Populizëm apo Kushtetutshmëri

Nga Engert Pëllumbi, botuar në Panorama, 18 korrik 2017

Këto fjalë gati profetike, të thëna nga Presidenti i XVI i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Linkoln, në ditët e sotme tingëllojnë të zbehta, e kanë humbur kuptimin e tyre origjinal dhe janë kthyer në një retorikë të zakonshme me të cilën synohet të rritet euforizmi në radhët e njerëzve, nga ana e aktorëve politikë, dhe të largohet arsyeja nga analizimi i ngjarjeve dhe problematikave që shqetësojnë një vend. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ajo që më pak u përket degëve dhe institucioneve jopolitike të pushtetit shtetëror.

Me këtë çështje u takon të qeverisurve të merren, të cilët duhet të tregojnë urtësinë dhe largpamësinë e duhur sa herë që kanë shansin për të qenë gjyqtarët e qeverisësve, duke u thirrur për të shprehur vullnetin e tyre sovran në kutitë e votimit. Ky është aspekti formal i demokracisë. Ajo që përbën rrezikun më të madh në një demokraci kushtetuese është fenomeni i uzurpimit të demokracisë materiale nga ajo formale.

Një shtet modern demokratik, i cili aspiron të jetë pjesë e familjes së kombeve të qytetëruara, qeveriset mbi disa parime dhe vlera, të cilat janë gati të shenjta për të dhe të tilla që nuk mund të abrogohen, deformohen apo nëpërkëmben nga asnjë qeveri e ardhur në pushtet në mënyrë legjitime.

Këto parime dhe vlera, si shteti i së drejtës, kontrolli dhe balancimi i pushteteve, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, respektimi i të drejtave të pakicës parlamentare, pavarësia e gjyqësorit etj., kanë një natyrë universale, gati metafizike dhe janë ngurtësuar në dokumentin themeltar të shtetit, kushtetutën. Kjo përbën aspektin material të demokracisë.

Kushtetuta, si dokumenti me vlerën më të lartë juridike, përbën njëkohësisht një kontratë sociale, ku, në mënyrë figurative, anëtarët e një shoqërie bien dakord për themelet mbi të cilat do të ndërtojnë raportet ndërmjet vetes, si dhe ndërmjet tyre dhe të zgjedhurve (qeverisësve), duke e kthyer sakaq në gurin udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen. Populizmi është fenomen i demokracisë formale, është ushqim elektoral për fushatat zgjedhore, por edhe jashtë tyre, është anestezi për mendjet e njerëzve, sa herë që problemet që kanë të bëjnë me qeverisjen kanë pak ose aspak shans që të zgjidhen.

Ky është tipar i të gjitha vendeve, si atyre pluraliste, ashtu edhe atyre diktatoriale. Megjithatë, në vendet pluraliste, në ato që kanë një demokraci të shëndoshë, e të cilat udhëhiqen nga vlerat dhe parimet e përmendura më sipër, ekziston një vijë e kuqe, një vijë përtej së cilës populizmi dhe demokracia formale, ose e thënë më thjesht vullneti i shumicës, nuk mund të kalojë. Kjo vijë është ndarja e pushteteve. Çështjet që i përkasin sferës së një pushteti nuk mund të merren dhe zgjidhen nga individët apo organet që i përkasin pushteteve të tjera.

Por a mund të ndodhë në praktikë diçka e tillë, kaq rëndom? Sigurisht që asnjë pushtet politik nuk e ka naivitetin që të sillet antikushtetutshmërisht në mënyrë të hapur. Uzurpimi i demokracisë materiale, i cili ka si pasojë të drejtpërdrejtë uzurpimin e lirive të qytetarëve, ndodh në mënyra të ndryshme, si duke ndikuar në procesin e emërimit të anëtarëve të institucioneve të pavarura, duke ndikuar në pavarësinë financiare të këtyre institucioneve, duke kamufluar dispozita antikushtetuese gjatë procesit ligjbërës, të cilat sjellin pasoja në statusin e institucioneve në fjalë, duke delegjitimuar të gjithë institucionin ose anëtarë të veçantë të tij, e madje duke i shantazhuar në forma të ndryshme këta individë.

Historia na ofron shembuj makabër të grabitjes, nëpërmjet retorikës populiste, dhe më tej shpërdorimit të vullnetit të popullit. Premtimi për liri, barazi dhe vëllazëri, duke u mbështetur në një situatë të pabarazisë së thellë klasore, krijoi Revolucionin Francez, i cili shumë shpejt u shndërrua në një diktaturë gjakatare (diktatura Jakobine). Propagandat populiste, të cilat shfrytëzuan gjendjen e rëndë ekonomike dhe sedrën e lënduar të popullit gjerman sollën në pushtet nazistët në vitin 1933 dhe shkaktuan Holokaustin e tmerrshëm. Pasojat shkatërrimtare të Luftës I Botërore, si dhe premtimi për paqe u përdorën mjeshtërisht nga bolshevikët në vitin 1917 për të ardhur në pushtet. Shembuj të tillë dhe shumë të tjerë si këto duhet të na ndërgjegjësojnë se “vullneti i popullit” kur keqpërdoret mund të bëhet varrmihësi i vetë atij (popullit).

Për këtë është e domosdoshme, që nëse duam të krijojmë një ardhmëri të sigurt, përkrah vendeve me standardet më të larta demokratike, duhet të heqim dorë nga intimidimi i organeve të garancisë (institucionet e pavarura kushtetuese), nga shkatërrimi i demokracisë materiale. Populli kushtetutbërës është më i mençur se populli ligjvënës, pasi i pari shtron binarët e së ardhmes, ndërsa i dyti zgjidh vetëm problemet e së tashmes. I pari është i pakorruptueshëm, ndërsa i dyti mund të bjerë lehtësisht pre e gjendjes dhe emocioneve të përkohshme.

Në vende me një filozofi të zhvilluar të së drejtës, sikurse është Gjermania, argumenti shkon edhe më tej, pasi rendi objektiv i vlerave që gjendet i inkorporuar në ligjin themelor (Kushtetutë) gëzon një status suprem. Teoria kushtetuese pranon se edhe ndryshimet që mund t’i bëhen ligjit themelor, si reflektim i vullnetit më të lartë sovran të popullit, duhet t’i nënshtrohen optikës vlerësuese të këtij rendi vlerash, të cilat pra i imponohen popullit si urdhra hyjnorë. Organet e garancisë, duke qenë me një natyrë jopolitike, nuk i nënshtrohen kontrollit demokratik sikurse legjislativi dhe ekzekutivi.

Gjithsesi kjo nuk i bën inferiore në raport me këto të fundit dhe as vartëse të tyre. Organet me natyrë politike janë mbajtëse të demokracisë formale, ndërsa organet e garancisë janë përgjegjëse për demokracinë materiale. Shprehja madhështore e një njeriu gjenial, sikurse ka qenë Presidenti Linkoln, “qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin …” presupozon të dyja anët e medaljes, të dyja trajtat e demokracisë, si atë formale, ashtu edhe atë materiale. Qeverisja jo vetëm duhet të dalë nga populli, por duhet t’i bindet kushtetutës së popullit, në mënyrë që të jetë një qeverisje e denjë për popullin.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan