Çmimi i ujit dhe koncepti për shërbimet publike

Nga Prof. Dr. Ahmet Ceni, botuar në Panorama, 4 gusht 2017

Para dy vjetësh, kur mori detyrën, kryetari i Bashkisë së Tiranës miratoi rritjen e çmimit të biletave të transportit urban, ndërsa këto ditë, së bashku me Këshillin Bashkiak, vendosën rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Rritja e çmimit të ujit, të biletave të transportit urban, rritja e tarifave në shkollat  e larta, pagesat formale dhe informale në spitale, blerja e shërbimeve mjekësore në spitalet private, dhënia me koncesion e disa aktiviteteve që nuk kanë burim fitimi nga biznesi, por të ardhurat i nxjerrin nga buxheti, dhënia me koncesion e shumë aktiviteteve të tjera, janë vendime që në të shumtën e rasteve stimulojnë më shumë biznesmenët jokrijues, sesa grupet e ndryshme të popullsisë.

Për rrjedhojë, kjo lloj politike duhet parë në disa aspekte më të gjera që kanë lidhje, jo vetëm me një apo dy praktika të rritjes së çmimit, por me konceptin që kanë drejtuesit si të qeverisë qendrore, ashtu edhe ato lokale, për shërbimet publike dhe mënyrën se si mund të ofrohen ato. Teoria njeh dhe pranon pikëpamje të ndryshme lidhur me ofrimin e shërbimeve, ku njëra palë thotë se shërbimet mund të blihen nga individët në treg, si të gjitha mallrat e tjera, dhe pikëpamja tjetër se këto grupe shërbimesh duhet të furnizohen nga shteti ose nën kujdestarinë e tij.

Kjo e dyta është pikëpamja europiane, e cila është e sanksionuar edhe në Traktatin e Lisbonës, por edhe me gjerë në dokumentet e tjera të Komisionit Europian, ku theksohet se shërbimet publike janë pjesë e modelit europian të funksionimit të shoqërisë. Shërbimi publik përkufizohet si një aktivitet që ushtrohet direkt nga autoritetet publike (shteti ose bashkitë) ose nën kontrollin e tyre, me qëllim që të kënaqet një nevojë e interesit të përgjithshëm. Ky përkufizim supozon gjithashtu edhe organizatën që është e ngarkuar për realizimin e këtij shërbimi.

Uji i pijshëm është një e mirë publike që, sipas përcaktimit të BE-së, bën pjesë në grupin e “shërbimeve ekonomike të interesit të përgjithshëm”, të cilat, së bashku me grupin e “shërbimeve të rendit dhe të sigurisë” dhe të “shërbimeve në fushën sociale”, përbëjnë “Shërbimet e interesit të përgjithshëm”. Në bazë të rregulloreve për shërbimet publike dhe të vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, përbërja e shërbimeve të interesit të përgjithshëm mbetet kompetencë e shteteve anëtare të BE-së, duke synuar të përputhin parimin e lirisë së konkurrencës me parimin bazë të politikës së BE-së.

Edhe qeveria jonë duhet të përfshijë në grupin e interesit të përgjithshëm jo vetëm ato të rendit dhe të sigurisë, por edhe shërbimet e natyrës sociale, si arsimi, shëndeti, sigurimet shoqërore, ndihma sociale, kultura, shërbimet e pastrimit dhe menaxhimit të territorit, infrastruktura etj. Gjithashtu, duhet të trajtohen në grupin e shërbimeve ekonomike të interesit të përgjithshëm edhe transporti urban, energjia, shpërndarja e ujit të pijshëm, shpërndarja e letrave, komunikimi elektronik, etj.

Nocioni i shërbimeve publike është më tepër një koncept politik, që varet nga roli që i jep shtetit partia në pushtet, sesa juridik, dhe evoluon në kohë, por sensi i ndryshimit duhet të jetë eficienca dhe mundësia që çdo qytetar që banon në çdo cep të vendit të ketë më shumë mundësi të marri këtë apo atë shërbim falas ose me një çmim minimal. Në këto raste nuk bëhet fjalë për një çmim, por për një tarifë, fiksimi i së cilës duhet të rezultojë nga një gjykim publik midis kontributit respektiv të kontribuuesve dhe përdoruesve të shërbimit publik.

Duke u bazuar në këto referenca teorike dhe praktike, nga njëra anë, si dhe në vendimet e Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimeve të ujit dhe të transportit publik, apo vendimet e ndryshme të qeverisë në fushën e pagesave për shërbimet (të përmendura më lart) që normalisht konsiderohen shërbime të interesit të përgjithshëm, nga ana tjetët, dalin disa probleme, të cilat mendoj se duhen pasur kujdes, sepse në vend që të përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe eficienca, mund të kemi të kundërtën. Problemi i parë është ideologjik, që ka të bëjë me rolin e shtetit, ku partia në pushtet duhet të shprehet qartë për rolin që i cakton ajo shtetit në të gjitha fushat e përmendura më lart. Pra, çfarë ajo do të konsiderojë shërbime të interesit të përgjithshëm, për të cilat do të mbajë përgjegjësi direkt dhe do të menaxhojë direkt apo indirekt vetë shteti.

Në statutin e internacionales socialiste thuhet: “PO ekonomisë së tregut, JO shoqërisë së tregut”. Atëherë deri ku do të respektohet ky slogan në kushtet e Shqipërisë? Nga një analizë e shkurtër, duket se disa vendime për dhënien e koncesioneve të ndryshme janë bërë kryesisht nga keqmenaxhimi që i është bërë një shërbimi dhe qeveria ka menduar ta heqë qafe. Për menaxhimin e shërbimeve publike ka modele të ndryshme, por për përcaktimin e modelit shqiptar duhet pasur në konsideratë terreni dhe kushtet konkrete. Një model që është i mirë për një vend, nuk është domosdoshmërisht i mirë edhe për një vend tjetër.

Këto modele kërkojnë përshtatje të kujdesshme, ndryshe dështojnë. Në këtë kuptim, financimi i investimeve të shërbimeve të interesit të përgjithshëm, ku futet dhe uji i pijshëm, është detyrë kryesore e pushtetit qendror dhe në buxhetin e tij ai duhet të planifikojë me shumë përparësi shërbimet që garantojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve, dhe pastaj të kalojë në gjëra të tjera, të cilat edhe mund të presin. Financimi i investimeve duke rritur tarifat nuk duhet të jetë drejtimi kryesor i financimit, sepse roli i tarifave është që të përballojë koston e prodhimit dhe të operimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit Në mbledhjen e Këshillit u përmend që për ndërtimin e ujësjellësit do të përdoret partneriteti publik- privat, i cili është përdorur dhe po diskutohet të përdoret edhe në shumë sektorë të tjerë të shërbimeve publike.

Ky është një problem që duhet trajtuar me kujdes, duke ruajtur kufijtë dhe llojet e shërbimeve që mund të delegohen te privati, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me blerje shërbimesh dhe jo me një aktivitet ku sipërmarrësi i prodhon vetë paratë nga biznesi në koncesion. Kalimi i një të drejte nga shteti te privati ka një kufi që e vendos ruajtja e sovranitetit të shtetit dhe të mos kalohet në ekstreme, ku jo më prona, por edhe funksione të shtetit t’i kalojnë privatit. Do të ishte e ndershme dhe transparente që qeveria të shprehet qartë se çfarë shërbimesh mendon ajo të garantojë vetë dhe çfarë do t’ia kalojë tregut, sepse, aktualisht, kemi një përzierje shërbimesh pothuajse në të gjitha llojet dhe nivelet e tij.

Problemi i dytë, i cili është financiar, ka të bëjë me rentabilitetin e shërbimeve publike dhe argumentimin përse duhet të rriten tarifat apo pse duhet të kalojë me koncesion ky apo ai lloj shërbimi. Nga analiza e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Tiran%, e cila, në bazë të raportit të publikuar nga Enti Rregullator i Ujit për vitin 2016, rezulton ndërmarrja më e madhe me 221 149 lidhje, pra tri herë më shumë se ndërmarrja e dytë, që është Durrësi. Në këtë ndërmarrje rezulton që niveli i objektivit të synuar, në fushën e mbulimit të kostos së operimit me të ardhura është tejkaluar në masën 157 %, ndërsa mbulimi i kostos totale u tejkalua në masën 138%.

Edhe tregues të tjerë të performancës janë pozitivë, si niveli i arkëtimeve, i cili ka arritur në masën 112.8 %, shuma absolute e arkëtimeve si nga Ujësjellësi dhe Kanalizimet për vitin 2016 ishte 3 026 657 000 lekë, ndërsa niveli i shpenzimeve për të dy grupet (Ujësjellës dhe Kanalizime) ishte 2,105,421 lekë, duke realizuar një fitim prej 921 236 000 lekësh. Në këtë shifër janë të përjashtuara faturimet e paarkëtuara, si dhe të ardhura të tjera operative, ku këto të fundit kapin shifrën 578 240 000 lekë. Po t’i shtohet kjo shifër fitimit, atëherë shifra e fitimit arrin shumën 1,499,476,000 lekë (Enti Rregullator i Ujit; Raporti i performancës për shoqëritë Ujësjellës- Kanalizime, viti 2016, Tabela 3.3, faqe 79).

Pra, shumica e treguesve janë pozitivë dhe garantojnë një zhvillim normal të ndërmarrjes dhe me një bilanc të tillë mendoj se çdo bankë do t’i jepte kredi. Atëherë, përse duhet rritur çmimi? Duke qenë se është shërbim i interesit të përgjithshëm, shuma kryesore e investimit duhet të financohet nga qeveria qendrore dhe pjesa tjetër nga vetë ndërmarrja apo përfituesit e shërbimeve. Burimet financiare të bashkive në Shqipëri janë të pamjaftueshme të përballojnë financime të këtij lloji. Akoma më e dëmshme do të ishte përgatitja për dhënie me koncesion.

Kërkesa për rritjen e çmimit do të justifikohej nëse janë plotësuar të gjitha standardet e treguesve të performancës së Ujësjellësit, nga analiza e të cilëve rezulton se ai ka akoma dhe më shumë rezerva. Për shembull, ajo që Enti Rregullator e quan “Uji pa të ardhura”, në fakt, është humbja e ujit në rrjet dhe llogaritet si raport midis sasisë së ujit që humbet me vëllimin total të ujit të prodhuar, por që nuk u faturohet klientëve. Këtë tregues UK Tirana e ka 67.77 %, i cili vlerësohet i lartë dhe për ta përmirësuar këtë duhen gjetur instrumentet përkatëse administrative, propagandistike, ekonomike dhe ligjore.

Një tregues tjetër negativ është edhe niveli i matjes së ujit, i cili shpreh raportin e lidhjeve me matës të ujit kundrejt nivelit total të lidhjeve dhe që, në kushtet e Ujësjellësit të Tiranës, është 77.09 %. Në rastet kur pa matës janë familjarë, mendohet se kjo nuk e dëmton performancën e Ujësjellësit njësoj si në rastin kur kemi të bëjmë me biznese apo përdorues të tjerë; Këto janë një burim i konsiderueshëm i shpërdorimit. Pra, siç shikohet, ka rezerva të konsiderueshme për të rritur të ardhurat. Problemi i tretë është psikologjik dhe ekonomik dhe ka të bëjë me mënyrën se si reflekton çmimi i ujit te kërkesa dhe oferta për ujë.

E njëjta logjikë vepron edhe për shërbimet e tjera publike. Në mënyrë logjike, në kushtet e tregut, çmimi duhet të reflektojë kërkesën dhe ofertën e ujit, por në kushtet kur ajo është monopol lokal, ai ndikon në modifikimin e sjelljeve të konsumatorëve për konsumin e ujit, po ashtu edhe në modifikimin e sjelljeve të Ujësjellësit. Në këtë drejtim duhet të ndë- rhyjë me profesionalizëm Enti Rregullator i Ujit, i cili duhet të miratojë ndryshimin e çmimit, duke u bazuar te koncepti i kostos marzhinale që mbron konsumatorin. Le të marrim kërkesën, e cila reflekton jo vetëm nevojat, por edhe gjendjen financiare të familjeve për të konsumuar ujë.

Dihet se në Tiranë ka një numër të madh familjesh me të ardhura të pamjaftueshme, njerëz të vetmuar, të cilët jetojnë më një pension prej 15 000 lekësh në muaj dhe një pjesë e këtyre familjeve janë në një situatë të vështirë, sa që edhe për ndriçim përpiqen të përdorin ndriçimin e rrugës që kanë afër banesës, apo presin që në fund të ditës të blejnë me çmim më të ulët perimet dhe zarzavatet që u kanë mbetur tregtarëve. Efekti vjetor nga kjo rritje mund të shkojë në gjysmën e një pensioni mujor, ose dy gjela deti. Në këtë kuptim, për këtë kategori kjo përbën problem.

Por, për kategoritë e tjera mund të ndikojë në uljen relative të kërkesës për ujë që përdoret për larje apo për higjienë, sepse çmimi ka forcë tërheqëse apo larguese nga tregu për konsumatorin dhe kjo ndikon në uljen e nivelit të higjienës. Sigurisht, ka edhe ndikim pozitiv për shpërdoruesit e ujit dhe kjo mund të ishte zgjidhur edhe në fiksimin e çmimit me shkallë rritëse.

Nga pikëpamja e ofertës mund të kemi një ulje të saj në sasi dhe me një çmim më të lartë. Por, përveç kësaj, është e nevojshme të analizohet se me çfarë cilësie i ofrohet ky ujë. Bashkia duhet t’i vërë detyrë Ujësjellësit që të rrisë cilësinë e ujit, me qëllim që uji të jetë i pijshëm për të gjithë dhe në këtë mënyrë kjo masë do të shërbejë edhe për të kompensuar shpenzimet për ato familje që nuk kanë mundësi të blejnë ujë tjetër në treg. Kjo do ta kompensonte në masë të ndjeshme rritjen e çmimit. Do të sugjeroja se rritja e cilësisë së ujit të tubacioneve duhet të jetë prioritet i parë i Ujësjellësit, duke e ofruar ujin në standarde maksimale të mundshme dhe aspak të dëmshëm për shëndetin.

Së fundi, edhe sipas dokumentit të Entit Rregullator të Ujit, menaxhimi i Ujësjellësit nga pikëpamja juridike dhe menaxheriale ka problem, sepse ruhet akoma statusi i shoqërisë tregtare dhe menaxhimi i saj nuk realizohet sipas VKM Nr. 63, datë 27.1.2016. Kjo mund të jetë neglizhencë, por mund të jetë edhe e qëllimshme për hapat e mëtejshme drejte koncesionit, që do të ishte një veprim aspak normal dhe i dënueshëm.

Si përfundim, mund të them se qeveria duhet të ketë një strategji të ofrimit të shërbimeve publike, ku të përcaktohen qartë se çfarë do të ofrojë ajo, çfarë do t’ia lërë tregut (me pagesë) dhe kufijtë e delegimit. Nëse shteti do të marrë më shumë përgjegjësi, qoftë në financim, ashtu edhe në menaxhim, atëherë ndryshimi i çmimeve të shërbimeve do të bëhet vetëm kur e diktojnë ndryshimet e kostos së prodhimit e llogaritur me kompetencë dhe jo politikisht, si dhe do të ketë edhe kursim të fondeve nga buxheti.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan