Për lirinë dhe dinjitetin tonë

Nga Fatos Tarifa, botuar në Gazeta liberale, 27 maj 2020

Shumë ligjvënës tërësisht të paditur—të paditur në mënyrë të frikshme—dhe shumë të tjerë si këta, që s’janë më në parlament, as në qeveri, as në politikë, janë bërë pafund të pasur, ndërkohë që njerëzit e ditur dhe punëtorë të këtij vendi, ata që prodhojnë vlera dhe respektohen nga publiku, kanë mbetur të varfër, si dhe pjesa më e madhe e popullsisë.

Si përfunduam ne, shqiptarët, në këtë gjendje?! Si i lamë pasuritë tona kombëtare të grabiten e të bien në duart e pak njerëzve?! Si e lamë një pakicë, atë më të keqen, më të paditurën, më të padenjën, të marrë në dorë fatet tona dhe fatet e këtij vendi, të qëndrojë për vite e dekada me radhë në pozita pushteti dhe të bëjë ligjet e këtij vendi, të na vjedhë, të na shtypë ekonomikisht e të na nëpërkëmbë dinjitetin tonë si individë dhe si popull?!

Nuk ka ne Ballkan (ndoshta veç boshnjakëve), dy popuj (që për më tepër janë i njëjti komb), që të jenë qeverisur më keq nga politikanët e tyre sesa ne, shqiptaret, këtej dhe andej kufirit me Kosovën. Jemi ne, populli, apo janë ata që kemi votuar dhe lejuar të administrojne punët tona e t’u shërbejne interesava tona përgjegjës për këtë gjendje!

“Did not we play our part well?”—do të pyesnim nëse perifrazojmë Augustin.

Ç’duhet të bëjmë sa kohë që kemi ende kohë dhe shpresë se të keqen dhe krimin qe e kanë venë poshtë këtë popull, e kanë lënë pas këtë vend dhe rrezikojnë t’i rrëmbejnë të ardhmen rinisë sonë mund t’i vrasim dhe këtë vend mund ta bëjmë? Këta që janë në krye të punëve sot–dhe, më keq akoma, ata që ishin në krye deri dje dhe synojnë të kthehen në pushtet nesër–nuk kanë as dituritë, as vullnetin, as moralin dhe as të drejtën që të vendosin për fatet e një shoqërie dhe të një vendi në të cilin do të jetojnë e do të punojnë brezi i ri i sotëm dhe do të rritet brezi i sotëm i fëmijëve shqiptarë

Është koha të reflektojmë thellë. Është koha të përdorim atë fakultet që na dallon si qenie njerëzore–intelektin tonë–dhe jo t’u shkojmë pas qorrazi politikanëve demagogë. I kemi provuar të gjithë, për tridhjetë vite me radhë. E dimë fare mirë se sa keq e kanë drejtuar këtë vend, se si i kanë administruar fatet tona dhe si janë kujdesur për mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre. Shumica e tyre janë njëlloj, e njëjta racë politike, me të njëjtin moral politik të pamoralshëm.

Është koha ta shohim të vërtetën në sy dhe t’i themi JO kujtdo qe të vërtetën na e fsheh. Nëse duam të jemi njerëz vërtet të lirë e të jetojmë me dinjitet, të tillë mund të jemi vetëm nëse besojmë tek e vërteta dhe jo tek autoritetet, dhe aq më pak tek autoritetet e rremë, me ose pa pushtet. /Gazeta Liberale

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi