Hendeku i pjesëmarrjes: A është aktualisht pjesëmarrja qytetare e mirë për demokracinë?

Nga Russell J Dalton* – Universiteti i Kalifornisë

Sa më shumë njerëz të marrin pjesë në një demokraci, aq më demokratike bëhet shoqëria – ose të paktën kështu besonte Tocqueville. Por skeptikët e kanë sfiduar këtë supozim, pasi jo ҫdokush ka aftësi për të marrë vendime politike të informuara. Në librin e tij të ri, Russell J Dalton argumenton se problemi qëndron në hendekun e pjesëmarrjes: të pasurit janë më të angazhuar në politikë, kurse më të varfërit votojnë më pak dhe kanë mungesë burimesh që të lobojnë për ndryshim.

Duket si një pyetje e ҫuditshme, por kërkuesit gjithnjë e më shumë po hulumtojnë nëse pjesëmarrja qytetare është e mirë për demokracinë. Shqetësimi i Robert Putnam për zvogëlimin e pjesëmarrjes në SHBA reflekton një bindje tokeviliane se pjesëmarrja e lartë qytetare është në dobi të shoqërisë dhe shtetit. Shumë vëzhgues politikë ankohen për rënien e numrit të votuesve nëpër domokracitë e konsoliduara dhe e shikojnë këtë tendencë si të dëmshme për procesin demokratik.

Nga ana tjetër, një grup i ndryshëm ekspertësh pretendon se demokracia po vuan pasi shumë qytetarë aktivë kanë mungesë aftësish dhe burimesh për të marrë vendime të rëndësishme. Disa skeptikë deklarojnë se demokracia është bazuar mbi “përralla” dhe “teori folklorike” si pasojë e kufizimeve të popullsisë. Të tjerë zëra duket sikur dëshirojnë një epistokraci ku vendosin të mirinformuarit. Megjithatë, ekspertët bien dakrod se: demokracitë bashkëkohore po vuajnë; arsyeja është numri më i ulët ose më i lartë i pjesëmarrjes qytetare.

Libri im i ardhshëm, The Participation Gap, argumenton se të dyja kritikat kanë të metat e tyre. Demokracitë bashkëkohore po përballen me një dilemë, por kjo përfshin balancimin e ekspansionit aktual të pjesëmarrjes qytetare kundër efekteve të paqëllimshme për zgjerimin e statusit social të hendekut të pjesëmarrjes. Përpos argumentit të fortë normativ për barazi politike, unë vë në dukje se niveli absolut dhe pabarazia në pjesëmarrje janë bashkarisht? të lidhura me cilësinë e qeverisjes demokratike.

Përhapja e pjesëmarrjes qytetare

Unë, para së gjithash, kontrolloj të dhënat e Programit Ndërkombëtar për Vrojtimet Sociale (PNVS) (International Social Survey Program (ISSP), që ka matur pjesëmarrjen qytetare në demokracitë e konsoliduara gjatë viteve 2004 dhe 2014. Rënia e numrit të votuesve është e dukshme dhe përbën një tendencë shumë shqetësuese. Siqdoqoftë, lajmi i mirë është se reformat e institucioneve demokratike dhe inovacioni qytetar kanë rritur numrin dhe varietetet e pikave të aksesit, të cilat mund të përdoren prej njerëzve për të ndikuar në rezultatin politik. Përhapja e aftësive qytetare dhe burimeve po mundësojnë gjithashtu angazhimin e sa më shumë njerëzve në këto forma të nevojshme të pjesëmarrjes.

Kontakti direkt me udhëheqësit politikë është rritur. Gjithnjë e më shumë njerëz po iu bashkohen grupeve të interesit publik, shoqatave civile, Bürgerinitiativen dhe formave të tjera të aksionit kolektiv. Njerëzit kanë krijuar një metodë të re të aksioneve politike, si p.sh. kosumerizmi politik. Interneti po paraqet metoda të reja për përfshirjen e barabartë të qytetarëve, të cilët ndajnë pikëpamje të njëjta politike dhe duan të jenë aktivë. Raporti i PNVS-së i përshkruan ata si një popullsi e interesuar dhe e përfshirë, madje më e angazhuar nga brezi i prindërve dhe gjyshërve të tyre. Shumë nga këto aktivitete ofrojnë një kontekst dhe fokus më të gjërë politik se ҫ’nënkupton në vetvete akti i thjeshtë i votimit.

Rritja e pabarazisë politike

Por jo të gjitha mund të jenë lajme të mira. Ndërkohë që mundësitë pjesëmarrëse janë përhapur gjërësisht, aftësitë dhe burimet për t’i përdorur këto korridore të reja janë shtuar në mënyrë të pabarabartë nëpër të gjithë publikun. Unë e cilësoj  këtë si një status të fortë socio-ekonomik (SES) të hendekut të pjesëmarrjes në të gjithë llojet e aksionit politik. Arsimi i një njeriu dhe tiparet e tjera të statusit social janë tregues shumë të mirë të pjesëmarrësve.

Repertori i gjërë i veprimit politik e zgjeron hendekun e pjesëmarrjes. Hulumtimi i pjesëmarrjes shpesh përqendrohet në pjesëmarrjen në votime, por kjo është pjesa ku hendeku i statusit shoqëror në përgjithësi është më i vogël. Sindikatat e punës, grupet e qytetarëve dhe partitë politike mund të mobilizojnë votues të statusit më të ulët në ditën e zgjedhjeve. Meqenëse qytetarët bëhen më aktivë në format joelektorale të pjesëmarrjes, aftësitë dhe burimet janë edhe më të rëndësishme në mundësimin e këtyre aktiviteteve. Për të shkruar një letër, për të punuar me një grup të komunitetit, për të postuar një koment në një blog politik ose për të bojkotuar produkte të dëmshme për mjedisin, nënkupton më shumë sesa të shfaqesh në ditën e zgjedhjeve për të shënuar fletën e votimit dhe më pas të largohesh . Pra, repertori i gjërë i veprimtarisë politike zgjeron hendekun e pjesëmarrjes në SES.

Hendeku i pjesëmarrjes po zgjerohet me kalimin e kohës. Dëshmitë nga disa vende tregojnë se rënia e pjesëmarrjes së votuesve është e përqendruar në rrethin e qytetarëve me status të ulët, ndërsa të pasurit vazhdojnë të votojnë përafërsisht në të njëjtat nivele si në të kaluarën. Duke pasur parasysh se zgjedhjet ndikojnë në zgjedhjen e zyrtarëve që do të qeverisin, ky hendek i zgjerimit të pjesëmarrjes në votime shfaq një përfaqësim të pabarabartë në të gjitha nënkuptimet e tij.

Përsa i përket pjesëmarrjes joelektorale, rritja e aktivitetit ka ardhur në mënyrë joproporcionale nga qytetarët më të arsimuar dhe me të ardhura më të larta, të cilët zotërojnë aftësi dhe burime të vlefshme politike. Aktivitetet e protestës shpesh shfaqin hendekun më të gjerë të pjesëmarrjes së statusit shoqëror. Përderisa ekziston kufizimi “një person / një votë” për votimin që moderon pabarazinë, një limit i tillë nuk ekziston për të shkruar e-mail, për të punuar me grupe të interesit publik, për të protestuar dhe për forma të tjera veprimi jovotuese. Rezultati përfundimtar është zgjerimi i hendekut të pjesëmarrjes në SES në terma të përgjithshëm.

Kështu, dilema e demokracisë është se zgjerimi i pjesëmarrjes, që shfaqet në forma të vjetra dhe të reja, vjen si pasojë e një hendeku të gjërë midis njerëzve politikisht të pasur dhe  politikisht të varfër. Kjo është në kundërshtim me idealet dhe qëllimet demokratike për të arritur në mënyrë efektive rezultate më të mira të politikave në dobi të shoqërisë duke përfshirë të gjithë publikun në këtë proces.

Pjesëmarrja, pabarazia dhe qeverisja

Të dyja pikëpamjet e pjesëmarrjes qytetare, të përmbledhura në fillim të këtij artikulli, ofrojnë vlerësime të kundërta nëse një qytetari aktive përmirëson ose dëmton funksionimin e qeverisjes demokratike.

Unë e konsideroj të drejtë logjikën themelore tokeviliane se demokracia do të përfitojë vetëm atëherë kur do të këtë më shumë pjesëmarrje qytetare. Ka shumë mënyra për të testuar këtë tezë dhe po i drejtohem shembullit të thjeshtë të cilësisë së qeverisjes. A funksionon më mirë qeveria nëse publiku është më i përfshirë? Njësia e Inteligjencës Ekonomike (Economist Intelligence Unit) mat cilësinë e qeverisjes me një indeks prej 14-pikësh, lidhur me funksionimin e qeverisë, duke përfshirë çështje të tilla si cilësia e administratës, kontrolli i qeverisë mbi territorin e saj, qeveria e rregulluar dhe sundimi i ligjit. (Nuk ka asnjë element të qartë për pjesëmarrjen në këtë indeks.). PNVS i vitit 2004 siguron nivele të përgjithshme të pjesëmarrjes për rreth dymbëdhjetë shtete, plus Belgjikën dhe Islandën po nga sondazhi i 2014. Aktualisht unë po testoj nëse një qytetari aktive korrespondon me qeverisjen e mirë.

Shtetet me pjesëmarrje më të lartë politike gjithashtu kanë një qeverisje më të mirë (Grafiku Nr. 1). Kjo është një marrëdhënie thelbësore e bazuar në 20 demokraci (r = .55,  p=.01). Shtetet që vlerësohen më shumë në indeksin e IUE-së ( Indeksi i Universitetit Evropian, EUI Index), si Norvegjia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Danimarka, kanë gjithashtu nivele mjaft të larta të pjesëmarrjes së përgjithshme të qytetarëve. Në anën tjetër, katër nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes vihen re në vendet që ndodhen nën mesataren e funksionimit të qeverisë. Kjo mbështet logjikën e përgjithshme se një publik i vëmendshëm dhe i përfshirë e shtyn qeverinë që të jetë më e përgjegjshme dhe efektive. E thënë thjesht, qytetarët e mirë ndikojnë për krijimin e një qeverisje të mirë demokratike.

Grafiku 1: Pjesëmarrja e qytetarëve dhe funksionimi i qeverisë

 

Burimi: Pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve e vitit 2004 nga PNVS, viti 2014 për Belgjikën dhe Islandën; funksionimi i qeverisë marrë nga Njësia e Inteligjencës Ekonomike.

Mund të bëjmë edhe një hap më tej:  pabarazia në pjesëmarrje a mund të ulë vlerën e qeverisjes demokratike? Zërat mbeten të padëgjuar, nevojat janë të paplotësuara dhe aktet qeveritare karakerizohen nga informacion i paplotë në rastin kur pabarazia është e konsiderueshme.

Grafiku Nr. 2 tregon efektet e pavarura të nivelit të përgjithshëm të pjesëmarrjes dhe pabarazinë e pjesëmarrjes në qeverisjen e mirë. (Pabarazia është forca e përgjithshme (Multiple R) e katër tipareve të statusit social në parashikimin e niveleve të pjesëmarrjes.) Përveç indeksit të IUE-së, unë përfshij dhe masën e përdorur nga Banka Botërore për efektivitetin e qeverisë, e cila mat tiparet si: cilësinë e shërbimeve publike, performancën e shërbimit civil dhe cilësinë e formulimit dhe zbatimit të politikave. Efektet e kundërta – dhe të pavarura të të dy aspekteve të pjesëmarrjes janë mjaft të qarta. Niveli i përgjithshëm i pjesëmarrjes qytetare është pozitivisht i lidhur me të dyja masat e qeverisjes së mirë. Edhe pse ky studim është fokusuar në një numër të vogël vendesh, këto marrëdhënie mbeten të rëndësishme.

Grafiku 2: Pjesëmarrja, pabarazia dhe funksionimi i qeverisë

 

 

 Shënim: Të dhënat e grafikut përfaqësojnë koeficientët e standardizuar të regresit nga OLS. Burimi: Pjesëmarrja e përgjithshme politike dhe pabarazia e pjesëmarrjes janë marrë nga PNVS e vitit 2004, ndërsa për Belgjikën dhe Islandën në 2014; Funksionimi i qeverisë është marrë nga Njësia e Inteligjencës Ekonomike dhe Banka Botërore.

Po aq i rëndësishëm mbetet fakti që kur ka pabarazi të madhe të SES në pjesëmarrjen e përgjithshme, qeverisja e mirë është më e ulët. Në përgjithësi, qeverisja më e mirë demokratike ndodh kur qytetarët janë më aktivë dhe hendeku i pjesëmarrjes është më i vogël.

Si përfundim

Arend Lijphart e përdori fjalimin e tij presidencial të vitit 1996 në Shoqatën Amerikane të Shkencave Politike për të dhënë argumente politike dhe normative se pabarazitë në pjesëmarrjen në votim janë të dëmshme për procesin demokratik: “pjesëmarrja e pabarabartë nënkupton ndikim të pabarabartë, një dilemë e madhe për demokracinë përfaqësuese”. Tani Lijphart mund të konsiderohet si optimist, sepse koha dhe zgjerimi i repertorëve politikë vetëm sa e kanë përkeqësuar këtë dilemë.

E pranoj se një qytetari më aktive e bën qeverisjen më komplekse. Pak nëpunës civilë ulen në tryezat e tyre duke shpresuar se do të përballen me qytetarë të pakënaqur. Dëgjesat publike dhe qeveria transparente mund të ngadalësojnë vendimmarrjen dhe proceset administrative. Mund të kuptohet lehtësisht përse ka shqetësime rreth ndërlikimeve të qeverisjes kur gjithnjë e më shumë qytetarë marrin pjesë në mënyra të ndryshme. Shpesh shfaqet sindroma NIMBY, grupet e vetos dhe sfidat e tjera ndaj vendimmarrjes teknokratike. Por qëllimi i demokracisë nuk është të maksimizojë efikasitetin, por të balancojë interesat sociale dhe përfundimisht të marrë vendime të mira (ose të paktën më të mira) sesa alternativat epistokratike apo autokratike.

Teoria demokratike gjithashtu pretendon se shoqëritë, në fund të fundit, përfitojnë  nga pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të tyre; Larry Bartels tregon se rezultatet e politikave janë shpesh të njëanshme ndaj të pasurve, ndërsa nevojat dhe preferencat e më të varfërve mund të anashkalohen nëse nuk janë të përfshira. Kostot humane, sociale dhe ekonomike të deindustrializimit janë më të mëdha në aspektin afatgjatë nëse ato injorohen, në vend që të trajtojnë nevojat e punëtorëve të zhvendosur. Produktiviteti i humbur, cilësia e jetës dhe kontributet e zvogëluara shoqërore, që mund të rrjedhin nga hendeku i pjesëmarrjes, janë të konsiderueshme. Dhe përmes një deficiti të përfaqësimit politik, disa qytetarë mund të afrohen me varinatet populiste ose ekstreme që iu ofrojnë atyre një zë. Një publik aktiv dhe relativisht i barabartë ecën në mënyrë paralele me qeverisjen e mirë.

Kjo pikturë gjendet në një kanavacë të gjërë, ku peneli realizon lëvizje të papërcaktuara dhe të pasakta. Edhe masat treguese të funksionimit të qeverisë janë të pasakta. Një model më i sofistikuar është i nevojshëm për të vërtetuar shkakun. A mund të bëjnë qytetarët e mirë qeveri të mira, apo qeveritë e mira i bëjnë qytetarët të jenë të mirë? Deri diku, të dyja alternativat janë të vërteta; këto gjëra kombinojnë  së bashku, pavarësisht nga burimi i shkakut. Megjithatë, ndërkohë që të tjerët bëjnë teori dhe shkruajnë variante mbi rrezikun e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik, provat empirike sugjerojnë diҫka krejt ndryshe. Këto të dhëna eksploruese riafirmojnë argumentin që nga Thomas Jefferson, Alexis de Tocqueville  dhe duke përfunduar tek Sidney Verba: Përhapja e zërit të publikut është thelbësore për të pasur një politikë demokratike dhe për të përmirësuar gjerësisht cilësinë e qeverisjes. Dilema për demokracinë është përqafimi i një publiku më aktiv, duke siguruar në të njëjtën kohë barazinë e zërit politik.

Shënim: Ky artikull fillimisht u botua në faqen Democratic Audit. Ai reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo qëndrimin e EUROPP – European Policies apo të London School of Economics.     

Mbi autorin

Russell J Dalton – Universiteti i Kalifornisë

Russell J Dalton  është Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Kalifornisë, Irvine

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan