10 mësime nga kriza Covid-19

Nga prof. Anastas Angjeli, botuar në gazetën Panorama, 25 pril 2020

Një diskutim të gjerë ka përfshirë jo vetëm çështja e Covid-19 si një problem i mjekësisë (pandemik, shëndetësor), por për shkak të pasojave që solli në ekonomi, duke shkaktuar një krizë ekonomike globale, ky debat po zhvillohet fuqishëm edhe në fushën e ekonomisë. Pandemia po vazhdon, kriza ekonomike ka filluar. Shumë mësime dhe përvoja të reja po dalin nga kjo situatë krize komplekse. Ato përfshijnë shtetin dhe politikat e tij, konceptin shoqëror mbi shëndetin dhe natyrisht ekonominë, e cila po përjeton krizën më të rëndë pas “Depresionit të Madh”. Ja disa mësime nga kjo krizë:

Mësimi i parë, është fakti se po kuptohet më mirë dhe ka nja ndërgjegjësim se ekziston një nivel shumë i lartë, aq sa nuk ishte menduar asnjëherë më parë, se sa të mëdha dhe shumë të shpejta janë lidhjet dhe bashkëveprimi në nivel global. Jetojmë në një planet të vogël dhe ajo që ndodh në një vend, në një kohë të shpejtë, prek edhe pjesën tjetër. Koronavirusi dhe kriza ekonomike globale po e dëshmon këtë dhe na imponon një bashkëpunim ndërkombëtar, një front të përbashkët në shkallë globale, për t’u përballur me pasiguritë që po përjetojmë. Edhe pse rreth kësaj çështje është shtuar edhe diskursi nëse ky nivel i globalizimit është problem apo zgjidhje (në kontekstin e përgjithshëm), të gjitha vlerësimet e deritanishme janë që fenomeni i globalizmit (në përgjithësi) është në zhvillim të vrullshëm dhe anët pozitive, avantazhet, janë shumë më të mëdha se disavantazhet, kështu që ai (globalizmi) është zgjidhje për më shumë zhvillim dhe jo pengesë. Pra, Globalizimi është Zgjidhje dhe jo Problem.

Mësimi i dytë është se gjatë kësaj krize, shteti neoliberal shfaqi disa dobësi strukturore. Kjo ka hapur diskursin për alternativat mbi kapitalizmin e sotëm dhe atë që po vjen, kapitalizmin dixhital, kapitalizmin me fytyrë më shumë sociale.

Në një krizë të tillë, sytë u kthyen më shumë nga shteti, nga qeveria dhe jo nga tregu.. Qëndrimin neoliberal për shtetin gjatë kësaj periudhe e dëshmuan disa dobësi strukturore. Ndërkohë që mendimi neoliberal shprehet qartë që zhvillimi ekonomik vlerësohet si primar, duke lënë në varësi të tij politikat e tjera shtetërore (përfshirë këtu ato shëndetësore dhe sociale) dhe për ta detyra e shtetit nuk është që të kënaqë interesat e tij, por të sigurojë kuadrin brenda të cilit mund të zhvillohet shoqëria e rregulluar nga tregu.

Por, kjo krizë, problematika dhe pasojat që po sjell, format dhe instrumentet e përdorura për përballje kërkon që ndoshta disa rregulla të ekonomisë së tregut duhet të ndryshohen, duhet të përmirësohen.. Duhet të ndërtojmë politika që luftojnë monopolet, që paraprijnë disekuilibrin mes punonjësve dhe kompanive të mëdha që operojnë në treg. Duhet të ndërtojmë një veprimtari kolektive duke nisur nga qeveritë, komuniteti i biznesit e deri te shoqëria civile, për t’u përballuar me problemet që sjellin kriza pandemike si kjo e Covid-19., që nuk mund të përballen vetëm nga tregu në kohë të vështira. Dhe kjo ka hapur diskursin tjetër nëse po shkohet drejt “kapitalizmit dixhital”, “kapitalizmit social”?

Mësimi i tretë (ndoshta shumë i rëndësishëm) është se të gjithë duhet të ndërgjegjësohen, kuptojnë dhe zbatojnë faktin se shëndeti është një e mirë publike globale dhe si e tillë duhet të garantohet dhe financohet me përparësi. Elementi i parë që ndryshoi pandemia e C-19 është konceptimi shoqëror për shëndetin publik. Kushtetutat e pothuajse të gjitha vendeve demokratike e njohin shëndetin si një “të drejtë themelore të individit” dhe mbrojtja publike e tij është një detyrë e domosdoshme. Nga pikëpamja ekonomike, shëndeti është një e mirë publike globale, sepse nuk mund të prodhohet si një produkt i shitur në treg për konsumatorët individualë. Bota dhe çdo vend kuptoi që tashmë mund të kërcënohet nga mungesa e shëndetit publik (ose, saktësisht, nga shfaqja e epidemive) në çdo kohë e pikë të planetit dhe të humbasë pa kuptuar jo vetëm nivelin ekonomik, por, mbi të gjitha, ekzistencën e saj.

Kjo pandemi vuri në pikëpyetje shumë elementë të tregut (që, siç theksova, duhen ndryshuar, zhvilluar e përmirësuar). Njerëzit filluan të kuptojnë se kërkohet një ndryshim në politika dhe prioritete, të cilat nuk mund të mos fillojnë me “një politikë ndryshe” e sistemit që vë në krye mbrojtjen e shëndetit, të vazhdojë me një “politikë të re industriale”, që të konsiderojë më shumë “Ekonominë e Gjelbër”, Ekonominë Blu”, Shkencën, teknologjinë, inovacionin.. Kështu mund të realizohet një revolucion i paparë në tregun ekonomik me në qendër shëndetin, ambientin dhe inovacionin, inteligjencën artificiale dhe robotikën, etj. Dhe që të ndodhë kjo, kërkohen ndryshime në politikat dhe prioritetet e zhvillimit dhe natyrisht më shumë financime për to.

Mësimi i katërt, është se shteti i mirëqenies dhe shëndeti publik janë faktorët kryesorë për barazinë ekonomike dhe sociale. Për sa u përket të ardhurave dhe pasurisë, si rezultat i politikave neoliberale, që nga vitet ’80 të gjitha vendet e përparuara kanë pësuar rritje të mprehta të pabarazive ekonomike dhe sociale. Pandemia e C-19 evidentoi një koncept të ri të rëndësishëm që ka të bëjë me çështjen e pabarazisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti i mirëqenies ishte një faktor thelbësor në zvogëlimin e pabarazive, pikërisht për shkak të natyrës së tij si furnizues i mallrave dhe shërbimeve bazuar në nevojat e jo në kënaqësitë. Siç është evidentuar në vite, zvogëlimi i politikave sociale, privatizimi i shërbimeve publike dhe shtrirja e tregut në zonat e mbrojtura më parë me veprim publik, ka futur mekanizma të rinj, që, veç zhvillimit të shpejtë, gjenerojnë pabarazi ekonomike dhe sociale (Franzini dhe Pianta, 2016). Në një moment të caktuar historik, në atë të vitit të “dy njëzetave”, kjo pandemi i bëri njerëzit barazisht të pafuqishëm dhe për pasojë të barabartë në mundësinë e prekjes nga kjo sëmundje. Ndoshta ky ishte një evidentim i barazisë natyrore që shoqëritë kanë. Studimet kanë vërtetuar se sa më shumë rritet pabarazia (hendeku i madh midis të pasurve dhe të varfërve), aq më shumë sundojnë kushte më të këqija sociale të shëndetit dhe mirëqenies. Një raport i Komisionit Europian nënvizon se “njerëzit me nivel më të ulët arsimimi, kualifikimesh dhe të ardhurash kanë tendencë të kenë sëmundje më të shumta dhe vdekshmëri më të lartë” (Komisioni Europian, 2017, f. 4). Çuditërisht, epidemia krijoi një gjendje të “pothuajse barazisë” përballë probabilitetit të infektimit nga sëmundja,(covid-19), niveli i të ardhurave ka shumë pak rëndësi në këtë proces dhe nuk ka asnjë mënyrë për të blerë mbrojtje individuale në treg. Barazia në sjellje dhe trajtime shëndetësore bëhet kështu thelbësore për të luftuar epideminë. Por barazia si pasojë e shëndetit publik, është një rezultat themelor i shtetit të mirëqenies, si dhe një objektiv kushtetues për gjitha vendet demokratike. Si e tillë, ajo duhet të njihet si një përparësi politike e qeverive për kujdesin ekonomik, social dhe shëndetësor për epokën e post-epidemisë. Të gjithë ekonomistët e njohur e shohin si një nga sektorët kryesorë të zhvillimit dhe investimeve publike.

Mësimi i pestë është se duhet të vijë në rritje tendenca për të konsideruar më shumë nga shkenca, nga politika, për drejtimin e shtetit. Është bërë “modë” tani në të gjithë vendet e zhvilluara, që krahas qeverive, në menaxhimin e krizës së pandemisë të veprojnë këshillat e pavarura shkencore, apo “task-forcat”. Shumë profesorë, shkencëtarë dhe intelektualë e kryetarë të komisioneve shkencore të krizës janë bërë të njohur në publikun e gjerë dhe kanë nxjerrë “në plan të dytë politikanët”. Ky fenomen kishte shumë kohë të ndodhte dhe pavarësisht se në dukje evidentonte “pamundësinë e politikanëve”, në thelb, zbatonte një kërkesë të tregut, që vendimet nuk mund të merren më vetëm me intuite politike, por bazuar në fakte, studime, të dhëna shkencore, vlerësime me shifra dhe matje statistikore dhe ekonomike. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe për daljen nga kriza e pandemisë, të gjitha vendet e zhvilluara po ndërtojnë një “task-forcë” me kompetenca të veçanta të kryesuar nga njerëz jopolitikë për të realizuar rindërtimin. Ky fenomen, përveçse është një pasojë indirekte e barazisë është njëkohësisht dhe një rrjedhojë e kërkesës së shoqërisë për bashkëpunim dhe solidaritet. Por pandemia nuk është dhe do të jetë i vetmi rast. Studimet për zhvillim, ndryshimet klimaterike, fatkeqësitë natyrore, tërmetet, përmbytjet, kanë qenë dhe mbeten të pranishme. Duhet të kuptojmë se shkenca, arsimi, teknologjia, inovacioni, inteligjenca artificiale, kërkojnë shumë vëmendje dhe investim. Pa to nuk mund t’i bëjmë ballë zhvillimit që po ndodh dhe së ardhmes, as fenomeneve të tipit të koronavirusit.. Kjo është shumë e rëndësishme. Po vërtet, a do të vazhdojë varësia e politikanëve nga shkencëtarët pas pandemisë?

Mësimi i gjashtë lidhet “me Paketat e Shpëtimit” (politikat ekonomike) që qeveritë e vendeve të prekura nga kriza e pandemisë dhe institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare rekomandojnë për kapërcimin e krizës?

Pandemia e Covid-19, recensioni ekonomik që po e shndërron situatën në një krizë ekonomike globale, i vunë në lëvizje qeveritë dhe institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare, për t’u përballur me këtë krizë. Një “lumë i tërë monetar” u vu në dispozicion nga qeveritë dhe këto institucione për të injektuar ekonomitë e tyre. Refreni i një “Plani të Ri Marshall” filloi të përsëritet nga të gjithë. U pranua nga të gjithë se: pasi të ketë kaluar kriza shëndetësore, është e nevojshme “të implementohet një paketë e plotë e masave për të stimuluar rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar aftësinë e rimëkëmbjes shoqërore. Kjo politikë duhet të përfshijë reforma strukturore për të rritur produktivitetin dhe investimet, konsolidimin e besueshëm të buxhetit afatmesëm me qëllim për të vendosur borxhin publik në një tendencë të uljes të sigurt në të ardhmen (duke lejuar fleksibilitet në përdorimin e tij për të siguruar likuiditetet e nevojshme gjatë krizës). Gjithashtu, u vu theksi se duhen marrë masa për të mbështetur shëndetin e sektorit financiar sepse ai do të karakterizohet nga lëkundje shumë të mëdha. G7, G20, qeveritë, bankat qendrore, FMN, Banka Botërore, OECD, BERZH, FED, BQE. etj., koordinuan politikat ekonomike, fiskale, monetare dhe instrumentet e nevojshme për përdorim. Edhe pse, pa dyshim shumat monetare që secili vendosi të injektojë në ekonomitë e tyre janë të ndryshme, dhe mënyrat, drejtimet, koha e përdorimit të tyre, bëjnë dallime, të gjithë bashkohen në politikat kryesore që po përdorin, të cilat kryesisht përmblidhen në: -Injektimin monetar në ekonomi;-Mbështetjen e sektorit shëndetësor dhe atij human; -Subvencionimin e pagës së punonjësve të dalë përkohësisht nga puna për shkak të pandemisë së koronavirusit; -Krijimin e fondeve për rikualifikim të punonjësve që do humbasin tërësisht vendet e punës për t’u rikthyer në tregun e punës me një orientim te ri;-Zotërimin nga Bankat Qendrore të obligacioneve të qeverive për sigurimin e likuiditetit për përballimin e financimit; -Mbështetjen e biznesit (të vogël, të mesëm e të madh) me kredi nga sistemi bankar me (garanci sovrane nga qeveria), interesa 0;. -Shtyrje afatesh në pagim taksash, sigurimesh shoqërore dhe detyrimesh për shërbime utilitare etj. Njëherësh, nevoja për përballjen e kësaj krize ekonomike globale ka nxjerrë në pah çështjen e ristrukturimit të ekonomive, të politikave, strategjive dhe prioriteteve të ekonomive. “Kriza tregon brishtësinë e zinxhirëve të prodhimit në botë dhe interesin e zhvendosjes së aseteve strategjikë si: shëndetësia, farmacia, teknologjia e prodhimit shëndetësor deri te i pajisjeve të thjeshta, por shumë të nevojshme, si ai i maskave” (Mathweu Plane, 19 mars 2020). Pra, nevoja e ndryshimeve edhe në ristrukturimin e ekonomisë në llojet dhe modelet e bizneseve, në vlerësimin e riskut të tyre, përshtatja me ekonominë dixhitale dhe me të rejat e tregut të punës, behën më të domosdoshme se kurrë.

Mësimi i shtatë është përgjigjja ndaj pyetjes: Do rrisim borxhet apo inflacionin? Kjo ishte dilema dhe pyetja bashkudhëtare e kësaj periudhe e të gjithë ekspertëve të ekonomisë dhe financave, në të gjitha shtetet e goditura nga pandemia. Kjo, për plotësimin e nevojave për likuiditet për financimin e ekonomisë për përballimin e krizës ekonomike globale. Përgjigjja: Nëse do të rrisim borxhin, do të lëmë te fëmijët tanë më shume detyrime, më pak mundësi zhvillimi, më pak patenta dhe me më shumë urime. Nëse rrisim inflacionin, do të bëjmë të varfrit më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Në një botë që COVID-19 kërkonte barazi sociale, ky vendim nuk është i lehtë. Por shumica pranojnë dhe rekomandojnë përdorimin e instrumentit të borxhit. Por kujdes konsolidimin fiskal!

Mësimi i tetë është përgjigjja ndaj pyetjes: Do rrisim borxhet apo inflacionin? Kjo ishte dilema dhe pyetja bashkudhëtare e kësaj periudhe e të gjithë ekspertëve të ekonomisë dhe financave, në të gjitha shtetet e goditura nga pandemia. Kjo, për plotësimin e nevojave për likuiditet për financimin e ekonomisë për përballimin e krizës ekonomike globale.

Përgjigjja: Nëse do të rrisim borxhin, do të lëmë te fëmijët tanë më shume detyrime, më pak mundësi zhvillimi, më pak patenta dhe me më shumë urime. Nëse rrisim inflacionin, do të bëjmë të varfrit më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Në një botë që COVID-19 kërkonte barazi sociale, ky vendim nuk është i lehtë. Por shumica pranojnë dhe rekomandojnë përdorimin e instrumentit të borxhit. Por kujdes konsolidimin fiskal!

Mësimi i nëntë ka të bëjë me zhvillimet në politiken e sigurisë globale dhe kombëtare. Edhe pse këto janë çështje të çdo shteti, të vendeve më të zhvilluara. G7, G20, aleancave (NATO) dhe organizmave ndërkombëtare të sigurisë globale, përmasat dhe implikimet shëndetësore, ekonomike e sociale, që po sjell Pandemia Covid-19, japin sinjale domethënëse për këndvështrime të reja në dokumentet strategjike të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare të vendeve dhe asaj globale.

Më në fund (mësimi i dhjetë), ka të bëjë me planet e hapjes për rifillimin normal të jetës dhe frenimin e pasojave të krizës ekonomike globale.

Ashtu si nuk ishim mësuar dhe të gjithë u gjetën të papërgatitur për përballjen me këtë pandemi dhe pasojat e saj, ashtu si kjo situatë na vuri në provë, na mësoi ta përballojmë atë, dhe po e përballojmë, duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me të, duke e luftuar, sipas një plani hapjeje gradual të mirëmenduar e mirëkëshilluar, për të minimizuar çdo pasojë njerëzore dhe ekonomike e sociale. Duhet të përgatitet e zbatohet “Hapja Graduale” duke bashkëjetuar me krizën e koronavirusit, për t’iu kthyer normalitetit në të gjitha aspektet. Dhe kujdes: Le ta shohim këtë situatë edhe si një mundësi, si oportunitet për të punuar e jetuar ndryshe.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi