Shqipëria të përshtasë reformat tatimore të BE-së

Nga Edland Graci, Transfer Pricing Consultant, botuar në Monitor, 28 tetor 2018

Sipas Komisionit Europian, kompanitë dixhitale po përfitojnë nga shërbimet publike, duke mos kontribuar në mënyrë proporcionale në arkat e secilit shtet. Kjo është e papranueshme në nivel institucional, pasi shtetet duan të tatojnë fitimet që nxirren në territorin e tyre, në nivel publik, pasi qytetarët po marrin më pak shërbime publike sesa duhet të merrnin nëse multinacionalet do të paguanin mjaftueshëm tatime dhe në nivel komercial, pasi kompanitë konvencionale në një territor të caktuar janë në disavantazh në konkurrencën me këto kompani dixhitale, duke paguar një nivel efektiv tatimesh shumë më të lartë.

Siç shihet, problemi i tatimit të kompanive dixhitale nuk është vetëm i Shqipërisë. Madje, vizioni i këtij problemi global nuk është ende shumë i qartë në vendin tonë, për shkak të fluksit të ulët dixhital dhe për shkak se konsumatori shqiptar nuk përdor gjerësisht rrjetet dixhitale për të blerë produkte dhe shërbime, njëlloj si konsumatori europian ose amerikan.

Ky problem nuk ka krijuar vetëm shqetësim në nivel vertikal (shtet – tatimpagues) por edhe në nivel horizontal (shtet – shtet). Kjo sepse mospagimi i tatimeve nga një kompani në një shtet të caktuar, jo vetëm zhvat të ardhurat e një shteti, por edhe pasuron të ardhurat e një shteti tjetër. Për këtë arsye, shtetet përpiqen të ruajnë ekuilibrat tatimorë dhe konkurrencën, duke ndarë të drejtën e tatimit midis tyre. Është, e thënë më thjesht, të bien dakord për rregullat e ndarjes së një torte në mënyrë proporcionale me atë çka gjithsecili ka raportuar. Por, për shkak se rregullat e tatimit ndërkombëtar janë të paaktualizuara, shtete si Irlanda, Malta, BeNeLux, BVI, dhe shtetet e konsideruara parajsa fiskale po përfitojnë pjesën më të madhe të kësaj “torte”, duke mos investuar pothuajse asgjë në “bërjen” e saj.

Historikisht, shtetet e ndajnë ndërmjet tyre të drejtën për të tatuar një individ mbi bazën e dy parimeve: rezidencës dhe burimit (origjinës). Në përgjithësi një person tatohet mbi të ardhurat globale aty ku ai ka rezidencën, me përjashtim të disa rasteve konkrete. Një nga rastet përjashtimore është Selia e Përhershme (Permanent Establishmet). Nëse kompania ka një Seli në një vend të caktuar të gjitha të ardhurat që ka nga ai vend duhet t’ia atribuojë Selisë dhe si rrjedhojë, ato të ardhura duhet të tatohen në atë vend, pra në origjinë.

Siç mund të shihet identifikimi i një Selie është një nga ushtrimet ose ushtrimi më i rëndësishëm që duhet bërë për të analizuar nëse të ardhurat e kompanisë do të tatohen në origjinë apo në rezidencë. Një kompani ka një Seli në një shtet nëse ajo ka në atë shtet një vend biznesi që të jetë fiks, nëpërmjet të cilit kryen aktivitetin e saj tregtar. Deri në vitet e fundit, identifikimi i një Selie nuk kishte krijuar konflikte të mëdha midis shteteve, ose midis shteteve dhe kompanive. Megjithatë, me boom-in dixhital, shpërthyen edhe konfliktet mbi të drejtën e tatimit të të ardhurave të kompanive bashkëkohore që kryejnë biznes nëpërmjet infrastrukturave dixhitale.

Si mund të aplikoheshin rregullat ndërkombëtare të tatimit në këto kushte të reja të tregut? A duhet t’i interpretojmë ligjet në mënyrë dinamike, duke kërkuar frymën e legjislatorit, apo duhet t’i përmbahemi në mënyrë statike redaktimit të marrëveshjeve ndërkombëtare?
Në lidhje me kompanitë dixhitale lindën pyetje si: Cili është vendi fiks i biznesit i një kompanie dixhitale? A ka kompania dixhitale një vend fiks në secilin shtet ku kryen aktivitete? A ka një kompani në Itali që i ofron një tregtari shqiptar një hapësirë për të reklamuar produktin e tij në një faqe interneti, një vend fiks biznesi në Shqipëri? A duhet të tatohet në Shqipëri (në burim) kjo kompani për fitimin që ka nxjerrë aty?

Sipas legjislacionit aktual të vendeve europiane, përfshirë edhe Shqipërinë, që ndjekin modelet e propozuara nga OECD , një kompani dixhitale nuk mund të tatohet në një shtet vetëm sepse ofron shërbimet në atë vend, dhe nuk mund të konsiderohet se ka një vend fiks biznesi në atë shtet, vetëm sepse ka një faqe interneti aty.

Megjithatë, vendet e BE-së po tentojnë të ndryshojnë këtë situatë, duke i detyruar këto kompani të paguajnë pjesën e tyre të tatimeve (fair share). Edhe Shqipëria nuk duhet të mbetet mbrapa në këto lëvizje që po ndërmerren së fundmi. Për momentin ekzistojnë dy opsione kryesore, për të detyruar këto kompani të kontribuojnë më shumë në buxhetin e shteteve në të cilat kryejnë aktivitet tregtar por nuk kanë prezencë fizike:

Shembulli i vendeve në zhvillim, të cilat janë importuese të këtyre shërbimeve dhe eksportojnë shumë pak, siç është edhe Shqipëria. Shembulli i Bashkimit Europian, që karakterizohet si një territor me nivel konsumi të lartë dhe cilësor, që nuk eksporton shërbime dixhitale në masë por në cilësi të lartë.

Në rastin e parë, shtete kryesisht në Amerikën Latine, Azi ose Afrikë përdorin si model marrëveshje për të ndarë të drejtën për të tatuar atë të Kombeve të Bashkuara (OKB). Ky model mendohet se i del më shumë në krah vendeve në zhvillim, duke u lënë atyre më shumë të drejta për të tatuar plotësisht ose pjesërisht një të ardhur që lind në territorin e tyre. Në këtë model, ndryshe nga modeli OECD, nëse një kompani jep shërbime për një periudhë relativisht të vazhdueshme (siç do të ishte shërbimet dixhitale të Airbnb, Amazone, Facebook, etj.) do të konsiderohej se kjo kompani ka një Seli në atë shtet dhe si rrjedhojë, të ardhurat e nxjerra në burim do të mund të tatoheshin nga ai shtet. Por edhe sikur të mos kishte vazhdueshmëri, me modifikimet e fundit të publikuara javën e kaluar, këto shërbime mund të klasifikohen si shërbime teknike dhe mund të tatohen në shtetin ku realizohen shërbimet (në burim).

Megjithatë, edhe pse ky model mbron interesat e vendeve ende në zhvillim siç është Shqipëria, do të ishte shumë e vështirë të ndryshoheshin mbi 40 marrëveshjet që ka Shqipëria dhe të aplikoheshin këto politika. Megjithatë kemi shembuj si rasti i marrëveshjes me Kuvajtin, që përfshin këtë specifikim, kryesisht sepse Kuvajti ndjek modelin e OKB.

Rasti i dytë është më i realizueshëm për Shqipërinë. Shqipëria mund të aplikojë ligje që ndjekin reformat e fundit tatimore në BE dhe kjo nuk do të shihej me skepticizëm nga asnjë kompani multinacionale ose nga organizata të tjera ndërkombëtare që përpiqen të rregullojnë politikat monetare dhe buxhetore të vendit tonë, duke pasur parasysh se Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë dhe pjesë e këtij integrimi është edhe adaptimi i politikave qeverisëse.

Sipas propozimit të Komisionit Europian kompanitë që ofrojnë shërbime dixhitale si shitja e hapësirave online të marketingut, platformat dixhitale të ndërmjetësimit midis përdoruesve dhe shitja e të dhënave dixhitale të përdorueseve, duhet të tatohen mbi xhiron (dhe jo mbi fitimin) që kanë në secilin shtet me shkallë tatimore 3%.
Limiti i kësaj takse do të jetë për grupe që faturojmë më shumë se 750 milionë euro, megjithatë në rastin e Shqipërisë ky limit mund të hiqej ose reduktohej ndjeshëm duke marrë parasysh rrethanat e vendit.

Hapi i radhës i Shqipërisë do të ishte anëtarësimi në forumin ndërkombëtar të OECD (Inclusive Framework on BEPS), në të cilin tashmë bëjnë pjese mbi 110 shtete, përfshirë këtu edhe fqinjin tonë Serbinë. Në këtë forum diskutohen dhe vendosen ndryshimet ligjore në lidhje me çështjet me problematike të tatimit ndërkombëtar, si ajo e kompanive dixhitale, Selitë, transferimi i çmimit dhe rrethana të tjera që do të ndihmonin vendin tonë të mbronte buxhetin e tij nga evazioni fiskal dhe zhvendosja e fitimit.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan