Reforma Administrative dhe “Shteti i vogël” i qeverisë Rama 2 është me vonesë

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 19 janar 2018

Siç është bërë tashmë zakon, Edi Rama ka zhvilluar një takim publik me drejtorët e hipotekave, duke u kërkuar atyre të jenë korrekt dhe të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarëve. Nëse Shqipëria do të ishte një vend normal, takime të tilla publik do të konsideroheshin absurde, për faktin se, t’iu kërkosh punonjësve të administratës të zbatojnë ligjin dhe të jenë të ndershëm në punën e tyre, është një funksion normal i qeverive dhe s’duhet të bëjë aspak lajm. Megjithatë, Kryeministri gjeti rastin në këtë takim të rikujtonte reformat e administrative të ndërmarra nga qeveria Rama Dy, një nga të cilat është edhe bashkimi i ALUIZNI-t me Hipotekat, që është në proces.

Në fakt, e gjithë reforma administrative që ndërmori qeveria Rama dy, është me vonesa dhe është larg zbatimit të saj, duke përbërë në këtë mënyrë një paqartësi në shërbimet publike, paqartësi që krijon kosto për biznesin dhe qeverisjen në përgjithësi.

Një nga problemet më të mëdha që ka patur Shqipëria gjatë tranzicionit, është padyshim mungesa e një administrate publike efikase, e cila ka qenë një nga pengesat e zhvillimit ekonomik. Është e kotë të flasim për sistem fiskal progresiv apo të sheshtë nëse një vend i caktuar nuk ka një administratë efikase që të kthejë taksat e qytetarëve në shërbime që i nevojiten komunitetit.

Një nga gjërat pozitive të qeverisë Rama 2, ishte pikërisht reforma administrative që ajo ka shpallur si objektivin kryesor të saj. Në fakt, reforma e administratës publike ishte i vetmi premtim elektoral i Ramës në zgjedhjet e 25 qershorit dhe, në këtë kuptim është i detyruar ta çojë deri në fund atë.

Mirëpo, nëse vërtet në këtë mandat të Ramës do të kemi një shtet të vogël dhe efikas mbetet për t’u parë, pasi numri i vogël i ministrive dhe agjencive administrative nuk përkthehet automatikisht në një shtet të tillë, sepse mund të kesh një qeveri të vogël dhe rritje shpenzimesh apo procedurash. Shtet i vogël është koncept dhe kulturë në marrëdhëniet midis pushtetit dhe qytetarëve.

E rëndësishme në këtë proces të reformës administrative që ka nisur, është çështja e kohës. Që ajo mos të kthehet në një proces të stërzgjatur i cili do të dëmtonte shërbimet që ofron shteti ka nevojë për një fazë tranzite relativisht të shkurtër. Nëse kjo fazë do të jetë zvarritëse, siç ndodh shpesh me reformat shqiptare, kostot në ekonomi dhe shoqëri janë më të mëdha sesa lënia e saj në gjendjen që është sot.

Sigurisht, që një transformim i tillë rrënjësor për shërbimet publike, ka nevojë për kohën e tij, por zakonisht ajo që e dëmton çdo proces të tillë është vullneti dhe siguria politike me gjithë koniunkturat e saj.

Në këtë rast është e udhës një vendimmarrje e fortë politike për të çuar sa më shpejt drejt realizimit përfundimtar reformën administrative.

Përtej kohës teknike që kërkon reforma, nuk duhet humbur asnjë minutë në aplikimin e saj të plotë. Vetëm nëse ndërtojmë një administratë publike, e cila të jetë e aftë të dëgjojë dhe shikojë nevojat e shoqërisë dhe t’iu përgjigjet atyre në kohën dhe mënyrën e duhur, do të kemi mundësi të mendojmë për raportin e ri që duhet të ekzistojë midis shtetit dhe shoqërisë, i cili duhet të futet në një dimension të ri në funksion të zhvillimit.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan