Evropianët janë shprehur sërish kundër zgjerimit të BE-së

Koment i gazetës Dita për rezultatet e Eurobaromentrit, 8 gusht 2017

Qytetarët evropianë janë shprehur sërish kundër zgjerimit të BE-së, ndaj vendeve të tjera në të ardhmen.

Refuzimi i zgjerimit të BE-së ndaj vendeve të tjera shfaqet i lartë tek qytetarët e Austrisë (69%),  të Gjermanisë (68%), të Francës (67%), të Holandës (66%), të Finlandës (63%), te Republikës Çeke (63%) dhe të Belgjikës (62%). Edhe pse në tërësinë e saj, në raport me një vit më parë, kemi ulje me dy pikë të qasjes negative ndaj zgjerimit të mëtejshëm.

Kjo është e vetmja pikë, që nuk gjen mbështetje nga opinioni publik. Ndërkohë që ndaj të gjitha politikave të tjera në nivel evropian, ata kanë shprehur mbështetjen e tyre të qartë. Dhe bëhet fjalë për një sërë politikash të përbashkëta evropiane, që janë testuar në sondazhin Eurobarometer EB-87, duke marrë miratimin e më shumë se gjysmës së evropianëve të pyetur.

Ndër to renditen: mbështetja (81%) ndaj qarkullimit të lirë të qytetarëve në BE, të cilët mund të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë kudo në BE; mbështetja (75%) ndaj politikave të përbashkëta të sigurisë dhe të mbrojtjes; mbështetja (72%) ndaj politikave të përbashkëta energjetike; mbështetja  (68%) ndaj politikave të përbashkëta në fushën e migrimit; mbështetja (66%) ndaj një politike të jashtme të përbashkët; mbështetja (61%) ndaj tregut numerik unik në BE; mbështetja (60%) e unionit ekonomik dhe monetar evropian me një monedhë të vetme, euron si edhe mbështetje (54%) për një marrëveshje të shkëmbimit të lirë dhe të investimeve mes BE-së dhe SHBA-së.

Edhe pse zgjerimi, me ardhjen e Komisionit Junker, u deklarua i “pezulluar” procesi i negociatave nuk do të ndikohej, duke synuar mbajtjen e ritmit të përgatitjeve për anëtarësim të vendeve kandidate. Por, deklarimi i hapur se, nuk do të ketë zgjerim në 5 vitet në vijim, edhe pse u shfaq për momentin si një deklarim i sinqertë dhe transparent, ai do të ekspozonte problematikën e tij, duke shkaktuar përplasje. Së pari, ndaj angazhimit dhe premtimit evropian të Samitit të Zagrebit (2000) dhe të Samitit të Selanikut (2003) për integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, së dyti, duke krijuar një terren shkuarajimi të politikave drejtuese të vendeve të Ballkanit dhe duke hapur shtegun për penetrim të influencave të fuqive “konkurruese” në rajon.

Refuzimi ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, spikat në një nivel më të lartë tek qytetarët gjermanë, austriakë dhe francezë.

Që prej nisjes së krizës financiare dhe krizës së borxhit grek, Gjermania, është ekspozuar si një aktor kryesor, me një kancelari, që po angazhohej gjithnjë e më shumë, mbi kompetenca që i përkisnin më shumë politikës së jashtme. Jo rastësisht, do të kemi nën filozofinë gjermane, përqendrim mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, me nisjen e Konferencës së Berlinit, me synim dhënien e një impulsi të ri vendeve kandidate të rajonit, duke inkurajuar bashkëpunimin e thelluar ekonomik dhe politik mes tyre. Po me fokus Ballkanin Perëndimor, do të kemi iniciativën gjermane me mbështetjen edhe të Britanisë, për futjen e kërkesës (2014) mbi një “marrëveshje ligjore detyruese mes Kosovës dhe Serbisë” përpara se të mbyllen bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. Paralelisht kemi iniciativën për zhbllokimin e kandidaturës së bllokuar të Bosnjë-Hercegovinës, duke e lënë për një moment të mëvonshëm zbatimin e vendimit, që impononte GJEDNJ mbi çështjen Sejdiç-Finci. I njëjti rol aktiv dhe vullnet për zhbllokimin e kandidaturës së Maqedonisë, do të konfigurohej nga politika gjermane, por që u vlerësua se nuk mund të aktualizohej për hir të momentit jo të favorshëm për të ushtruar presion mbi palën greke, teksa përqendrimi i presionit ishte mbi zgjidhjen e krizës së borxhit të saj.

Ndaj Ballkanit Perëndimor, politika gjermane e ka shprehur qartazi vullnetin e saj, se mbështet tërësisht integrimin e tij në BE. Një mbështetje, që shprehet në logjikën e stabilitetit të nevojshëm afatgjatë të rajonit, dhe krijimit të klimës së qëndrueshme të sigurisë, në mungesë të të cilave kostoja e përballimit do të jetë e lartë. Ky vullnet i qartë për integrimin e rajonit në BE, shoqërohet edhe me një theks të veçantë mbi plotësimin pa ekuivok të kritereve të kërkuara, në mënyrë të veçantë kriteret, që lidhen me sundimin e ligjit dhe respektimin e shtetit të së drejtës, parametrat ekonomikë si edhe zgjidhjen paraprake të problemeve të fqinjësisë.

Gjithsesi, duhet theksuar se kjo përplasje ndërmjet dy pikëpamjeve krejtësisht të ndryshme, mes perceptimit të politikës dhe perceptimit të qytetarëve, synohet që të harmonizohet nëpërmjet kushteve pa-ekuivok, që këto vende duhet të plotësojnë kur të jenë gati për anëtarësim, pra të kenë një sundim të kënaqshëm të ligjit, respektim të shtetit të së drejtës dhe të kenë parametra ekonomikë të mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e bllokut evropian. Është gjithashtu e rëndësishme për t’u theksuar se, pavarësisht rezistencës që ka shfaqur në kohë opinioni publik gjerman, si në rastin e krizës greke për mos-mbajtje të kostos së pagesës në kurrizin e tyre, apo edhe në rastin e pranimit të refugjatëve në territorin e tyre, elita politike gjermane ka shprehur vendosmëri në vendimmarrje.

Një antagonizëm të njëjtë, mes perceptimit politik dhe qytetar e gjejmë të konfiguruar edhe në Austri, ku elitat drejtuese politike, kanë një vullnet të qartë pro integrimit të domosdoshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa qytetarët nuk e kanë. Një vullnet politik, që vjen i shpjeguar në kuadër të lidhjeve historike, që prej epokës së Perandorisë së Habsburgëve deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, në kuadrin e afërsisë gjeografike, por edhe ekonomike, duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si një rajon me interes strategjik të veçantë, ku lënia jashtë e tij, do të gjenerojë kosto shumë herë më të larta për Austrinë se, sa integrimi i tij në BE. Austria njeh gjithashtu një migrim të lartë nga vendet e ish Jugosllavisë, sidomos me nisjen e migrimit të strukturuar, që filloi të zhvillohej me kryerjen e marrëveshjeve me Jugosllavinë nga mesi i viteve 60’, në kuadrin e kërkimit të krahut të punës, duke vazhduar më tej me fluksin e lartë të migrimeve dhe azilkërkuesve gjatë shpërbërjes dhe nisjes së konfliktit, si edhe në vazhdim përgjatë luftës në Bosnjë dhe në Kosovë. Po njësoj si edhe Gjermania, Austria është një prej vendeve që ka pranuar në masë azilkërkues, të ikur nga zonat e konflikteve, por që ka njohur gjithashtu edhe kërkesa të larta nga azilkërkues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, po në të njëjtat linja si edhe Gjermania, mbështetja që ajo shfaq ndaj integrimit të domosdoshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, bazohet në plotësimin e kritereve kyçe, duke i parë ato si të nevojshme për futjen e vendeve të Ballkanit në BE. Klasa kryesore politike e të gjithë ngjyrave shfaqet pro integrimit të rajonit në BE. E vetmja forcë, që luhatet dhe nuk ka qëndrim të njëjtë sa ndaj integrimit në vetvete, por edhe ndaj vendeve në veçanti, është FPO, (Partia e Lirisë së Austrisë), që anon më shumë drejt favorizimit të kandidaturës serbe në BE.

Refuzimi i qytetarëve austriakë ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE, duhet parë sa në kontekstin e krizave që ka përfshirë Unionin dhe që shkakton një reflektim për mos përballim të një zgjerimi të mëtejshëm, sa në vlerësimin e këtyre vendeve si vende, që do të gjenerojnë migrime të larta, si rrjedhojë barrë dhe kosto financiare, që do të rëndojnë mbi qytetarët austriakë. Një eksperiencë, që tashmë konsiderohet e provuar me migrimin, që gjeneroi anëtarësimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë.

Ndërsa pozicionimi i Francës, ka një natyrë paksa më të veçantë, sidomos në krahasim me pozicionimin gjerman dhe austriak, pasi nuk e shikon rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë me interes strategjik të veçantë. Si rrjedhojë, nuk shquhet për një rol aktiv politik ndaj Ballkanit Perëndimor, por qëndron nën hijen gjermane, duke e mbështetur atë plotësisht në politikat e ndjekura mbi rajonin, por që gjithsesi ngelet një mbështetje e karakterit pasiv. Një sërë analizash, e konsiderojnë këtë rol pasiv të Francës, si të inkuadruar brenda mbajtjes së një premtimi, që tashmë i është bërë Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, por një premtim që po mbahet në forma mbështetje pasive, që orientohen dhe drejtohen nga politika gjermane. Roli aktiv i saj është vëzhguar kryesisht në mbështetjen e dosjes serbe, në kuadrin e marrëdhënieve që kërkonte të konfiguronte Berlini mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke arritur objektivin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një mbështetje, që shikohet në peshën e marrëdhënieve të veçanta historike, që ka me Serbinë. Refuzimi, që qytetarët francezë shprehin ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE, duhet parë nën të njëjtin kuadër, si edhe ai i qytetarëve gjermanë dhe austriakë. Veçantia në rastin francez, lidhet me shtimin e një mjeti politik në këtë kuadër, referendumi ndaj zgjerimit. Një mjet, që mund të përdoret mbi zgjerime të mëtejshëm të Unionit. Të paktën, ndaj rastit turk, ky mjet gjen sugjerime në nivele raportesh të Senatit francez, ku përmendet si një “mënyrë bllokimi” e kandidaturës turke në BE. Gjithsesi, roli i Francës ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, është qartazi i padiskutueshëm në mbështetje të plotë të tij, edhe pse favorizues i anëtarësimeve, rast pas rasti, dhe jo në grup. Por, profili i saj vlerësohet se do të qëndrojë edhe në vazhdim i ulët dhe jo aktiv.

Çfarë i shqetëson qytetarët evropianë ?

Matja e përvitshme e evoluimit të opinionit publik evropian, përmes sondazhit Eurobarometër, ka sjellë një pasqyrim interesant të shqetësimeve dhe problematikave kryesore të qytetarëve evropianë. Teksa imigracioni ka zënë thuajse që prej vitit 2015, vendin kryesor si problematika më e cituar në matjet e përvitshme, tendenca njeh ndryshim. Një tjetër fenomen, zë vendin kryesor në tabelën e shqetësimeve evropiane. Por, cilat janë në tërësi, problematikat që shqetësojnë qytetarët në nivel evropian, në nivel kombëtar dhe në atë personal ?

I përmendur nga 44% e evropianëve, terrorizmi konsiderohet në 21 vende anëtare (vetëm Spanja e përmendte në vjeshtën e vitit 2016) si problemi më i rëndësishëm, me të cilin duhet të përballet BE.

Niveli më i lartë i kë†ij shqetësimi shfaqet në Lituani (60%), në Republikën Çeke (59%), në Qipro dhe në Maltë (përkatësisht me 58%). Ai konsiderohet si problemi i dytë më i rëndësishëm në gjashtë vende të tjera evropiane dhe zë vendin e tretë në Suedi. Pasi kishte njohur rënie me 7 pikë, mes pranverës dhe vjeshtës së vitit 2016, çështja e terrorizmit filloi të rritej si shqetësim në opinionin publik, duke kaluar nga 6% në pranverën e vitit 2014, në 44% në pranverën e vitit 2017.

Në këtë renditje kryesore të kësaj problematike, autorët e studimit theksojnë paraprakisht klimën në të cilën janë gjendur një sërë vendesh evropiane që prej vjeshtës së vitit 2016, nga ku veçohen sulmet në Gjermani, në Francë, në Suedi dhe në Britaninë e Madhe.

Pas terrorizmit, shqetësimi i radhës, prek çështjen e imigrimit. Afërsisht tre në katër persona të pyetur, e cilësojnë imigrimin si shqetësimin kryesor në Estoni (62%), në Hungari (60%) dhe në Danimarkë (56%), vende ku shfaqet edhe përqindja më e lartë e shqetësimit. Por, një nivel i lartë shqetësimi vërehet edhe në Gjermani, Holandë, Austri dhe në Portugali. Në 20 vende anëtare, imigrimi përbën problemin e dytë më të rëndësishëm. Ndërsa, Portugalia është vendi i vetëm, në të cilin imigrimi nuk bën pjesë në treshen e shqetësimeve kryesore.

Pas terrorizmit dhe imigrimit, problematika e tretë lidhet me situatën ekonomike. Më pak se një evropian në pesë, citon situatën ekonomike (18%), që mbërrin në pozicion të tretë në 15 vende, në krye të së cilës gjendet Greqia (31%), Qipro (24%) dhe Britania e Madhe (23%).

Gjendja e financave publike të vendeve anëtare citohet nga 17% e qytetarëve në BE, por ky proporcion arrin në 30% në Holandë, 29% në Gjermani dhe 27% në Greqi. Papunësia, mban vendin e saj të pestë, e përmendur nga 15% e personave të pyetur në nivel të BE-së, dhe nga më shumë se 1/5 e tyre në Itali (24%), në Qipro (22%) dhe në Luksemburg (21%).

Në vend të gjashtë, e përmendur nga 10% e qytetarëve, renditet pasiguria me rezultatin më të lartë në Kroaci (16 %) si edhe në Austri dhe në Belgjikë (15% respektivisht). Influenca e BE-së në botë, gjendet në pozicion të shtatë (9% në nivel të BE-së), por është më shumë e përmendur në Holandë (19%), në Suedi (16%) dhe në Britaninë e Madhe (15%). Në pozicion të tetë, e cituar nga 8% e personave në nivel të BE-së, renditet ndryshimi klimatik, më i përmendur në Suedi (31% në vend të dytë).

Shqetësimet në nivel kombëtar

Papunësia ngelet problemi kryesor, në nivel kombëtar, i përmendur nga 29% e personave të pyetur.

Niveli më i lartë, vëzhgohet në Francë (63%), në Qipro (56%) dhe në Kroaci (55%).

Pikërisht e kundërta ndodh në Maltë, ku një në dhjetë persona të pyetur, e rendisin si shqetësim (2%), në Gjermani dhe në Danimarkë (8% respektivisht), si edhe në Holandë dhe në Republikën e Çekisë (9% në secilin vend).

Por, çka vërehet, sipas autorëve të studimit, lidhet me faktin se për herë të parë, papunësia shfaqet nën nivelin 30% që prej vjeshtës së vitit 2008.

Shqetësimi mbi imigrimin njeh rënie (-14 pikë në raport me vjeshtën e vitit 2015), dhe renditet si problemi i dytë në rang kombëtar. I përmendur nga 22% e personave të pyetur në tërësinë e BE-së, imigracioni shfaqet në krye të problematikave në katër vende anëtare (kundrejt 6 në vjeshtën e vitit 2016), konkretisht në Danimarkë (38%) dhe në Gjermani (37%). Ai shfaqet në pozicion të parë njësoj si edhe terrorizmi në Belgjikë (26%), ndërkohë që zë vendin e dytë në pesë vende, kryesisht në Holandë (37%) dhe në Itali (36%).

Shqetësimi i tretë në rang kombëtar, lidhet me sistemin e shëndetësisë dhe sigurinë sociale (sigurimin shëndetësor) (20% +2). Ky shqetësim, citohet si kryesor në nëntë vende (kundrejt 6 në vjeshtë-2016) dhe shfaqet në të njëjtin nivel si shqetësim, me rritjen e çmimeve/inflacionit dhe kostos së jetesës në Sllovaki (30%).

Terrorizmi, zë vendin e katërt (19%) duke njohur rritje me 5 pikë, i cituar nga 19% e personave të pyetur. Përmendet nga më shumë se 1/3 e tyre në Belgjikë (26%). Nivelin më të lartë e arrin në Francë (36%), në Britaninë e Madhe (33%) dhe në Gjermani (27%) dhe në këto tre vende ai përbën shqetësimin e dytë më të përmendur në rang kombëtar.

Ndërsa ekonomia shfaqet në pozicion të pestë, e përmendur nga 16% e personave të pyetur. Ajo ka humbur terren në mënyrë thuajse të pandërprerë që prej pranverës së vitit 2012 dhe për herë të parë që prej vjeshtës së vitit 2007, ajo nuk bën më pjesë në treshen e problematikave të cituara nga qytetarët evropianë. Ajo përbën shqetësimin e dytë më të përmendur në shtatë vende anëtare, në krye të së cilës renditen Qipro (46%), Greqia (45%) dhe Spanja (33%.

Në vend të gjashtë, renditet çështja e rritjes së çmimeve/inflacioni/kosto e jetesës, që citohet nga 15% e personave të pyetur dhe duke qëndruar thuajse e pandryshueshme. Në Lituani, kjo përbën shqetësimin kryesor (54%), në Bullgari (32%), në Sllovaki (30%) dhe në Republikën e Çekisë (29%)

Problematikat e tjera, e cituara nga qytetarët evropianë lidhen me sistemin e pensioneve, me sistemin arsimor, borxhin publik, strehimin, taksimin, si edhe çështjet e mjedisit, të klimës dhe të energjisë.

Ndërsa në nivel personal, shqetësimi kryesor i qytetarëve evropianë, vazhdon të qëndrojë në të njëjtën linjë si edhe një vit më parë ndaj rritjes së çmimeve/inflacionit dhe kostos së jetesës. Më pas problematikat orientohen ndaj sistemit shëndetësor dhe sigurimit social, sistemit të pensioneve, situata financiare e familjeve, taksimi dhe papunësia si edhe kushtet e jetesës.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan