Keqkuptimi i përhershëm i raportit ministër-kryeministër

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 1 nëntor 2018

Largimi i Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm ka hapur një debat të rëndësishëm, i cili fokusohet te raporti që ekzistonte midis kryeministrit dhe ministrit. Raport i cili, dukshëm kishte një mungesë komunikimi dhe varësie politike. Sepse, pavarësia e fituar nga Xhafaj kundrejt orientimit politik të kryeministrit, ishte kthyer në një problem për ushtrimin e pushtetit të këtij të fundit. Në këtë kuptim, ashtu sikurse është normale, ish-ministri i Brendshëm nuk mund të vazhdonte të qëndronte në detyrë në këto kushte. Pa hyrë në debatet se përse kjo marrëdhënie në rastin konkret, logjika normale politike kërkonte largimin e ish-ministrit.

Duhet të shpjegohet qartë se, pavarësia e ministrave, në kuptimin e linjës politike dhe të qeverisjes, nuk ekziston. Një ministër drejton në mënyrë administrative një dikaster të caktuar, por, kurrsesi nuk mund të jetë i pavarur në linjat politike të qeverisjes dhe jashtë orientimit politik të kryeministrit.

Ky fenomen është një keqkuptim i përhershëm, i cili vazhdon të shoqërojë politikën shqiptare. Shpeshherë akuzohen ministra të caktuar sepse janë ‘vartës’ të kryeministrit apo sepse janë gjithmonë nën urdhrat e tij. Akuza të tilla janë absurde dhe nuk kanë asnjë logjikë politike dhe kushtetuese.

Kryeministri në Republikën e Shqipërisë, sipas Kushtetutës, është përgjegjës dhe koordinon pushtetin ekzekutiv. Në këtë kuptim, politikat qeverisëse të gjithë Këshillit të Ministrave janë në pushtetin kushtetues të kryeministrit. Jo më kot, kryeministri në Shqipëri ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë ministrat.

Në fakt, ky është një pushtet që i takon kryeministrit në të gjitha republikat parlamentare. Aq më tepër kur liderët politikë që janë votuar nga qytetarët dhe më pas marrin postin e kryeministrit, kanë përgjegjësi dhe janë ata që do të japin llogari përpara tyre. Kështu që, aksesi politik që një kryeministër ka ndaj çdo ministri, duhet të jetë i plotë, pasi këtë gjë ia garanton Kushtetuta dhe logjika e demokracisë.

Prandaj, të flasësh për autonomi të ministrave ndaj kryeministrit nuk ka asnjë kuptim. Me këtë nuk dua të them se ministrat, cilido qofshin ata të jenë ‘manekinë’ por, edhe konkurrenca që shpesh herë i bëjnë pushtetit politik të kryeministrit është e papranueshme.

Në asnjë vend tjetër nuk ndodh që, një ministër të konkurrojë politikisht autoritetin e kryeministrit, Sepse, është ky i fundit që ka marrë mbështetjen e partisë dhe qytetarëve për të drejtuar vendin politikisht. Nëse ka një konflikt, apo një ministër nuk është dakord me politikat e kryeministrit, largohet nga kabineti qeveritar. Siç ndodhi në rastin e fundi me Boris Xhonson në Britaninë e Madhe që nuk ishte dakord me politikat e Tereza Meit, dhe për këtë arsye dha dorëheqjen. Nëse një ministër kërkon të konkurrojë një kryeministër politikisht, atëherë, fare mirë mund të garojë për të marrë postin e partisë dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur në dorë orientimin politik të vendit.

Mirëpo, me ministrat e Brendshëm, historia është edhe me e komplikuar. Historikisht në Shqipëri, raporti i ministrave të Brendshëm dhe kryeministrit ka qenë problematik. Kjo për faktin se personat që kanë qenë në krye të Ministrisë së Brendshme, kanë qenë gjithmonë në dilemën midis ‘nënshtrimit’ politik ndaj kryeministrit dhe konkurrencës politike ndaj tij. Sepse Ministria e Brendshme është një post që për shumë arsye, aq më tepër në Shqipëri, ka shumë pushtet. Prandaj dhe kjo marrëdhënie ka qenë gjithmonë e tensionuar.

Për të gjitha këto arsye, duhet t’i japim fund idesë se ministri duhet të jetë i pavarur ndaj kryeministrit. Këtë nuk e pranon logjika kushtetuese dhe demokratike.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan