Projektligji për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit”,Hodaj: Nuk është thjesht fshesa e radhës

Sipas mediave, 7 shkurt 2018

 

Sot Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si vetingu.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha se qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. 

“Në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes”, tha Hodaj.

“Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet kur brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve”, theksoi ai.

Ky projektligj përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Hodaj tha se është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin.

“Janë konsideruar me kujdes të gjitha aspektet organizative dhe financiare, për një proces të paanshëm, cilësor e transparent, të shpejtë në kohë dhe me kosto të përballueshme pasi procesit do ti nënshtrohen rreth 13,000 punonjës.

Drafti u hartua me bashkëpunimin dhe këshillat e vyera të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, PAMECA dhe ICITAP, të cilat ishin pjesë e grupit të punës që nga fillimi”.

Projektligji ka kaluar edhe një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke filluar nga konsultimi me vetë punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës e SHÇBA, për të kaluar në konsultimin me përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe përfaqësive apo misioneve diplomatike prezentë në Shqipëri.

Hodaj tha më tej se Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.

“Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vetingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi.

Ministria e Brendshme falënderon të gjithë ata që kontribuan në hartimin e këtij projektligji për qasjen pozitive, konstruktive dhe për kontributet e dhëna në përmirësimin e cilësisë së kësaj nisme”, theksoi zv/ministri i Brendshëm.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan