Po vjen Republika Gjyqësore, a do të jetë më mirë?

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 29 dhjetor 2017

Largimi i Adriatik Llallës nga posti i Kryeprokurorit të Përgjithshëm, dhe emërimi i Arta Markut, është mbyllja e një cikli të gjatë të tranzicionit shqiptar në marrëdhënien midis politikës dhe drejtësisë. Gjatë gjithë tranzicionit, kjo marrëdhënie ka qenë e dominuar totalisht nga politika, duke nënshtruar organet e drejtësisë plotësisht.

Politika shqiptare e ka kuptuar që drejtësia po largohet prej kontrollit të saj, dhe për këtë arsye është tensionuar, tension i cili duket qartë në çdo veprim të saj që nga koha kur të detyruar, votuan unanimisht Reformën në Drejtësi.

Në këtë kuptim, autonomia e pushtetit gjyqësor, është duke u instaluar plotësisht, dhe nuk ka më asnjë dyshim për këtë. Po të shohësh më vëmendje të gjitha organet e drejtësisë, formimin dhe funksionimin e tyre, të krijohet ideja e një Reforme që me shumë mundësi nuk ekziston në asnjë vend tjetër.

Të gjithë mekanizmat kushtetues të reformës, krijojnë një autonomi totale të drejtësisë, duke e bërë atë të pavarur nga politika. Të gjithë ata që kanë dyshime për këtë gjë, mjafton të lexojnë reformën, dhe do të kuptojnë që, jo vetëm që ajo krijon autonomi të gjyqësorit, por nga mënyra se si është ndërtuar ka rrezik të krijojë atë që quhet Republikë Gjyqësore.

Nëse deri më tani, kemi patur pushtetin politik që kontrollonte drejtësinë, me shumë mundësi, me këtë reformë, drejtësia është ajo që dominon raportin me politikën.

Efektin e parë, ky ndryshim raporti e ka dhënë që tani. Qartësisht klasa politika shqiptare ndihet e rrezikuar, sepse, nuk mjafton më vota popullore për të fituar dhe për të gëzuar pushtet, por ekziston dhe një element tjetër i rëndësishëm, që është kontrolli juridik mbi atë politik.

Në një shtet të së drejtës së shëndoshë dhe funksionale, është e rëndësishme që pushtetet të jenë të ndara dhe mekanizmat e kontrollit dhe kundër kontrollit të jenë të balancuar.

Me këtë Reformë, qartësisht balanca e pushtetit kalon te pushteti gjyqësor. Po të kemi parasysh që politika nuk ka më imunitet, atëherë ky zhbalancim në favor të pushtetit gjyqësor theksohet edhe më shumë.

Nga etja për drejtësi, që iu ka munguar qytetarëve shqiptarë gjatë këtyre dekadave, një Reformë e tillë është normale të mbështetet plotësisht nga ana e tyre. Për këtë arsye autorët e saj e kanë shumë të lehtë ta promovojnë atë si gjëja më e rëndësishme që i duhet Shqipërisë. Megjithatë, është po aq delikate nëse kalojmë nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Nga një politikë që kontrollonte totalisht drejtësinë, në një drejtësi që mund të përdoret për betejën politike. Raporti midis drejtësisë dhe politikës, është një raport delikat për të ndërtuar një shtet demokratik, dhe nëse nuk ndërtohet një raport, sipas parimit Check and Balance, atëherë vihen në dyshim parimet e ndarjes së pushteteve.

E megjithatë, Reforma në Drejtësi, është një kusht i domosdoshëm për të rindërtuar nga e para një pushtet, i cili deri më ka qenë një nga pushtetet më të korruptuara të tranzicionit shqiptar. E rëndësishme është që kjo reformë të ketë si synim kryesor dhënien e drejtësisë, dhe jo instalimin e një korporate magjistratësh, që mund të ndikojnë në pushtetet e tjera.

Sepse, politika dhe drejtësia duken si dy rrugë paralele që nuk takohen kurrë, duke na dhënë përshtypjen e një bashkëpunimi, që në shumë raste është më shumë iluzion sesa e vërtetë. Ashtu sikurse drejtësia nuk heziton të vendosë instrumentet e saj në shërbim të politikës, në të njëjtën mënyrë politika, në emër të mbrojtjes së lirisë dhe realizimit të drejtësisë arrin deri në eliminimin e kundërshtarit politik. Dy pushtete të ndryshme, që historikisht janë në përplasje me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë pashmangshmërisht të lidhura po aq fort.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan