BERZH: Një dekadë në matjen e tranzicionit

Nga Cevat Giray Aksoy, Francesca Dalla Pozza, Ralph De Haas, 17 Gusht 2017

                                 Mbulimi gjeografik në vrojtimin “Jeta në Tranzicion”  gjatë viteve 2006, 2010 dhe 2016

Që nga rënia e Perdes së Hekurt në 1989, vendet postkomuniste kanë përjetuar një riorganizim të institucioneve të tyre ekonomike dhe politike. Ky artikull paraqet pesë mesazhet kryesore nga vrojtimi “Jeta në Tranzicion”, i cili kryhet periodikisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Botërore për të monitoruar procesin e tranzicionit dhe ndikimin e tij në perceptimet dhe qëndrimet e njerëzve. Të kuptuarit e këtij procesi është i rëndësishëm, pasi përvojat personale përcaktojnë gjërësisht nëse njerëzit mbështesin (vazhdojnë të mbështesin) institucionet ekonomike dhe politike që përforcojnë shoqëritë e tyre.

Vrojtimi “Jeta në Tranzicion” (LiTS) është një studim i plotë, me karakter lokal që grumbullon informacione përsa i përket gjendjes socio-ekonomike të të anketuarve, qëndrimet, si dhe perceptimet e tyre në lidhje me një sërë çështjesh ekonomike, politike dhe sociale. Pas raundeve të vitit 2006 dhe 2010, LiTS III u krye mes fundvitit të 2015 dhe fillimit të 2016, në 31 vendet në tranzicion, në Republikën Çeke, si dhe në dy vendet krahasuese të Evropës Perëndimore.

LiTS III ishte raundi më i madh i vrojtimeve të implementuar deri tani: 51,000 familje u vizituan në 2,550 vendbanime urbane dhe rurale. Një femër dhe një mashkull u intervistuan në çdo familje të përbërë nga të paktën dy anëtarë të rritur të gjinisë së kundërt. Vrojtimi që u krye në Greqi përfshinte gjithashtu dhe një seksion me pyetje p.sh.  si ka ndikuar kriza në konsumin e familjeve dhe sjelljen tyre ndaj votimit. Të dhënat e fundit të LiTS tregojnë një numër mbresëlënës zhvillimesh.

1) Hendeku i lumturisë është mbyllur

I ashtuquajturi hendek i lumturisë në tranzicion është mbyllur përfundimisht. Sot, individët që jetojnë në vendet postkomuniste raportojnë nivele të kënaqësisë së jetës të ngjashme me ato të homologëve po aq të pasur në vendet krahasuese (Adsera et al. 2017). Njerëzit në shumicën e vendeve në tranzicion tani janë më optimistë për të ardhmen sesa homologët e tyre në Evropën Perëndimore. Arsyet e kësaj konvergjence mbi kënaqësitë e jetës janë të dyfishta. Së pari, kënaqësia e jetës, e cila kishte rënë në të gjithë rajonin në tranzicion pas krizës financiare 2008-2009, është rikuperuar kohët e fundit. Së dyti, kënaqësia e jetës ka rënë disi në vendet krahasuese të perëndimit (Guriev dhe Melnikov 2017).

2) Mbështetje relativisht e fortë për demokracinë, por më pak entuziazëm për ekonominë e tregut

Pesëdhjetë për qind e banorëve të vendeve në tranzicion besojnë se demokracia është më e preferueshme se çdo formë tjetër e sistemit politik, në dallim me 93% të gjermanëve dhe 63% të italianëve. Në të njëjtën kohë, gati 37% e popullsisë në rajon mendon se ekonomia e tregut është më preferueshme se çdo formë tjetër e sistemit ekonomik, në krahasim me 85% të gjermanëve dhe 35% të italianëve (Figura 2). 

                            Figura 2: Mbështetja për demokracinë (Grafiku Nr.1) dhe ekonominë e tregut (Grafiku Nr.2) në rajonin në tranzicion dhe vendet krahasuese gjatë viteve 2006, 2010 dhe 2016.

Mbështetja për demokracinë dhe ekonominë e tregut ka pësuar rënie gjatë viteve 2006 dhe 2010 në shumicën e vendeve në tranzicion. Ky fenomen  ishte më i theksuar në ato vende që u goditën më rëndë nga kriza ekonomike (Grosjean et al. 2011, De Haas et al. 2016). Sot, mbështetja për ekonominë e tregut është përsëri në nivel të barasvlershëm, ose më të lartë se nivelet korresponduese të vitit 2010 në të gjitha rajonet, përveҫ Evropës Lindore, Kaukazit dhe Rusisë.

Shënime: Grafiqet tregojnë përqindjen e të anketuarve të cilët besojnë se “Demokracia është më e preferueshme se çdo formë tjetër e sistemit politik” (Grafiku Nr.1) dhe se “Ekonomia e tregut është më e preferueshme se çdo formë tjetër e sistemit ekonomik” (Grafiku Nr.2). Vendet krahasuese përfshijnë Gjermaninë dhe Italinë. Mesataret rajonale të popullsisë janë të ponderuara.

3) Perceptimi i korrupsionit ka rënë

Ajo pjesë e njerëzve që beson se pagesat ose dhuratat jozyrtare janë zakonisht ose gjithmonë të nevojshme në rastet kur përdoren shërbimet publike, është në rënie të vazhdueshme në të gjithë rajonin në tranzicion. Në përgjithësi, të dhënat e LiTS III tregojnë se jo vetëm perceptimet e njerëzve mbi korrupsionin, por edhe përvojat aktuale të ryshfetit, kanë rënë që nga viti 2006, edhe pse të dyja fenomenet janë ende më të larta se në vendet krahasuese. Në shumicën e vendeve, besimi në autoritetet e sektorit publik është i ulët dhe nëpunësit perceptohen gjithnjë e më shumë si të korruptuar, madje më tepër se në vendet krahasuese të Evropës Perëndimore. Perceptimi më i lartë i korrupsionit mbetet në sistemin e kujdesit shëndetësor.

4) Qëndrimet ndaj imigrantëve po ashpërsohen

Në të gjithë rajonin, përqindja e njerëzve që mendojnë se emigrantët japin një kontribut të çmuar në ekonomi është më e ulët sesa përqindja e atyre që besojnë se emigrantët përbëjnë një barrë për sistemin kombëtar të mbrojtjes sociale. Përveç kësaj, përqindja e njerëzve që besojnë se emigrantët janë një barrë, është rritur ndjeshëm që nga viti 2010 në të gjitha rajonet, përveҫ Azisë Qendrore dhe Turqisë. Qëndrimet ndaj emigrantëve shfaqen më pozitive vetëm në ato vende ku historikisht një pjesë e rëndësishme e popullsisë ka jetuar ose ka punuar në shtete të tjera si p.sh Shqipëria, Armenia, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Kirgistanit, Moldavia, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

5) Rolet tradicionale gjinore mbeten të rrënjosura thellë

Pavarësisht nga fakti se burrat dhe gratë  mund të kenë nivel arsimi të ngjashëm, raundi i ri i të dhënave të LiTS zbulon dallimet e vazhdueshme në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore dhe qasjen e mundësive sipërmarrëse për meshkujt dhe femrat e anketuar. Kur bëhet fjalë për punën e paguar, gratë kanë më pak probabilitet që të punojnë me orar të plotë, janë më pak të angazhuara në fuqinë punëtore dhe fitojnë më pak sesa meshkujt në pozicione të ngjashme pune. Për sa i përket punës së papaguar, gratë mbartin një pjesë joproporcionale të punëve të shtëpisë dhe kujdesen për familjet e tyre.

                  Figura 3: Perceptimet e roleve gjinore në rajonin në tranzicion dhe vendet krahasuese në vitin 2016

Shënime: Listat tregojnë përqindjen e të anketuarve që “pajtohen” ose “pajtohen fuqimisht” me deklaratat: “Burrat janë udhëheqës më të mirë politikë sesa gratë” (Grafiku Nr.3); “Një grua duhet të kryejë pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë edhe nëse burri nuk punon” (Grafiku Nr.4); dhe “Është më mirë për të gjithë në qoftë se burri bën para dhe gruaja kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët” (Grafiku Nr.5). Vendet krahasuese përfshijnë Gjermaninë dhe Italinë. Mesataret rajonale të popullsisë janë të ponderuara.

Kjo ndarje e pabarabartë e detyrave buron pjesërisht nga normat gjinore mbizotëruese. Më shumë se gjysma e popullsisë në Azinë Qendrore, Evropën Lindore, Kaukaz dhe Rusi beson se burrat janë udhëheqës më të mirë politikë sesa gratë, ata mendojnë gjithashtu se një grua duhet të kryejë pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë edhe nëse bashkëshorti nuk punon. Përveç kësaj, në të gjitha rajonet, përveç Evropës Qendrore, vendeve Balltike, Çekisë dhe Turqisë, më shumë se 50% e njerëzve mendojnë se krijimi i familjes tradicionale, ku burri punon dhe gruaja kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, është më i përshtatshëm se çdo angazhim tjetër.

Ky artikull ka prekur vetëm sipërfaqen e gjetjeve nga raundi i tretë i vrojtimit “Jeta në Tranzicion”. Ashtu si në raundet e mëparshme të studimit, më shumë hulumtime do të kryhen mbi bazën e të dhënave të LiTS III. Kjo do të mundësojë njohuri të mëtejshme në lidhje me ndikimin që kanë reformat dhe krizat financiare në besimet dhe qëndrimet e njerëzve. Të gjitha të dhënat e LiTS mund të përdoren lirisht dhe publikisht nga hulumtuesit. Ato janë të disponueshme në faqen http://bit.ly/2o8YOvc

Referencat Bibliografike:

Adsera, A F Dalla Pozza, S Guriev, L Kleine-Rueschkamp and E Nikolova (2017), “The Impact of Transition on Well-being”, EBRD Working Paper, forthcoming.

De Haas, R, M Djourelova and E Nikolova (2016), “The Great Recession and Social Preferences: Evidence from Ukraine”, Journal of Comparative Economics 44: 92-107.

Grosjean, P, F Ricka and C Senik (2011), “The Intangible Transition: Support for Markets and Democracy after the Crisis”, in Transition Report 2011, London: European Bank for Reconstruction and Development, pp. 60-75.

Guriev, S and N Melnikov (2017), “The Happiness Transition”, EBRD Working Paper, forthcoming.

Fusnota:

[1] Ky vrojtim u implementua nga BERZH, në bashkëpunim me organizatën Transparency International dhe Bankën Botërore.

[2] “Rajoni në tranzicion”, siç përcaktohet në këtë artikull, përfshin Azinë Qendrore (Kazakistan, Republikën e Kirgistanit, Mongolia, Taxhikistani dhe Uzbekistani); Evropën Qendrore dhe Shtetet Balltike (Kroacia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Sllovake dhe Sllovenia); Evropa Lindore dhe Kaukazi (Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina); Rusia; Evropa Juglindore (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Qiproja, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Rumania, Serbia); dhe Turqia.

Mbi autorët:

Cevat Giray Aksoy është ekonomist dhe hulumtues, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH).

Francesca Dalla Pozza është ekonomiste, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ralph De Haas është drejtor i Departamentit të Kërkimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan