Kriza e lidershipit

Nga Fatos Tarifa, botuar në Dita, 15 qershor 2020

Kriza si refren

Veç fjalëve “korrupsion”, “varfëri” dhe “krim”, fjala “KRIZË” ka qenë dhe mbetet jo vetëm një ndër më të përdorurat në narrativën politike të çdo opozite (sikur këto dukuri—korrupsionin, varfërinë, krimin dhe krizat—në Shqipëri t’i kenë prodhuar vetëm ato parti dhe ata politikanë që kanë pasur radhën të drejtojnë punët e qeverisë dhe jo kushdo që ka drejtuar para tyre), por edhe një fjalë gjerësisht e përdorur në gjuhën e përditshme të njerëzve të thjeshtë.

Kushdo flet për ekzistencën e një krize; më saktë për ekzistencën e shumë krizave njëherësh: krizë ekonomike e financiare, krizë politike, krizë besimi, krizë e sistemit të drejtësisë, krizë e sistemit arsimor, krizë e sistemit shëndetsor, krizë mjedisore…you name it. Madje, gjithnjë e më shumë flitet për një krizë të përgjithshme, e cila i përmban të gjithë elementët e mësipërm.

Kriza është bërë refreni i çdo ligjërimi politik. Por, ndërsa flitet për të gjitha këto lloje krizash, rrallë dëgjojmë të flitet për atë krizë, e cila është më kryesorja dhe, ndoshta, burimi i të gjitha krizave të tjera—KRIZA E LIDERSHIPIT.

“Një njeri i mençur dhe i drejtë”

Afro dhjetë vite më parë kam shkruar mbi përshtypjet që më ka lënë një fjalim i Nelson Mandelës, të cilin e kam dëgjuar të flasë në Hagë, në pranverën e vitit 1999. Në atë kohë, unë shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës, ndërsa Mandela ishte në muajt e fundit të presidencës si tij. I zgjedhur me votën e lirë të popullit të Afrikës së Jugut, në vitin 1994, në zgjedhjet e para demokratike në atë vend pas një periudhe shumë të gjatë aparteidi, Mandela vizitoi Hollandë dhe, në prani të kryeministrit të atëhershën hollandez Wim Kok dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, anëtarëve të Parlamentit hollandez dhe titullarëve të misioneve diplomatikë të akreditur në atë vend, mbajti një fjalim të shkëlqyer, prej të cilit më kanë mbetur në mendje këto fjalë, të cilat i përsëris këtu besnikërisht, siç më kujtohen:

“Edhe një njeri i vetëm në krye të shtetit do të mjaftonte për ta bërë vendin e tij demokratik e të begatë, nëse ai do të ishte një njeri i mençur dhe i drejtë sepse, duke qenë vetë i tillë, do të dinte të zgjidhte, si bashkëpunëtorë, në funksione të larta drejtuese të shtetit, njerëz të tjerë të mençur e të drejtë”. Këta të fundit, po ashtu, do të dinin t’i zgjidhnin bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e tyre ndër radhët e njerëzve të mençur e të drejtë.

Mandela provoi në mënyrë të shkëlqyer se ishte një udhëheqës i madh i vendit të vet, jo vetëm për shkak të karakterit të tij dhe të forcës morale, të mbrujtura përmes një jete heroike e plot sakrifica, por edhe sepse diti që të zgjidhte rreth vetes “njerëz të tjerë të mençur dhe të drejtë”. Pas mandatit të tij të parë si president i Afrikës së Jugut (1994-1999), Mandela zgjodhi që të mos qëndronte më në atë post për një mandat të dytë, edhe pse, për të, një mandat i dytë ishte gjëja më e sigurtë në botë. Pas kësaj, ai jetoi edhe 14 vite të tjerë. A e përfytyroni dot një president, ose kryeministër shqiptar që me dëshirën e tij të heqë dorë nga pozita që mban pas një mandati të vetëm?

Një deduksion logjik i thjeshtë

Deduksioni logjik që rrjedh nga pohimi i mësipërm i Mandelës është i thjeshtë: Vetëm një drejtues i klasit të parë, mund të zgjedhë rreth vetes bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të klasit të parë. Një drejtues i klasit të dytë mund të mbledhë rreth vetes vetëm bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të klasit të dytë, ose të tretë.

A kemi pasur në këta tridhjetë vite dhe a kemi në Shqipëri liderë të tillë, të mençur dhe të drejtë? Shihni se në çfarë stadi zhvillimi kemi mbetur dhe cila është gjendja e vendit tonë sot dhe përgjigjja e kësaj pyejeje rrjedh vetvetiu. Sikur edhe vetëm një “njeri i mençur dhe i drejtë” të ishte vënë në krye të punëve të shtetit, i aftë që të zgjidhte e të rrethohej nga njerëz të tjerë të mençur e të drejtë, dhe këta të fundit, të ndihmuar gjithashtu nga të tjerë njerëz të mençur e të drejtë, Shqipëria do të ishte sot, pa dyshim, një vend shumë më i zhvilluar në çdo drejtim.

Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë njerëzit të mençur e të drejtë. Ajo çfarë s’kemi parë deri më sot në Shqipëri është që në krye të punëve të shtetit të jenë vënë njerëz të tillë, “të mençur e të drejtë”, që jo vetëm të kishin aftësinë, por edhe vullnetin për të zgjedhur rreth vetes, si bashkëpunëtorë ose këshilltarë, njerëz të tjerë “të mençur e të drejtë”, prej të cilëve të kërkonin e të merrnin këshilla të informuara dhe inteligjente mbi shumë probleme dhe për shumë çështje të rëndësishme të ekonomisë, të kulturës dhe të politikës së brendshme e të jashtme të vendit tonë.

Kjo është pikërisht shprehja më e qartë e asaj që unë e quaj “krizë e lidershipit”. Lider i mirë nuk është ai që beson vetë se është i tillë, ose që këtë ia thonë njerëzit që mban rreth vetes dhe në shërbim të tij. Liderin e bëjnë të mirë, të mençur e të drejtë, jo fjalët që ai thotë apo mendimi që ai ka për veten e vet dhe, aq më pak ato çfarë i thonë njerëzit servilë në shërbim të tij, por veprimet që kryen, politikat që harton dhe rezultatet e tyre.

Merrni cilindo kryeministër që ka drejtuar qeverinë e republikës sonë parlamentare në këta 30 vite dhe do të shihni sa shpesh ata kanë zgjedhur rreth vetes, si bashkëpunëtorë në kabinetet e tyre qeveritarë dhe si këshilltarë njerëz jo të mençur e të drejtë, por njerëz të paditur, pa asnjë eksperiencë dhe servilë—dhe pikërisht për këtë shkak, pra se kanë qenë, ose janë të paditur dhe servilë.

Unë nuk them se të gjithë ata individë që kanë mbajtur portofole ministrorë në qeveritë e shumta të krijuara në vitet e tranzicionit demokratik kanë qenë të tillë. Unë kam njohur disa prej tyre, të cilët kanë qenë njerëz të ndershëm dhe shumë të aftë. Ky fakt, sidoqoftë, nuk e zhbën dot atë që theksova më sipër dhe që nuk është thjesht një opinion i imi i painformuar, dhe as një perceptim i përgjithshëm popullor, por një e vërtetë (relative si çdo e vërtetë, natyrisht), por që mund të konstatohet e të provohet lehtësisht.

Jo një “mbret-filozof”, por një elitë politike e mençur dhe e drejtë

Ish-kryeministri Fatos Nano mbahet mend të ketë thënë, jo pa sarkazëm, këto fjalë që duket se shprehin një të vërtetë të hidhur edhe për ata kryeministra që kanë shërbyer në këtë pozicion para dhe pas tij: “Unë i zgjedh këshilltarët e mi jo që të marr këshilla këshilla prej tyre, por që t’i këshilloj ata”. Krahasojeni këtë parim qeverisës nanoist me filozofinë e Mandelës dhe çdo diskutim do të ishte i tepërt.

Dikujt, në kushtet e Shqipërisë, fjalët e Mandelës mund t’i tingëllonin si një utopi. Mua jo. Unë besoj sinqerisht se një njeri i mençur dhe i drejtë, në krye të shumë njerëzve të tjerë të mençur dhe të drejtë, të cilët Shqipërisë nuk i mungojnë, do të përbënin një elitë dhe një klasë politike të mençur e të pakorruptuar. Me një klasë politike të tillë, Shqipëria nuk do të kishte pasur një tranzicion kaq të vështirë, të dhimbshëm e të gjatë, do të kishte bërë gjithnjë zgjedhje të rregullta, të administruara si në demokracitë e zhvilluara të Perëndimit, do të ishte sot një vend më i pasur, me një demokraci të konsoliduar dhe një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Me një klasë të tillë politike, e cila nuk do të kishte në radhët e saj kryeministra, ministra, parlamentarë dhe nëpunës të korruptuar, as nëpunës të paaftë, që do u shërbenin si gladiatorë partive të tyre, Shqipëria nuk do t’i kishte njohur as marrëzinë 1997-ës, as tragjedinë e Gërdecit, as vrasjet e 21 janarit 2011 dhe as dështimet e vazhdueshme në politikë, në ekonomi dhe në përpjekjet e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Unë nuk flas për Sokratin, as për filozofin-mbret apo mbretin-filozof të Platonit, dhe as që në një demokraci drejtimi i shtetit t’u lihet në dorë profesorëve të universiteteve dhe akademikëve, siç mendonte C. Wright Mills. Unë flas për nevojën e një elite të mençur e të drejtë, pra, të një njeriu të mençur e të drejtë, me të tjerë njerëz të mençur e të drejtë rreth tij, që t’u shërbenin jo interesave dhe mirëqenies së tyre, por interesave kombëtare dhe mirëqenies së popullit shqiptar!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi