Pse jemi të varfër?

Nga Leonard Demi, botuar në Panorama, 15 tetor 2018

Tërësia e institucioneve shtetërore apo administrata publike menaxhojnë dhe zbatojnë politikat qeveritare, si dhe përgatitin nëpunës civilë për të punuar në sektorin publik. Ato përcaktojnë nëse një vend është i pasur apo i varfër. Institucionet shtetërore farkëtojnë suksesin  apo dështimin e vendit. Disa vende janë të varfra, pikërisht sepse institucionet favorizojnë një grusht njerëzish në pushtet dhe miqtë e tyre; drejtohen nga një grusht politikanësh, që i organizojnë marrëdhëniet shtetërore në atë mënyrë që t’u sigurojnë përfitime në kurriz të popullit që i voton. Vendet, që kanë një qeveri të përgjegjshme ndaj qytetarëve të vet, ku institucionet veprojnë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit dhe ku nga mundësitë ekonomike përfiton masa e madhe e popullit, bëhen të pasura. Studiues të administratës sonë e konstatojnë veprimtarinë për reformimin dhe fuqizimin e saj të paarrirë, si adoleshente dhe rezultatet janë propagandë pa arritje konkrete, pa tregues sasiorë dhe cilësorë dhe vinë në përfundimin se institucionet tona duhet të rindërtohen (Çabiri, 2018).

20150924_demi_rdax_275x371

Dallimet e mëdha në pabarazinë shqiptare janë të qarta për këdo, bile edhe për ata që jetojnë në zonat më të varfra të vendit dhe që nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë as internetin dhe as televizorin. Kjo situatë, që nuk ndikon vetëm në jetën e njerëzve të veçantë, shkakton zemërim, indinjatë dhe urrejtje me pasoja politike. Realiteti i sotëm i detyron shqiptarët të braktisin vendin e tyre dhe të përpiqen të përfitojnë nga standardet e jetesës dhe mundësitë që ofrojnë, kryesisht, vendet e Bashkimit Europian (Shqipëria numëron rreth 2.5 milionë banorë).

Pabarazia dhe vështirësitë e sotme ekonomike në Shqipëri vijnë, së pari, për shkak se institucionet ekonomike të vendit tonë veprojnë krejt ndryshe nga ato të vendeve europiane. Vendet e zhvilluara europiane janë pakrahasimisht më të pasura se Shqipëria, në radhë të parë, për shkak të institucioneve shtetërore politike dhe ekonomike të këtyre vendeve, mënyrës se si ato funksionojnë për të zgjidhur shqetësimet e biznesit, të qytetarëve apo të politikanëve.

Institucionet ekonomike europiane dhe të vendeve të zhvilluara perëndimore nxitin dhe sigurojnë pjesëmarrjen e gjerë të popullit në aktivitete ekonomike dhe ofrojnë mundësi të ushtrohen me sukses talentet dhe njohuritë. Me fjalë të tjera, institucionet ekonomike të vendeve të përparuara u japin mundësi qytetarëve të vet të bëjnë punën që duan dhe, nga kjo pikëpamje, konsiderohen institucione ekonomike përfshirëse apo gjithëpërfshirëse. Ato garantojnë pronën private, shtetin ligjor, si dhe shërbimet publike që sigurojnë kushte të ndershme për konkurrencë, në bazë të të cilave qytetarët mund të shkëmbejnë dhe të lidhin kontrata. Kjo mënyrë qeverisjeje u mundëson atyre të arrijnë sukses dhe sistemi të arrijë maksimumin dobiprurës nga burimet e veta njerëzore dhe materiale.

Kur institucionet favorizojnë një grusht njerëzish në pushtet dhe miqtë e tyre, rrjedhimisht pengojnë apo përjashtojnë shumicën e popullsisë të marrë pjesë realisht në çështjet ekonomike dhe politike të vendit. Zhvillimi i sotëm ekonomik i vendit tonë është i mbushur me shembuj të tillë si, p.sh.: sipas të dhënave qeveritare, vetëm 12 biznesmenë apo biznese kanë përfituar 2.2 miliardë euro nga fondet publike. Po kjo tablo shfaqet edhe në veprimtarinë e pushtetit lokal, ku 10 kompani kanë fituar 53.5% të gjithë vlerës së tenderave.

Ky grusht njerëzish, që mbështesin njëritjetrin rritin pasurinë e tyre nëpërmjet (i) fondeve publike, (ii) lejeve të ndërtimit, (iii) privatizimit të pronës publike, (iv) koncesioneve; (v) tenderave; (vi) objekteve të rëndësishme të dhëna me qira, (vi) ligje antikushtetues si rasti “Fusha”, i cili u hartua nga qeveria vetëm për një individ, (vii) si dhe shumë mënyrave të tjera më të sofistikuara.

Kjo veprimtari institucionale, historikisht, udhëheq ekonominë drejt stanjacionit. Në rastet kur ndonjë vend me të tilla institucione ka arritur njëfarë suksesi ekonomik, suksesi nuk ka qenë afatgjatë dhe nuk ka mundur të stabilizojë rritjen ekonomike. Vendet që kanë zhvillim afatgjatë e kanë arritur rritjen ekonomike paralelisht me zhvillimin gradual të institucioneve gjithëpërfshirëse, duke iu dhënë mundësi shtresave të gjera të popullsisë të marrin pjesë konkretisht në sistemin ekonomik të vendit të tyre.

Institucionet ekonomike të BE-së apo të vendeve të tjera të zhvilluara i mbështesin njerëzit të fillojnë një biznes me lehtësi, pa u përballur me pengesa të pakalueshme. Pikërisht, këto institucione financojnë projektet e tyre dhe i bëjnë ato të realizueshëm dhe njerëzit besojnë, që në krye të herës, se projektet e ëndrrave të tyre do të zbatohen. Ata u besojnë institucioneve shtetërore dhe rendit ligjor që ato sigurojnë. Institucionet politike të vendeve të tyre u sigurojnë stabilitet dhe vazhdimësi. Sipërmarrësit (po quajmë kështu të gjithë ata që merren me aktivitet ekonomik individual), nëpunësit e administratës apo edhe ata që janë tërhequr nga jeta aktive për një gjë janë të sigurt, se asnjë politikan apo parti politike nuk mund të ndryshojë rregullat e lojës apo t’i kërcënojë me mjetet e jetesës pasi të marrë pushtetin. Janë të sigurt gjithashtu, se asnjë interes i veçantë shoqëror nuk mund t’i ndryshojë drejtimin qeverisë dhe ta çojë vendin në shkatërrim ekonomik, duke pretenduar se fillon gjithçka nga e para; sepse pushteti politik është i kufizuar dhe i deleguar mjaftueshëm për të siguruar institucione që mbështesin zhvillimin dhe përparimin. Pra, ndërsa politika dhe institucionet politike vendosin se çfarë institucionesh ekonomike do të ketë vendi, institucionet ekonomike janë themelore për të përcaktuar nëse një vend është i varfër apo i begatë.

Vendet e varfra janë të varfra sepse ata që kanë pushtetin, udhëheqin vendin drejt varfërisë. Dhe këtë nuk e bëjnë gabimisht apo nga injoranca, por me qëllim. Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, duhet të shkojmë matanë çështjeve ekonomike dhe këshillave të ekspertëve, të shikojmë se si merren vendimet, kush i merr ato dhe pse këta njerëz vendosin të bëjnë atë që po bëjnë.

Institucionet e forta ekonomike gjithëpërfshirëse kanë në themel të veprimtarisë të tyre të drejtën e pronës dhe ofrimin e mundësive ekonomike jo vetëm një grushti njerëzish, por shtresës së gjerë të popullsisë. E drejta e pronës, ligji, shërbimi publik dhe liria për të lidhur kontrata dhe për të shkëmbyer varen nga shteti, i cili zotëron pushtetin e nevojshëm për të vendosur rregull, të parandalojë dhe të dënojë korrupsionin, vjedhjen apo mashtrimin dhe të zbatojë ligjin në marrëdhëniet midis kompanive apo njësive private. Një shoqëri efektive ka nevojë, gjithashtu, edhe për shërbime të tjera publike, si: një rrjet transporti dhe një infrastrukturë publike efektive të mbështesë e të nxitë përparimin ekonomik. Megjithëse shumë nga këto shërbime publike mund të sigurohen nga tregu dhe qytetarët privatë, por koordinimi në shkallë të gjerë kërkon një autoritet qendror. Kështu, shteti lidhet ngushtë me institucionet ekonomike si zbatuesi i ligjit dhe siguruesi i rendit, pronës private, kontratave dhe, zakonisht, si siguruesi kryesor i shërbimeve publike. Institucionet efektive ekonomike gjithëpërfshirëse kanë nevojë për një shtet që mbështetet dhe zbaton ligjin.

Sipas indeksit të transparencës ndërkombëtare për vitin 2017, Shqipëria është një nga tri shtetet më të korruptuara në Europë. Në Gadishullin e Ballkanit, vendi ynë perceptohet më i korruptuar se Sllovenia, Kroacia, Greqia, Rumania, Mali i Zi, Bullgaria, Serbia, Turqia dhe Kosova.

Qeveria prek shtetin për të mbajtur pushtetin dhe zhyt thellë e më thellë burokracinë shqiptare, duke e rrënuar dhe duke e zëvendësuar me partizanë politikë të përkohshëm, duke e ngarkuar me struktura joeficiente, duke shkelur rregullat që qeverisin motivimet në politikë, që përcaktojnë përkatësinë e pushtetit në shoqëri dhe kufijtë e përdorimit të këtij pushteti. Në qoftë se ky pushtet i delegohet një individi apo një rrethi të ngushtë individësh dhe pa shtrëngesa, atëherë institucionet politike kanë pushtet të pakushtëzuar dhe ky individ apo ky grusht njerëzish që ushtron këtë pushtet, kanë mundësi të ngrenë institucione ekonomike për të pasuruar veten e tyre dhe të rritin pushtetin e tyre në dëm të shoqërisë. Vetëm institucionet politike që delegojnë pushtetin gjerësisht në shoqëri dhe që ushtrimi i këtij pushteti është i kushtëzuar, janë institucione pluraliste dhe demokratike. Këto institucione nuk lejojnë që vendimet të merren nga një individ apo një grusht njerëzish, ato ia japin këtë autoritet koalicioneve të gjera.

Nuk është e rastit që ministri i Financave dhe Ekonomisë nuk i përgjigjet pyetjes së kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë pse institucionet tona ekonomike nuk tatojnë të ardhurat e një kompanie mjaft të njohur në vend.

Institucionet ekonomike gjithëpërfshirëse, si rrjedhim, ngrihen mbi themelet e hedhura nga institucione politike gjithëpërfshirëse, të cilat e delegojnë pushtetin gjerësisht në shoqëri dhe mënjanojnë përdorimin arbitrar të tij. Këto institucione politike pengojnë apo vështirësojnë uzurpimin e pushtetit dhe minimin e institucioneve gjithëpërfshirëse. Ata që kontrollojnë pushtetin politik nuk mund ta përdorin atë lehtësisht për të ngritur institucione ekonomike, që u shërbejnë interesave të tyre apo që i përdorin për interesat e tyre të ngushta. Institucionet ekonomike gjithëpërfshirëse, si rrjedhim, krijojnë një shpërndarje më të arsyeshme të burimeve, duke forcuar qëndrueshmërinë e institucioneve politike gjithëpërfshirëse.

Shtetet bien ekonomikisht për shkak të institucioneve, të cilat i mbajnë vendet e varfra në varfërinë e tyre dhe i pengojnë të zënë rrugën e rritjes ekonomike. Ky fenomen është mjaft i dukshëm, jo vetëm te ne, por në të gjithë kontinentet, kryesisht në vende si: Argjentina, Egjipti, Kolumbia, Koreja e Veriut, Siera Leone, Uzbekistani, Zimbabve e gjetkë. Këto vende kanë ndryshime historike, gjuhësore dhe kulturore, por kanë një gjë të përbashkët: funksionimin e institucioneve. Në secilin syresh, institucionet shtetërore i drejton një elitë, e cila i projekton institucionet ekonomike për të pasuruar veten apo këtë grusht njerëzish, si dhe të sigurojë jetëgjatësinë e pushtetit të vet në kurriz të shumicës së popullsisë. Historia dhe struktura shoqërore e ndryshme sjellin ndryshime në natyrën e elitave dhe në veçoritë e institucioneve përjashtuese. Por, arsyeja që këto institucione ende qëndrojnë dhe veprojnë, është vazhdimisht e lidhur me me këtë rreth vicioz, ndërsa përfshirja e këtyre institucioneve në varfërimin e qytetarëve të vet është kudo e ngjashme, edhe kur intensiteti është i ndryshëm.

Lidhja midis ekonomisë gjithëpërfshirëse, institucioneve politike dhe përparimit është themelore. Institucionet ekonomike efektive, që zbatojnë të drejtën e pronës, që krijojnë dhe zbatojnë rregulla të ndershme dhe inkurajojnë investimet në teknologji dhe arsim kanë më shumë mundësi të sigurojnë rritje ekonomike sesa institucionet ekonomike, të cilat janë strukturuar për të siguruar të ardhura nga shumica për një grusht njerëzish. Institucionet ekonomike gjithëpërfshirëse mbështeten dhe mbështesin institucione politike gjithëpërfshirëse, të cilat delegojnë pushtetin politik në mënyrë pluraliste dhe janë në gjendje të sigurojnë rendin ligjor, themelet e së drejtës për pronën dhe një ekonomi tregu gjithëpërfshirëse.

Në një sistem demokratik si i yni, procesi politik përcakton institucionet ekonomike të vendit dhe institucionet politike përcaktojnë ecurinë e këtij procesi. Kësisoj, institucionet tona politike u japin të drejtën qytetarëve shqiptarë të kontrollojnë politikanët tanë dhe të ndikojnë në mënyrën e sjelljes së tyre. Kjo veprimtari përcakton nëse politikanët janë veprimtarë të qytetarëve apo abuzojnë me pushtetin që qytetarët u kanë besuar, duke e uzurpuar atë për t’u pasuruar, për të realizuar qëllimet e veta, duke mos dashur t’ia dinë për interesat e qytetarëve. Gjithashtu, është e nevojshme të shqyrtojmë nga një këndvështrim i gjerë, veçanërisht, faktorët që përcaktojnë shpërndarjen e pushtetit politik në shoqërinë tonë, si dhe aftësinë e disa grupeve apo një grusht njerëzish që mbështesin njëri-tjetrin për të realizuar objektivat e tyre dhe që, nga ana tjetër, pengojnë shumicën të përparojë me bizneset e veta. Kështu, sipas të dhënave të Institutit të Statistikës, vitin e kaluar u detyruan të mbyllin veprimtarinë e tyre rreth 3300 biznese dhe mbetën pa papunë edhe 10 mijë vetë të tjerë.

Disa ditë më parë, dy ekonomistë amerikanë (Nordhaus dhe Romer) morën Çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike për riformulimin e faktorëve afatgjatë që ndikojnë në rritjen ekonomike: (i) faktorët mjedisorë, përfshirë ndryshimet klimaterike dhe (ii) ndryshimet teknologjike. Por ne, në radhë të parë duhet të rindërtojmë dhe të forcojmë institucionet, duke zgjeruar shërbimin civil si domosdoshmëri absolute për të garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve në bazë të ligjit si zgjidhja e vetme për të ndaluar hemorragjinë kolektive, fuqizimin ekonomik të vendit dhe të gjithë shqiptarëve.

Rrethi vicioz i sapopërshkruar e bën këtë gjë të vështirë, por, jo të pamundur dhe ligji i hekurt i oligarkisë nuk është i pamënjanueshëm. Forca kundër kësaj mënyre qeverisëse duhet të udhëheqë përpjekjet kundër saj dhe, siç ka thënë Presidenti Theodore Roosevelt: “T’i japë çdo qytetari të kësaj Republike mundësinë të realizojë vetveten për të mos qenë një kalimtar i humbur”.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan