Sëmundja shqiptare

Nga Ervis Iljazaj, botuar ne Mapo, 22 qershor 2018

“Murtaja italiane”, titullohet një libër i botuar nga radikalët e majtë italianë në vitet ‘70-80.Që nga titulli kuptohet fare mirë që kemi të bëjmë me një sëmundje, të rëndë madje. Partitokracia, ishte sëmundja për të cilën fliste ky libër. Aty kritikohej ashpër jeta politike e Italisë në ato vite, për shkak të një kulturë politike, e cila bazohej te forca e madhe që partitë politike kishin në të gjitha sferat e shoqërisë. Këto të fundit kishin uzurpuar çdo gjë: ekonominë, shoqërinë, shtetin dhe jetën kulturore në një vend i cili ka mbijetuar vetëm në saje të kulturës. Forca e tyre e madhe ishte përhapur si një sëmundje infektive dhe kontaminuese, deri në zyrat më të parëndësishme të shtetit italian. Një sistem partitokratik, që në pjesën më të madhe të funksionimit të shtetit ishte kthyer në një forcë arbitrare.

Shqipëria sot, ka të njëjtin problem, pikërisht si Italia e viteve ‘70-80. Përtej partive politike nuk ekziston asgjë. Ato janë kthyer pothuajse në institucione fetare. Nga liderët e tyre presim mrekullitë që s’do të arrijnë kurrë. Vetë ata, kanë marrë rolin e një profeti ku duhet me patjetër të besojmë. Duhet të përqafohet pa kusht dogma e tyre, në të kundërtën je duke kryer një herezi e cila ndëshkohet rëndë.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona.

Lufta midis partive dhe institucioneve “të pavarura” shpeshherë na serviret si një e mirë që forcon ndarjen e pushteteve. Ky është një keqkuptim i madh që na është krijuar, sepse në të vërtetë ky është një konflikt midis pushteteve për interesa të mirëfilltë politikë dhe jo ndarje pushtetesh që forcon shtetin e së drejtës dhe liritë tona individuale.

Ekziston një moment shumë i rëndësishëm për të kuptuar nëse institucionet janë të pavarura apo jo në një shtet të caktuar, është pikërisht momenti kur politika është në krizë. Krizave politike në vendet me pushtete të ndara iu japin zgjidhje organet e pavarura të cilat kanë pikërisht këtë si detyrën kryesore. Nëse partitë politike dhe sistemi politik funksionon në rregull, përtej “luftës” normale të ideve, atëherë institucionet e shtetit kthehen në zyra formale. Nëse jo, atëherë roli i tyre është thelbësor.

Politika shqiptare në më të shumtën e rasteve, funksionon si tension i vazhdueshëm midis forcave që e përbëjnë atë. Jo në pak raste ky tension kthehet në konflikt të ashpër dhe bllokues për gjithë jetën politike dhe institucionale, dhe si pasojë krijon një rreth vicioz të vazhdueshëm nga ku vështirë se dalim dot më.

Në momentet që politika shqiptare është në krizë, dhe kjo ndodh jo rrallëherë, gjëja e parë që vërehet është sulmi politik që zhvillohet ndaj institucioneve. Presidentë të Republikës të akuzuar si të një pale politike apo të një tjetre, vendime gjyqësore si të njëanshme deri edhe në protesta ndaj tyre, janë bërë tashmë pjesë normale e ligjërimit politik. Kjo është një shenjë e qartë sesa pak besim kemi tek ato për faktin se pjesa më e madhe e tyre është kthyer si organ i një partie të caktuar. Jo vetëm që këto institucione nuk u japin zgjidhje krizave politike, por ato vetë kalojnë në krizë si pasojë e saj.

Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis partisë-shtet në kohën e komunizmit dhe shtetit të partive që kemi krijuar sot, prandaj, ato duhen mbajtur gjithmonë nën kontroll. Kemi nevojë urgjente për t’i reformuar duke u nisur që nga organizimi i tyre, funksionimi dhe financimi. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për një ligj organik, i cili të përforcojë principet demokratike që konstituentët tanë kanë vendosur jo pa qëllim për funksionimin e tyre. Është një paradoks që ato kanë funksione publike dhe funksionojnë me logjikë private. Le t’i kthejmë në institucione publike që nënkupton hapjen e tyre ndaj opinionit dhe mekanizmave të fortë kontrollues. Vetëm kështu, shteti i partive do të ishte i pranueshëm.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi