Pluralizmi dhe Liberalizmi: Dy koncepte mbështetëse apo përjashtimore midis tyre?

Nga Gerti Sqapi, botuar në Mapo, 27 dhjetor 2017

Një nga çështjet më të debatuara në fushën e teorisë politike ka qenë dhe mbetet debati rreth pluralizmit dhe lidhjes së tij të mundshme me liberalizmin. Këto dy koncepte, sigurisht përbëjnë dy kategori teorike qendrore më vete në fushën e teorisë politike, po të kemi parasysh zhvillimin e debateve brenda tyre, si dhe pranimit apo kundërshtimit që i është bërë idesë së tyre në terrenin politik. Nisur edhe nga përkufizimet apo kuptimet e ndryshme që autorë të ndryshëm (shih p.sh. George Crowder, 1994; John Gray, 1996) i japin këtyre dy koncepteve, ato shpesh kanë teorizuar një tension dhe papërputhshmëri në marrëdhënien midis pluralizmit dhe liberalizmit. Përkundrejt qëndrimeve të ndryshme të këtyre autorëve, dhe duke u fokusuar kryesisht te qëndrimi dhe argumentet që paraqiten nga Isaiah Berlin, këtu argumentojmë se në teori dhe praktikë ekziston një lidhje dhe marrëdhënie mbështetjeje e përbashkët midis pluralizmit dhe liberalizmit. Pra se, parimet kryesore që pluralizmi mbron, të tilla si pluralizmi i vlerës, pabashkëmatshmëria, konceptimet e shumta të së mirës etj., e gjejnë veten më së miri në kontekstin e një shoqërie liberale.

Parimet e pluralizmit të vlerës dhe bashkëmatshmërisë së tyre ishin qendrore në ekzaminimin e Isaiah Berlin të marrëdhënies midis liberalizmit dhe pluralizmit. Për Berlinin (1969), ekziston natyrshëm një pluralitet vlerash dhe besimesh të ndryshme te njerëzit, të cilat po natyrshëm konfliktohen, bien ndesh me njëra-tjetrën, dhe të cilat nuk mund të reduktohen dot te njëra-tjetra. Këtë, ai e merr si një të vërtetë konceptuale, dhe kur na thotë në qëndrimin e tij se: “ndërmjet komponentëve të ndryshëm që pluralizmi përmban, më thelbësorja është të argumentosh se vlerat janë plurale që do të thotë se ato as nuk janë forma të, dhe as nuk e kanë prejardhjen e tyre prej një burimi të vetëm”. Dhe nisur nga kjo, nga ideja se nuk kemi një burim apo një zanafillë të vetme prej nga ku vlerat burojnë, ne kemi edhe pretendimin e justifikimit të ekzistencës dhe të objektivitetit të këtyre vlerave, besimeve të ndryshme ku gjithsecili beson apo dëshiron të besojë si qëllime fundore për jetën e tij/saj. Në fakt, kjo duket qartë edhe në përkufizimin që Isaiah Berlin i bën pluralizmit në veprën e tij të famshme The Crooked Timber of Humanity (1990), si “konceptimi se ka përfundime të ndryshme që njeriu mund të shohë dhe prapë se prapë të jetë plotësisht racional, plotësisht njeri, të aftë për të kuptuar njëri-tjetrin, dhe të simpatizojnë dhe të marrin dritë nga secili”.

Një tjetër pikë e rëndësishme që pluralizmi mbron, dhe që në thelb ka të bëjë po me justifikimin e ekzistencës dhe pretendimin e objektivitetit të vlerave të ndryshme, ka të bëjë me pabashkëmatshmërinë dhe pakrahasueshmërinë e këtyre vlerave. Duke qenë se për Berlinin, pluralizmi është në radhë të parë dhe esencialisht një teori e pabashkëmatshmërisë së vlerave të ndryshme, na duhet të ndalemi ta shpjegojmë atë. Pabashkëmatshmëria merret për të thënë se nuk ekziston një shkallë e vetme njësish së vlerave në terma të të cilave vlera të ndryshme mund të maten. Ky term shpesh merret për të kuptuar edhe pakrahasueshmërinë – idenë se gjërat, në këtë rast vlerat, nuk mund të krahasohen midis tyre. Këto dy terma janë të rëndësishme në analizën që i bëhet pluralizmit, pasi ato na sugjerojnë edhe se: së pari, nuk mund të ekzistojë një listë të mirash apo vlerash e dhënë apriori dhe të renditura në mënyrë hierarkike, në bazë të të cilës mund të matesh, vlerësosh apo të tregosh vlefshmërinë e secilës prej tyre; nga ana tjetër, duke qenë se konceptimet e së mirës, qëllimeve fundore nga njerëzit janë të ndryshme, ato mund të jenë edhe të papërputhshme, dhe si të tilla janë edhe të pakrahasueshme midis tyre, dhe duhet të lihen të ndiqen lirisht nga “besimtarët” e tyre.

Tani të dalim te çështja se si pluralizmi dhe parimet që ai presupozon, lidhen me liberalizmin. Për mbrojtësit e idesë se ka një lidhje të logjikshme midis tyre, në zemër të argumentit se liberalizmi dhe pluralizmi përputhen është pretendimi se pluralizmi i vlerës – pabashkëmatshmëria dhe konceptimet e shumta të së mirës – është pika fillestare e liberalizmit (Schlosberg: 2006). Dihet që për liberalizmin, pavarësisht interpretimeve të ndryshme që mund t’i bëhen dhe që çojnë në drejtime të ndryshme, parimi kryesor, vlera themelore qendrore për të është liria: e kuptuar kjo si një liri për të vepruar, liri për të zgjedhur, liri për individin për të ndjekur qëllime fundore të ndryshme për jetën etj. Pikërisht këtu, është pika ku pluralizmi i vlerës merr rëndësinë e saj specifike, pasi presupozon se individët duhet të jenë të lirë për të njohur dhe për të ndjekur të gjitha vlerat e vërteta dhe gjenuine që ato besojnë. Pra, shohim se kemi një përputhshmëri midis idesë së pluralizmit të vlerës dhe asaj së lirisë së individëve (e kuptuar kjo më së tepërmi në konceptimin negativ të saj). Parimet liberale shërbejnë si realiteti empirik i pluralizmit të vlerës. Idealisht, një shoqëri pluraliste liberale “do ta organizonte veten rreth parimit të përshtatjes maksimalisht të mundshme të mënyrave legjitime të ndryshme të jetesës” (William Galston, 2002). Pra, se ajo do t’i toleronte këto mënyra të ndryshme jetese dhe do të garantonte edhe një përshtatje sa më maksimale të mundshme të tyre brenda kontekstit të një shoqërie.

Lidhur me këtë, vlen të përmendet gjithashtu edhe një vlerë tjetër e liberalizmit, ajo e autonomisë, që gjen dhe ajo përputhshmëri dhe përkrahje në kontekstin e një shoqërie pluraliste. Autonominë mund ta kuptojmë si pasjen e një hapësire brenda së cilës individi/apo grupet janë të lirë të zhvillojnë besimet e tyre dhe të veprojnë në mënyrën se si ato e mendojnë më të mirën e mundshme për ta, pa qenë të detyruar apo të shtrënguar nga faktorë apo instanca të jashtme. Që vlera liberale e autonomisë e gjen veten, dhe ko në mënyrë të logjikshme, brenda një shoqërie pluraliste këtë e thekson edhe Galston (2002): “vlera liberale e autonomisë mund të realizohet vetëm në një shoqëri pluraliste, dhe kështu vlerësimi i autonomisë çon edhe në vlerësimin e pluralizmit moral… Pluralizmi moral, argumenton ai, mbështet ekspresivisht rëndësinë e lirisë në një mënyrë që teoritë moniste nuk e bëjnë’’. Pra, autori na thotë këtu se një vlerësim i autonomisë vetjake dhe/ose të grupit natyrshëm çon edhe në vlerësimin, ose të paktën në një pranim, të mënyrave të ndryshme të të parit të gjërave nga të tjerët, të mënyrave të ndryshme të të vepruarit, të gjykuarit etj. Dhe një gjë e tillë, mund të ndodhë më së miri vetëm në kontekstin e një shoqërie pluraliste liberale.

Një argument tjetër që tregon lidhjen midis pluralizmit dhe liberalizmit ka të bëjë edhe me rëndësinë që ato, të dyja, i japin bërjes së zgjedhjeve nga individi. Siç theksuam më lart këtu, ka një konflikt të natyrshëm midis vlerave dhe mënyrave të ndryshme të jetesës që janë çështje me të cilat pluralizmi merret, dhe mbi të cilat individët u kërkohet që të bëjnë zgjedhje. Dhe pikërisht bërja e këtyre zgjedhjeve, të cilat përcaktojnë edhe natyrën e asaj çka ne jemi, çka ne bëjmë, bëhen më së miri në kontekstin e një shoqërie plurale dhe të lirë. Këtë ka ndërmend Isaiah Berlin (1990) kur thotë se: “pluralizmi është konteksti më i mirë për bërjen e zgjedhjeve sepse njeh si pabashkëmatshmërinë dhe rivalitetin përmes vlerave”. Kjo sepse, në këtë rivalitet apo konfliktualitet mes vlerave të ndryshme, pluralizmi i përmbahet idesë se nuk mund të ekzistojë një zgjedhje/një përgjigje e saktë dhe e vetme që t’i shërbejë njëherësh të gjitha vlerave dhe interesave që njerëzit kanë, ndaj ato duhet të lihen të lirë për të zgjedhur apo për të ndjekur ato vlera që ato besojnë se janë më të mirat për ta.

Një argument tjetër që parashtrohet në lidhjen midis pluralizmit dhe liberalizmit, është ai që ka të bëjë me grupin (grupet) ku individët bëjnë pjesë, si dhe njohjen e diferencave midis këtyre grupeve. Ndërsa pranohet se mendimi pluralist përgjithësisht është më i fokusuar te grupi, e njeh rëndësinë që ai ka në formësimin e identitetit dhe të sjelljeve të individëve që e përbëjnë atë, si dhe vlerëson dhe i legjitimon variacionet e vlerave, besimeve, mënyrave të ndryshme të jetesës që karakterizon grupet e ndryshme, kritikat që i adresohen liberalizmit në këtë pikë, dhe që pretendohet se edhe e shkëpusin atë nga lidhja me pluralizmin, kanë të bëjnë me natyrën individualiste të tij, mungesën e sociales në kuptimet liberale, apo mungesën e një terreni të ndërmjetëm midis individëve dhe shtetit, e cila është në esencë një mungesë njohjeje e diferencave dhe e autonomisë së jetës së grupit. Megjithatë, supozime të tilla duket se nuk pranohen nga autorë pluralistë liberalë, që pretendojnë se liberalizmi nuk i shërben vetëm individit apo individualizmit në shoqëri, por në përgjithësi ai u shërben edhe grupeve si të tilla. Këtë gjë kuptojmë nga William Galston kur na thotë se: “Liberalizmi kërkon një supozim të fuqishëm, megjithëse të kundërshtuar, në favor të individëve dhe të grupeve për t’i drejtuar jetët e tyre ashtu si ata e gjykojnë të arsyeshme, brenda një game të gjerë variacioni legjitim, në përputhje me të kuptuarit e tyre të asaj çfarë i jep domethënie dhe vlerë jetës”. Për Isaiah Berlin, kjo liri dhe njohje e vetëpërcaktimit në një shoqëri liberale nuk është vetëm për individët, por edhe për grupet. Pra, në mënyrë eksplicite kuptojmë nga këto rreshta një mbrojtje që i bëhet liberalizmit në këtë pikë duke pretenduar se ai i shërben edhe grupeve të ndryshme që përbëjnë shoqërinë, njeh larmishmërinë e tyre, si dhe vetëpërcaktimin e tyre në bazë të asaj që ato shohin se i jep vlerë dhe domethënie jetës së tyre, pa pasur këtu implikimet e ndërhyrjeve që mund të vijnë nga jashtë (grupit).

Është pikërisht nga konteksti i lirisë që mbrohet nga liberalizmi, që pluralizmi merr edhe rëndësinë e saj specifike, pasi presupozon se individët duhet të jenë të lirë për të njohur dhe për të ndjekur të gjitha vlerat gjenuine që ato besojnë. Siç edhe Peter Lassman (1999) me mprehtësi ka theksuar: “është e vështirë të shohësh se si çdokush do të pranonte pluralizmin nëse më parë ato nuk i kanë pranuar vetë idetë liberale”. Pra, siç edhe argumentuam në këtë artikull, shohim se ka një lidhje, një marrëdhënie mbështetjeje të përbashkët midis pluralizmit dhe liberalizmit, që e gjen (mund ta gjejë) veten edhe në një bashkëjetesë në terrenin praktik në një shoqëri të caktuar.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan