Një Revolucion “Makroekonomik”?

Nga Anatole Kaletsky, Project Syndicate, botuar në Reporter.al, 17 korrik 2017

Muaji tjetër do të shënojë dhjetëvjetorin e krizës financiare botërore, e cila nisi më 9 gusht 2009 kur Banque National de Paris njoftoi se vlera e shumë prej fondeve të saj, të cilat supozohej se mbanin bondet më të sigurta të mundshme të kolateralizuara amerikane, kishte avulluar. Nga ajo ditë vendimtare, bota e zhvilluar kapitaliste ka përjetuar periudhën më të gjatë të stanjacionit ekonomik që nga dekada që filloi me kolapsin e Uoll Stritit më 1929 dhe përfundoi me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhjetë vjet më vonë.

Pak javë më parë, në konferencën Rencontres Économiques në Eks-o-Provans, mua më pyetën nëse kishte pasur ndonjë gjë që mund të bëhej për të shmangur “dekadën e humbur’ me nënperformancë ekonomike që nga kjo krizë. Në një seancë të titulluar “A kemi mbetur ne pa politika ekonomike?” bashkëpanelistët e mi treguan se në fakt përgjigjja është jo. Ata ofruan shumë shembuj të politikave që mund të kishin përmirësuar rritjen e prodhimit, punësimin, stabilitetin financiar dhe shpërndarjen e të ardhurave.

Kjo më mundësoi mua të trajtoj pyetjen që unë e gjej më interesante: Duke parë bollëkun e ideve të vlefshme, pse ne kemi kaq pak politika të zbatuara nga ato që mund të kishin përmirësuar kushtet ekonomike dhe do të kishin pakësuar pakënaqësinë e publikut që nga shpërthimi i krizës?

Pengesa e parë ka qenë ideologjia e fondamentalizmit të tregut. Që nga fillimi i viteve 1980, politika është dominuar nga dogma se tregjet kanë gjithmonë të drejtë dhe ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi janë pothuajse gjithmonë të gabuara. Kjo doktrinë u fuqizua me kundërrevolucionin monetarist kundër ekonomiksit Kejnesianist që rezultoi nga krizat inflacionare të viteve 1970. Kjo është çfarë frymëzoi revolucionet politike Thatcher-Reagan, të cilat nga ana e tyre ndihmuan në ushqimin e 25 viteve bumi ekonomik që filloi në vitin 1982.

Por fondamentalizmi i tregut frymëzoi gjithashtu gabime të rrezikshme intelektuale: atë që tregjet financiare janë gjithmonë racionale dhe efikase; që bankat qendrore duhet thjeshtë të shënjestrojnë inflacionin dhe të mos e shqetësojnë veten me stabilitetin financiar dhe papunësinë; që roli i vetëm i politikës buxhetore është që të ketë buxhee të balancuara dhe jo që të stabilizojë rritjen ekonomike. Edhe pse këto gabime logjike e hodhën në erë ekonomiksin e fondamentalizmit të tregut pas vitit 2007, politika fondamentaliste e tregut mbijetoi, duke parandaluar zbatimin e politikave të duhura kundër krizës.

Kjo nuk duhet të vijë si surprizë. Fondamentalizmi i tregut nuk qe thjeshtë një modë intelektuale. Interesa të fuqishme politike motivuan revolucionin e të menduarit ekonomik të viteve 1970. Ajo që supozohej se qe provë shkencore se ndërhyrja e qeverisë në ekonomi qe pothuajse gjithmonë kundërprodhuese legjitimoi një zhvendosje të stërmadhe në shpërndarjen e pasurisë nga punëtorët industrialë te pronarët dhe menaxherët e kapitalit financiar si dhe të pushtetit, nga punëtorët e organizuar te interesat e biznesit. Ekonomisti polak Michal Kalecki, një bashkëshpikës i ekonomiksit Kejnesianist (dhe një kushëri i largët i imi) e parashikoi këtë përmbysje politikisht të motivuar në ideologji me një saktësi të pabesueshme në vitin 1943:

“Supozimi se një qeveri mund të mbajë punësim të plotë në një ekonomi kapitaliste nëse di se si mund ta bëjë, është një supozim i gabuar. Nën një regjim të punësimit të plotë dhe të përhershëm ‘thesi’ do të pushojë së funksionuari si një masë disiplinuese, duke shtyrë qeveritë të shpenzojnë para zgjedhjeve. Punëtorët pas kësaj mund të dalin jashtë kontrolli dhe kapitenët e industrisë do të jenë të prirur ‘t’i japin atyre një mësim’. Një bllok i fuqishëm ka gjasa do të krijohet mes bizneseve të mëdha dhe interesave të rentës, dhe ata ka gjasa do të jenë në gjendje të gjejnë më shumë se sa një ekonomist që të deklarojë se situata është qartazi e pashëndetshme.

Ekonomisti që deklaroi se politikat e qeverisë për të mbajtur punësim të plotë qenë “qartazi të pashëndetshme” qe Milton Friedman. Dhe revolucioni i fondamentalizmit të tregut që ai ndihmoi për ta udhëhequr kundër ekonomiksit Kejnesianist vijoi për 30 vjet. Por, njësoj siç u diskretitua Kejnesianizmi nga krizat inflacionare të viteve 1970, fondamentalizmi i tregut u rrënua nga kontradiktat e veta të brendshme në krizën deflacionare të vitit 2007.

Një kontradiktë specifike e fondamentalizmit të tregut sugjeron një arsye tjetër për stanjacionin në të ardhura dhe ngritjen e kohëve të fundit të populizmit. Ekonomistët besojnë se politikat që rrisin të ardhurat kombëtare, të tilla si tregu i lirë dhe derregullimi, janë gjithmonë në përfitim të shoqërisë, pavarësisht se si shpërndahen këto të ardhura më të larta. Ky besim është bazuar në një parim të quajtur “Optimaliteti Pareto”, i cili supozon se njerëzit që fitojnë të ardhura më të larta mund të kompensojnë gjithmonë humbësit. Për rrjedhojë, çdo politikë që rrit të ardhurat e agreguara mund të jetë e mirë për shoqërinë, për shkak se mund t’i bëjë disa njerëz më të pasur pa lënë asnjë tjetër më të varfër.

Por çfarë ndodh nëse kompensimi i supozuar nga teoria e ekonomistëve nuk ndodh në praktikë? Çfarë ndodh nëse politikat e fondamentalizmit të tregut të cilat në mënyrë speficike ndalojnë rishpërndarje të të ardhurave apo subvencionimet rajonale, industriale dhe të arsimit të cilat mund të kompensojnë ata që vuajnë nga tegtia e lirë dhe nga “fleksibiliteti: i tregut të punës? Në këtë rast, optimaliteti Pareto nuk është fare optimal nga pikëpamja shoqërore. Në vend të kësaj, politikat që intensifikojnë konkurrencën, qoftë në tregti, në tregjet e punës apo në prodhimin vendës, mund të jenë shkatërrimtare në terma shoqërorë dhe shpërthyese në terma politikë.

Kjo nxjerr në pah një arsye tjetër për dështimin e politikës ekonomike që nga viti 2007. Ideologjia dominuese e mos-ndërhyrjes së qeverisë në mënyrë natyrore e intensifikon rezistencën ndaj ndryshimit mes humbësve nga globalizimi dhe teknologjia dhe krijon probleme të stërmëdha në zbatimin e reformave ekonomike. Për të pasur sukses, politikat monetare, fiskale dhe strukturore duhet të zbatohen sëbashku, me një rend logjik dhe që përforcojnë njëra-tjetrën. Por nëse fondamentalizmi i tregut bllokon politikat ekspansioniste makroekonomike dhe parandalon rishpërndarjen e taksimit apo shpenzimeve publike, rezistenca populiste ndaj tregtisë, derregullimit të tregut të punës dhe reformave në pensione është e destinuar të intensifikohet. Anasjelltas, nëse kundërshtimi populist i bën reformat strukturore të pamundura, kjo nxit rezistencën konservatore ndaj makroekonomiksit ekspansionist.

Supozo, nga ana tjetër, që ekonomiksi “progresiv” i punësimit të plotë dhe rishpërndarjes mund të kombinohet me ekonomiksin “konservator” të tregut të lirë dhe liberalizimit të tregut të punës. Pas kësaj si politikat makroekonomike ashtu edhe ato strukturore mund të jenë më të lehta për t’u justifikuar politikisht – dhe me shumë më tepër shanse për të pasur sukses.

A mund të presim që kjo do të ndodhë në Europë? Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, e mbështeti fushatën e tij elektorale në një sintezë të reformave në tregun e punës të “krahut të djathtë” me lehtësim të kushteve fiskale e monetare të “krahut të majtë” – dhe idetë e tij po marrin mbështetje në Gjermani dhe mes politikëbërësve të Bashkimit Europian. Nëse “Macronekonomiksi” – tentativa për të kombinuar politika strukturore konservatore me makroekonomiksin progresiv – ia del të zëvendësojë fondamentalizmin e tregut që dështoi në vitin 2007, dekada e humbur e stanjacionit ekonomik mundet që shpejt të marrë fund – së paku për Europën.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan