tani e tutje ato nuk janë më veçse një guackë bosh. Marrëveshja e dhjetorit organizoi atë që mund të përshkruhet si një sistem parlamentar me dy fytyra. Parlamenti zyrtar mbetet në vend, por në hije struket parlamenti i vërtetë, i përbërë nga udhëheqësit e shtatë partive të spektrit politik tradicional. Kjo ofiçinë prapa oborrit kryen shqyrtimet e saj në fshehtësi, larg nga çdo shikim publik. Nga koha në kohë, ajo do të paraqese vendimet e saj në parlament, ku ratifikimi do të jetë veçse një formalitet.

Sistemi i ri gjithashtu mund të përshkruhet si një “diktaturë konsensuale.” Çfarëdo qoftë ajo, personi që do të qeverisë në tetë vitet e ardhshme do të ketë në realitet kompetenca të tipit diktatorial: buxhetet e tij, bazat e çdo politike, e kanë paraprakisht garancinë e miratimit. Përveç buxhetit, partitë e pjese te marreveshjes, njoftuan se do të kërkojnë unanimitet mbi çështjet e mbrojtjes, të sigurisë, pensioneve dhe energjisë».

Nëse kjo do të ndodhte në një vend si Ukraina ose Zimbabve, protesta do të kishte qenë unanime. Këtë here (në Francë – shënim i SW) nuk ndodhi gjë përjashtuar një artikull i shkurtër në revistën Vlerat Aktuale. Më keq, në lajmet e mbrëmjes është folur për lindjen e një modeli: “Edhe një herë, Suedia jep një shembull. E ballafaquar me perspektivën e një krize të zgjatur politike, partitë politike tradicionale, nga e majta në të djathtë, vendosën të bashkohen për të mundësuar një qeverisje funksionale duke neutralizuar kapacitetin dëmtues parlamentar të partisë populiste“. Pasazhi i mësipërm është një prej shëmbujve më domethenës të përrallisjes në shtypin francez. Politikanët e opozitës votojnë kundër qeverisë?; hedhin poshtë projektligjet e saj?; paraqesin amendamente? – me pak fjalë, opozitarët po kundërshtojnë? Ah, “telash parlamentar”! Shpejt, na duhet partia e vetme si e vetmja garanci e një parlamenti pa telashe!

Por këtu çështja nuk ka të bëjë me programet e njërit apo tjetrit; por me ndershmërinë e atyre që quhen demokratë dhe që menjëherë bien dakord për neutralizimin e votave, kur ato nuk u përshtaten. Nuk mund të jesh gjysëm-demokrat – ky koncept është i pandashëm me atë të lirisë.

Sidoqoftë edhe pse “e justifikueshme” nën arsyen e bllokimit të ekstremit të djathtë, Marrëveshja e Dhjetorit sakrifikon gurët e themelit të ngrehinës së demokracisë përfaqësuese për të ndërtuar një kolibe pushtetarësh që nuk jep asnjë garanci që do të mund të perballojë stuhinë populiste dhe popullore që pritet të përfshijë shumë shpejt brigjet nordike.

* Parti nacionaliste dhe konservatore e përfaqësuar në parlament qysh prej 2010.

** Sweden: From “Humanitarian Superpower” to Failed State, Jan. 16, 2015, Gateston Institute, International Policy Counci, http://www.gatestoneinstitute.org/5108/sweden-failed-state

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi