Paketa fiskale 2018, ja varianti final i të gjitha taksave që ndryshojnë

Sipas Monitor, 27 tetor 2017,

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e kësaj të premte (27 tetor) paketën fiskale 2018. Në një vështrim të shpejtë dy janë pikat më të rëndësishme të saj.  E para taksa mbi ndërtesat, e cila do të ndryshoje rrënjësisht formën me të cilën kjo taksë është llogaritur deri më sot. E dyta është nisma e lehtësive fiskale të qeverisë për hotelet me 5 yje me status special.

Por nga e para tek e fundit cilat janë taksat që do të paguajnë qytetarët dhe bizneset dhe cilat janë ato nga të cilat “çlirohen” si pjesë e nismave nxitëse nga data 1 janar 2018?

Taksat e ndërtesës

Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka caktuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike.

Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë këtë taksë duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit në draft kjo kategori do të paguajë 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Nga kjo taksë përjashtohen disa kategori mes të tjerave edhe hotelet me 5 yje që kanë status special.  Efekti në buxhet është llogaritur në plus 2.4 miliardë lekë.

Tatimfitimi, zero tek turizmi dhe 5% tek IT

Hotelet me 4 dhe pesë yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10 vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Është kjo një nga nxitjet më të mëdha fiskale që qeveria ka vendosur që t’i japë investitorëve të ardhshëm në turizëm. Turizmi pa taksa, por vetëm për ata që s’kanë ardhur ende  “Përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim” përcaktohet në draft ligjin e kaluar në qeveri.

Sakaq për të gjithë ata që ushtojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softwearve tatimfitimi do të jetë 5%. Efekti negativ në buxhet llogaritet 93 milionë lekë.

Taksa për makinat e luksit

Në draft ligjin “Për taksat kombëtare” që kaloi në qeveri bëhet një ndryshim te neni për taksimin e makinave të luksit. Që të taksohet një automjet për këtë arsye duhet të përmbushë një nga dy kriteret: ose të ketë cilindratën e barabartë/ mbi 3000 cm³ ose të ketë vlerën, çmimin të barabartë/ mbi 5 milionë lekë.

Sipas DPTSHRR, janë rreth 909 autovetura të regjistruara aktualisht me kapacitet 6+1, të cilat u janë nënshtruar modifikimeve për arsye të shmangies së kësaj takse. Efekti negativ në buxhetin e shtetit është 19.000.000 lekë nga mostaksimi i këtyre automjeteve, të cilat duhet të konsiderohen makina luksi. Për këtë qëllim propozohet me anë të këtij ligji, rritja e kapacitetit të vendeve nga 4+1 në 6+1.

Ndryshimet tek TVSH (hotelet me 5 yje dhe biznesi i vogël)

Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” ka pësuar ndryshime në paketën 2018 ku propozohet së pari vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Aktualisht ky nivel TVSH-je ofrohet vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar do të bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

Drafti gjithashtu i hap rrugë ndryshimit që do të bëhet për futjen në regjim TVSH-je e biznesit të vogël me një prag 2 milionë lekë qarkullim. Qeveria nuk ka përcaktuar prag në këtë rast por ka bërë ndryshimet që i hapin rrugë procesit. Kjo masë pritet të ketë një efekt 1.5 miliardë lekë në buxhet.

Taksa e infrastrukturës

I njëjti draft i ligjit “Për taksat vendore” çon më tek lehtësimin e nisur nga qeveria për hotelet me 5 yje. Për të gjithë ata që kanë statusin special taksa e infrastrukturës do të jetë zero ndërkohe që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%. (Hotelet me 5 yje pa taksa fare, tani u hiqet edhe ajo për ndërtesën, mjaft të “bekohen” me status special)

Përjashtimet doganore

Përveç një shkalle të reduktuar për tatimfitimin, qeveria ka vendosur që të zerojë tarifën doganore për importin e mbi 60 produkteve me kode të veçanta doganore që i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore tokë dhe pjesët e tyre.

Akciza për purot

Në draftin e projektligjit “Për akcizat”  është menduar që të ketë rritje të nivelit të taksës që aplikohet për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro” dhe që do të taksohen më shtrenjtë në vitin 2018. Konkretisht, drafti parashikon rishikimin e nivelit të akcizës së cigareve, nga 5750 lekë/1000 copë që ishte parashikuar në kalendar, në 5850 lekë/1000 copë. Efekti pozitiv në buxhet llogaritet 1 miliardë lekë.

Taksa e re e tabelës

Në draftin e qeverisë është bërë një ndarje më e detajuar e kategorive të tabelave. Në total janë katër  ndarje ku e para është “tabela për qëllime identifikimi, të trupëzuara, ose jo brenda territorit, ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri/ose aktiviteti i biznesit)”.

Pikërisht këtu është edhe risia ku kjo kategori ka të paktën pesë nënndarje të tjera. Edhe me këtë skemë për një tabelë deri në 2 metër katror biznesi paguan zero taksë por rritje progresive  të saj ka edhe rritje të çmimit. Nga ana tjetër ka edhe një ndarje sipas llojit : e thjeshtë, e thjeshtë me ndriçim dhe elektronike.

Me kategorizimin e ri për një tabelë të thjeshtë (pa ndriçim) 2 m2 deri në 10 m2 taksa në Bashkinë Tiranë dhe Durrës është 15 mijë lekë m2. Për Bashkinë Shkodër dhe gjithë ato të renditura në kategorinë 2 taksa vjetore është 10 mijë lekë m2/vit.

Shembull: Një biznes në Tiranë ka të vendosur një tabelë të thjeshtë pa ndriçim e cila është 15 metra katror. Shuma e taksës që ky biznes do të paguajë është(10 m2 x 15 000 lekë) + (5m2 x 12 750 lekë) = 150 000+63 750= 213 750 lekë në vit ose (17 812 lekë/muaj). E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për sipërfaqet e tabelave mbi 20 m2 dhe mbi 40 m2.

Kategoria e dytë e tabelave janë “tabelat për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti në formën e përmasat e tabelave të sinjalistikës për orientim”. Kjo tabelë duket se taksa e saj është 120 lekë metër/katror.

Në kategorinë e tretë janë tabela për qëllime reklamimi e lëvizshme dhe e palëvizshme, në atë të katërt tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan