Pse Presidenti është i detyruar të dekretojë propozimet e Kryeministrit

Nga Endri Prifti, botuar ne Mapo, 6 nentor 2018

Në Nenin 98.1 të Kushtetutës është përcaktuar se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Në të vërehet se, nismëtari i procedurës së emërimit, ose të shkarkimit, të ndonjë Ministri, është Kryeministri, sikundër kuptohet prej frazës “me propozim të Kryeministrit”. Nisja e procedurës së emërimit, ose shkarkimit, është në vullnetin e Kryeministrit. Në qoftë se ky i fundit nuk e nis një procedurë të tillë, Presidenti as nuk mund të emërojë, por as nuk mund të shkarkojë, ndonjë ministër. Rrjedhimisht, Presidentit i takon të jetë hallka e dytë në këtë procedurë. Kështu, Presidenti nuk mund të jetë nismëtar i kësaj procedure, e për pasojë, nuk mund të veprojë, me nxjerrjen e një Dekreti për emërim, ose shkarkim, të ndonjë Ministri, në qoftë se diçka e tillë nuk i është kërkuar paraprakisht prej Kryeministrit. Sipas këtij arsyetimi, duket qartë se Kryeministri ka ekskluzivitet në shprehjen e vullnetit të tij për të propozuar : (i) fillimin e procedurës së emërimit, ose shkarkimit, të ndonjë ministri, (ii) Ministrin konkret për t’u shkarkuar, (iii) ndonjë individi konkret për t’u emëruar ministër. Në këto kushte, pra të ekskluzivitetit në shprehjen e vullnetit të tij për të propozuar, Kryeministri nuk është i detyruar, dhe as nuk mund të detyrohet, prej Presidentit, që reflektojë vullnetin e këtij të fundit, në zgjedhjet që bën për të tilla çështje. Anasjelltas, Presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë, ndikojë, dhe/ose imponohet, në ndonjë formë ose mënyrë, në vullnetin e Kryeministrit, për të tria çështjet e përmendura më sipër. Kur Kryeministri vendos të bëjë një propozim, për emërim, ose shkarkim, ai e nis procedurën në fjalë, në mënyrë të nënkuptuar, duke i bërë të njohur Presidentit vullnetin e tij, duke propozuar emërimin, dhe shkarkimin, përkatës.

Duke qenë se Presidentit, sipas arsyetimit të mësipërm, nuk i lejohet të ndërhyjë, ndikojë, dhe/ose imponohet, në ndonjë formë ose mënyrë, vullnetit të Kryeministrit, atëherë, ai, pra Presidenti, është i detyruar të dekretojë si shkarkimin, ashtu edhe emërimin, sipas propozimit të Kryeministrit, sepse kjo reflekton vullnetin e Kryeministrit. Në të kundërt, do të gjendeshim, praktikisht, përpara një situate ku Presidenti, duke mos dekretuar, tërthorazi, mund të ndërhyjë, ndikojë, dhe/ose imponojë, praktikisht, vullnetin e tij te Kryeministri. Me fjalë të tjera, në qoftë se Presidenti, nuk përmbush vullnetin e Kryeministrit, përkitazi emërimit, ose shkarkimit, të ndonjë ministri, duke mos nxjerrë dekretet përkatëse, praktikisht, ai ka zgjedhur t’i imponohet, në mënyrë të tërthortë, vullnetit të Kryeministrit, për diçka që është ekskluzivitet i këtij të fundit. Kjo është arsyeja se përse Presidenti, në rastin e emërimit, ose shkarkimit, të ndonjë ministri, duhet të veprojë thjesht si një “noter” i Kryeministrit. Në rast se ekziston bindja, nga ana e Presidentit, përkitazi papërshtatshmërisë së kandidaturës së propozuar atij, prej Kryeministrit, Presidentit, jo më kot i janë lënë dy mundësi prej Kushtetutës : (a) afati 7 ditor për dekretim, në mënyrë të tillë që (i) ta vërë në dijeni Kryeministrin për rezervat e tij, dhe (ii) të diskutojë, qoftë edhe kokë më kokë, me të, dhe në qoftë se kjo mënyrë nuk sjell rezultatin e dëshiruar prej Presidentit, atëherë, (b) ai mund të ushtrojë të drejtën e tij, në përputhje me Nenin 92 (a) të Kushtetutës, për t’iu drejtuar Kuvendit me “mesazh”, duke e shoqëruar me dekretet përkatëse, pra, pa refuzuar dekretimin e emërimit, ose shkarkimit. Sipas Nenit 7 të Kushtetutës “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Legjislativi, si një prej pushteteve, ka autoritetin kushtetues të kontrollojë pushtetin ekzekutiv, ku, midis të tjerave, mund të kontrollojë edhe përshtatshmërinë, ose jo, të kandidaturës së ndonjë Ministri, e për pasojë, ta miratojë, ose jo.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës nuk është një pushet, por një institucion. Presidenti i Republikës nuk i përket ndonjë pushteti. Është e vërtetë se pushtetet kanë në përbërje të tyre organe konkrete, të cilat nga ana e tyre, duhet të përmbushin detyrimet kushtetuese që i takojnë atij pushteti. Me fjalë të tjera, është detyre e organeve, të këtyre pushteteve, për ta përmbushur detyrimin kushtetues të kontrollit, dhe kundërpeshimit. Presidenti i Republikës, për më tepër, duke mos qenë pjesë e ndonjë pushteti, nuk mund të ushtrojë kontroll, përkitazi përshtatshmërisë së kandidaturës së ndonjë ministri, përndryshe do të ndërhynte, gjithashtu, edhe në një kompetencë tjetër, atë të kontrollit legjislativ.

Zgjidhja praktike e situatës

Në Nenin 98.1 të Kushtetutës është vendosur një numër konstant ditësh për dekretim, rrjedhimisht, ky përbën një afat është detyrues për Presidentin. Kur Presidenti nuk vepron me nxjerrjen e dekreteve, brenda këtij afati, atëherë organi që ka kryer propozimin, që është Kryeministri, duhet të njoftojë Kuvendin, për (i) propozimet që i ka bërë Presidentit, si dhe (ii) tejkalimin e afatit nga ana e tij, meqenëse sipas Nenit 98§2 të Kushtetutës, dekretet e Presidentit për emërim, ose shkarkim, e ndonjë Ministrimi, i drejtohen Kuvendit për miratim, ose jo. Në kushtet kur afati i parashikuar për dekretim, nga ana e Presidentit, është tejkaluar, atëherë nuk mund të mos nënkuptohet se, nga pikëpamja institucionale, Presidenti është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar detyrën e tij, pasi ai nuk mund të ketë asnjë arsye për të mos dekretuar emërimin, ose shkarkimin, e një ministri, përderisa Kushtetuta nuk i ka dhënë atij autoritetin për të ndërhyrë në propozimin, pra vullnetin, e Kryeministrit. Kjo situatë vjen në parashikimet e Nenit 91.1 të Kushtetutës, sipas së cilës “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij … Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”. Për rrjedhojë, Kryetari i Kuvendit, duhet të ushtrojë kompetencat e Presidentit, dhe të dekretojë emërimin, ose shkarkimin, e ndonjë ministri. Për më tepër, sipas Nenit 91§1 të Kushtetutës, nuk parashikohet, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, ndërmarrja e ndonjë veprimi, nga ana e Kuvendit, për t’ia kaluar Kryetarit të Kuvendit, përkohësisht, kompetencat e Presidentit. Kjo do të thotë se, kalimi i kompetencave bëhet vetvetiu, ose mund të zbatohet Neni 78§1, sipas të cilit “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”. Shënoj se Nenit 91.1 nuk parashikon ndonjë shumicë të cilësuar, madje, nuk parashikon fare vendimmarrje nga ana e Kuvendit. Shumica e cilësuar parashikohet vetëm në Nenin 91.2, sipas të cilit “Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan