Parlamentarizëm apo biznes politik

Nga Elvis Zaimi, botuar në Panorama, 1 nentor 2017

Neni 1.1 i Kushtetutës e deklaron Shqipërinë “republikë parlamentare”, përkufizim që i referohet nocionit juridiko-kushtetues mbi formën e qeverisjes dhe të shtetit. Në tekstin e tij, ky formulim të sjell ndërmend  atë të nenit 1 të Kushtetutës gjermane të Vajmarit, që e shpallte Gjermaninë njëkohësisht shtet demokratik dhe republikan. Ky nen përpiqet të sigurojë themelin e legjitimitetit të teorisë politike dhe jurisprudencës kushtetuese, d.m.th., se çdo aspekt i jetës publike që nuk është demokratik është edhe antikushtetues.

Në të dyja rastet, si ai i Shqipërisë, ashtu edhe i Gjermanisë së Republikës së Vajmarit, demokracia edhe parlamentarizmi, të sanksionuara me Kushtetutë, nuk ishin rezultat i një zhvillimi organik historik, apo vetëlegjitimimi politik, ndaj më i rëndë- sishëm sesa përkufizimet formale në tekstet e kushtetutave përkatëse, është realiteti përmbajtësor i qeverisjes dhe i shtetit të vendosur në kontekstin historik, d.m.th., pyetja më kryesore është nëse zbatimi faktik i nenit 1.1 të Kushtetutës shqiptare, d.m.th., nëse jeta politike që zhvillohet brenda Parlamentit justifikon dhe u përgjigjet aspiratave kushtetuese që synojnë t’i japin kahje demokratike proceseve shoqërore dhe historike, duke përdorur si instrument të demokracisë përfaqësuese parlamentarizimin.

Në këtë kuptim, shpreh pikëpamjen se termi “republikë”, i përdorur në nenin 1.1 të Kushtetutës sonë, më tepër sesa ekzistencës ose jo të një mbreti në skemën kushtetuese të qeverisjes, i referohet parimit të barazisë para ligjit të të gjithë qytetarëve shqiptarë në një komunitet të përbashkët politik, d.m.th. atij të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, brenda të cilit çdo qytetar është i ndërgjegjshëm për varësinë e ndërsjelltë që ka liria dhe mirëqenia e tij me atë të çdo qytetari tjetër, e cila të çon në konkluzionin logjik të idesë së vetë shtetit si një e mirë e përbashkët për të gjithë qytetarët, e lidhur kjo me vetë origjinën latine dhe romake të termit republikë-”res publica”, pra ajo që u përket të gjithëve.

Në kontekstin shqiptar, pyetja konkrete që duhet të shtrohej është nëse a shfaq shoqëria shqiptare tiparet e një republikanizmi qytetar, pra nëse janë të gatshëm qytetarët shqiptarë që lirisë së tyre personale t’i japin drejtimin e një lirie kolektive politike, d.m.th. ta shohin lirinë e tyre të përmbushur në një shoqëri dhe shtet të përbashkët, në një komunitet politik që zhvillohet dhe evoluon në interes të një të mire objektive të përbashkët. Në Europë, edhe monarkitë parlamentare, si p.sh. Anglia, Holanda, etj., sipas William Bagehot, gazetarit dhe konstitucionalistit të shquar anglez, janë “republika të maskuara”, d.m.th., atje Monarku si kreu i shtetit shërben vetëm për t’i dhënë dinjitet shtetit, ndërkohë që funksionet kryesore të qeverisjes i përmbushin njëlloj si në republikat, parlamenti dhe ekzekutivi.

Pra, republikanzimi është një traditë e përbashkët europiane, i cili më shumë se formën e shtetit, zbulon parimet themelore të filozofisë politike shtetformuese. Ai ka në qendër të tij individin, të konceptuar në kulturën klasiciste dhe humaniste të Rilindjes Europiane, e cila ngriti në piedestal lirinë e individit, dhe mbi bazën e këtij koncepti për herë të parë përvijoi “identitetin e një qytetari europian”, pavarësisht kombësisë së tij. Me po të njëjtën forcë, republikanizmi refuzon edhe liberalizimin ekstrem dhe neutral ndaj vlerave morale, duke theksuar idenë e përgjegjshmërisë së qytetarit të integruar në një shoqëri dhe shtet demokratik.

Në këtë drejtim është interesante të vihet re se neni 1.1 i Kushtetutës nuk e përkufizon shtetin shqiptar thjesht si “republikë”, por si “republikë parlamentare”, e cila e interpretuar tekstualisht, nënkupton se parlamentarizimi shihet si instrument për të arritur drejt një shteti demokratik, ku parlamentarizmi është i asimiluar te parimi i demokracisë përfaqësuese, dhe republikanizimi nënkupton sistemin demokratik-parlamentar. Pra, themeli i ushtrimit legjitim të pushtetit politik dhe juridik sipas Kushtetutës është Parlamenti, i cili e përmbush këtë funksion nëpërmjet rolit të tij ligjvënës.

Vetë rendi juridik ka në qendër parimin e ligjshmërisë, por parlamentarizimi e identifikon ligjin jo me urdhrin, por me autoritetin e një të vërtete që është fryt i dialektikës demokratike, d.m.th. i kundërvënies së hapur të argumenteve. Veritas, non Autoritas facit LegemE vërteta dhe jo urdhri e bën ligjin. Thënë ndryshe, në një shtet demokratik, ata që qeverisin popullin nuk urdhërojnë, por i shërbejnë interesit publik, duke e justifikuar këtë vazhdimisht me argumente racionale.

Nëse mbajmë parasysh se Shqipëria nuk e ka pasur eksperiencën historike të një republikanizmi të mirëfilltë demokratik, pohim me të cilin kam parasysh “republikën autoritare” të Ahmet Zogut, “republikën kukull” të komunizmit, dhe republikën e paqëndrueshme të tranzicionit ku funksionet e qeverisjes dhe të shtetit shqiptar kanë qenë larg standardeve të duhura të demokracive euroatlantike, neni 1.1 i Kushtetutës shpreh dëshirën e ligjvënësit kushtetues që Shqipëria të zhvillojë një traditë të plotë të parlamentarizimit, por edhe besimin se parlamentarizimi është instrumenti më i mirë i qeverisjes demokratike, në kontrast me format monarkike dhe presidenciale të shtetit, që janë të prirura drejt ndërtimit të një skeme ku pushteti në drejtimin e shtetit ushtrohet sipas modeleve autoritare.

Në këtë mënyrë, ligjvënësi kushtetues e sheh parlamentarizmin si instrumentin që i jep një zgjidhje pajtuese asaj që është sfida e ndërtimit të një rendi republikan, harmonizimit të lirive individuale me të mirën e përgjithshme, duke krijuar “frymën republikane”, d.m.th. sensin e të mirës së përbashkët si një vlerë objektive shtetformuese. Nëse do të perifrazoja një shprehje të oratorit dhe shtetarit francez të shekullit XIX Guizot, parimi demokratik përcakton formën republikane të qeverisjes, ndërsa forma republikane e shtetit, e përkufizuar formalisht në Kushtetutën shqiptare, duhet të manifestohet realisht në një qeverisje demokratike.

Edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me vendimet e saj Nr.25/2009 dhe Nr.44/ 2011, e sheh Parlamentin si organi ku formohet vullneti politik i sovranit, d.m.th. e sheh parlamentarizmin të asimiluar te parimi i demokracisë, duke vlerësuar se nga parimi i demokracisë përfaqësuese rrjedh detyrimi që, deputeti, mandatin e besuar nga zgjedhësit ta ushtrojë lirisht.

Ky argumentim parimor i Gjykatës Kushtetuese shërben edhe si justifikim për institucionin e Parlamentit, si mjeti më i mirë për arritjen e demokracisë përfaqësuese, d.m.th. për formësimin e vullnetit politik të sovranit nëpërmjet diskutimeve të hapura, të cilat nuk duhet të shndërrohen në formalitete boshe, të zhveshura nga përmbajtja e tyre, d.m.th. në diskutime që u mungon logjika e argumentit dhe dialektikës demokratike, dhe si të tilla të paafta të prodhojnë një vullnet që reflekton të “mirën e përgjithshme”, pra diskutimet parlamentare, nëpërmjet të vërtetave që prodhojnë, duhet të përbashkojnë edhe individë me pozicione të ndryshme shoqërore dhe politike.

Mirëpo, a e ka justifikuar parlamentarizmi shqiptar këtë besim të ligjvënësit kushtetues. Natyrisht që kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet një përgjigje shteruese në një artikull të shkurtër, por do të mjaftonin disa refleksione të shpejta, qoftë edhe nga aktualiteti, për të shqiptuar “jo”-në si përgjigje.

Nëse do të merrnim si shembull paketën e reformës ligjore në drejtësi, të miratuar me konsensus nga të dy krahët e politikës, ajo nuk mund të ketë synim tjetër veçse atij të arritjes së një shteti të së drejtës, d.m.th. të “një qeverisjeje të ligjeve dhe jo të njerëzve”. Përkundër këtij objektivi, në diskutimet parlamentare dhe publike mbi rastin e deputetit Tahiri, u bëmë dëshmitarë se ato nuk udhëhiqeshin nga racionaliteti i këtij qëllimi të reformës, që përputhet me interesin publik dhe të të mirës së përgjithshme, por prireshin të udhëhiqeshin nga racionaliteti i logjikës që dikton arritja e qëllimeve politike.

Autoritetet dhe klasa drejtuese politike u munduan ta kontrollojnë komunikimin dhe opinionin publik, madje duke rënë edhe në nivelin e propagandës politike banale, duke e shpallur njëri-tjetrin “kundërshtarë të vetingut”, ndërkohë që sovranit në radhë të parë i intereson të dijë se çfarë është duke ndodhur, dhe për çfarë arsyeje po ndodh.

Pra, rasti Tahiri, nëse do të ishte një diskutim legjitim i orientuar nga interesi publik për të ditur të vërtetën që kanë për detyrë të zbulojnë institucionet, ishte një mundësi për të diskutuar mbi ndikimin në ekonomi dhe politikë të krimit të organizuar, si dhe mbi parimin e barazisë përpara ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në një shtet të së drejtës. Në këtë mënyrë, populli do të ishte në gjendje të kontrollonte ushtrimin e pushtetit publik nga Prokuroria, qeveria, opozita, dhe në analizë të fundit nga vetë institucioni i Parlamentit, qendra e legjitimitetit demokratik të shtetit.

Pra interesi publik kërkonte që, nëpërmjet lirisë së informacionit dhe lirisë së shprehjes së opinioneve, publiku dhe populli shqiptar të formonte bindjen se, pavarësisht asaj që shpallin autoritetet, është logjika e argumentit objektiv ajo që po mbizotëron në procesin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së heqjes së imunitetit për deputetin Tahiri, d.m.th. publiku ishte i interesuar të dinte se cilat nga pozicionet e afishuara në publik nga palët ishte më afër së vërtetës, d.m.th. të vërtetës që i intereson publikut dhe jo të vërtetës mbi fajësinë apo pafajësinë e z. Tahiri, që mbetet detyrë e organeve të drejtësisë ta zbulojnë.

Shtypi nuk arriti ta orientonte vëmendjen e opinionit publik në këtë preokupim madhor mbi mënyrën e funksionimit të institucionit të Parlamentit dhe Prokurorisë, dhe as ta mbronte atë nga teknikat e propagandës manipuluese partiake, por për një vëzhgues të ndershëm ishte më se e qartë se konflikti real nuk po ndodhte brenda institucionit të Parlamentit, ku Komisioni Parlamentar i Imunitetit dhe Mandateve ishte shndërruar si gjithmonë në frontin e betejës politike të radhës.

Kjo metodë politikëbërjeje është duke e shndërruar në farsë idenë kushtetuese të parlamentarizmit, si instrument i demokracisë përfaqësuese për gjetjen e së vërtetës dhe formësimin e një vullneti kolektiv politik që mbart interesat e së mirës së përgjithshme të qytetarëve.

Parlamenti është shndërruar në një “foltore të neveritshme agjitacioni partiak”, pikërisht për arsye se marrja dhe mbajtja me çdo kusht e pushtetit politik, pra metodat e sundimit politik dhe vetë suksesi politik, nuk përcaktohen nga ajo çfarë ndodh brenda Parlamentit, por jashtë tij. Suksesi politik në Shqipëri është një çështje jashtëparlamentare, ai nuk përcaktohet nga shoshitja përmes debatit parlamentar të politikave që duhet të formojnë vullnetin ligjvënës si vullneti i një të mire të përgjithshme, por nga organizimi brenda partive politike, ku funksionarët politikë janë më të rëndësishëm, sesa deputetët që duhet të zhvillojnë një politikë profesioniste, e cila nënkupton se çdo deputet duhet të sjellë në Parlament përvojën, bindjet dhe aftësitë e tij me qëllim qeverisjen sa më të mirë të vendit, ku përgjegjshmëria ndaj interesit kombëtar dhe demokratik, mbizotëron mbi frymën partiake.

Realiteti është krejt i kundërt nga sa deklaron Kushtetuta në nenin 70, pika 1 të saj, sipas të cilit ushtrimi i mandatit të deputetit është i lirë, thënë ndryshe, faktikisht ushtrimi i mandatit të deputetit ndodh sipas instruksioneve të diktatit të “komisarëve politikë”-shefave të partive, dhe jo sipas bindjes së brendshme. Fenomene të tilla si kriminalizimi i politikës dhe rekrutimi jotransparent i individëve në listat partiake për deputetë, e kanë bërë më të theksuar konfliktin ndërmjet kuptimit origjinal dhe kushtetues të parlamentarizimit nga njëra anë, dhe kulturës politike nga ana tjetër.

Nga kjo pikëpamje, çdo “akt korruptiv apo i paligjshëm” i denoncuar nga njëri krah i politikës, me të cilin akuzohet krahu tjetër, është shndërruar në një “show grotesk” në sytë e qytetarëve, mosbesues dhe jobesnikë ndaj institucioneve shtetërore, për arsyen e thjeshtë se klasa politike vazhdon të japë shembuj të çedukimit të publikut me vlerat morale që sjellin integrimin shoqëror përreth institucioneve, në një shtet modern. Këtë parim kryesor që duhet të udhëheqë jetën parlamentare të partive politike, me rëndësi themelore për shtetformimin kombëtar, e shpreh edhe autori shqiptar N. D. Mole, në veprën e tij “Konstitucionalizimi”, botuar në vitin 1923, pra në të njëjtin vit kur Carl Schmitt botonte esenë e tij kritike ndaj demokracisë parlamentare gjermane “Parlamentarismus”. N. D.

Mole shprehet në këtë mënyrë në lidhje me rolin e partive politike: “Lozin rol të madh dhe i sjellin dobi të madhe kombit, kur ato kanë bindje të drejta dhe mbrojnë principe dinjitoze”.Në këtë kuptim, duke e vendosur parlamentarizmin shqiptar në kontekstin e tij, studiues të shquar të së drejtës kushtetuese shqiptare kanë vënë në dukje se faktori vendimtar që parlamentarizmi shqiptar ta shfaqë të plotë dhe të padeformuar potencialin e tij demokratik dhe qeverisës mbetet zgjedhësi apo qytetari shqiptar, i cili duhet mbrujtur për ta ruajtur të pacenuar në ndërgjegjen dhe aktivizmin e tij, idenë e parlamentarizmit.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan