E drejta dhe liria

Nga Klementin Mile, botuar në Mapo, 13 korrik 2017

Ndërsa filozofët politikë janë marrë me pyetjet e gjera si psh natyra e së drejtës, debatet e përditshme për raportin ndërmjet së drejtës dhe moralitetit kanë pasur prirjen të fokusohen te përmbajtja morale e ligjeve specifike. Pra cilat ligje janë moralisht të justifikuara dhe cilat jo? Kjo pyetje implikon çështjen e lirisë individuale dhe të balancës ndërmjet zgjedhjeve morale që duhen bërë nga individi, dhe zgjedhjeve morale për të cilat duhet të vendosë shoqëria dhe që duhen imponuar me anë të ligjit.

Sipas John Stewart Mill, ligji nuk ka të drejtë të ndërhyjë te veprimet që sjellin pasoja vetëm për individin që i kryen ato. Në këtë hapësirë individi mund të ushtrojë liri të pakufizuar. Ligji duhet të kufizojë vetëm veprimet individuale që sjellin pasoja për të tjerët, dhe vetëm kur të tjerëve u shkaktohet dëm. Por pozicioni i Mill mund të kritikohet së paku në tre aspekte. Së pari, mund të shtrohet pyetja: Çfarë kuptohet me ‘dëm’? A mund të kuptohet me këtë vetëm dëmi fizik, apo nocioni i dëmit mund të zgjerohet për të përfshirë edhe dëmin psikologjik, mendor, moral dhe shpirtëror? Për shembull blasfemia me të vërtetë nuk shkakton dëm fizik, por ajo mund të shkaktojë ‘fyerje’ duke sfiduar parimet më të shenjta të një grupi fetar dhe, në këtë mënyrë, të kërcënojë sigurinë e këtij grupi. Ky është madje dhe argumenti i përdorur nga fondamentalistët islamikë në fushatën e tyre kundër botimit të librit ‘Vargje satanike’ të Salman Rushdie. Së dyti, mund të pyetet: Kush llogariten si ‘të tjerët’ që nuk duhen dëmtuar? Kjo pyetje ngrihet sidomos kur diskutohen çështje të tilla si aborti dhe kërkimi shkencor në embrion, ku në pikëpyetje vihet statusi i të palindurve. A duhen llogaritur të palindurit si ‘të tjerët’ që nuk duhen dëmtuar, apo jo? Së treti, si duhet ta kuptojmë autonominë individuale? A mund të konsiderohen për shembull fëmijët autonomë? Po personat që kanë krijuar varësi nga droga, alkooli, apo duhani? Nëse i konsiderojmë jo autonomë – pra të paaftë për të pasur një vullnet të lirë vetjak dhe për të bërë zgjedhje racionale – atëherë, si rrjedhojë, zhvillojmë legjislacion paternalist. Përndryshe, u njohim lirinë për të vepruar si të dëshirojnë për sa kohë nuk dëmtojnë të tjerët. Por, sidoqoftë, debati për këto çështje mbetet i hapur.

Një bazë alternative për të vendosur raportin ndërmjet së drejtës dhe moralitetit është të mos marrësh parasysh pretendimet e lirisë individuale, por dëmin që mund t’i shkaktohet fabrikës sociale nga liria e pakufizuar. Këtu është çështja te diversiteti moral dhe kulturor që lejon dhe madje inkurajon këndvështrimi i John Stewart Mill. Një shtjellim klasik i këtij pozicion u zhvillua nga Patrick Devlin, i cili argumenton se ka një ‘moralitet publik’, të cilin shoqëria ka të drejtë ta zbatojë nëpërmjet instrumentit të së drejtës. Pra ligji ka të drejtë të sigurojë zbatimin e moralit, kur ndryshimet në stilin e jetës dhe sjelljen morale kërcënojnë fabrikën sociale dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Ky pozicion është marrë edhe nga E Djathta e Re konservatore që prej viteve 1970, në raport me të ashtuquajturën ‘ndotje morale’.

Por edhe ky pozicion na bën të ngremë një numër pyetjesh. Së pari, a ekziston ‘moraliteti publik’? A ka ndonjë grup vlerash të ‘shumicës’ që mund të dallohen prej vlerave të ‘pakicës’? Së dyti, ekziston rreziku se në emër të moralitetit tradicional, e drejta nuk do bëjë gjë tjetër përveç imponimit të paragjykimeve sociale. Së treti, nuk mund të jemi të sigurt se një shoqëri e shëndetshme dhe e qendrueshme mund të ekzistojë vetëm kur mbizotëron moraliteti i përbashkët.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi